Lidhje


Peleshi Takon Krerët e Kosovës: Koordinim i Ri Politik dhe Euroatlantik

 

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, më 02.03.2026, ka takuar në Prishtinë krerët e shtetit. Në të tre takimet, u folë për bashkëpunimin mes dy shteteve në fusha të ndryshme me interes të përbashkët.Fillimisht, në Kuvendin e Kosovës u prit nga homologia e tij, Albulena Haxhiu.“Ky takim, që u zhvillua në një ditë historike si Dita e Besëlidhjes së Lezhës, na dha mundësinë të kujtojmë bashkëpunimin vëllazëror mes dy Republikave tona dhe përkushtimin tonë në shërbim të qytetarëve. Ndamë ide për shkëmbimin e grupeve të deputetëve dhe komisioneve parlamentare, për të përfituar nga përvojat dhe praktikat më të mira mes dy shteteve tona”, ka shkruar ajo.Haxhiu bëri të ditur se gjatë takimit folën për rëndësinë e marrëveshjeve të miratuara në Kuvendet përkatëse, për rolin mbikëqyrës dhe për nevojën për të shtuar marrëveshje të reja që forcojnë bashkëpunimin dhe përmirësojnë jetën e qytetarëve.

 

Më pas, Peleshi u drejtua për në Presidencë për një takim me presidenten Vjosa Osmani.“Lidhja ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është e natyrshme, strategjike dhe e pathyeshme.Uniteti ynë është forcë, koordinimi ynë është garanci, ndërsa vizioni ynë është paqja, stabiliteti dhe e ardhmja e përbashkët euroatlantike. Në kohë sfidash globale, qëndrimi ynë i përbashkët është forca dhe siguria jonë”- ka shkruar Osmani në Facebook.

 

Krejt në fund, Peleshi zhvilloi një takim me kryeministrin Albin Kurti, ku u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, rritjen e koordinimit në politikën e jashtme, si dhe për avancimin e agjendës së integrimit drejt Bashkimit Evropian. “Në këtë datë historike, që shënon bashkimin e princërve shqiptarë në vitin 1444, theksuam rëndësinë e unitetit dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë si dy shtete me aspirata të përbashkëta kombëtare për rritje ekonomike, forcim të demokracisë dhe integrim euroatlantik”- ka shkruar Kurti në Facebook.Kurti vlerësoi se Kosova dhe Shqipëria mbështesin dhe shtyjnë përpara njëra-tjetrën në proceset zhvillimore dhe integruese, duke i konsideruar arritjet si të përbashkëta dhe duke punuar me përkushtim për të ardhmen evropiane të qytetarëve të të dy vendeve./ Kallxo.com


Abdixhiku, pas takimit me Kurtin: Nuk kemi arritur konsensus për postin e presidentit

 

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti ku kanë folur për çështjen e presidentit, ka thënë se nuk kanë qëndrime refuzuese ndaj askujt, e sidomos ndaj presidentes aktuale Vjosa Osmani.

 

Ka shtuar se aktualisht nuk u është propozuar asnjë emër për të cilin u janë kërkuar nënshkrimet.

 

“Ne nuk kemi qëndrime refuzuese ndaj askujt, e aq më pak ndaj Osmanit”, ka thënë ai.

 

Tutje ka deklaruar se e sheh shumë të vështirë çështjen e konsensusit politik në këtë moment brenda partive politike shqiptare, duke shtuar se nuk ka ndonjë kandidat specifik i cili u është prezantuar.

 

Ka shtuar se herën e kaluar në takim me Kurtin, në tavolinë kanë pasur imponim, për çka thotë se e kanë hequr nga tavolina.

 

“Më pas ka qenë marrëveshja politike dhe konsensusi. Kurti ka kërkuar 85 vota, pra nuk pas parakushte e as diskutime për marrëveshje politike. Le ta provojnë garën, por LDK-ja sugjeron që ta provojnë konsensusin para garës. Ne nuk kemi thënë asnjëherë që kemi apo nuk kemi votë për Vjosa Osmani”, ka thënë ai.

 

Abdixhiku ka thënë se nuk u është propozuar asnjë emër për të cilin u janë kërkuar nënshkrimet.

 


Ka paralajmëruar se do t’i kthehet grupit parlamentar të LDK-së për të raportuar lidhur me diskutimet.

 

“E shoh të vështirë konsensusin, nuk ka ndonjë emër që na është prezantuar, e as nuk na është kërkuar vota për ndonjë emër specifik. LDK-ja me 15 deputetë nuk mund të caktojë emër e as të nominojë dikë”, ka thënë ai.

 

Abdixhiku ka shtuar se do duhej të kishte unitet popullor lidhur me këtë çështje.

 

Ai ka thënë se për garë nuk beson që ka zgjidhje dhe sipas tij nëse PDK-ja dhe VV-ja vendosin për garë atëherë shkohet në zgjedhje./ Koha.net


Qytetarë serbë i kërkojnë Iranit të sulmojë bazën amerikane në Kosovë, Bondsteel

 

Si hakmarrje për bombardimet, Irani po sulmon vazhdimisht bazat amerikane në shtetet e Lindjes së Mesme.

 

E faqe të ndryshme të serbëve në rrjete sociale, raportojnë se shumë serbë po ua dërgojnë shërbimeve të ndryshme të Iranit koordinatat e kampit ushtarak Bondsteel në Kosovë.

 

Kjo bazë është amerikane dhe sipas serbëve, edhe ajo duhet të jetë cak i sulmeve të Iranit.

 

"Ja një bazë tjetër amerikane! Faleminderit paraprakisht", thuhet në një postim në rrjetin social “X”.

 

Në Ministrinë e Mbrojtjes kanë thënë se nuk kanë marrë informacione për këto thirrje.

 

“Jo nuk kemi pranuar ndonjë informacion të tillë”, ka thënë shkurtimisht zëdhënësja, Liridona Gashi.

 

KOHA, për këtë çështje ka dërguar pyetje edhe në KFOR, por nuk ka marrë përgjigje.

 

Irani edhe para se të niste sulmi i përbashkët i SHBA-së dhe Izraelit, ka paralajmëruar se do të kundërpërgjigjet duke goditur të gjitha bazat amerikane në rajon si dhe territorin e shtetit izraelit.

 

Shumë prej bazave tashmë janë shënjestruar.

 

Në nisje të sulmeve ndaj Iranit, të shtunën, liderë institucionalë të Kosovës kanë mbështetur veprimet e ndërmarra nga SHBA-ja dhe Izraeli.

 

Sipas këtyre dy vendeve, qëllimi i sulmeve është shkatërrimi i programit bërthamor të Iranit./ Koha.net


Avokatja e Thaçit në Hagë: Dëshmitarët e bënë vetë publike ftesën për dëshmi

 

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, mbrojtja e Hashim Thaçit nisi të hënën të marrë në pyetje dëshmitarin e parë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), në gjykimin ndaj Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për pengim të drejtësisë.

 

Dëshmitari, i cili kishte nisur dëshminë më 27 shkurt si i ftuari i parë i Prokurorisë në këtë rast, u mor në pyetje nga avokatja e Thaçit, Sophie Menegon. Në gjykatore u bë e ditur se ai është pjesë e stafit të Prokurorisë.

 

Seanca, që nisi në orën 9:30, herë pas here kaloi në pjesë të mbyllura për publikun.

 

Gjatë seancës, Menegon u fokusua në procedurat që lidhen me dëshmitarët në rastin tjetër ndaj Thaçit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, duke argumentuar se disa prej tyre e kanë bërë vetë publike faktin se janë ftuar për të dëshmuar.

 

Si shembull ajo përmendi Rrustem Mustafën, i njohur si Remi, për të cilin tha se kishte deklaruar vetë në media se ishte ftuar për të dëshmuar në Hagë.

 

Dëshmitari i Prokurorisë tha se Remi nuk ishte vendosur nën masa mbrojtëse, pasi është figurë publike dhe ka folur më herët publikisht për këto çështje.

 

Në seancën e 27 shkurtit, i pyetur për procedurat, ai kishte thënë se dëshmitarët zakonisht udhëtojnë për në Hagë 7–10 ditë para datës së dëshmisë, për t’u përgatitur duke analizuar deklaratat e mëhershme dhe materiale të tjera. Sipas tij, dëshmitarët kanë të drejtë të korrigjojnë ose ndryshojnë dëshminë e tyre.

 

Sipas aktakuzës, për disa muaj gjatë vitit 2023, të akuzuarit kanë ndërhyrë në çështjen gjyqësore ndaj Thaçit dhe tre ish-eprorëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

 

Në seancën paraprake, Thaçi, Smakaj, Kilaj, Fazliu dhe Kuçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.

 

Në deklaratën hyrëse, Prokuroria ka thënë se Thaçi ka udhëhequr tri grupe në përpjekje për të ndikuar dëshmitarë të caktuar në rastin e parë kundër tij.

 

Ajo ka deklaruar se posedon dëshmi, përfshirë audio-incizime të realizuara në qendrën e paraburgimit në Hagë, ku pretendohet se Thaçi udhëzon të akuzuarit që të ndikojnë që dëshmitarë të caktuar, përfshirë edhe të mbrojtur, të ndryshojnë dëshminë e tyre.


Prokuroria ka thënë gjithashtu se te disa nga të akuzuarit janë gjetur materiale që dyshohet se u janë dhënë nga Thaçi.

 

Thaçi, ish-president i Kosovës, akuzohet edhe për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, së bashku me tre ish-eprorë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

 

Të katërtit i kanë mohuar akuzat.

 

Në këtë rast, nga java e kaluar, janë duke u zhvilluar deklaratat përmbyllëse, gjatë të cilave mbrojtja argumentoi se nuk ekzistojnë prova të mjaftueshme për krimet e pretenduara, ndërsa Prokuroria kërkoi që të katërtit të shpallen fajtorë.

 

Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues, i cili ka afat tre muaj për të marrë një vendim ose mund të kërkojë zgjatjen e këtij afati.

 

Njoftimi i sotëm vjen në ditën kur Kosova shënon 18-vjetorin e pavarësisë, ndërsa pritet edhe një protestë që do të adresojë, sipas organizatorëve, trajtimin e padinjitetshëm të të akuzuarve në Hagë./Koha.net


Osmani: Prania e trupave amerikane garanton stabilitet në Kosovë

 

Presidentja Vjosa Osmani ka marrë pjesë në ceremoninë e ndërrimit të komandës dhe pranim-dorëzimit të detyrës së komandantit të Komandës Rajonale-Lindje të KFOR-it, ku ka ritheksuar mirënjohjen për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe rëndësinë e pranisë së trupave amerikane në Kosovë.

 

Osmani ka theksuar se Kosova do të mbetet gjithmonë mirënjohëse ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për mbështetjen e palëkundur në të gjitha etapat e shtetndërtimit dhe forcimit të paqes e sigurisë në vend, shkruan RTK.

 

Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani e ka uruar kolonelin Sargeant për detyrën e re, duke e siguruar për mbështetjen e plotë të institucioneve të Kosovës në përmbushjen e mandatit të tij dhe të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO.

 

“Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e jashtëzakonshme të pranisë së trupave ushtarake amerikane në Kosovë, të cilat, sipas saj, “jo vetëm që garantojnë stabilitet dhe siguri afatgjatë, por edhe dërgojnë një mesazh të qartë përkushtimi ndaj paqes dhe sigurisë në gjithë rajonin”, përfundon njoftimi.

XS
SM
MD
LG