Lidhje


Rama pranon shtyrjen e anëtarësimit: Premtimi për BE-në në 2027 merr goditjen e parë

 

Premtimi për mbylljen e negociatave me Bashkimin Europian brenda vitit 2027, i kthyer nga Edi Rama në boshtin kryesor të mandatit të katërt, tashmë nuk qëndron më si afat i sigurt. Kryeministri ka pranuar publikisht se procesi mund të shtyhet deri nga mesi i vitit 2028, duke rishkruar kështu një nga zotimet më të përsëritura politike të qeverisë së tij.

 

Deklarata u bë gjatë hapjes së Javës së Europës në Tiranë, në një atmosferë festive, ku lajmi për shtyrjen e mundshme të afatit u paraqit me tone optimiste. Rama tha se viti 2027 mbetet një objektiv i përbashkët, por se është parashikuar edhe mundësia e një zgjatjeje deri në mesin e vitit 2028, përpara se të nisë faza e ratifikimeve nga vendet anëtare të BE-së.

 

Në thelb, kjo deklaratë përbën një tërheqje nga afati që qeveria e kishte shitur për muaj të tërë si objektiv strategjik. Gjatë fushatës së zgjedhjeve të 11 majit, Rama e përdori integrimin europian si flamurin kryesor politik, duke premtuar se Shqipëria kishte shansin historik të mbyllte negociatat në harkun 2024–2027 dhe se mandati i katërt do t’i jepte vendit “pasaportën e BE-së”.

 

I njëjti zotim u përsërit edhe në Asamblenë e Partisë Socialiste në shtator 2025, kur kryeministri deklaroi se synimi ishte mbyllja e negociatave deri në fund të vitit 2027, ratifikimi nga 27 parlamentet e vendeve anëtare gjatë mandatit të ri dhe ngritja e flamurit shqiptar në familjen europiane deri në fund të dekadës.

 

Por procesi i anëtarësimit nuk varet vetëm nga deklaratat politike. Zyrtarët e Bashkimit Europian kanë përsëritur vazhdimisht se negociatat ecin mbi bazën e meritës, standardeve dhe rezultateve konkrete, sidomos në fushat që lidhen me shtetin e së drejtës, drejtësinë, luftën kundër korrupsionit dhe funksionimin demokratik të institucioneve.

 

Në këtë pikë, Shqipëria është përballur me rezerva serioze. Muajt e parë të vitit 2026 sollën tensione të forta politike dhe institucionale, veçanërisht pas votimit të 12 marsit në Kuvend, kur mazhoranca socialiste bllokoi kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut. Ky zhvillim krijoi shqetësim te partnerët ndërkombëtarë, të cilët paralajmëruan se goditjet ndaj pavarësisë së SPAK mund të kenë pasoja për procesin e integrimit.

 

Ambasadat e Gjermanisë, Holandës, Britanisë së Madhe dhe Delegacioni i Bashkimit Europian reaguan ashpër, ndërsa Rama iu përgjigj kritikave duke mbrojtur qëndrimin e mazhorancës dhe duke deklaruar se SPAK nuk mund të ketë “karta bianka”. Sipas tij, Parlamenti kishte vepruar si çdo institucion demokratik, por kjo përplasje duket se ka rënduar perceptimin në Bruksel për raportin mes politikës dhe drejtësisë në Shqipëri.

 

Megjithëse kryeministri ka këmbëngulur se negociatat nuk janë bllokuar apo penguar, pranimi i shtyrjes së afatit tregon se rruga drejt BE-së nuk po ecën sipas kalendarit të reklamuar politikisht. Nga premtimi për mbyllje negociatash në vitin 2027, qeveria tashmë po përgatit publikun për një skenar të ri: përmbyllje të procesit në vitin 2028 dhe më pas ratifikime të gjata në vendet anëtare.

 

Në fund, ajo që u paraqit si moment festiv në Javën e Europës është në fakt një korrigjim i rëndësishëm politik. Rama, që e kishte kthyer integrimin në kryepremtimin e mandatit të katërt, tashmë pranon se afatet nuk janë më ato që i premtoi elektoratit. Negotiatat mund të mos jenë bllokuar, por premtimi i vitit 2027 ka marrë goditjen e parë serioze.

XS
SM
MD
LG