Videoja që turpëroi Izraelin/ Pse qeveria shqiptare nuk flet për Baki Goxhajn?
Videoja e Itamar Ben-Gvir me aktivistët e poshtëruar në Ashdod, mes tyre edhe shqiptari Baki Goxhaj, nxori në pah heshtjen e qeverisë së Edi Rama përballë reagimeve të ashpra të vendeve europiane ndaj Izraelit.
Marrëdhënia prej vasali që Edi Rama ka ndërtuar me Izraelin, që kur iu “përgjunj” Benjamin Netanjahut në janar të këtij viti ka marrë një konfirmim tjetër nga rasti i shqiptarit, Baki Goxhaj, një prej qindra aktivistëve të ndaluar si pjesë e “Flotiljes Globale Sumud”.
Fati i 428 aktivistëve të ndaluar nga marina izraelite, ku është edhe Goxhaj mbetet ende i paqartë, megjithëse kryeministri Netanjahu ka urdhëruar deportimin e tyre sa më të shpejtë.
Por ujërat i turbulloi keqas ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir që publikoi një video ku ai shfaqet duke ecur me sjellje përçmuese mes të ndaluarve, të lidhur dhe të mbajtur me fytyrë përtokë në portin e Ashdodit, në Izrael.
Videoja tregon një trajtim brutal nga forcat izraelite të rendit. Në fillim shihet një person që tërhiqet zvarrë në tokë pasi i kishte bërtitur ministrit “Palestina e lirë”. Më pas duken radhë personash të prangosur dhe të gjunjëzuar me kokën në tokë, si brenda një ndërtese që ngjan me magazinë, ashtu edhe jashtë në ambient të hapur. Kur pamjet kalojnë jashtë, dëgjohen altoparlantët që transmetojnë himnin e Izraelit ndërsa personat mbahen të shtrirë përtokë. Në një moment shihet edhe një person me sy të lidhur. (VIDEO MË POSHTË)
Në video, Ben-Gvir shfaqet i buzëqeshur mes aktivistëve dhe në një moment thotë: “Mirë se erdhët në Izrael, këtu jemi ne që komandojmë”. Më pas ai shfaqet duke valëvitur flamurin izraelit.
Ben-Gvir është një nga eksponentët më ekstremistë të qeverisë së Benjamin Netanjahut dhe është bërë shpesh protagonist i provokimeve të ushqyera nga retorika ultranacionaliste.
Misioni i ri i Flotiljes, që synonte të çonte ushqime dhe ilaçe në Gaza përmes detit, duke thyer bllokadën detare të Izraelit, ishte interceptuar nga marina izraelite në brigjet e Qipros.
Disa ditë më parë, Ministria jonë e Jashtme njoftoi përmes zëdhënësit se “është vënë prej momentit të parë në komunikim me autoritetet izraelite kompetente për të siguruar informacion të plotë mbi situatën dhe për të garantuar respektimin e të drejtave të shtetasit shqiptar”, por pamjet e shpërndara nga ministri izraelit tregojnë për një trajtim poshtërues për aktivitstët.
Po ky prononcim i shpërndarë në media ka qenë thjesht për të kaluar radhën. Bashkëshortja e Baki Goxhajt, Eriselda Balliu thotë se reagimi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ishte sa për të larë gojën, pasi në të vërtetë, ministria jonë e jashtme ka rënë në heshtje.
“Ndërsa Italia, Turqia, Irlanda dhe vende të tjera reaguan ashpër për qytetarët e tyre, kërkuan informacion, transparencë dhe mbrojtje konsullore, në Shqipëri ra heshtja. Ministria e Jashtme lau gojën me një deklaratë të vakët dhe më pas heshti. Edhe më e rëndë është heshtja e opozitës. Asnjë reagim, asnjë kërkesë publike, asnjë zë për të pyetur ku ndodhet një shtetas shqiptar i ndaluar në një operacion ndërkombëtar” shkruan Balliu në rrjetet sociale.
Në fakt, krerë të tjerë shtetesh kanë reaguar me forcë për atë që po ndodh me shtetasit e tyre në Izrael. Në rastin e Italisë, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe ministri i Jashtëm Antonio Tajani i cilësuan “të papranueshme” pamjet e videos. Deklarata vijon më tej: “Është e papranueshme që këta protestues, mes të cilëve shumë qytetarë italianë, t’i nënshtrohen një trajtimi që cenon dinjitetin njerëzor. Qeveria italiane po ndërmerr menjëherë, në nivelet më të larta institucionale, të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar lirimin e menjëhershëm të qytetarëve italianë të përfshirë. Italia kërkon gjithashtu ndjesë për trajtimin e rezervuar ndaj këtyre protestuesve dhe për shpërfilljen totale të treguar ndaj kërkesave të qarta të qeverisë italiane”.
Ndërkohë ministri i punëve të jashtme të Italisë ka thirrur ambasadorin izraelit për sqarime. Në diplomaci, thirrja e ambasadorit është një gjest i fortë politik që, megjithëse simbolik, sinjalizon një moment tensioni të madh mes dy vendeve.
Njësoj si italianët, edhe qeveritë franceze dhe spanjolle kanë bërë të ditur se kanë thirrur ambasadorin izraelit.
Edhe vetë ministri i Jashtëm izraelit Gideon Sa’ar e kritikoi drejtpërdrejt shfaqjen e Ben-Gvir: “Me këtë shfaqje të turpshme i ke shkaktuar me vetëdije dëm shtetit tonë, dhe nuk është hera e parë”. “Jo, ti nuk je fytyra e shtetit tonë”, përfundoi ai. Por Ben-Gvir nga ana tjetër iu përgjigj: “Kushdo që vjen në territorin tonë për të mbështetur terrorizmin dhe për t’u identifikuar me Hamasin do të goditet dhe ne nuk do të kthejmë faqen tjetër”.
Por si shpjegohet heshtja e qeverisë shqiptare? Përse nuk e dënoi askush një trajtim të tillë çnjerëzor në mesin e aktivistëve ku është edhe një shtetas shqiptar? Për të kuptuar këtë, duhet të kthehemi pas në kohë.
Në janar të këtij viti, kryeministri Edi Rama udhëtoi drejt Izraelit ku zhvilloi një takim me kryeministrin e atjeshëm, Benjamin Netanjahu dhe mbajti një fjalim në Kneset. Rama i shkallmoi qëndrimet e mëparshme të balancuara të politikës së jashtme të Shqipërisë dhe u pozicionua krejtësisht në anën e Izraelit për konfliktin e fundit në Gaza, duke shpërfillur masakrat dhe akuzat për genocid që i janë bërë autoriteteve izraelite.
Pak javë më pas, gjatë ceremonisë së krijimit të Bordit të Paqes, Shqipëria u prezantua si një prej pesë vendeve, që sipas planit paraprak të administratës së Donald Trump do të merrnin rol në administrimin e territoreve në Gaza pas mbylljes së konfliktit të armatosur.
Jo më kot, vizita në Izrael dhe gjunjëzimi para Benjamin Netanjahut u interpretua si një qëndrim i kalkuluar mirë, një manovër e Edi Ramës për t’u afruar me administratën Trump, në një moment kur emri i Shqipërisë po lidhej shpesh në reagimet e amerikanëve me trafikun ndërkombëtar të drogës dhe rrjetet kriminale shqiptare.
Me pak fjalë, heshtja e qeverisë shqiptare sot për Baki Goxhajn nuk është rastësi. Ajo tregon se indiferenca nga Ministria jonë e Punëve të Jashtme është një llogari e ftohtë, që i shkon përshtat marrëdhënies së vasalit dhe të servilit që shfaqi Rama në Izrael. Prandaj, për zyrtarët tanë, fati i një qytetari shqiptar për të cilin sot nuk dihet asgjë, peshon shumë më pak sesa raportet personale që ndërton Rama në funksion të egos së tij politike.