Lidhje


Opinion | Mendësia gjenocidale serbe: nga miti, shovinizmi dhe falsifikimi i historisë te glorifikimi i kriminelëve të luftës

 
 Shkruan: Adnan Qaka

Prof. Dr. Rasim Muminović, filozof boshnjak dhe profesor i filozofisë, në veprën e tij Fenomenologija srpske genocidne svijesti (Fenomenologjia e ndërgjegjes gjenocidale serbe), botuar në Ankara më 1995, nga MNVS, si vëllimi II i Bibliotekës “Vehbija Hodžić”, e trajton mendësinë gjenocidale serbe si një fenomen që, sipas tij, nuk është një incident i rastësishëm, kalimtar apo rezultat i disa grupeve të izoluara, por një epifenomen i rrënjosur thellë në jetën shoqërore dhe politike, një produkt sistematik i një ndërgjegjeje të deformuar, e cila për një kohë të gjatë është ushqyer nga mitomania, shovinizmi serb, prirja për hegjemoni, pretendimet territoriale dhe urrejtja e trashëguar ndaj popujve fqinjë, veçanërisht ndaj boshnjakëve dhe shqiptarëve.

 

Në këtë kuadër, Muminoviqi e kërkon vazhdimësinë e kësaj mendësie në një varg figurash dhe projektesh politike, nga Karađorđe, Princi Miloš dhe Mbreti Aleksandar Karađorđević, përmes Draža Mihajlovićit dhe Aleksandar Rankovićit, deri te Slobodan Miloševiqi, Radovan Karadžiqi dhe Ratko Mladiqi, duke argumentuar se pas ndryshimit të emrave, periudhave dhe rrethanave politike mund të vërehet një vazhdimësi e ideve shoviniste dhe hegjemoniste që e vendosin projektin serb mbi të drejtat dhe ekzistencën e popujve të tjerë.

 

Sipas tij, në krijimin dhe përhapjen e kësaj ideologjie kanë marrë pjesë së bashku udhëheqja politike, oligarkia, elita intelektuale dhe akademike dhe qarqe të Kishës Ortodokse Serbe. Udhëheqësit politikë, nga princërit dhe mbretërit e deri te Miloševiqi e Karadžiqi, paraqiten si figura të pushtetit që e përdorin manipulimin politik, mitologjinë historike, nacional-shovinizmin dhe pretendimet territoriale për zgjerim dhe për ruajtjen e dominimit.

 

Në anën tjetër, elita akademike dhe intelektuale, sipas Muminoviqit, i ka dhënë kësaj politike një mbështetje ideologjike dhe historike, duke vënë në shërbim të saj projekte dhe interpretime që justifikojnë zgjerimin serb. Në këtë vijë ai vendos Načertanijen e Ilija Garašaninit të vitit 1844, projektin e Stevan Moljevićit “Homogena Srbija” (“Serbia homogjene”) të vitit 1941, si dhe Memorandumin e SANU-së të vitit 1986 etj, ndërsa kritikon edhe figura të historiografisë dhe letërsisë serbe, si Milorad Ekmečiqi dhe Dobrica Ćosiqi, për përdorimin e historisë në shërbim të mitomanisë dhe justifikimit të pretendimeve mbi territoret e huaja.

 

Në këtë analizë, historia nuk është thjesht kujtim i së kaluarës, por një armë politike, sepse historia falsifikohet, riformulohet dhe mitologjizohet në mënyrë që disfata të shndërrohet në fitore, viktimizimi në të drejtë historike dhe agresioni në “mbrojtje” të kombit. Një vend qendror në këtë mendësi zë miti i “popullit qiellor” dhe “beteja e Kosovës”, ku disfata historike e vitit 1389 shndërrohet përmes vetëdijes epike në një fitore morale të përjetshme dhe në burim të një të drejte të supozuar për hakmarrje.

 

Sipas Muminoviqit, kjo mitologji e zhvendos realitetin historik dhe prodhon një vetëdije ku serbi e sheh veten vazhdimisht si viktimë, ndërsa popujt fqinjë paraqiten si armiq, pengesa ose uzurpues të një territori që pretendohet si “tokë historike serbe”. Kjo lidhet edhe me atë që ai e përshkruan si “tifusarska svijest”, “vetëdija tifusare”, një psikologji e krijuar përmes mitologjizimit të vuajtjeve serbe gjatë Luftës së Parë Botërore, ku roli i viktimës shndërrohet në një të drejtë të përhershme për dominim dhe hakmarrje. Në vend që vuajtja të prodhojë reflektim dhe humanizëm, ajo përdoret për të ushqyer urrejtjen dhe për të justifikuar dhunën ndaj të tjerëve.

 

Muminoviqi e shpjegon gjithashtu psikologjinë e masës së depersonalizuar dhe të liderit, ku individi humb “unë”-n e tij, humb aftësinë për të gjykuar në mënyrë të pavarur dhe shkrihet në turmë, duke ndjekur urdhrin e liderit dhe duke e provuar besnikërinë ndaj “kauzës” përmes forcës dhe dhunës. Në këtë gjendje, masa nuk mendon më si individë, por vepron si një trup kolektiv i mobilizuar nga propaganda, miti dhe urrejtja, ndërsa ata pak njerëz të civilizuar dhe kundër luftës që e kundërshtojnë këtë rrugë mbeten të margjinalizuar, shpallen tradhtarë dhe nuk janë në gjendje ta ndalojnë makinën kolektive të luftës.

 

Në këtë mekanizëm Muminoviqi përfshin edhe Kishën Ortodokse Serbe, të cilën e kritikon sepse, sipas tij, është larguar nga vlerat universale humaniste dhe është shndërruar në një shërbim ideologjik të hegjemonisë serbe, duke ofruar bekim fetar dhe justifikim për përndjekjen, konvertimin e detyruar dhe hakmarrjen.

 

Edhe figura e Shën Savës, në këtë kontekst, nuk mbetet vetëm figurë fetare, por bëhet pjesë e një simbolike kombëtare që mund të përdoret për shenjtërimin e projektit politik serb. Kështu, politika, historia, kultura, feja dhe propaganda bashkohen dhe krijojnë një sistem ku projekti territorial merr pamjen e një misioni historik dhe fetar. Për Muminoviqin, një nga pasojat më të rënda të kësaj mendësie është ndarja e njerëzimit në “tanët” dhe “të tjerët”, ku “tanët”, serbët, glorifikohen pa kritikë, ndërsa “të tjerët”, boshnjakët, shqiptarët dhe popujt e tjerë që nuk i nënshtrohen projektit serb, zhvlerësohen dhe reduktohen në objekt ose pengesë që mund të largohet me dhunë.

 

Kjo dehumanizim e përgatit terrenin psikologjik për krimin e gjenocidit serb, sepse kur tjetri nuk shihet më si njeri me të drejta, por si pengesë për një “kauzë kombëtare”, vrasja, dëbimi, përdhunimi, tortura dhe shkatërrimi i tij mund të paraqiten si mjete të lejueshme. Muminoviqi e lidh këtë me mungesën e turpit, frikës morale dhe empatisë, sepse personaliteti normal frenon veprimet e veta përmes ndërgjegjes dhe turpit, ndërsa ndërgjegjja e deformuar nga ideologjia i atrofizon këto kufizime dhe e lejon njeriun të kryejë krime të organizuara masive pa ndier përgjegjësi morale. Këtu ai e vendos edhe organizimin e përdhunimeve masive, torturave dhe kampeve, si forma të skajshme të çnjerëzimit.

 

Ai e çon kritikën edhe më larg duke argumentuar se njeriu i drejtuar nga një ndërgjegje e deformuar mund të bëhet më i rrezikshëm se kafsha, sepse kafsha vepron nga instinkti i mbijetesës, ndërsa njeriu mund të ndërtojë ideologji, institucione, ushtri dhe plane për shkatërrimin sistematik të një populli dhe të kulturës së tij.

 

Prandaj shkatërrimi i qëllimshëm i monumenteve, vendeve të kultit të fesë islame dhe trashëgimisë historike nuk është vetëm pasojë e luftës, por ishte pjesë e një strategjie për shkatërrimin e xhamive dhe monumenteve dhe objekteve hustorike të boshnjakëve.Pra ishte një përpjekje për ta shkatrruar një popull jo vetëm fizikisht, por edhe nga kujtesa dhe nga historia e territorit ku ka jetuar.

 

Muminoviqi e kundërshton fuqishëm edhe përpjekjen për t’i paraqitur agresionet dhe krimet si vepër vetëm të disa ekstremistëve. Në analizën e tij, zbatuesit në terren janë masa e depersonalizuar, formacionet ushtarake dhe policore, si dhe njesitët tjera që ishin pjesë e forcave të armatosura serbe, si njesitët e Šešeljit, Arkanit dhe “Shqiponjat e Bardha” etj., të vendosur nën komandën e fanatikëve ideologjikë dhe të armatosur me pajisje ushtarake të ish-JNA-së.

 

Përgjegjësia, sipas tij, nuk mbaron te një grup i vogël kriminelësh, sepse pjesa dërrmuese e shoqërisë që i mbështetë këto politika përmes zgjedhjeve, tubimeve, propagandës, heshtjes ose pranimit të objektivave të luftës bëhet pjesë e klimës që e mundëson krimin.

 

Kjo nuk do të thotë se çdo individ serb është kriminel ose se çdo serb ka të njëjtën mendësi, por se Muminoviqi e vendos në qendër të analizës së tij pikërisht mendësinë shoqërore dhe politike të prodhuar nga shovinizmi serb, si dhe përgjegjësinë e një shoqërie që e lejon një ideologji të tillë të bëhet makinë shtetërore dhe ushtarake.

 

Për këtë arsye, ata pak serbë që kundërshtuan luftën, krimin e gjenocidit dhe propagandën mbetën të margjinalizuar dhe u trajtuan si tradhtarë, ndërsa forcat që e shtynë shoqërinë drejt luftës fituan fuqinë për ta kthyer ideologjinë në realitet. Përfundimi i Muminoviqit është po aq i ashpër sa analiza e tij, sepse ai argumenton se një ndërgjegje e deformuar nuk mund të ndryshohet vetëm me lutje diplomatike, ndihmë humanitare ose rezoluta deklarative, pasi patologjia e dhunës, sipas tij, njeh vetëm frikën dhe forcën. Për këtë arsye, viktima duhet ta refuzojë naivitetin e vet, ta zgjojë vetëdijen e saj etnike dhe shtetformuese dhe ta mbrojë në mënyrë të vendosur, të armatosur dhe institucionale të drejtën e saj për jetë dhe ekzistencë.

 

Pikërisht këtu kjo analizë lidhet fuqishëm me dy fotografitë që paraqesin një kontrast tronditës mes vitit 1991 dhe vitit 2026. Në njërën fotografi shihet turma që përshëndet tanket në fillimin e luftës, ndërsa në tjetrën, pas dekadash, shfaqet glorifikimi i Ratko Mladiqit si “hero serb”. Në njërën anë është makina e luftës, në tjetrën është nderimi i një prej figurave kryesore të saj. Mladiqi është dënuar përfundimisht për krimin e gjenocidit dhe krime të tjera të rënda, por glorifikimi i tij si hero tregon se pjesa më e madhe e shoqërisë serbe, për ta krimineli nuk është shndërruar në figurë turpi, por vazhdon të paraqitet si simbol krenarie.

 

Kjo e bën fotografinë e vitit 2026 një pasqyrë të dhimbshme të asaj që Muminoviqi e kishte analizuar në vitin 1995, sepse tregon se si falsifikimi i historisë dhe glorifikimi i kriminelëve të luftës mund ta mbajnë gjallë një mendësi edhe pas përfundimit të luftës.

 

Nëse tanket duartrokiten në fillim të luftës dhe dekada më vonë një kriminel i dënuar për krim të gjenocidit nderohet si hero, atëherë kemi një vazhdimësi simbolike që nuk mund të anashkalohet. Dhe pikërisht kjo e bën të rëndësishme edhe çështjen e përgjegjësisë së Serbisë, sepse krimi i gjenocidit ndaj boshnjakëve nuk mund të shkëputet artificialisht nga Serbia dhe të reduktohet vetëm te “serbët e Bosnjës”.

 

Ka fakte dhe dëshmi të shumta për lidhjet politike, ushtarake, financiare dhe institucionale ndërmjet Beogradit dhe strukturave serbe në Bosnjë, ndërsa glorifikimi i sotëm i kriminelëve të luftës tregon se problemi nuk është vetëm historia e shkruar në dokumente, por edhe mënyra se si ajo histori pranohet ose mohohet në shoqërinë e sotme. Në këtë kuptim, libri i Muminoviqit nuk duhet parë vetëm si një vepër për vitin 1995, por si një përpjekje për të zbërthyer rrënjët e një mendësie që, sipas tij, prodhon cikle të përsëritura të mitologjisë, shovinizmit, falsifikimit të historisë, dehumanizimit, dhunës dhe më pas glorifikimit të kriminelëve.

 

Nga Karađorđe te Miloševiqi, nga projektet e Garašaninit dhe Moljevićit te Memorandumi i SANU-së, nga elitat politike e akademike te Kisha Ortodokse Serbe, nga miti i Kosovës dhe “populli qiellor” te urrejtja ndaj boshnjakëve dhe shqiptarëve, nga tanket e vitit 1991 te glorifikimi i Mladiqit në vitin 2026, Muminoviqi kërkon të tregojë një vijimësi të shovinizmit serb dhe të ndërgjegjes gjenocidale që ai e konsideron të prodhuar dhe të ushqyer nga një sistem i tërë shoqëror e politik.

 

Dhe pikërisht dy fotografitë e bëjnë këtë vazhdimësi vizualisht të pamohueshme si simbolikë, sepse në njërën shihet lufta duke u përshëndetur në fillim, ndërsa në tjetrën krimineli i saj glorifikohet pas dekadash. Historia ndryshon vetëm atëherë kur krimi pranohet si krim, viktima njihet si viktimë dhe krimineli nuk trajtohet më si hero. Kur ndodhë e kundërta, atëherë ajo që ndryshon është vetëm koha, jo domosdoshmërisht mendësia.

 

XS
SM
MD
LG