Trazirat e Marsit të Vitit 2004 të Inskenuara nga Shërbimet Sekrete Serbe
Friday, 18 September 2026 08:53
Adnan Qaka
Viti 2002 shënon intensifikimin e veprimeve të shërbimeve zbuluese serbe në drejtim të Kosovës. Kjo ndodh pas riorganizimit të shërbimeve, si dhe vendimeve politike të qeverisë serbe për të mos hequr dorë nga Kosova si pjesë integrale e Republikës së Serbisë, sipas tyre. Në këtë kohë, në kulturën diplomatike dhe mediatike beogradase flitej hapur për angazhimin e shërbimeve zbuluese nga qeveria e Serbisë me aktivitete ofensive në drejtim të Kosovës. Në kuadër të këtyre aktiviteteve përmendej i ashtuquajturi plan “vjetnamizimi i Kosovës”, që nënkuptonte futjen e shqiptarëve të Kosovës në konflikt me bashkësinë ndërkombëtare. Në këtë kohë, kjo shihej si e vetmja alternativë e kthimit të sërishëm të Serbisë në Kosovë.
Zyrtarisht, paralajmërimet e para për fillimin e aksioneve të fshehta në drejtim të Kosovës i bëri së pari Nebojsha Qoviq, zëvendëskryeministër i Serbisë dhe shef i Qendrës Koordinuese për Kosovën. Ai, në intervistën e dhënë gazetës “Vreme” të datës 4 prill 2002, deklaroi se: “Presim që me UNMIK-un të vendosim marrëdhënie të mira dhe pastaj do të futemi në diçka që është e pashmangshme, dialogun me shqiptarët.”
Paralajmërimi i dytë dhe shumë indikativ gjithashtu bëhet nga Rade Bullatoviq, drejtor i shërbimit të zbulimit serb (BIA), i cili, në një konferencë për shtyp (e para dhe e fundit e këtij lloji, dhjetor 2003), të mbajtur në selinë e BIA-s, deklaronte se gjatë këtij viti plani kryesor do të jetë përcjellja e ngjarjeve në Kosovë. Dhe, së fundi, ndër paralajmërimet më transparente ishte ai i bërë nga koloneli Momir Stojanoviq, i cili, në cilësinë e shefit të shërbimit ushtarak serb (VBA), për gazetën “NIN”, të janarit 2004, deklaronte se: “Vitin e kaluar ne kemi arritur që të ripërtërijmë, gjegjësisht të sigurojmë prezencën tonë operative në qendër të lëvizjes separatiste.”
Në këtë rast, koloneli Stojanoviq sfidoi bashkësinë ndërkombëtare dhe opinionin politik serb me këtë deklaratë se shërbimi i tij kishte ngritur rrjetin e vet në Kosovë. Më tej, siç u tha më lart, ai ka deklaruar se ky shërbim ka depërtuar në krye të lëvizjes separatiste të Kosovës. Në planin politik, ky ishte një provokacion i rrallë nga Serbia, që është dashur të vlerësohej në shumë plane nga bashkësia ndërkombëtare. Është dashur të jenë më të vëmendshëm, posaçërisht KFOR-i dhe UNMIK-u.
Pas këtyre paralajmërimeve nga shteti serb, në mars të vitit 2004 ndodhën trazirat e marsit, që janë vepër e shtetit serb me aparaturat e saj. Më 15 mars, policia e UNMIK-ut njoftoi se ishte plagosur një serb i fshatit Qagllavicë të Prishtinës. Rrethanat dhe motivet e kësaj plagosjeje ishin të panjohura, por serbët, si gjithmonë, veprën ua veshën shqiptarëve. Po në këtë ditë, më 15 mars, serbët e Qagllavicës dhe Graçanicës, për herë të 123-të pas përfundimit të luftës në vitin 1999, bllokuan rrugën magjistrale, ndërkaq vetëm më 16 mars, në Qagllavicë, serbët e revoltuar rrahën dhe keqtrajtuan jo më pak se 68 udhëtarë shqiptarë. Në një familje shqiptare të Qagllavicës tentuan ta linçojnë, por shpëtoi falë ndihmës së KFOR-it.
Në pasditen e kësaj date, disa serbë të fshatit Qabër të komunës së Zubin Potokut, në shenjë të urrejtjes kolektive, sulmuan disa fëmijë shqiptarë të fshatit, të cilët po luanin në fushë; me ç’rast u ndoqën me qenë. Nga tmerri, katër prej këtyre fëmijëve u përpoqën të iknin përtej lumit Ibër, nëpër ujë. Tre prej tyre, Egzon Deliu, Avni Veseli dhe Florent Veseli, nuk arritën të dalin në bregun tjetër të Ibrit. Pas lajmit për mbytjen e këtyre, përgjegjësit serbë të liqenit akumulues të Ujmanit (Gazivodës) lëshuan sasi të shtuar të ujit në lumin Ibër, prandaj gjetja dhe nxjerrja e fëmijëve u vështirësua. Të nesërmen, nga uji u nxorën trupat e Egzonit dhe Avniut, kurse ai i Florentit nuk u gjet fare.
Ndërsa më 17 mars, në orët e pasdites, masa e nxënësve të disa shkollave fillore e të mesme të qytetit të Mitrovicës marshoi nëpër rrugët e këtij qyteti, drejt urës që e ndan atë, me lule në duar, në shenjë nderimi për fëmijët e mbytur tragjikisht dhe revoltë kundër krimit. Kjo masë së shpejti u sulmua me armë zjarri nga serbët, të grumbulluar shpejt andej urës. Ky sulm, protestën e qetë të të rinjve shqiptarë e masivizoi dhe e shndërroi në manifestim të dhunshëm. Protestuesit e revoltuar u përpoqën të depërtonin në anën veriore të Ibrit, por u penguan nga forcat e policisë së UNMIK-ut dhe SHPK-së, si dhe të KFOR-it. Në këtë përleshje pati të vrarë dhe të plagosur.
Lajmi për ngjarjen në Mitrovicë shkaktoi revoltën e qytetarëve shqiptarë edhe në shumicën e qyteteve të tjera të Kosovës. Qytetarët protestues të Prishtinës u nisën drejt Qagllavicës, ku masa e serbëve po e mbante të bllokuar rrugën Prishtinë–Ferizaj. Pasditen e kësaj dite u shkaktuan vrasje të disa protestuesve dhe plagosja e shumë të tjerëve në vende të ndryshme të Kosovës. Po të njëjtën pasdite, në vende të ndryshme të Serbisë u demonstrua kundër protestave të shqiptarëve të Kosovës.
Me të marrë lajmin se demonstruesit në Serbi kishin djegur xhaminë në Nish dhe në Beograd, në orët e mbrëmjes të datës 17 mars, protestuesit shqiptarë filluan të kundërpërgjigjeshin me të njëjtën masë kundër objekteve fetare ortodokse në disa qytete të Kosovës.
Në mars të vitit 2004, organizata terroriste ortodokse serbe Partizani i Beogradit, si organizatë terroriste e lidhur me klubin futbollistik serb, së bashku me turma shovjeniste serbe , dogji edhe një herë Xhaminë e Bajraklisë, të vetmen xhami në Beograd.
Ngjarjet e 17 marsit u përsëritën me të njëjtin intensitet edhe më 18 mars. Sërish pati të vrarë dhe të plagosur, djegie e dëme. Zjarri i revoltës u shua vetëm pasi zyrtarët e KFOR-it dhe institucionet e Kosovës premtuan se do të bëjnë zhbllokimin e rrugëve të bllokuara nga serbët.
Më 18 mars 2004, në Ferizaj, gjatë një proteste të shqiptarëve, ku merrnin pjesë qindra protestues, shumica prej tyre nxënës të shkollave të mesme, 18-vjeçari Alimuhamet Murseli u vra pasi u shtyp nga një tank i kontingjentit grek të KFOR-it. Protesta, sipas dëshmive të paraqitura për këtë ngjarje, ishte paqësore, ndërsa ndërhyrja e KFOR-it me mjete të blinduara ndaj protestuesve përbënte një provokim dhe kontribuoi në përshkallëzimin e situatës.
Protestat e shqiptarëve më 17 e 18 mars dhanë të gjitha shenjat se ishin spontane dhe të paorganizuara; ajo mori karakterin e revoltës popullore. Me përfundimin e saj, zyrtarët e UNMIK-ut publikuan shifrat prej 31 personash të vrarë dhe 600 të plagosur e të lënduar. Mirëpo, më vonë u publikua numri prej 23 të vrarësh, 13 shqiptarë, 9 serbë,1 maqedonase dhe 954 persona të plagosur dhe të lënduar, duke përfshirë 65 policë ndërkombëtarë, 58 anëtarë të SHPK-së dhe 61 anëtarë të forcës paqeruajtëse ndërkombëtare. Përveç pasojave, ngjarjet e 17 e 18 marsit lanë pas edhe mesazhet politike të tyre.
Sipas vlerësimeve të OSBE-së, mbi 51.000 persona kanë marrë pjesë në trazirat e marsit. Lidhur me njërin nga shkaktarët e trazirave të marsit, siç u cek më lart, pra mbytja e fëmijëve në lumë, pala serbe është munduar të mohojë se ishin serbët fajtorë në këtë rast, por faktet thonë ndryshe.
Më 16 mars 2004, rreth orës 16:00, në fshatin Qabër të Zubin Potokut, një grup ekstremistësh ortodoksë serbë të fshatit Zupç, fshat ky i banuar vetëm me serbë, të cilët me vete kishin pasur një qen, i ndoqën gjashtë të rinj shqiptarë të fshatit Qabër, fshat ky i vetmi shqiptar në komunën e Zubin Potokut.
Me ç’rast, Fitim Qerkin Veseli, 13 vjeç, dhe vëllai i tij 9-vjeçar, Egzon Zajm Deliu, 12 vjeç, dhe Avni Sheremet Veseli, 12 vjeç, duke ikur nga ekstremistët ortodoksë serbë, në mënyrë që të shpëtonin jetën, u hodhën në lumin Ibër, ndërsa Florent Ukshin Veseli, 17 vjeç, dhe Qamil Behxhet Zeqiri, 13 vjeç, arritën të fshiheshin në rrënjë të shelgjeve dhe pas një kohe u tërhoqën. Me këtë rast, Fitimi e kalon ujin, ndërsa Florenti, Egzoni dhe Avniu mbeten në ujë.

Sipas deklaratës së Fitimit, ai i njihte serbët dhe e dinte se prej cilës shtëpi kishin dalë me qen. Serbët ishin fqinjë të tyre, të cilët nga fshati Qabër i ndan vetëm lumi Ibër. Fatkeqësisht, edhe kësaj radhe, si shumë herë më parë, serbët edhe ndërkombëtarët bënë përpjekje që fajin për këtë tragjedi t’ua hedhin vetë fëmijëve shqiptarë, duke deklaruar se fëmijët janë hedhur vetë në ujë duke luajtur.
Qeveritarët serbë, protestat e shqiptarëve i cilësuan si akte të organizuara terroriste të drejtuara kundër popullit serb, me qëllim të spastrimit etnik. Kur kihet parasysh se objektet fetare që u dëmtuan në trazirat e marsit, sipas dëshmive në terren, ishin shënuar (bërë me shenjë) një apo dy ditë më parë, atëherë del se kemi të bëjmë me një veprim të organizuar, mbase për arritjen e qëllimeve afatgjata.
Nga ana e shqiptarëve, një gjë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë gjatë historisë. Po të shihet me vëmendje kursi politik dhe propagandistik i ndjekur nga qarqet shtetërore serbe, përfshirë edhe ato fetare, në krye me Artemjen, para edhe pas marsit 2004, duke akuzuar popullin e Kosovës për kinse terrorizëm e kriminalitet islamik, vetëm e vetëm që të arrijnë efektet dhe qëllimet e dëshiruara, në fakt serbët dhe Serbia në këto trazira dhe, si tradicionalisht, dëshmuan për terrorizëm ortodoks serb, atëherë nuk është e vështirë të përfundohet se kush qëndron mbrapa këtyre akteve.
Pikërisht strukturat e kontrolluara nga Beogradi, të cilat merren me prodhimin e krizave, në krijimin e situatave të pasigurta dhe konfliktuoze, i dhanë dimension dhe shtrirje marsit të vitit 2004.
Shtëpitë dhe monumentet historike janë pasuri e Kosovës e jo e dikujt tjetër, pa marrë parasysh përkatësinë fetare e nacionale. Kjo pasuri si e tillë është ruajtur me qindra vjet e veçanërisht nga shqiptarët e jo nga dikush tjetër, madje shpeshherë duke paguar edhe me çmimin e jetës.
Me zvarritjen që Perëndimi i kishte bërë zgjidhjes së statusit final të Kosovës, ata duhet të mbajnë pjesën e tij të fajit lidhur me shpërthimin e dhunës të marsit të 2004. Këto ngjarje ndodhën mu në kohën kur Vojislav Koštunica ishte paraqitur me disa deklarata për ndarjen e Kosovës në kantone.
Moslejimi i renovimeve të disa manastirëve nga ana e krerëve të Kishës Ortodokse Serbe, me mjetet e buxhetit të Kosovës, por edhe zgjerimi me qindra hektarë i “zonave të mbrojtura” rreth manastirëve – eksterritorialiteti – është tregues i qartë se këto ngjarje janë përdorur nga Serbia për përfitime dhe sensibilizim në agjenda ndërkombëtare. E tërë veprimtaria e tyre është adresuar në drejtim të rivënies së Kosovës nën kontrollin serb.
Qindra e mijëra krime të bëra në Kosovë, terrori dhe krimi i gjenocidit i ushtruar nga strukturat shtetërore serbe mbi popullatën shqiptare mbeten nën hije. Është fakt i pamohueshëm se mbetën nën hijen e trazirave të marsit 2004. Ky ishte një favor shumë i madh për serbët, dhe këtë ua mundësoi bashkësia ndërkombëtare, që fajësoi kolektivisht shqiptarët pa të drejtë. Pozita në atë kohë ishte LDK-ja, që kishte deklarata tejet të pamatura, dhe tani, pas dy dekadash, kemi personalitete nga radhët e LDK-së që akuzojnë drejtpërdrejt opozitën se kinse fajtore në trazirat e marsit.
Nuk mohohet fakti që shërbimet sekrete serbe kishin depërtuar në brendësi edhe të opozitës, prapëseprapë nuk mund të akuzohet një parti në tërësi, as opozita e tërë dhe shumica e popullit shqiptar të Kosovës, siç bënë në atë kohë personalitete të rëndësishme nga LDK-ja, duke fajësuar shqiptarët e jo serbët.
Duhet përmendur dhe një fakt me rëndësi: nga viti 1999 e deri në 2003, pothuajse i vetmi institucion serb që nuk kishte shkëputur marrëdhëniet me Kosovën ishte Njësia për Operacione Speciale (JSO), si njësi ekzekutive e RDB-së, e cila udhëhiqej nga Millorad Ulemek “Legia”, e lidhur ngushtë me narko-mafinë shqiptare të Kosovës. Pjesëtarë të këtij formacioni vazhdonin ta vizitonin Kosovën, qoftë për qëllime zbuluese-informative, apo qoftë edhe për qëllime biznesi.
Për të mbuluar dështimin e politikës së vet, edhe UNMIK-u ndërmori fushata demonizuese kundër protestuesve shqiptarë, duke i akuzuar ata për akte kriminale me motive etnike. Për të qenë më bindës në këto akuza, zyrtarët e këtij misioni protestat i shpallën si të orkestruara e të drejtuara nga qarqet e caktuara shqiptare. Këtë “zbulim” i pari e kumtoi zëdhënësi i policisë së UNMIK-ut, i larguar nga ky post disa ditë pas ngjarjeve, Derek Çopell, pasditen e 17 marsit.
Në dritën e këtij "zbulimi", zyrtarët e UNMIK-ut paralajmëruan edhe masat e ashpra ligjore kundër “ushtruesve të dhunës”. Gjatë kohës së protestave, kjo ishte parashenja e qartë se trajtimi i situatës së krijuar do të bëhej me masa policore e jo politike.
Përfaqësues të UNMIK-ut shkuan edhe më tej në fushatën e tyre, duke kërcënuar se tashmë madje edhe ishte rrënuar e ardhmja e Kosovës, siç u shpreh koordinatori për çështje strategjike Ros, në një emision televiziv.
Udhëheqës institucionesh të gjymta, kryetarë partish, parlamentarë e qeveritarë, këshilltarë, analistë, akuzuan rëndë të rinjtë shqiptarë për vandalizëm, për dhunë me motive etnike e për barbarizma dhe të tjera etiketime apo akuza.
Protestuesit u kualifikuan me epitetet “ekstremistë”, “kriminelë” e “vandalë”. Një zyrtar i oborrit presidencial të Dr. Ibrahim Rugovës, në një emision televiziv, vlerësoi se masa protestuese ishte manipuluar dhe instrumentalizuar nga individë keqbërës e nga qarqe që nuk ua duan të mirën Kosovës.
Këta paragjykues ua mbajtën ison qëndrimeve shantazhuese të zyrtarëve të UNMIK-ut. Sa kohë që qeveritarët serbë i kualifikuan si terroristë, kurse UNMIK-u si kriminelë, diferencuesit tanë i cilësuan protestuesit shqiptarë si vandalë. Shprehja “terroristë-kriminelë-vandalë” përbën trininë e mallkuar të fushatës demonizuese kundër protestuesve shqiptarë.
Me sa dihet publikisht, protestat në Mitrovicë, në shenjë revolte për krimet serbe mbi tre fëmijët shqiptarë të fshatit Qabër, kishin filluar në mënyrë shumë të qetë e të qytetëruar. Kundër një krimi të tillë, nuk besohet të ketë popull në botë i cili nuk do të protestonte, sikurse edhe nxënësit e shkollave të këtij qyteti që e bënë, të cilët marshuan drejt urës që ndan atë, me lule në dorë, në shenjë nderimi për viktimat e një dite më parë.

Në drejtim të policisë ndërkombëtare, por luleve u ishin kundërpërgjigjur bombat dhe plumbat nga masa e serbëve të tubuar përtej urës dhe policisë së UNMIK-ut. Prandaj, në qoftë se masa e vetëorganizuar e protestuesve duarthatë iu kundërpërgjigj këtij provokimi të armatosur, në asnjë formë nuk është e drejtë të shpallet apriori përgjegjëse për ngjarjet.
Dhuna e ushtruar mbi protestuesit e revoltuar shqiptarë në Mitrovicë, në atmosferën ekzistuese, shkaktoi reagimin e masës së tendosur edhe në qytetet e tjera të Kosovës. Kundër saj, krahas bombave lotsjellëse, fishekëve të gomës dhe armëve të zjarrit të policisë ndërkombëtare, u hodhën edhe bomba nga dritaret e banesave të serbëve në Prishtinë dhe u qëllua nga snajperët serbë të fshatit Qagllavicë.
17 marsi kurrsesi nuk e solli Kosovën në krizë. Më 17 mars 2004 shpërtheu kriza. U zbulua brutalisht Kosova, para vetes dhe para botës. Të gjitha proceset për disa vite me radhë ishin negative. Kjo reflektohej në standardin e jetesës së njerëzve, që pandërprerë degradohej. Paqja në Kosovë, gjatë pesë viteve të fundit, në radhë të parë mbahej duke iu falënderuar premtimeve të politikanëve dhe shpresave të banorëve.
Shfrimi i pasioneve antishqiptare shkaktoi numër të madh të viktimave në radhët e protestuesve shqiptarë, por edhe kundërreagimin e kësaj mase. Dihet mirëfilli se pas luftës së Kosovës shqiptarët kanë protestuar qindra herë, mirëpo në këto qindra protesta asnjëherë nuk janë shfaqur akte e pasione të dhunës dhe asnjëherë nuk doli situata nga kontrolli.
Madje, një protestë masive dhe e organizuar prej shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së u mbajt vetëm një ditë para 17 marsit, mirëpo gjithçka ishte nën kontroll dhe qytetëruese. Nuk ndodhi asnjë “instrumentalizim”, nuk u zbatua asnjë skenar dhune.
Ky fakt nuk mund të anashkalohet vetëm që popullata shqiptare të mund të akuzohej për gjoja pasoja në dhunë, për akte kriminale e të tjera. Pra, para se të bëheshin këto akuza, do të duhej dhënë përgjigje pyetjes: pse gati pesë vjet me radhë nuk ndodhi qoftë edhe një herë që, në rastet e tilla të manifestimeve, shqiptarët ta humbnin arsyen e të kryenin akte dhune kundër serbëve apo kundër policisë ndërkombëtare dhe KFOR-it?
Mungesa e kësaj përgjigjeje ka vetëm një shpjegim: se protestuesit shqiptarë ishin provokuar nga aktet e dhunës së ushtruar kundër tyre, nga vrasjet e plagosjet në masë. Këtyre akteve ata iu ishin kundërpërgjigjur me reagime spontane ndaj sinonimit të politikës së Beogradit shtetëror, e cila politikisht u lejua të operojë pa pengesë në Kosovë.
Revolta shqiptare e 17 e 18 marsit, njëherësh, u keqinterpretua nga disa prej qendrave politike e diplomatike, edhe në pikëpamje të karakterit të saj. Përveç motivit të urrejtjes etnike, asaj iu vesh edhe ai i urrejtjes fetare, kinse nga pala shqiptare.
Ky keqinterpretim i karakterit të revoltës së masës shqiptare padyshim është pasojë e mungesës së vullnetit të mirë për ta parë realitetin në thelbin e tij dhe për të gjykuar atë në kontekstin e konfliktit historik shqiptaro-serb.
Akuza për urrejtje fetare kundër serbëve, në adresë të protestuesve shqiptarë, nuk i shpëtoi as kryetarit të Rusisë, Vladimir Putin, i cili në takimin me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annan, në Moskë, më 5 prill 2004, por diçka të tillë apostrofoi edhe zyrtari i Zyrës Amerikane në Prishtinë, Mekellen, në një emision televiziv gjatë kohës së protestave, duke shprehur keqardhjen e tij për djegien e kishës ortodokse në Prishtinë.
Si shkak për të përhapur tezën mbi praninë e ndjenjës së urrejtjes fetare te shqiptarët, u përdor fakti i djegies së disa objekteve fetare të ritit ortodoks gjatë kohës së protestave, e sidomos pas sulmit të armatosur mbi protestuesit nga popullata e organizuar serbe në Mitrovicë, Qagllavicë, Gjilan dhe të tjera.
Është e qartë se djegia e këtyre objekteve nuk mund të mohohet si fakt, por, nga ana tjetër, ky fakt në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si argument i pranisë së urrejtjes fetare te shqiptarët.
Në këtë aspekt, pavarësisht nga ngjarjet e marsit të vitit 2004, posaçërisht shqiptarët e Kosovës kanë dhënë prova të fuqishme të respektit ndaj objekteve të kultit të cilitdo besim qoftë. Për këtë çështje, madje, nuk është e nevojshme të sillen fakte historike që flasin për ruajtjen dhe për kujdesin e shqiptarëve edhe ndaj objekteve fetare ortodokse të serbëve të Kosovës, fakte të theksuara shpeshherë edhe nga literatura serbe.
Sot do të mjaftonte të kujtonim sjelljen qytetëruese të shqiptarëve dhe të UÇK-së ndaj kishave dhe manastireve ortodokse të serbëve të Kosovës gjatë kohës së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pas përfundimit të luftës.
Dihet botërisht se gjatë gjithë kësaj lufte, në asnjë rast të vetëm në Kosovë, shqiptarët dhe ushtria e tyre nuk dëmtuan kisha dhe manastire të serbëve të Kosovës, madje as atëherë kur ushtria dhe policia serbe dhe, në përgjithësi, forcat e armatosura serbe zbatuan teknikën e planifikuar të granatimit e të djegies së 218 xhamive në Kosovë dhe monumenteve të tjera të trashëgimisë islame në Kosovë.
Shqiptarët treguan përmbajtjen, jo për shkak të pamundësisë për të vepruar sikurse forcat e armatosura serbe, por sepse respekti ndaj objekteve fetare ishte pjesë e kulturës së tyre dhe besimit fetar islam.
Prandaj është e palogjikshme që për këto ngjarje të akuzohen shqiptarët për urrejtje fetare. Do të ishte e palogjikshme dhe fare e pabesueshme të mendohej se masa e paorganizuar, por e revoltuar, e protestuesve shqiptarë të ketë sulmuar objektet e kultit ortodoks të serbëve të Kosovës për motive të mosdurimit apo urrejtjes fetare.
Pa dyshim, këto objekte do të jenë sulmuar jo si objekte kulti, por si përfytyrime të institucioneve të inkriminuara dhe si simbol i politikës serbe. Ato do të jenë sulmuar jo si kisha ortodokse të serbëve të Kosovës, por si çerdhe politike të klerit serb, e cila ishte bashkautore e të gjitha elaborateve shtetërore serbe kundër shqiptarëve, dhe, për të qenë edhe më keq, edhe sot vazhdon të jetë bashkëpjesëmarrëse e përpjekjeve për të rikolonizuar Kosovën.
Edhe gjatë luftës ishte çerdhe e kriminelëve serbë; në to u bënë krime ndaj shqiptarëve dhe u bekuan kriminelët serbë, por edhe tani, në vitin 2026, kishat ortodokse të serbëve të Kosovës janë institucione fetare ku janë vendosur spiunë ruso-serbë, armatime dhe terroristë, si dhe kriminelë të ndryshëm. Për këto që po i them, Policia e Kosovës, viteve të fundit, i dëshmoi me fakte me gjetjen e armatimeve të shumta në disa manastire ortodokse në Kosovë dhe për rastin e Banjskës, më 24 shtator 2023, ku u vërtetuan akuzat e mëparshme të deputetes britanike, Alicia Kearns, që kishte thënë se Serbia po i mbush manastiret me armatim dhe me forca kriminale, ushtarake dhe terroristë të sajuar dhe të financuar, si dhe nën dirigjimin e drejtpërdrejtë të shtetit serb.
Kishat ortodokse të serbëve të Kosovës do të jenë sulmuar nga turma e paorganizuar e protestuesve të revoltuar, jo si kulte fetare ortodokse, por si strehë ku shpeshherë, nën petkun e klerit serb, janë strehuar priftërinj serbë të armatosur deri në dhëmbë.
Në këtë kuptim, jo rastësisht, brenda kishës ortodokse të Prishtinës, siç ishte publikuar ato ditë protestash, u gjet i armatosur me armë automatike personeli kishtar. Jo rastësisht, pas luftës së armatosur të vitit 1999, ishte formuar i ashtuquajturi “Këshilli Nacional Serb” brenda mureve të manastirit të Graçanicës, dhe jo rastësisht në krye të kësaj strukture ishte vetë prifti Artemie.
Sa i përket rolit të Kishës Ortodokse dhe klerit serb, mbase nuk është e parëndësishme as ngjarja me të cilën u plagos një prift serb në qytetin e Palës të Karaxhiqit, në të ashtuquajturën Republika Srpska në Bosnjë dhe Hercegovinë, gjatë përpjekjes së SFOR-it për kapjen e këtij krimineli, më 1 prill të vitit 2004.
Ushtarët e SFOR-it minuan shtëpinë e këtij prifti në afërsi të një kishe ortodokse serbe, e cila ishte shfrytëzuar si bazë e qëndrimit të Karaxhiqit dhe, si e tillë, dyshohej se shfrytëzohej ende.
Prandaj, sikur kisha, edhe objektet e institucionet publike serbe, pa dyshim, do të jenë sulmuar jo për motive të urrejtjes fetare apo etnike, por si simbol i institucioneve të paligjshme të shtetit serb në Kosovë.
Njëkohësisht me ngjarjet e marsit në Kosovë, turma serbe demonstruan në qytetet kryesore të Serbisë. Mjetet e informacionit publik pasqyruan disa tablo të agresivitetit antishqiptar të këtyre turmave, të cilat po përkrahnin bashkëkombësit e tyre bllokues edhe ekstremistë ortodoksë në Kosovë.
Turma e egërsuar serbe, pos të tjerash, shfaqën edhe urrejtje fetare, madje jo kundër shqiptarëve, duke djegur xhamitë në Beograd dhe Nish, si dhe objektin e qendrës islame në Novi Sad.
Është fare e qartë se xhamitë e djegura në Beograd dhe në Nish që dikur ishin trashëgimi e kulturës shpirtërore të shqiptarëve dhe ato ishin ndërtuar prej tyre. Ato ishin ndërtuar në kohën e hershme të Perandorisë Osmane. Mbase, duke sulmuar këta tempuj historikë të ritit islam, serbët shprehën urrejtjen e tyre të madhe fetare kundër shqiptarëve të konfesionit islam, por edhe kundër tërë botës islame.
Ajo që vlen të thuhet pas gjithë kësaj çfarë u tha, lind pyetja: si ka mundësi vallë KFOR-i, që kishte mandat për ruajtjen e objekteve ortodokse të serbëve të Kosovës, të dështonte në disa komuna ku dihet për praninë e tyre të madhe që kishte në atë kohë në Kosovë, kur për frenimin e protestave kishin ndihmën e UNMIK-ut dhe SHPK-së?
A mos vallë ka pasur koordinim mes KFOR-it dhe UNMIK-ut me serbët për të lejuar trazirat, duke pasur parasysh se serbët kishin bërë paralajmërime për shtrirjen e prezencës së tyre në Kosovë dhe ndërkombëtarët nuk e morën seriozisht, dhe e toleruan prezencën e Serbisë në pothuajse çdo mekanizëm shtetëror në të gjitha enklavat serbe në Kosovë?

A ka qenë ky një plan antishqiptar që të zvarritej definimi i statusit final të Kosovës dhe shpallja e pavarësisë së saj? Dhe a mos vallë ishte një orkestrime që serbëve dhe Kishës Ortodokse t’u jepej një status i veçantë dhe të mundoheshin të barazohej viktima me xhelatin?
Pas plot 22 vitesh që kanë kaluar nga trazirat e marsit, të gjitha këto pyetje dhe dyshime dita-ditës po marrin një përgjigje, por ende jo definitive, sepse duhet pritur hapja e dosjeve dhe arkivave të ndryshme të UNMIK-ut dhe KFOR-it dhe, pa dyshim, se kjo nuk është në interes të faktorit ndërkombëtar.
Në fakt, një gjë tashmë dihet qartë: me këto trazira, bashkësia ndërkombëtare e ndihmoi Serbinë ta demonizojë Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe ta rrezikojë funksionimin e shtetit të Kosovës, duke legjitimuar strukturat terroriste paralele serbe në Kosovë, krijimin e shumë komunave me shumicë serbe, lejimin e ndikimit serb në to në shumë fusha, destabilizimin e Kosovës nga këto komuna, sidomos nga veriu i Kosovës, i kontrolluar nga Beogradi, dhe dhurimin e të drejtave ekstreme në pakon e Ahtisaarit dhe Kushtetutën e Kosovës për minoritetin serb, që, në fakt, këto privilegje nuk e kanë ndihmuar avancimin ekonomik e social të serbëve të Kosovës, por vetëm sa e kanë bërë një shtet jo funksional sa duhet Republikën e Kosovës dhe ku tani po synojnë bosnjëzimin e saj përmes Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Në kohën kur në Kosovë po zhvilloheshin protesta të fuqishme të shqiptarëve, krerët e qeverisë serbe në Beograd e diskutuan planin për kantonizimin e Kosovës në baza etnike. Kundër këtij provokimi të Beogradit zyrtar nuk pati pothuajse asnjë reagim të mirëfilltë të institucioneve të Kosovës. Aktet provokuese shtetërore të Beogradit vazhduan edhe më tej në ditët vijues.
Më 25 mars të vitit 2004, Kuvendi i Serbisë miratoi një deklaratë, me të cilën Kosova u definua si pjesë e territorit të Serbisë, kurse pakicës serbe iu njoh e ashtuquajtura autonomi territoriale. Zyrtarët serbë kërkuan nga UNMIK-u që t’u lejonte organizimin e vetëmbrojtjes së pakicës serbe. Kjo kërkesë dëshmon edhe faktin e pranisë së madhe të arsenalit të armëve në duart e kësaj pakice, mjaftueshëm për të organizuar “vetëmbrojtje të tillë ushtarake”.
Të gjitha faktet e paraqitura dëshmojnë se trazirat e marsit 2004 ishin pjesë e një veprimtarie të organizuar destabilizuese të strukturave tërrorist ortodokse serbe, të nxitur nga serbët lokalë dhe të mbështetur e të instrumentalizuar nga shteti serb.
Shërbimet sekrete serbe, strukturat terroriste paralele serbe dhe qarqet politike të Beogradit e shfrytëzuan krizën si instrument për destabilizimin e Kosovës, dëmtimin e pozitës së saj ndërkombëtare dhe pengimin e konsolidimit të shtetit të Kosovës. Serbia e ktheu tragjedinë e marsit 2004 në një armë politike e propagandistike kundër Kosovës, duke forcuar strukturat e saj në terren dhe duke avancuar projektet për ndarjen, territorializimin dhe “bosnizimin” e Kosovës. Marsi 2004 ishte, në këtë kuptim, një tjetër dëshmi e luftës së vazhdueshme të shtetit serb kundër Kosovës, tashmë përmes destabilizimit, provokimit, sulmëve terroriste, manipulimit dhe instrumentalizimit të krizave.