10 mijë euro për të populluar kufirin me Shqipërinë: Çfarë po planifikon Athina?
Një lëvizje e qeverisë greke ka krijuar dyshime që i kalojnë kufijtë e një programi thjesht social. Me një paketë financiare që ofron deri në 10,000 euro për familje, një paradhënie prej 50% dhe kushte lehtësuese për punonjësit nga shtëpia, Athina zyrtare po përgatit terrenin për zhvendosjen e banorëve drejt rajoneve malore e kufitare. Aplikimet që pritet të hapen në tetor synojnë zyrtarisht zbutjen e krizës demografike, por prapaskenat e këtij plani ngrenë pyetje politike e historike.
Katalizatori në Kastellorizo dhe përplasja me Ankaranë
Plani e ka pikënisjen në ishullin e Kastellorizos, ku u shpall një paketë investimesh prej 27 milionë eurosh dhe shtesa vjetore prej 5,000 eurosh për çdo punonjës publik e ushtarak. Kjo lëvizje nxiti reagimin e Turqisë, e cila e akuzoi Greqinë se po përdor popullimin dhe ndërtimin e banesave ushtarake për të fuqizuar pretendimet mbi zonën ekonomike ekskluzive dhe për të militarizuar ishullin në shkelje të Traktatit të Parisit të vitit 1947.
Përfshirja e brezit kufitar me Shqipërinë
Projekti u zgjerua drejt zonave kufitare me Shqipërinë, duke përfshirë bashkitë e Sulit dhe Filatit në Thesproti, si dhe Pogonin e Konicën në Janinë. Përveç Eprit, plani mbulon edhe njësi të tjera rajonale afër kufirit veriperëndimor, si Kosturin dhe Follorinën, përfshirë zonën e Prespës. Këto rajone përkojnë me treva ku historikisht kanë qenë të populluara nga shqiptarë. Sidomos zona e Filatit dhe Sulit ka ndheshmëri të lartë, pasi pas Luftës së Dytë Botërore pati dëbim masiv të popullsisë çame që edhe sot e kësaj dite kërkojnë pronat e të parëve që nuk mund ti marrin për shkak të ligjit të luftës ende në fuqi.
Asimilimi dhe zbehja e gjurmëve shqipfolëse
Me kalimin e dekadave, këto krahina përjetuan rënie të popullsisë nga emigracioni i brendshëm dhe i jashtëm. Shunica e shqiptarëve që qëndruan atje ishin ortodoksë. Ata u integruan në strukturat shtetërore e shoqërore greke, duke përqafuar gjuhën zyrtare dhe u vetëidentifikuan gradualisht si grekë, çka solli zbehjen e dukshme të përdorimit të gjuhës shqipe në hapësirën publike.
Ironia e historisë, shqiptarët mund të ripopullojë këto troje
Edhe pse udhëzuesi përfundimtar i aplikimit dhe kushtet e detajuara teknike nuk janë publikuar ende nga autoritetet greke, direktivat e deritanishme tregojnë se programi nuk kufizohet vetëm te grekët etnikë. Nga kuadri ligjor i BE-së për lëvizjen e lirë dhe rregullat e rezidencës, emigrantët shqiptarë me leje të rregullt qëndrimi në Greqi mund të jenë përfitues potencialë nëse zgjedhin të vendosen në këto zona rurale për të punuar në bujqësi, blegtori apo turizmim lokal.