Arrestimi i Vlora Hysenit/ Berisha: Shërbëtore e armiqve, vizitoi Beogradin për të përmbushur porositë e Vuçiç
Kreu i PD Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta nga foltorja e Kuvendit në drejtim të drejtoreshës së Shërbimit Informativ Kombëtar (SHISH), Vlora Hyseni, duke e cilësuar atë si "të padenjë" dhe në shërbim të interesave të huaja.
Sipas Berishës, Hyseni u shkarkua nga detyrat e mëparshme në Kosovë si e padenjë për misionin që i ishte ngarkuar.
Ai shtoi se ajo nuk plotësonte asnjë kriter, kusht apo virtyt për t'u emëruar në krye të inteligjencës shqiptare, përveç faktit që, sipas tij, ishte "shërbëtore e armiqve të Shqipërisë".
Gjatë fjalës së tij, lideri i opozitës hodhi dyshime të forta mbi lëvizjet e shefes së SHISH, duke deklaruar se kryeqyteti i parë që ajo vizitoi pas marrjes së detyrës ishte Beogradi.
Vlora Hysenin e shkarkuan si të padenjë për detyrën që i kishin ngarkuar në Kosovë. Hyseni nuk kishte në figurën e saj asnjë virtyt, dhe asnjë kriter, dhe asnjë kusht që të emërohej në atë vend, veçse ishte shërbëtore e armiqve të Shqipërisë. Vlora Hyseni pas emërimit shkoi në Beograd, do të ishte Beogradi kryeqyteti i parë që do të vizitonte ajo.
Vlora Hyseni që kur është emëruar në atë detyrë drejtohej nga Ergys Agasi, dhe opozita i ka denoncuar të gjitha këto kur kanë ndodhur.
Padrino hesht. Ajo ka kryer veprimtari kriminale ndaj shtetit, dhe ndaj punonjësve të SHISH-it, dhe ndaj bashkëpunëtorëve të SHISH-it që kanë kryer detyrat. Qëllimi i saj ka qenë të përmbushë porositë e Vuçiç.
Berisha iu drejtua socialistëve, duke i thënë se videot e kompozitorit Adi Hila janë lule para atyre që kanë ata me Ergys Agasin. Sipas Berishës të gjitha faktet do të dalin, ndërsa akuzoi socialistët, duke thënë se “arkivi e tyre e krimit nuk ka fund”.
Ato videot e Adi Hilës janë lule ca janë videot e Gys Agasit me ju. Videot e Gys Agasit janë turpi i turpeve të njerëzimit dhe do dalin. Mos qeshni, se jeni aty. Arkivi juaj e krimit nuk ka fund. Ndaj dhe ju kërkoni të mbyllni cdo gjë dhe të shkelni Kushtetutën.