Një rrëfim i fortë i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për vitet e tij si i burgosur politik në Serbi po rikthehet në vëmendje
Sunday, 11 October 2026 15:33
Në intervistën për median britanike “The Rest Is Politics: Leading”, Kurti tregoi se periudhën e parë të burgimit në Serbi nuk e konsideronte thjesht burg, por “si një kamp përqendrimi”.
Ai tha se gjatë vitit 1999 kishte humbur rreth 30 kilogramë, ndërsa torturat nga gardianët ishin sistematike dhe në raste të caktuara përsëriteshin disa herë brenda ditës.
Kurti rrëfeu se të burgosurit goditeshin me shkopinj nga disa gardianë njëkohësisht.
Pjesa më e rëndë e dëshmisë së tij lidhet me pasojat e dhunës:
“E humba vetëdijen mbi 40 herë gjatë torturave. Nuk kisha mundësi as ta imagjinoja se do të dilja gjallë.”
Kurti ishte vetëm 24 vjeç kur u arrestua nga autoritetet serbe në prill të vitit 1999. Ai kaloi gjithsej 2 vjet e 7 muaj në burg, fillimisht gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviçit dhe më pas gjatë periudhës së Vojisllav Koshtunicës.
Ai tregoi gjithashtu se më 10 qershor 1999, gjatë tërheqjes së forcave serbe nga Kosova, autobusët me të burgosur shqiptarë ishin vendosur mes kolonave të policisë dhe ushtrisë serbe, sipas tij, për t’i përdorur si mburojë ndaj bombardimeve të NATO-s.