Të "shfajësosh" çetën personale të hajdutëve me "përralla" nga e kaluara/Rama e gjen origjinën e hajdutëve të tij në perandorinë otomane
U bënë shumë kohë që Edi Rama jeton me një ankth: si të vazhdojë të mbajë predikime publike ndërkohë që në çetën e vet zbulohen hajdutët njëri pas tjetrit. Si mund të justifikohet kur përditë flitet për 130 milionë eurot e një inceneratori që nuk i gjenden as gjurmët, për koncesionet në shëndetësi, protagonistët e të cilëve kanë përfunduar në burg, apo për një skandal si ai i 5D, ku fondet e buxhetit të bashkisë, derdheshin në arkën e kompanisë private të drejtuesve të saj.
Në fjalimin më të gjatë të karierës së tij, në mbi 2 orë, ai është rekur të ngrejë një alibi. Teza e tij është se sot po vidhet ngaqë ky është një vend historikisht i korruptuar, që hajdutësinë e ka të tarashëguar. Në monologun alla Fidel Kastro (ndonëse ky i fundit mund të tronditet në varr për këtë krahasim), ku një herë sillej si kampion i luftës kundër korrupsionit dhe herën tejetër si lektor seminaresh për historikun e tij, kryeministri i kërkoi shekuj më parë, rrënjët e sëmundjes që po vret pushtetin e tij.
Fillimisht për këtë ai fajësoi kulturën që ngulitën pesë shekuj të sundimit turk. Dy- tre herë ai përdori shprehjen “mendësia otomane më jep të jap”, që paskësh përhapur zakonin e zgjidhjes së punëve me allishverishe ndërmjet shqiptarëve. Por, faji nuk mbeti vetëm tek armiqtë e Skënderbeut. Si pjesë e tij u përshkrua edhe regjimi komunist i Enver Hoxhës, i cili zakonisht pranohet si i pakorrupsion. “Në kohën e komunizmit s’kishte sektor privat, as tendera as ndonjë lek të madh vërdallë, por kishte ndonjë lek, shumë pula dhe shumë raki, për të mbaruar ndonjë punë që ndryshe mund të mos e mbaroje kurrë” tha ai, duke nënvizuar se edhe regjimi i shkuar bën pjesë trashëgiminë korruptive.
Natyrisht, sipas Ramës kjo u përforcua gjatë tranzicionit drejt kapitalizmit, ku etja për fitim e atyre që të dalë nga varfëria kërkonin pasurimin e shpejtë, u gërshetua me paudhësitë e një klase politike me mendësi tribale. “Tranzicioni ynë i gjatë e bëri të gjithanshme maninë e korrupsionit” theksoi ai.
Pra, sipas Ramës, vjedhjet e ministrave dhe kryebashkiakëve të vet janë pasojë e 5 shekujve sundim turk, 50 vitesh komunizëm dhe tre dekadash tranzicion. Ato nuk kanë të bëjnë aspak me firmat që ai hedh tak, tak, tak, fap, fap, fap, as me mbledhjet e partisë që organizon tek barku i inceneratorit, as me bonuset që nënshkruan për firmat që s’egzistojnë, as për paratë që duhen për lobingje alla McGonigal.
Deri më tani, kur fliste për dështimet e këtyre dhjetë viteve, Rama shkonte deri tek “fajin e ka Saliu”. Por me sa duket gropa është bërë aq e madhe sa këtej e tutje duhet shkuar deri tek otomanët.
Kjo tezë e re, se për skandalet Tahiri, Beqja, Koka, Gjiknuri, Balluku, Veliaj faji duhet kërkuar që prej mesjetës, ishte zbulimi i ri i këtij fjalimi të gjatë që do të mbahet mend si një kthesë e beftë në trajtimin e korrupsionit rilindas. Pikërisht për të ngulitur alibinë se ai nuk është kreu i kësaj bande hajdutësh, Rama e paraqiti veten si liderin e një partie që ka nisur luftën kundër korrupsionit “Pas 113 vitesh pavarësi të Shqipërisë, pas 33 vjetësh pluralizëm politik dhe pas krijimit të 333 partive në këtë vend”.
Ai shkoi më tej duke e paraqitur veten si udhëheqësin e një force që si askush tjetër “qysh prej perandorisë otomane i ka hyre detit ne këmbë për ta pavarësuar drejtesine nga pushteti politik”.
Në këtë delir, sepse përmasat e vjedhjeve janë aq të mëdha sa mund të përballohen vetëm me arratisje nga realiteti, shefi i qeverisë e paraqiti veten si nismëtarin e një Reforme në Drejtësi për thellësinë dhe ashpërisnë e të cilës atij iu desh të kacafytej edhe me Berlinin, Brukselin dhe Uashingtonin për të qenë kjo që është sot. Pra, mesazhi i alibisë është i qartë: Unë nuk jam arkitekti i kësaj kusarie të pa justifikueshme, por luftëtari heroik kundër një vesi të trashëguar shekullor./Lapsi.l