Lidhje


“Deti Dyfishon” Çmimet E Apartamenteve Në Durrës

Tregu imobiliar në Durrës vitet e fundit ka pësuar një rritje konstante më të madhe se apartamentet e Tiranës, ku vlera për metër katrorë është rritur me 20% të paktën çdo vit në 4 vitet e fundit dhe pritet që ky të jetë vetëm fillimi.

 

Të blesh apartament në Durrës tashmë është kthyer në sfidë më vete për vendasit, pasi metri katrorë në qendër të qytetit ka arritur vlera të cilat variojnë nga 1500-2000 euro, por në disa raste edhe më shumë, ndërkohë që në vitin 2020, kjo zonë konsiderohej e shtrenjtë me një çmim 800-1000 euro për metër katrorë.

 

“3-4 vitet e fundit ka pasur rritje konstante, qendra e Durrësit 1100-1300 euro metri/katror shko 2 mijë euro Ura e Dajlanit deri në Qerret. Para 3 vitesh ishin 600 sot është 1 mijë euro në zonën e plazhit 1700 deri në 2 mijë metri katror. Kanë pasur një rritje qendra e Durrësit. Nga viti në vit 20 për qind, 70-80 për qind rritje. Ne qytetin tonë s’ka me hapësire për ndërtim, në Golem dhe Malin e Robit”, shprehet agjenti imobilar Florian Tahiri.

 

Përgjatë 4 viteve të fundit çmimet janë dyfishuar, thotë agjenti imobiliar, Florian Tahiri. Zonat e luksit duket se janë “Shëtitorja Vollga” në të cilën apartamentet duket se kanë kapur vlerat mesatare të 2000 eurove për metër katrorë, ndërsa zona e dytë më e shtrenjtë është qendra e qytetit e cila përkon me lagjet nr. 1, 4, 11 dhe zonat pranë tyre ku metri katrorë varion nga 1100-1500 euro krahasimisht me pak vite më parë ku mund të gjendeshin apartamente me vlerë 600-800 euro për metër katrorë.

 

Përtej zonave të luksiz, një tjetër “parcelë” shumë e kërkuar është dhe ajo e vijës bregdetare të plazhit të Durrësit, ku metri katrorë tashmë ka arritur çmimin rekord prej 1100-1300 euro, duke bërë që apartamentet të cilat 4 vite më parë bliheshin me vlera nga 20.000-40.000 euro, tashmë të kushtojnë mbi 100.000 euro.

 

Mungesa e sipërfaqeve të ndërtimit dhe përqendrimi i aktiviteteve ndër-institucionale, ka bërë që popullsia të kërkojë gjithnjë qendrën e qytetit, por tashmë rritja e çmimeve dhe zhvillimi i turizmit, ka ndryshuar krejtësisht kahun e blerësve. Polakët, çekët dhe italianët janë blerësit kryesor të apartamenteve vitet e fundit, por jo për të jetuar, por për t’i kthyer në apartamente të cilat jepen me qira ditore për turistët, duke zhvilluar më tej aktivitetin e biznesit për turizmin.

 

Marina Turistike ka qenë një faktor ndikues për qytetin e Durrësit, por gjithashtu ndërtimi i portit të ri në Porto Romano, ndërtimi i trenit dhe investimet strategjike në Durrës, pritet të përmbysin më tej tregun e imobiliares, duke rritur çmimet në shifra më të larta në vijim dhe duke bërë që vendasit të jenë të detyruar të kërkojnë të blejnë apartamente në zona më periferike.

 

Tashmë prej kohës dhe periferia e qytetit është duke u zhvilluar, ku vetëm pak ditë më parë nisi dhe shpërndarja e 1000 apartamenteve për të prekurit nga tërmeti, në një lagje krejtësisht të re dhe me infrastrukturë e cila i paraprin një zgjerimi të mundshëm më tej të ndërtimit në këtë zonë./tvklan.al

XS
SM
MD
LG