Lidhje


Rama: ‘Do ishte çmenduri t’i thoja jo Trumpit’ – deklaratat që tronditin kursin e Shqipërisë!

 

Nga Lapsi.al

 

Njië intervistë ndryshe. Në sfondin e luftës në lindjen e mesme, angazhimit radikal të Shqipërisë në krah të SHBA-së,  e dërguara speciale e së përjavshmes franceze Le Point, Anne Nivat, ka zbarkuar në Tiranë me një dyshime në kokë…Të zbulojë orientimin e diplomacisë shqiptare, mes Trumpit dhe BE, mes Bordit të Paqes dhe Brukselit. Ajo ka takuar në kryeministri shefin e qeverisë poshtë zyrës të të cilit disa qindra protestues thërrisnin: “Rama, ik!”, “Jo qeveri e korruptuar!”. Pyetjet e gazetares feanceze janë sa të thjeshta po aq dhe shpesh cinike: A po e rrezikon angazhimi kundër Iranit sigurinë e vendit, a po kompromenton integrimin rendja pa kushte pas presidentit amerikan, a mund të zgjedhhë Rama mes Makronit dhe Orbanit dhe a ka ai gjithnjë të njëjtin zell pro Ukrainës. Për këto gjëra bazike jo gjithmonë ka marrë përgjigje në një bisedë të shkathët dhe jo gjithmonë shumë miqësore. Lapsi.al po e sjell atë të plotë, siç është botuar këtë të enjte në Le Point, si një përpjekje shpesh të dëshpëruara për të kuptuar orientimet diplomatike të kryeministrit tonë.

 

Le Point: Në luftën mes koalicionit amerikano-izraelit dhe Iranit, ndërsa shumica e kryeqyteteve europiane kërkojnë një ulje të menjëhershme të tensioneve, pse mbështesni linjën e ashpër të Uashingtonit?

 

Edi Rama: Nuk kam zgjedhur të marr një qëndrim rrënjësisht të ndryshëm nga vendet e tjera europiane, por Shqipëria ka një histori të veçantë të kohëve të fundit me regjimin e vrasësve në pushtet në Teheran. Sot, Shqipëria është një nga vendet e rralla që nuk ka marrëdhënie diplomatike me Iranin.

 

Ju strehoni një bazë trajnimi dhe logjistike të Muxhahedinëve të Popullit Iranian. Teherani e ka cilësuar këtë bazë si objektiv të ligjshëm për raketat e tij. A keni frikë nga sulme në territorin tuaj?

 

Nuk duhet kurrë t’i bëhet një shqiptari pyetja nëse i trembet diçkaje. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, askush nuk i donte hebrenjtë. Ky vend, edhe pse shumë i varfër dhe me shumicë myslimane, u bë strehë për ta. Ata iknin nga kudo përveç Shqipërisë, ndërsa këtu, përkundrazi, vinin. Sepse shqiptarët nuk i tremben asgjëje.

 

A nuk keni frikë nga regjimi aktual në Iran që vazhdon të bëjë kërcënime kundër kësaj baze?

 

Ne jemi anëtarë të NATO-s. Të sulmosh një nga vendet e saj nuk është diçka e thjeshtë. Ne jemi të mbrojtur. Shikoni Turqinë, e cila ka kapacitete të veta kundërraketore ajrore, por që gjithsesi është mbrojtur nga NATO.

 

A nuk keni përshtypjen se duke mbështetur linjën e ashpër të Uashingtonit, po e fusni vendin tuaj në një spirale që mund të bëhet e pakontrollueshme?

 

Nuk mendoj kështu. Së pari, sepse nuk ka një qëndrim të përbashkët të njëjtë mes të gjitha vendeve europiane. Së dyti, sepse qëndrimi ynë vlen për një vend që na ka shpallur armik me iniciativën e tij. Së treti, sepse Shqipëria ka një përvojë me diktaturën, por jona nuk ishte një teokraci, por një “ateokraci”.

 

Një “ateokraci”?

 

Shqipëria ka qenë i vetmi vend në Europë, dhe ndoshta në botë, që e ka përfshirë në Kushtetutën e saj natyrën ateiste të Republikës… Jo laike, por ateiste. Çdo ushtrim i fesë, qoftë edhe përmes një Biblie, mund të çonte në burg. Në disa raste, ekstremet takohen, dhe unë e kam të vështirë të pranoj që, ndërkohë që dhjetëra mijëra qytetarë iranianë vriteshin si qen në rrugët e Teheranit, pothuajse askush në Europë nuk thoshte asgjë.

 

Emmanuel Macron ka thënë se nuk mund të ketë ndryshim regjimi përmes bombardimeve. Duke u rreshtuar me qëndrimin amerikan, a nuk jeni në një linjë të ndryshme nga ajo e Bashkimit Europian?

 

Së pari, nuk ka një linjë të vetme të Bashkimit Europian. Së dyti, presidenti i Republikës Franceze është president i një republike shumë të madhe. Unë jam kryeministër i një vendi shumë të vogël. Nuk po flas për ndryshim regjimi. Po flas për nevojën absolute që ky regjim të bëhet i paaftë për të sulmuar fqinjët e tij.

 

A mendoni se koalicioni izraelito-amerikan vepron në mënyrë efektive?

 

Absolutisht.

 

Më 19 shkurt, ju ishit në Uashington për Bordin e Paqes të Donald Trump-it, ku madje ishit i ftuar nderi. Pse vendosët të bëheni një nga shtyllat e këtij projekti?

 

Shqipëria nuk ka asnjë marrëdhënie me Rusinë. Është i vetmi vend europian që nuk ka pasur një vizitë të nivelit të lartë nga Moska që nga viti 1960. Rusia politike nuk na mungon. Sa për Rusinë kulturore, letrare, muzikore, ajo është në bibliotekat tona. Megjithatë, më duket shqetësuese që Europa nuk ka folur me Rusinë gjatë gjithë luftës në Ukrainë. Më duket shqetësuese që Europa nuk arrin të shoqërojë armët që i dërgon Ukrainës me një fjalë diplomatike.

 

Unë ju bëj një pyetje për Shtetet e Bashkuara dhe ju më përgjigjeni për Rusinë…

 

Putini e ka rishpikur Europën, ai ka rishpikur marrëdhëniet brenda saj dhe idenë e zgjerimit; ai e ka rishpikur NATO-n si një forcë të domosdoshme duke sulmuar Ukrainën. Trump nuk ka për qëllim të rishpikë OKB-në, por përpiqet gjithsesi! Unë kam qenë i ftuar në Uashington nga presidenti i Shteteve të Bashkuara për një nismë që sjell rreth tryezës njerëz që përfaqësojnë vendet e tyre. Do të ishte çmenduri të thosha jo.

 

Në fjalimin tuaj katërminutësh në tribunë, e keni quajtur OKB-në një “gjigant në agoni”, gjë që i pëlqeu shumë Donald Trump-it…

 

Është e vërtetë, por nuk e kam bërë për t’i bërë qejfin Donald Trump-it. Dhe shpresoj që ajo që ai po bën do ta ndihmojë OKB-në të zgjohet. Të gjithë thonë të njëjtën gjë që them unë për OKB-në! Nuk njoh asnjë lider ndërkombëtar që të mos lëshojë një “pffff…” kur shkon në OKB [bën një grimasë].

 

Ka mbërritur deri në këtë pikë?

 

Sigurisht! por unë, nuk po them se duhet të shpërbëhet OKB-ja… por se ajo duhet të reformohet dhe të rishpiket.

 

Duke marrë pjesë në këtë Bord a nuk krijoni përshtypjen se Shqipëria po bëhet një “kalë Troje” amerikan në Europë, ndërkohë që synoni të hyni në BE?

 

Nuk jam i bindur nëse kjo u pëlqen apo jo europianëve.

 

E dini shumë mirë që kjo nuk u pëlqen europianëve.

 

Jo, nuk mendoj kështu… Në Europë, ende jetojmë në një botë ku zgjedhjet tona janë të lira! Nuk mendoj se mund të refuzohen ftesat. Për shembull, Kina është një realitet larg tonit. Shqipëria është i vetmi vend europian pa investime kineze. Dhe megjithatë, më është dukur shqetësuese që nuk kishte asnjë përfaqësues të lartë të Europës në Pekin për 80-vjetorin e fitores kineze kundër Japonisë.

 

Pse ju tronditi kjo mungesë?

 

Ishte një festë antifashiste gjatë së cilës kinezët treguan në ekran të madh ardhjen e forcave amerikane në Itali. Ata luajtën edhe himnin Bella Ciao. Kinezët nderuan gjithashtu me medalje pilotë amerikanë dhe anglezë. Atëherë, pse të mos shkojmë? Çfarë është kjo? Europa duhet të flasë me gjithë botën, ajo duhet ta rifitojë këtë aftësi.

 

A nuk e bën këtë?

 

Në Europë, Viktor Orbán trajtohet si një lloj lebrozi. Kur Orbán thoshte “duhet një armëpushim mes Rusisë dhe Ukrainës”, të gjithë përgjigjeshin “jo, jo”… dhe kur Donald Trump përdor fjalën “armëpushim”, europianët e zbuluan dhe e përsërisin. Pse Europa nuk është tashmë në tryezë për të negociuar? Unë jam 100% me Ukrainën. Jam i nderuar që jam mik i Volodymyr Zelensky. Është një person që e respektoj. Nuk po them, si disa pacifistë në Itali dhe Francë, që duhet ndalur dërgimi i armëve. Por duhet t’i jepen më shumë dhe më shpejt. Dhe në të njëjtën kohë, duhej folur me Rusinë.

 

A ndiheni më afër presidentit francez apo Viktor Orbán-it?

 

Pse duhet të bëjmë këto kategorizime dhe ndarje? Jam i nderuar dhe i privilegjuar, e them sinqerisht, që kam pasur mundësinë të jetoj në Paris kur isha emigrant, i privilegjuar që jam komandant i Legjionit të Nderit dhe që kam miqësinë e presidentit tuaj. Kjo është shumë personale, është e bukur, është e jashtëzakonshme. Por mund t’ju them se jam gjithashtu shumë i nderuar që jam mik i Viktor Orbán-it. Është një nga njerëzit më interesantë që kam njohur, dhe kam takuar shumë në botën politike, artistike dhe universitare. Është e rrallë të gjesh dikë që e njeh Europën dhe botën nga një këndvështrim historik si Viktor Orbán.

 

Por nuk jeni gjithmonë dakord me Orbán-in, për shembull për luftën në Ukrainë…

 

Jo, nuk jam plotësisht dakord me Orbán-in, sepse jam dakord me të gjithë ata që kanë mbështetur dhe vazhdojnë të mbështesin Ukrainën deri në fund. Por mendoj se, që në fillim, ai paraqiti një argument shumë të fortë. Dhe argumenti i tij fitoi. Për nevojën e një armëpushimi dhe për nevojën e hapjes së procesit të paqes, ai kishte të drejtë.

 

Ideja juaj është se duhet folur me të gjithë?

 

Me të gjithë, përveç terroristëve si regjimi i mollahëve në Iran.

XS
SM
MD
LG