Protestat në Shqipëri
Friday, 12 June 2026 10:26
Nga Fatmir Baci
Disa miq më kanë kërkuar që edhe unë, si shumë të tjerë, të shpreh një qëndrim në lidhje me protestat që po zhvillohen në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Shumica e atyre që më njohin, si edhe ata që më ndjekin në përditshmërinë time, e dinë se qëndrimi im ndaj Edi Ramës është formuar shumë herët, qysh në kohën kur ai u shfaq në jetën publike si ministër i Kulturës, pas katrahurës së vitit 1997.
Kur u kandidua për kryetar të Bashkisë së Tiranës, i pata thënë një deputeti të Partisë Socialiste (kushuri im i afert): “Tani nuk do të mund ta hiqni më.” Kjo nuk ishte një parashikim politik, por një lexim i një prirjeje më të thellë që po merrte formë në shoqërinë shqiptare. Që prej asaj kohe, në mënyrë të vazhdueshme dhe publike, kam shprehur shqetësimin tim për një të keqe të madhe që, hap pas hapi, është investuar në dëm të shqiptarëve dhe të vetë Shqipërisë.
Në vazhdën e këtij shqetësimi kam shkruar edhe tekstin që po ndaj me ju. Përmes tij jam përpjekur të nxjerr në pah disa nga dukuritë më të rëndësishme që kanë shoqëruar mendësinë shqiptare gjatë një shekulli të tërë. Sepse problemi ynë nuk qëndron vetëm te një qeveri, te një parti apo te një individ i vetëm; ai qëndron edhe te mënyra se si kemi mësuar të vlerësojmë, të zgjedhim dhe të ngremë në piedestal ata që na udhëheqin.
E vërteta e hidhur është se, gjatë këtyre njëqind viteve të fundit, shqiptarët kanë vrarë më shpesh bilbilat e tyre sesa kanë mbrojtur zërin e tyre. Kanë larguar njerëzit e dijes, të talentit, të karakterit dhe të vizionit, për t'u hapur rrugë sorrave që zhurmën e paraqesin si këngë dhe mediokritetin si virtyt. Kjo është tragjedia jonë më e madhe kolektive.
Disa më kanë thënë se ky tekst është i gjatë dhe se protestuesit nuk janë lexues. Këtë nuk mund ta besoj. Nëse një brez i tërë pushon së lexuari, atëherë ai brez po heq dorë nga aftësia për të kuptuar veten, ndërsa një popull që heq dorë nga leximi po nënshkruan gradualisht zhdukjen e tij shpirtërore dhe historike.
Prandaj, para së gjithash, duhet të ndalojmë së vrari bilbilat tanë. Duhet të mësojmë të dëgjojmë përsëri zërin e dijes, të arsyes dhe të së vërtetës. Më pas, duhet ta rikthejmë fjalën në piedestalin që i takon, sepse vetëm përmes fjalës së lirë, mendimit kritik dhe kulturës së debatit mund të ndryshojmë mendësinë që formëson vizionin tonë për të ardhmen.
Tekstin “Do ta vras bilbilin e pastaj do të këndoj” e kam shkruar pikërisht në kontekstin e protestave që po zhvillohen sot në Shqipëri. Synimi im nuk është t'u jap atyre një drejtim të ngurtë, por t'u shtoj një dimension më të thellë reflektimi, një përkorje të sinqertë, duke besuar se çdo ndryshim i qëndrueshëm fillon nga ndryshimi i mendësisë dhe i sistemit të vlerave mbi të cilin ngrihet një shoqëri.
DO TA VRAS BILBILIN
“…Do ta vras bilbilin e pastaj do këndoj…” Varg i mirënjohur i një kënge të cilën pak kush e ka shmangur së dëgjuari qoftë edhe një herë, e aq më tepër në një hapësirë kulturore ku kënga jeton gjatë në kujtesën kolektive dhe ku vargjet shpesh fitojnë një jetë më të gjatë se vetë rrethanat që i lindën. Ka vargje që kalojnë nëpër kohë si pjesë e zakonshme e repertorit popullor dhe ka të tjerë që mbeten të ngulitur në vetëdijen kolektive sepse bartin brenda tyre një përvojë njerëzore më të thellë se sa duket në dëgjimin e parë. Kjo fjali i përket pikërisht këtij lloji. Ajo tingëllon e thjeshtë në sipërfaqe, ndërsa në shtresat e saj të brendshme fsheh një dramë që prek marrëdhënien e njeriut me vlerën, me meritën, me zilinë dhe me dëshirën për t’u ngritur mbi të tjerët.
Po qe se do të thellohemi vetëm pak në semantikën e këtij vargu, do të pikasim brenda vetes trishtimin e thellë të ndjesisë së të qenit i përdorur sipas mënyrës më të ligë, në atë pikë ku njeriu e kupton se ekzistenca e tij ka shërbyer si shkallë për ngjitjen e dikujt tjetër. Në këtë përvojë fshihet një nga plagët më të vjetra të ndërgjegjes njerëzore; çasti kur vlera e një njeriu nuk njihet si vlerë në vetvete, por trajtohet si mjet për realizimin e synimeve të tjetrit. Ndjenja që lind prej një përmbysjeje të tillë tejkalon zhgënjimin e zakonshëm. Ajo prek vetë kuptimin e drejtësisë, sepse e vendos njeriun përballë mundësisë që cilësitë e tij të shndërrohen në arsye për t’u përdorur, për t’u anashkaluar ose për t’u flijuar në dobi të një ambicieje që ushqehet nga prania e tij dhe fuqizohet përmes largimit të tij.
Nga të gjitha mundësitë që mund të sajohen me mendje, asnjëra nuk arrin të fashitë sadopak dyshimin gjakues mbi mënyrën se si mund të ndodhë një përmbysje e tillë e rendit moral, ku cilësia shndërrohet në faj dhe vlera në shkak për eliminim. Këtu preket një paradoks që e ka shoqëruar njeriun në periudha të ndryshme të historisë; prania e së mirës nuk ka prodhuar gjithmonë admirim, as respekt, as dëshirë për t’u përmirësuar. Në shumë raste ajo ka zgjuar parehati, ka nxitur krahasime të padëshiruara dhe ka bërë të dukshme mangësi që do të dëshironin të mbeteshin të fshehura. Pikërisht në këtë hapësirë lind drama e bilbilit. Ai dënohet prej asaj që e bën të veçantë. Kënga e tij bëhet arsye për ta parë si pengesë, ndërsa cilësia që duhej të përbënte shkak nderimi shndërrohet në burim kërcënimi për ata që e matin veten përmes pozitës dhe jo përmes meritës.
Druaj se kjo metaforë makabre gjendet në thelbin e shumë mënyrave përmes të cilave kuptohet bota, ndërtohen hierarkitë shoqërore, prodhohen autoritetet dhe përcillen brez pas brezi modele të të menduarit që fitojnë statusin e metodës. Ajo nuk kufizohet brenda një rasti të veçuar apo brenda një përvoje individuale. Prania e saj mund të ndihet në shumë prej mekanizmave të padukshëm që rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet njerëzve, në mënyrat përmes të cilave shpërndahen prestigji dhe ndikimi, si edhe në format përmes të cilave ndërtohen figurat që më vonë paraqiten si shembuj orientues për bashkësinë. Pikërisht për këtë arsye metafora e bilbilit tejkalon kufijtë e një imazhi poetik dhe fiton vlerën e një çelësi interpretues për shumë dukuri njerëzore që në pamje të parë duken të palidhura me njëra-tjetrën.
Përmes kësaj metafore, apo më saktë përmes këtij pasusi drithërues, qartësohen shumë fenomene, duke filluar nga përditshmëria e dendur e marrëdhënieve njerëzore, e lidhjeve dhe miqësive që shëllehen nën diellin e qiellit tonë, e deri te historia e rralluar e shqiptarëve, ku mungesat shpesh flasin më fort se pranitë.
Ka periudha historike që kuptohen më mirë përmes atyre që mungojnë sesa përmes atyre që mbeten. Ka heshtje që mbartin më shumë kuptim se shumë rrëfime dhe boshllëqe që tregojnë më tepër se sa mund të tregojnë pranitë. Pikërisht në këtë horizont kuptimor merr peshë fjalia e njohur: “…më të mirët u vranë në luftë…!?”. Ajo tingëllon si një pohim i thjeshtë historik, ndërsa në shtresat e saj më të thella bart një reflektim të dhimbshëm mbi fatin e cilësisë njerëzore në kohë trazirash.
Vetëm për këtë shqiptarëve u është thënë e vërteta, sepse kjo fjali mbart në vetvete një pjesë të madhe të dramës sonë historike, makabre, ej(!!!), më të mirët u vranë, më të këqinjtë janë midis nesh, gjallë. Në të përmblidhet humbja e atyre figurave që do të mund të shërbenin si pikë orientimi për brezat pasues, si bartës të përvojës, të dijes, të karakterit dhe të guximit. Kësisojë, çdo shoqëri ndërton vazhdimësinë e saj përmes njerëzve që mishërojnë mundësitë më të larta të saj, kur bilbilat janë, nuk janë vrarë.
Kur këta njerëz rrallohen, rrallohet edhe kujtesa e asaj që një bashkësi mund të bëhet. Për këtë arsye, fjalia nuk flet vetëm për viktimat e një lufte, përkundrazi, ajo prek pasojat afatgjata të humbjes së standardeve njerëzore që mbajnë gjallë horizontin moral, kulturor dhe shpirtëror të një populli.
Bilbili këtu paraqitet si mishërim i një cilësie që imponon vetvetiu praninë e saj. Kënga e tij krijon një pikë reference, një masë krahasimi dhe një horizont vlerësimi. Prania e bilbilit e bën të dukshme dallimin ndërmjet talentit të vërtetë dhe pretendimit për talent, ndërmjet meritës së fituar dhe reputacionit të shpallur. Ai nuk ka nevojë për ndërmjetës që ta dëshmojnë vlerën e tij, sepse vetë kënga përmban dëshminë e asaj që ai është. Në këtë kuptim, bilbili përfaqëson çdo formë autenticiteti që mbështetet në përmbajtje dhe jo në reklamimin e vetes, çdo cilësi që fiton autoritet përmes qenies së saj dhe jo përmes mekanizmave që prodhojnë dukshmëri.
Për sa kohë bilbili këndon, çdo krahasim bëhet i pashmangshëm, çdo pretendim testohet dhe çdo vetëpërshkrim vendoset përballë provës së realitetit. Është kënga e tij që krijon një rend të heshtur matjeje, brenda të cilit fjalët humbin privilegjin e vetëshpalljes dhe detyrohen t’i nënshtrohen gjykimit të cilësisë reale. Pikërisht për këtë arsye, problemi i folësit qëndron në vetë ekzistencën e bilbilit, sepse aty gjendet burimi i atij dallimi që e bën të pamundur përvetësimin e lavdisë përmes deklaratës. Për aq kohë sa standardi mbetet i gjallë, hapësira e simulimit do të mbetet tërësisht e kufizuar. Prania e bilbilit ruan kufirin ndërmjet asaj që është dhe asaj që dëshiron të duket si e tillë.
Prandaj vargu “Do ta vras bilbilin e pastaj do këndoj” mund të lexohet si formulë e errët e mediokritetit, si një si shprehje të një prirjeje të vjetër njerëzore që kërkon lartësinë përmes rrallimit të asaj që qëndron më lart në apektin shpirtëror, që e orienton energjinë drejt zhdukjes së standardit. Në këtë formulë fshihet një mënyrë e të menduarit që e përjeton cilësinë si pengesë dhe krahasimin si kërcënim. Pamundësia për t’u ngritur deri te lartësia e së mirës shndërrohet në dëshirë për ta rralluar praninë e saj. Ambicia vazhdon të mbetet e gjallë, mirëpo drejtimi i saj ndryshon. Vështrimi largohet nga vetja dhe përqendrohet te tjetri, te ai që mishëron masën sipas së cilës bëhet vlerësimi.
Përpjekja zhvendoset nga vetëformësimi drejt eliminimit të masës së krahasimit. Në këtë logjikë, suksesi perceptohet si rezultat i boshatisjes së hapësirës përreth dhe prestigji si pasojë e mungesës së atyre që do ta bënin të dukshme përmasën reale të aftësive. Krijohet kështu një rend i përmbysur vlerash, ku lartësia matet përmes rrallimit të atyre që qëndrojnë më lart dhe ku epërsia kërkohet përmes dobësimit të standardit. Në një mjedis të tillë, lavdia pushon së qeni fryt i zhvillimit të brendshëm dhe fillon të ushqehet nga mungesa e krahasimit. Pikërisht këtu metafora e bilbilit fiton dimensionin e saj më të thellë antropologjik, sepse ajo zbulon një nga tundimet më të vjetra të njeriut; dëshirën për të trashëguar pozitën e së mirës pa kaluar përmes rrugës që e ka krijuar atë.
Në këtë kuptim, bilbili bëhet simbol i çdo excellence njerëzore. Ai përfaqëson njeriun e ditur mes të paditurve, të ndershmin mes oportunistëve, krijuesin mes imituesve, trimin mes atyre që kërkojnë lavdi pa rrezik, mendimtarin mes përsëritësve dhe njeriun e karakterit mes atyre që jetojnë nga përshtatja me rrethanat. Në secilin rast ai mishëron praninë e një cilësie që e tejkalon mesataren dhe që, pikërisht për këtë arsye, bëhet pikë orientimi për të tjerët. Shoqëritë i njohin njerëz të tillë në periudha të ndryshme të historisë së tyre. Ata shfaqen në fusha të ndryshme të jetës, mirëpo i bashkon një tipar i përbashkët; aftësia për ta ngritur masën e mundësisë njerëzore më lart se sa ishte më parë, që do të thotë se vetë prania e tyre zgjeron horizontin e asaj që konsiderohet e arritshme dhe e denjë për t’u synuar.
Kënga e bilbilit fiton kështu një kuptim shumë më të gjerë se ai estetik, sepse ajo bëhet dëshmi e një cilësie që buron nga vetë qenia, nga puna e gjatë, nga përvoja, nga sakrifica dhe nga një rend i brendshëm që nuk mund të fabrikohet me deklarata. Në tingullin e saj përmblidhen vite përpjekjeje, përballje me kufijtë e vetvetes dhe një proces i ngadaltë formësimi që zhvillohet larg syve të publikut. Çdo cilësi e vërtetë mbart brenda vetes një histori të tillë. Ajo lind nga bashkëveprimi i talentit me disiplinën, i dhuntisë së meditimit me mundimin dhe i aspiratës me këmbënguljen. Pikërisht për këtë arsye autoriteti që rrjedh prej saj gëzon një lloj natyrshmërie që nuk ka nevojë të imponojë veten.
Pikërisht kjo e bën bilbilin të rrezikshëm për ata që jetojnë nga dukja, sepse çdo tingull i tij rikthen dallimin ndërmjet autenticitetit dhe simulimit. Në praninë e tij bëhet më e vështirë të mbijetojnë maskat, të ruhen iluzionet dhe të mbështeten pretendimet që nuk gjejnë mbështetje në përmbajtje. Bilbili nuk sulmon askënd, nuk polemizon me askënd dhe nuk ka nevojë të shpallë epërsinë e vet. Vetë kënga e tij mjafton. Pikërisht aty qëndron forca e tij dhe, njëkohësisht, arsyeja pse ai zgjon parehati te ata që e ndërtojnë identitetin mbi dukjen. Prania e autenticitetit krijon një dritë që i bën më të dukshme kufijtë e simulimit, ndërsa vetë ekzistenca e cilësisë e vendos çdo pretendim përballë provës së realitetit.
Ky mekanizëm përsëritet vazhdimisht në histori. Shumë konflikte lindin nga shqetësimi që shkakton prania e cilësisë së lartë, nga parehatia që sjell shembulli i gjallë i virtytit, dijes apo aftësisë. Në sipërfaqe, përplasjet shpesh paraqiten si mosmarrëveshje interesash, si rivalitete politike, ideologjike apo shoqërore. Në fakt, në shtresat më të thella të tyre mund të dallohet edhe tensioni ndërmjet autenticitetit dhe simulimit, ndërmjet cilësisë që e justifikon vetveten përmes qenies së saj dhe ambicies agresive që kërkon legjitimitet pa kaluar nëpër të njëjtin proces formësimi.
Vetë ekzistenca e një njeriu të ndershëm e bën më të dukshme peshën e korrupsionit; prania e një krijuesi të madh e bën më të prekshme varfërinë e imitimit; personaliteti me integritet moral e vështirëson strehimin pas retorikës, ndërsa njeriu i dijes nxjerr në pah kufijtë e padijes së maskuar si autoritet. Në këtë mynyrë, cilësia e lartë shërben si pasqyrë, ndërsa pasqyrat kanë fuqinë të zbulojnë atë që shumëkush dëshiron ta mbajë larg shikimit. Pikërisht për këtë arsye ato zgjojnë admirim te disa dhe parehati te të tjerët. Pasqyra është mjet që ofron përballjen e bindjes, ajo nuk e krijon mangësinë; vetëm e bën të dukshme praninë e saj.
Prandaj vargu “Do ta vras bilbilin e pastaj do këndoj”, fiton një dimension pothuaj politik dhe historik. Ai përshkruan një metodë të lashtë të prodhimit të autoritetit; zhduk kriterin dhe më pas paraqitu si kriter; hesht zërin më të bukur dhe shpallu zërin tënd si më të bukurin; largo më të diturin dhe paraqitu si burimi kryesor i dijes; rrallo më të guximshmit dhe përvetëso titullin e trimërisë. Brenda kësaj logjike vepron një formë e veçantë e pushtetit, e cila krahas faktit që refuzon të arrijë lartësinë e standardit, ajo mëton të ndryshojë vetë kushtet e krahasimit. Energjia përveç mungesës së investimit në ngritjen e cilësisë, me të njëjtin përkushtim kontribon në në dobësimin e pranisë së saj.
Kjo logjikë ka shoqëruar shumë periudha historike, shumë struktura pushteti dhe shumë kultura politike. Gjurmët e saj mund të dallohen në mënyrën se si janë trajtuar dhe vazhdojnë të trajtohen mendimtarët, reformatorët, krijuesit dhe personalitetet që kanë mishëruar standarde të larta morale ose intelektuale. Në shumë raste, largimi i tyre ka krijuar një zbrazëti që është mbushur me autoritete më pak të denja, me prestigje të fryra dhe me hierarki që ushqehen nga mungesa e krahasimit. Sa më i rrallë të bëhet standardi, aq më lehtë shpallet madhështia. Sa më pak bilbila të dëgjohen, aq më bindshëm tingëllojnë zërat e zakonshëm.
Në këtë dritë, fjalia “më të mirët u vranë në luftë” mund të lexohet si shprehje e një tragjedie antropologjike me pasoja afatgjata, sepse ajo prek procesin përmes të cilit një bashkësi humbet figurat që mishërojnë horizontin e saj moral, intelektual dhe shpirtëror. Brenda saj gjendet një dhimbje që tejkalon humbjen e individëve të veçantë, sepse bashkë me ta dëmtohet edhe struktura e orientimit kolektiv. Humbja e njerëzve të tillë prek mënyrën se si një shoqëri e imagjinon të ardhmen, si i përcakton idealet dhe si e kupton vetë mundësinë e përsosjes njerëzore.
Çdo shoqëri jeton edhe nga prania e njerëzve që tregojnë se deri ku mund të arrijë njeriu. Ata përfaqësojnë lartësinë orientuese të komunitetit. Në figurat e tyre mishërohen forma të dijes, të karakterit, të krijimtarisë dhe të guximit që shërbejnë si pikë referimi për brezat pasues. Humbja e tyre krijon boshllëqe që zgjasin shumë më tepër se një brez, sepse bashkë me ta rrallohet kujtesa e mundësisë njerëzore dhe zvogëlohet vetë horizonti i aspiratës kolektive. Çdo brez mëson edhe duke soditur shembujt e gjallë të asaj që është e mundur. Kur këta shembuj mungojnë, zvogëlohet gradualisht edhe masa me të cilën matet madhështia e njeriut.
Kur bilbilat pakësohen, shumë zëra të zakonshëm fillojnë të tingëllojnë madhështorë. Dukja fiton hapësirë, vetëpromovimi zë vendin e meritës, ndërsa titujt shumohen me një ritëm që shpesh tejkalon përmbajtjen që mbartin. Në kushte të tilla, dallimi ndërmjet autoritetit të fituar dhe autoritetit të shpallur bëhet gjithnjë e më i paqartë. Bashkësia vazhdon të prodhojë figura publike, përkushtohet t'i promovojë ato, mirëpo mungesa e standardeve të larta e ndryshon mënyrën se si vlerësohet pesha e tyre. Madhështia fillon të matet përmes dukshmërisë, ndërsa fama fiton aftësinë të paraqitet si dëshmi e vlerës.
Kjo dukuri shfaqet në kulturë, në politikë, në institucione dhe në çdo fushë ku mungesa e standardit krijon iluzionin e lartësisë. Pasojat e saj nuk kufizohen vetëm në vlerësimin e individëve, sepse me kalimin e kohës prekin vetë shijen kulturore, pritshmëritë kolektive dhe mënyrën se si një shoqëri e përkufizon suksesin. Prania e bilbilit do ta shpërbënte menjëherë këtë iluzion, sepse kënga e tij do të rikthente masën e vërtetë të krahasimit. Mjafton shpesh prania e një cilësie të lartë për të ndryshuar të gjithë peizazhin e perceptimit. Në dritën e saj, përmasat reale të gjërave bëhen sërish të dukshme dhe hierarkitë e ngritura mbi mungesën e krahasimit fillojnë të humbasin bindshmërinë e tyre.
Kjo është arsyeja pse vargu “Do ta vras bilbilin e pastaj do këndoj” tingëllon kaq drithërues, grotesk, rrëqethës. Ai flet për një dëshirë që prek strukturat më të thella dhe më të errta të ambicies njerëzore. Brenda këtij vargu mund të dëgjohet jehona e një konflikti që e ka shoqëruar njeriun në epoka të ndryshme, në kultura të ndryshme dhe në forma të ndryshme të jetës shoqërore. Bëhet fjalë për mënyrën se si njeriu përballet me praninë e asaj që e tejkalon, me ekzistencën e një cilësie që e fton drejt rritjes, ndërsa njëkohësisht e vendos përballë kufijve të vet.
Njëra rrugë kalon përmes përpjekjes së gjatë për t’u bërë më i mirë dhe ajo kërkon kohë, disiplinë, durim dhe gatishmëri për t’u formësuar nëpërmjet mundit. Brenda saj gjendet pranimi i faktit se madhështia fitohet gradualisht dhe se çdo lartësi e qëndrueshme mbështetet mbi një proces të gjatë ndërtimi të brendshëm. Tjetra kalon përmes eliminimit të atij që mishëron më të mirën. Në këtë rrugë, energjia largohet nga vetëformësimi dhe drejtohet kah pengesa që krijon prania e standardit. Midis këtyre dy rrugëve shtrihet një hendek sa vetë historia njerëzore. Në njërën anë qëndron dëshira për t’u ngritur drejt vlerës; në anën tjetër dëshira për ta ulur vlerën deri në nivelin e vetvetes.
Bilbili bëhet viktimë pikërisht sepse këndon bukur, sepse cilësia e tij krijon një standard të gjallë dhe sepse vetë prania e tij mjafton për të demaskuar pretendimin, andaj ai nuk paraqet kërcënim përmes forcës, pushtetit apo ndikimit të drejtpërdrejtë; kërcënimi i tij buron nga vetë ekzistenca e tij si dëshmi. Kënga e bilbilit dëshmon se është e mundur një cilësi më e lartë, një përmbajtje më e pasur dhe një formë më e plotë e realizimit njerëzor. Pikërisht kjo dëshmi e heshtur mjafton për të trazuar ata që kërkojnë prestigj pa kaluar nëpër rrugën që e krijon prestigjin.
Në këtë kuptim, vargu “Do ta vras bilbilin e pastaj do këndoj” përmbledh një nga format më të vjetra dhe më këmbëngulëse të zilisë që njeh bota; dëshirën për të trashëguar lavdinë përmes heshtjes së atij që e meriton. Brenda kësaj dëshire fshihet përpjekja për të shkëputur lavdinë nga burimi i saj, prestigjin nga merita dhe autoritetin nga cilësia që e legjitimon. Pikërisht këtu qëndron tragjedia e bilbilit dhe, njëkohësisht, forca e madhe simbolike e këtij vargu. Ai flet për një tundim që shfaqet sa herë që njeriu kërkon frytet e madhështisë pa pranuar rrugën që çon drejt saj. Për këtë arsye, metafora e bilbilit vazhdon të mbetet aktuale, sepse përveç se flet për fatin e një individi, ajo përfshin gjithashtu eshe një prirje të përhershme të natyrës njerëzore, e cila herë pas here përpiqet ta zëvendësojë meritën me mungesën e merituesit.