Lidhje


Pogradeci, si inerci e Shqipërisë së djeshme

 

Andi Bushati, Lapsi.al

 

Edi Rama po sillet sikur paqja sociale mund të rivendoset duke arrnuar modelin e vjetër të qeverisjes, ndërkohë që ata që kërkojnë dorëheqjen e tij e bëjnë këtë në emër të përmbysjes së një sistemi

 

Edi Rama po vijon të sillet si në Shqipërinë e para flamingove. Maratona e gjatë e takimeve propogandistike të Pogradecit nuk qe asgjë më shumë se një përpjekje për të arrnuar të njëjtën skemë të delegjitimuar të qeverisejes. Pasi me shpalljen e platformës Besa kryeminsistri mëtoi të na mbushë mendjen se e gjithë pakënaqësia e akumuluar, vjen si rezultat i rritjes së pritshmërive nga transformimi që ai i ka bërë vendit, një muaj më pas, buzë liqenit të Ohrit, ai foli për trukse si «Pasqyrë Albania» apo «Radar», pra për vënjen në punë të disa mekanizmave që do tentojnë ti japin më shpejt përgjigje nevojave të qytetarëve.

 

Duket sikur i gjithë shqetësimi pas afro tre muajsh protesta është si të tregohet më shumë empathi ndaj qytetarëve, si të ulet arroganca dhe si të aktrohet mbajtja e veshëve hapur për hallet e tyre.

 

Edi Rama u kujdes ta bëjë të kapshëm këtë mesazh edhe për ata që nuk kanë njohuri për botën virtuale të paraqitjes së ankesave. Ai përzgjodhi nja tre pensionistë, u kujdes ti dëgjojë me kamera hallet e tyre, qoftë për ca km rrugë që nuk e lidhnin fshatin me autostradën, qoftë për ndonjë problem komshijsh për pronën dhe pastaj i nxori ata ditëzij të moshuar të deklaronin se kishin besim të plotë tek udhëheqësi. Se ky ishte lajmi që ai donte të shpërndante u kuptua më së miri nga një titull emblematik i fletushkës së tij të propagandës, Shqiptarja.com: “Pesë orë rrugë nga Greqia drejt Pogradecit, emigranti: Kam dëshirë të takoj Ramën, pastaj le të vdes”.

 

Pra, fabula e re që po tenton të ngulitë në mendjet e publikut Rilindja 0.2 është një vetëkorrigjim në komunikimin me njerëzit dhe një premtim për të qëndruar më pranë halleve të tyre. Këtë konfirmoi edhe retreati i Pogradecit si zbërthim i Besës.

 

Por, edhe sikur vetë kryeministri të sillet me të gjithë hallexhinjtë si me Çelnik Shtupalin apo Vasil Belbën, sikur e tërë administrata, këtej e tutje, të bëjë të njëjtën të kopjojë të njëjtin model të shefit të madh, sikur ajo të shtojë vëmendjen dhe efikasitetin maksimal (ndonëse kjo ngjan pothuajse e pamundur në një shtet klientelist dhe të kapur), sërisht rezultati ka për të qenë një vërë në ujë.

 

Problemi real që Rama po hiqet sikur nuk e kupton, nuk është ruajtja e të njëjtit model qeverisjeje duke e mveshur me empathi dhe përkujdesje, por përmbysja katërcipërisht e tij.

 

Furia popullore që shpërtheu pas vënies së gardhit dhe dhunës në Zvërnec, ishte vetëm fitili që ndezi zjarrin e pakënaqësisë me një sistem të tërë. Në thelb të zemërimit ishin plaçkitja e pasurive publike, thellimi i hendekut mes atij grushti njerëzish që bëhen gjithnjë e më të pasur dhe shumicës që varfërohet përditë e më shumë, suprimimi i lirisë dhe garës, mizerabiliteti i shërbimeve në shëndetësi dhe arsim, që i kanë shtyrë njerëzit të braktisin vendin.

 

Këto janë ato që duhen korrigjuar, dhe kjo nuk bëhet duke filmuar ata figurantë që u zgjodhën të aktronin rolin e hallexhiut pas dyerve të ish vilës së Enverit, në Pogradec.

 

Duke marrë këtë rrugë, duke propozuar zgjidhje për probleme që janë vetëm efekte kolaterale të së keqes së madhe, Edi Rama, po dëshmon se nuk ka më, as mundësi, as fuqi të jetë pjesë e zgjidhjes së problemit që revolucioni i flamingove ́nxori ne sipërfaqe..

 

Nëse një pjesë e madhe e protestuesve, të përkrahur nga ata që i përshëndesin nga dritaret, nga ata që lënë kafetë për ti’u bashkëngjitur në marshim, nga ajo masë e shumfishtë që i bën like dhe i riposton në rrejtet soiciale, e kanë kusht të panegociueshëm largimin e kryeministrit, Edi Rama kishte një mundësi të fundit, ti tregonte të tjerëve, atyre që nuk janë kaq radikale, se ai ka zgjidhje edhe për të parët. Se ai ka vullnet për tu vetëkorrigjuar dhe për ta revolucionarizuar nga brenda sistemin. Ndoshta edhe kjo mund te qe e pamjaftueshme, por gjithësesi ia vlente të provohej.

 

Por, ai po bën krejt të kundërtën. Ai po vijon me inercinë e Shqipërisë së djeshme duke dashur të na bindë se mund të shkohet përpara me arrnimin e të njëjtit model. Ky qe deshtimi real i tij në Pogradec. Lajmi i vërtetë i këtij retreati është se ai nuk ka më force të prodhojë ndryshim.

XS
SM
MD
LG