Lidhje


"Barkodi" historik i kishës së Laçit dhe vëzhgimet e UFO-ve nëpër botë

Nga Alban Gorishti/Këto ditë ka rinisur rituali i përvitshëm i 13 të martave në Kishën e Shna Ndout në Laç. Ajo që e ka bërë të famshme kishën e Laçit është pretendimi se aty ndodhin vazhdimisht "mrekulli" dhe ndodhi të jashtëzakonshme. Kështu i sheh këto ditë mediat të mbushura me lajme të tilla të cilat kanë nxitur popullin e thjeshtë ti ngjitet përpjetës që të shpie deri tek kisha . Kjo kishë pretendohet se është ndërtuar nga priftrinjtë Françeskan, të cilët e ndërtuan kishën në vendin ku magazinoheshin mjetet e tyre të ndërtimit, të cilat sipas gojdhënës të nesërmen në mëngjes zhdukeshin nga ai vend në mënyrë të habitshme për tu gjetur në një vend tjetër, e kështu ata vendosën ta ndërtonin këtë kishë në vendin ku këto mjete zhdukeshin, pra në vendin e "mrekullisë" , siç ata e quajtën. Ndërsa gjatë post demokracisë nuk janë të pakta narracionet se atje ndodhin shfaqje të habitshme apo "mrekulli" pikërisht tek ky vend i energjisë.


Rrëfenjat popullore tregojnë (sipas faqes zyrtare të archivioradiovaticana etj) se në vitin 1981, një grup ushtarësh nga toga e Drojës mori urdhër të shkonte te kodra e “Shna Ndout”, në Laç, për të rrëzuar pjesën e mbetur të rrethimit. Prej këndej ushtarët e zonës morën urdhër t’i hidhnin në erë muret e kishës së Shën Ndout. Pasi e shembën një pjesë të rrethimit (sipas gojdhënës), 32 ushtarët e togës mbetën, të paralizuar nga mesi e poshtë. Mbetën të ngrirë, aty, mbi mur, ku erdhën e i morën me shpejtësi ndihma mjekësore. Lajme si këto faktikisht rrëfehen kudo që ka gërmadha, zona të braktisura dhe lokacione malore.

 

Pikërisht pas demokracisë kemi parë që këto vende "të mrekullisë" kanë shpërthyer si kërpudhat pas shiut, shpesh me histori dukjesh apo zhdukjesh sikurse ato të kishës së Laçit. Male, brigje, shpella e vende të caktuara janë zhndërruar në vende pelegrinazhi nga një pjesë e popullisë që siç do të thoshte filozofi Skocez David Hume: "Kënaqësia për të propaganduar një lajm", të kujton se njeriu dëshiron ta përhapi të mbinatyrshmen, ta shfrytëzojë atë por jo të besojë në realitetin e saj. Ndaj edhe shpesh ndodhi të tilla përzihen me ëndrrat duke i dhënë rëndësi dëshirës për ta përhapur një lajm të caktuar. 


Kjo më kujtoi historikun e UFO-ve dhe kontaktin e tyre me njerëzit. Shikimet e UFO-ve u rritën në Amerikën e largët dhe në vitin 1948 Forca Ajrore e SHBA filloi një hetim të këtyre raporteve të quajtur Shenja e Projektit.Në një qytet të vogël të New England (sipas rrjetit ABC), anëtarët e një grupi mbështetës, i cili krenohet me një anëtarësim në rritje prej 1,500, mblidhen për një takim "të fshehtë". Ata janë të gjithë njerëz që kanë pasur takime të afërta me forca misterioze aliene (siç i quajnë ata) , takime të cilat për shumë elementë i ngjasojnë historive të "mrekullive"që janë vëzhguar në këto vende të "mira". Takime të cilat shërbejnë po ashtu edhe për ti ofruar një asistencë psikologjike njerëzve që pretendojnë se i kanë takuar nga afër këto fenomene të jashtëzakonshme, të cilët vuajnë edhe nga trauma të thella psikosomatike.


“Isha në paralizë të plotë, të vetmet gjëra që mund të lëvizja ishin sytë"-thotë dikush.


“Ndjeva sikur dikush më bëri gjilpërën në krah . Ishte sikur një drogë qetësuese"-thotë dikush tjetër.


Ndërsa dikush tjetër pretendon se "alienët kontaktuan me të në kanalin e tij në YouTube".


Ndërsa disa të tjerë pretendojnë se kanë ndjerë një energji të madhe, apo kanë parë drita dhe objekte të çuditshme, siç po ashtu disa të tjerë kanë raportuar se janë ndjerë të fuqishëm saqë mundet të ngrinin dyfishin apo më tepër të peshës së tyre.


Paraprakisht duhet thënë se shpirtrat e disa njerëzve janë të predispozuar për të hyrë në lidhje me disa krijesa të cilat jetojnë jashtë botës së dukshme fizike . Ata mund të kalojnë shpejt në gjendje tranzitore, të shohin manifestime të caktuara të kësaj energjie dhe madje të pësojnë ndryshime të vet gjendjeve të caktuara trupore. Zoti thotë për ta se: “Vërtetë ai (djalli, xhinët) dhe shoqëria e tij ju shohin juve, ndërsa ju nuk i shihni ata”. Araf – 27


Duhet cekur se xhinët jetojnë në ndonjë vend më shumë sesa në ndonjë vend tjetër. Ka vende ku ata janë më shumë në numër; – sikurse edhe njerëzit, kanë vende ku jetojnë dhe kanë vendbanimet e tyre. Pra, janë sikurse edhe njerëzit në këtë gjë. E nëse njerëzit jetojnë në bashkësi urbane atëherë ata jetojnë në vende të boshatisura dhe në periferi apo gërmadha, por mbi të gjitha në pyje dhe lartësi malore. Xhinët banojnë nëpër vende të papastërta dhe të fëlliqura. Thotë Pejgamberi : “Vërtetë vendet e papastra, janë vende ku qëndrojnë xhinët..". Ndërsa vendet më të "papastra" janë me të vërtetë vendet ku propagandohen idhujtaria dhe largimi nga monoteizmi . Kjo sepse çdo gjë që është larg monoteizmit dhe afër idhujtarisë, është po ashtu afër krijesës e cila rivalizoi Zotin, xhinëve rebel. E sa më rebel ndaj Zotit të jetë njeriu aq më afër manifetsimeve "jashtëtokësore" ka për të qenë. Ndërsa rebelizmi në fenë tonë nuk është domosdoshmërisht sinonim i dhunës fizike por po ashtu edhe i një tërheqje (shytje) shpirtërore, e cila e bën njeriun të puthi gjurmë të shenjtësh apo të ngjitet në lartësi për të ndjekur mrekullinë e cila realisht është më afër me njeriun që i drejtohet vetëm Zotit sesa atij që kërkon turizmin religjoz tek vende "shërohesh" në proporcion me numrin e shkalllëve që ngjit.


Ndërsa e natyrshmja nuk ka nevojë me afërsi misterioze apo forcash okulte por thjesht afërsi kualitative me Krijuesin e gjithçkaje, për këtë Ai thotë në atë që do ta konsideroja "formulën e vërtetë të pagëzimit": E kur robët e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua" Bekare 186.


Xhinët në të vërtetë janë disa lloje, siç ka ardhur në një hadith që transmetohet nga Buhariu se xhinët janë tri lloje: njëri lloj ka krahë dhe fluturojnë si (shpezët, por me shpejtësi shumë të madhe), tjetri lloj janë si kafshët; gjarpërinj, qenë të zinj dhe shtazë të tjera dhe lloji tjetër që jetojnë në grupe dhe shkojnë nga një vendbanim në tjetrin.Pra ata fluturojnë sikurse teoritë që tregojnë se UFO-t janë objekte fluturuese të cilat kanë kontaktuar disa njerëz apo vende të caktuara.
Faktikisht ata nuk kanë fuqi ti çojnë njerëzit në mosbesim me forcë, por i tjetërsojnë realitetet atyre duke i paraqitur atyre kinse mitet dhe kultet e individëve apo gjërave të ngurta janë rrugë që të çojnë deri tek spitalet e mendjes apo trupit.


Faktikisht në ato vende djalli (xhinët) mbizotëron mbi njerëzit të cilët janë të kënaqur me mendimet e tij dhe e ndjekin atë me kënaqësi injorance dhe me kërshëri patologjike: “Në të vërtetë ti nuk do të kesh aspak forcë mashtruese mbi robët e Mi përveç atyre të cilët të ndjekin ty në të gabuarën nga të mashturarit (mosbesimtarët, mohuesit, të gënjyerit). El Hixhr: 42. Shejtani ka mundësi t’i paraqesë njeriut gjatë fjetjës së tij ëndërra të këqija, të cilat e trondisin dhe e lodhin atë, me qëllim që ta pikëllojë dhe ta mundojë atë, por ajo që realisht ka në dorë shejtani është thejsht një pikëllim dhe tjetërsim i fenomeneve, ndaj edhe afërsi dhe energji të tilla (me ato raste që kam pasur mundësi të kontaktoj) shpesh ia shoqërojnë njeriut 100 telashe dhe pikëllime. Pikërisht sepse çdo energji që të largon nga monoteizmi i kulluar është në thelb një energji që të afron kah dramatikes që pasqyrohet tek ndodhitë fantastiko-shkencore. 

 

Tha Ibni Kajjimi në këtë kontest ka thënë: ”Nga kurthat e tij është, se ai i bën magji mendjes çdoherë dhe nuk i shpëton magjisë së tij, përveç atij që Allahu dëshiron. Ai ua zbukuron veprën e cila u bën dëm, saqë i duket njeriut se nuk ka vepër më të vlefshme se sa ajo, pastaj e largon nga vepra e vlefshme, saqë mendon njeriu se nuk ka vepër më të dëmshme. Sa të pavërtetën ai e paraqiti në formë të bukur dhe sa të vërtetën e paraqiti në pamje të kobshme!...Ai është i cili u bëri magji mendjeve, derisa i hudhi të zotët e tyre në epshe dhe mendime të ndryshme, i futi ata në çdo rrugë devijuese, i hudhi në shkatërrim pas shkatërrimi, ua zbukuroi adhurimin e idhujve, ndërprerjen e marrëdhënieve farefisnore...."

 

Po ashtu duhet thënë se ata mundet të personifikohen sipas shëmbëllimit të disa krijesave, prej tyre edhe njeriu apo diç tjetër e ngjshme me të. Disa njerëz i kanë dhënë shumë rëndësi të metave dhe halleve të shpirtit apo trupit , por nuk i kushtojnë rëndësi njohjes së këtij armiku të palodhshëm, i cili i bën njerëzit të enden për një të martë të vetme në kërkim të "mrekullisë malore" por i zmbraps nga angazhimi i përditshëm pozitiv në kërkim të reformave pozitive urbane . Kështu ata i thirrin njerëzit e tillë që të adhurojnë tjetër kënd përveç Allahut, të bëjnë mosbesim dhe të mohojnë atë që është e dukshme e qartë dhe prekshme, drejt asaj që është iluzive, për të cilën nuk ka asnjë dëshmi religjoze por vetëm mburje me "mrekullinë e djallit" dhe jo atë të profetit.


E tërë kjo histori e turizmit religjoz më kujtoi filmin "Man in Black", film fantastiko-shkencor në të cilin imagjinata e skenaristit është shkrirë me "takimet ekstratokësore" të të mbijetuarve duke ushqyer fantazinë e mbrapshtë njerëzore sipas modelit metafizik të xhinëve. Por është e njohur që qëllimi i "UFO-ve" pas këtyre kontakteve apo ndërhyrjeve energjike, është që njerëzia të mohojë Zotin e vërtetë, duke i besuar vizioneve apo narrativave të "mbinatyrshme" të cilat janë thjesht pjesë e tokësores kurrësesi e hyjnores. Kështu ata shohin lloj lloj "shëni" i cili i fton të adhurojnë krijesën në vend të krijuesit. Zoti thotë në Kuran, në një diskutim në të cilët engjëjt pyeten nëse ishin ata që i urdhëruan njerëzit të adhuronin format, gurët, njerëzit apo vet ata: Dhe, (përkujto) ditën kur i tubon ata të gjithë e pastaj engjëjve u thotë: "A këta ishin që vetëm juve u adhuronin?" Ata (engjëjt) thonë: "I pa të meta je o i Madhëruar! Ti je Zoti ynë, larg asaj që ata thonë! Por ata kanë qenë që adhuronin xhinët (djajtë) dhe shumica sish u besonin atyre" Sebe 40-41.


Pra kujdes nga "barkodi" historik i kishës së Laçit dhe simotrave të saj, pasi mrekullia më e madhe e Zotit (njeriu, krijimi) nuk mundet të kthehet në mrekullibërës. Kujdes nga "Barkodet" e fallsifikuara, e vërteta nuk ka nevojë për mrekulli entropike por thjesht për një zemër të pastër që të perceptojë mrekullinë e krijimit.

XS
SM
MD
LG