Lidhje


Çmimi i lirisë dhe i së drejtës

Nga imam Ervin Qylafku

 

Para ca kohësh Silvio Berlusconi vdiq në moshën 80 e ca vjecare dhe la pas gruan e tij me një diference moshe diku 50 vjet. Edhe Roberto Cavalli, i cili u largua nga jeta dje, kishte një grua më të vogël se vetja, thuajse gjysmë shekulli. Qenka shumë interesant fakti që shumë aktorë e artistë, me cmimin e famës, thyejnë ca tabu të cilave masa ia njeh akoma shenjtërinë. 

 

Oligarkë, njerëz të politikës dhe pranë saj, ministra, vjedhin paratë publike, uzurpojnë hapësira në zona turistike, shndërrohen në investirorë strategjikë, e bëjnë ligjin spirale nga spërdredhjet vetëm që të mos aplikohet mbi ta, por edhe nëse bëjnë burg dalin të pastër me gjithë paratë e pista, të pastruara nga burgu i luksit me 5 yje. E kush nuk do pranonte nga njerëzit, nga ata të pandërgjegjshmit të pafuqishëm e të “pafat” që s’do i bënte nja ca vite atje brënda e më pas të dilte prej aty milioner?! 

 

Masat kënaqen me iluzionin që jetojnë në shekullin e emancipimit, lirisë dhe se demokracia i ka dhënë mundësinë që të flakin tej prangat e skllavërisë. Po kur e kanë jetuar njerëzit ndonjëherë lirinë dhe drejtësinë e vërtetë? A nuk ishte koncepti i të drejtës në Greqinë e lashtë në varesi të optikës së të fortit, cfarë e mendonte ai të drejtë ishte e tillë edhe nëse dinjiteti, liria, e drejta e masës shkelej me të dyja këmbët? A nuk u bë Sokrati martir për korrigjimin e këtij koncepti? 

 

Përgjatë historisë së njerëzimit liria dhe të drejtat gjithmonë janë shitur, skllevër de jure ka pasur deri në shekullin e 20-të por de facto skllaveria s’ka përfunduar ende dhe as nuk ka ndërmend. Gjithkush ka blerë diçka prej asaj që e konsideron liri apo të drejtë me një kosto që edhe mund të ketë rënduar mbi një liri e të drejtë tjetër. 

 

Meshkujt dikur merreshin me dhunë nga kontinenti Afrikan dhe shiteshin për punë të rëndomta në kontinentet e tjera, ndërsa sot “shitja” e të drejtës së lëvizjes së lirë drejt perëndim, për një jetë më të mirë, për disa të drejta më shumë, organizohet ndoshta edhe nën vëmendjen e qeverive. 

 

Jetojmë kohën kur liria e mashkullit, por edhe e familjes së tij, rrëmbehet nën preteksin e lirive e të drejtave të të tjerëve. Nuk janë të lirë të rrisin dhe edukojnë fëmijët e tyre ashtu siç mendojnë se është e drejtë. Në të kundërt autoritetet dhe institucionet ia rrëmbejnë fëmijët me gjasë se prindërit e tyre janë të dhunshëm ndaj tyre ose i mësojnë të jenë “përjashtues” ndaj të drejtave të disa komuniteteve të tjera. E kjo vetëm se mendojnë ndryshe. Madje edhe kur i shohin fëmijët e tyre në rrugë jo të mbarë nuk guxojnë të tregohen rigorozë ose pak të ashpër sepse po këto institucione, duke shpërfaqur “dhemshuri” më të madhe, mendojnë se këta fëmijë duhet të edukohen me normat perëndimore e jo me normat dhe traditat e tyre familjare. 

 

Femrat në gjithë historinë e njerëzimit janë parë si objekt tundimi për masat, shitesin për punë të pamoralshme, përdoreshin si instrument intrigimi që pasonte me rrënimin e një perandorie ndërsa sot për karrieren e ndonjë njeriu me influencë që e kanë vënë nën shënjestër. Nëpër aeroporte, rrugë, qendra tregtare, butikë, deri edhe te ambalazhet e produkteve më të pa rëndësishme do jetë vendosur doemos fytyra e trupi i një femre në mënyrë që të ngjallë interes te pjesa tjetër. 

 

Filozofi dhe psikoanalisti i famshëm gjerman Fromm thoshte se dhuna nuk i ka munguar njerëzve qoftë me anë të diktaturës siç ndodhi në komunizëm ose në shekujt e kaluar, si edhe në kohet moderne, në demokraci, nëpërmjet fuqisë së propagandës që të shndërron në skllav për të qenë koherent me trendin e shoqërisë. 

Dhuna është monedhë me dy anë që herë shpërfaqet me ligje represive e herë me pushtetin e propagandës. 

 

Njerezimi s’ka qenë asnjëherë i lirë e as i ka gëzuar të gjitha të drejtat e tij absolute, përveç se në disa segmente kohore. Ai gjithmonë është përpjekur për t’i shpëtuar dhunës dhe ka blerë lirinë e të drejtat e tij, herë duke e spërdredhur ligjin që t’i shpetojë ndëshkimit, pra ka blerë lirinë e moskapjes nga ligji i shkruar. Ose edhe i pashkruar, ai i tabuve shoqërore, të cilit nuk duhet t’i nënshtrohen artistë, aktorë, influencues, njerëz të famshëm, përveç masës së gjërë. E kanë blerë atë edhe disa nga masa e njerëzve por njëkohësisht duke shitur disa liri dhe të drejta të tjera.

 

Njerëzit janë të barabartë përpara ligjit, por disa të tjerë janë edhe më të barabartë do të mund të thoshte Orwell.

 

Megjithatë, prej kësaj kontrate të ndyrë herë nga halli e herë nga qejfi, kanë shpëtuar njerëz që nuk shesin as dinjitetin dhe as ndërgjegjen e tyre cilido qoftë çmimi. Dhe falë Zotit prej tyre kanë mbetur akoma shumë. Te njerëzit ka akoma hajër do thonim ne fetarët.

XS
SM
MD
LG