Lidhje


Realiteti i hidhur shqiptar, dhe, disa hapa konkrete drejt rrugëdaljes…! (6)

Dhjetë hapa konkrete, vitale, dhe të domosdoshme në funksion të rimëkëmbjes mbarëshqiptare…!
 
Nga: Sali Shasivari
 
Në fund të këtij seriali të këtyre shkrimeve modeste, në të cilat u munduam ta shqyrtojmë ‘Realitetin e hidhur shqiptar dhe disa nga hapat konkrete drejt rrugëdaljes’, dhe, duke marë parasyshë faktin se, në shkrimet paraprake bëmë një qasje të shkurtër dhe koncize ndaj pesë çështjeve vitale të cilat janë të domosdoshme në procesin e ndryshimit kah më e mira dhe në funksion të ndryshimit të realitetit të hidhur, dhe se, në secilën prej atyre pesë çështjeve shqyrtuam pesë aspekte të rëndësishme në këtë drejtim, duke propozuar - në këtë mënyrë - një formulë të llojit ‘pesë-here-pesë’ (5 x 5) për ndryshim…
Këtë serial të shkrimeve po e përmbylli me përmendjen e dhjetë hapave konkrete, vitale, dhe të domosdoshme, në funksion të rimëkëmbjes mbarëshqiptare, edhe atë:
 
 
1. Domosdoshmëria e rishikimit dhe rishkrimit të ‘Historisë’ dhe ‘Historiografisë’ shqiptare: Kjo, duke marë parasyshë faktin se, historia dhe historiografia shqiptare të cilën e kemi nëpër duart tona sot, jo vetëm që është e pakët, e mangët, dhe në të shumtën e rasteve e pasaktë, por, e njejta, në një masë të madhe, është e injoruar, e cunguar, dhe e ideologjizuar…! Andaj, nën hijen e këtij realiteti të hidhur, dhe, në funksion të qartësimit të historisë sonë nacionale (me gjitha të mirat dhe të këqijat që ngërthen në vehte), me qëllim që të shërbejë si bazë për të tashmen dhe të ardhmen, është momenti i fundit që, akademitë tona të shkencave dhe arteve, institucionet tona kompetente, si dhe historianët dhe shkencëtarët shqiptarë, t’i ‘përvishen punës’ në drejtim të rishikimit, rishkrimit, dhe konsolidimit të historisë dhe historiografisë shqiptare…!
 
 
2. Nevoja imanente për përpilimin dhe konsolidimin e ‘Historisë së Mendimit dhe Shkencës Shqiptare’: Me qëllim të qasjes ‘holistike’ (gjithpërfshirëse) ndaj historisë sonë kombëtare, dhe, mos-përkufizimit të saj vetëm si një ‘arenë’ luftërash, konfliktesh, e gjakderdhjesh…; si dhe, në funksion të balansimit të gjërave, dhe, nxjerrjes në pah edhe të aspekteve të ndritura, pozitive, dhe produktive… Gjurmimi, studimi, dhe konsolidimi i ‘Historisë së Mendimit dhe Shkencës Shqiptare’ do të ndihmonte në qasjen racionale - në vend të asaj emocionale - ndaj gjërave, dhe, do të ndikonte pozitivisht në zbutjen e ndjenjës së inferioritetit dhe në sforcimin e ndjenjës së vetëbesimit dhe përkatësisë, si dhe, do të luante rol kyç në trasimin e rrugës së rimëkëmbjes së këtij populli të shumëvuajtur…!
3. Krijimi i ‘institucioneve dhe kuadrove të mirëfillta’, si dhe ‘shtetit të së drejtës’: Në mesin e shumë të vërtetave të hidhura të cilat e karakterizojnë realitetin e hidhur të ‘shqipërive’ tona, është brishtësia e institucioneve, si dhe, mungesa e kuadrove të mirëfillta dhe të pavarura, edhe atë, në të gjitha sferat jetike, si në sferën e shëndetit publik, mirëqenies, dhe sigurisë, poashtu edhe në aspektin social, ekonomik, dhe politik! Andaj, ata, të cilëve ju intereson shteti dhe interesi i përgjithshëm, duhet të bëjnë çmos që të krijojnë institucione të mirëfillta dhe kuadro të shëndosha. Përndryshe, do të jenë të destinuar që të jetojnë nën pushtet, pa shtet dhe pa dinjitet!
 
 
4. Themelimi dhe kultivimi i ‘masmediave’ profesionale, korrekte dhe të ndershme: Duke marë parasyshë faktin se, ‘masmediat’ në përgjithësi, në vend se të jenë në shërbim të krijimit të vlerave, ofrimit të debateve konstruktive, si dhe promovimit të kuadrove të mirëfillta dhe parimeve të shtetit të së drejtës, ato, në përgjithësi, në rastet më të mira ofrojnë ‘debate të shpifura dhe shterpe’, ndërsa, në rastet e rëndomta, ato promovojnë antivlera, degjenerim, amoralitet, shkatërrim, etj.; populli shqiptar i ‘shqipërive’ tona, i cili po i vuan pasojat e gjithë kësaj që u përmend më lartë, duhet një herë e përgjithmonë të vetëdijesohet, si dhe, të krijojë platforma të mirëfillta mediatike, me qëllim që mos të mbetet përgjithmonë konsumues pasiv dhe i nënçmuar, por të shndërrohet në faktor aktiv dhe ndikues…!
 
 
5. Kujdesi, kultivimi, dhe investimi në procesin ‘edukativo-arsimor’: Duke marë parasyshë gjendjen e gjithmbarshme dhe të palakmueshme të institucioneve edukativo-arsimore në ‘shqipëritë’ tona, reformat joadekuate dhe të pasukseshme të cilat po implementohen në to, politizimin e skajshëm të tyre, sfidat e shumta me të cilat ballafaqohen të njejtat, rënien e kualitetit të përgjithshëm në to, etj. …; si dhe, duke marë parasyshë faktin se, edukimi dhe arsimi ka qenë, është, dhe do të mbetet imperativ parësor për çdo popull, në çdo kohë, dhe në çdo vend, pasi është parakushti kryesor i ekzistimit, zhvillimit dhe avansimit të çdo kulture dhe civilizimi njerëzor… Në saje të këtyre fakteve, është i pashmangshëm konstatimi se, kujdesi, kultivimi, dhe investimi në procesin ‘edukativo-arsimor’ paraqet prioritet të prioriteteve…!
 
 
6. Zhvillimi ekonomik, si parakusht i zhvillimit të gjithmbarshëm: Përreth faktit që Zoti u fali shqiptarëve troje me të gjitha komponentet e mira gjeografike (male, kodrina, rafshnalta, fusha, lugina, lumenj, liqene, det, etj.), me fusha pjellore, me minerale dhe pasuri të shumta mbitokësore dhe nëntokësore, pozitë të volitshme gjeo-strategjike, etj. … Përreth gjithë kësaj, Shqipëria vazhdon të mbetet shteti më i varfër në Europë, ndërsa, ‘shqipëritë’ tjera vazhdojnë të jetojnë në gjendje të mjerueshme ekonomike…! Së këndejmi, duke marë parasyshë një situatë të këtillë të palakmueshme - bile të mjerueshme - ekonomike dhe zhvillimore në të cilën janë katandisur shqiptarët dhe ‘shqipëritë’ tona në përgjithësi…; të pashmangshme janë bisedat, debatet, dhe propozimet në lidhje me mundësitë, planet, dhe platformat ekonomiko-zhvillimore të cilat do të ndihmonin në ngritjen e këtij populli dhe këtyre vendeve në pozitat e merituara në mesin e popujve tjerë të rajonit dhe të botës…!
 
 
7. Kujdesi ndaj, si dhe, organizimi i ‘Diasporës Shqiptare’: Ndonëse, në bazë të statistikave, numri më i madh i shqiptarëve sot jetojnë jashtë tokave të tyre historike shekullore…; dhe se, populli shqiptar, me plotë të drejtë, e meriton epitetin ‘popull i diasporës’…! Mirëpo, përreth kësaj të vërtete të hidhur, ajo që e bën edhe më të hidhur këtë realitet të dhimbshëm, është fakti se, në këtë aspekt, jo vetëm që mungojnë platformat, programet dhe aktivitetet e mirëfillta në funksion të organizimit dhe konsolidimit të kësaj diaspore në të gjitha sferat kulturore, porse, ajo që është edhe më tragjike, është fakti se, ‘Diaspora Shqiptare në Lindje’ tashmë është thuajase plotësisht e shkrirë dhe e harruar, ndërsa ‘Diaspora Shqiptare në Perendim’ është tejet e shkapërderdhur dhe e paunifikuar…! Prandaj, është momenti i fundit që, faktorët relevantë në ‘shqipëritë’ tona, të fillojnë të mendojnë seriozisht për një përkujdes dhe organizim të mirëfilltë të ‘Diasporës Shqipëtare’ anekënd globit…; përkujdes dhe organizim këtë, të cilin, në opinionin tim modest, e konsideroj si aktin më të lartë patriotik të kohës…!
 
 
8. Konsolidimi i ‘Kulturës’, ‘Civilizimit’, dhe ‘Identitetit’ shqiptar: ‘Kultura’, ‘Civilizimi’, dhe ‘Identiteti’ janë ‘ADN-ja’ e çdo populli / kombi… Andaj, pa një qasje serioze dhe ‘holistike’ (gjithpërfshirëse) në kultivimin dhe mbrojtjen e këtyre tri elementeve bazë, ne do të çalojmë në procesin e konsolidimit të kulturës sonë kombëtare, do të ngecim në krijimin e civilizimit tonë specifik, si dhe, do të dështojmë në ruajtjen dhe sforcimin e identitetit shqiptar…; me ç’rast, si popull, nuk do të arrijmë të bëhemi pjesë e garës pozitive në mes kulturave, si dhe, nuk do të arrijmë të lëmë asnjë gjurmë në rrjedhat e përgjithshme civilizuese…!
 
 
9. Krijimi i ‘individëve të formuar’, ‘modeleve shembullore’, dhe ‘shoqërisë së shëndoshë’: Duke marë parasyshë realitetin e hidhur aktual shqiptar, në të cilën jemi dëshmitarë të: targetimit dhe zëvendësimit të individëve dhe modeleve pozitive dhe konstruktive me “modele” negative, destruktive, dhe degjeneruese…; targetimit të familjes së shëndoshë, e cila paraqet bërthamën e shoqërisë, duke tentuar shkatërrimin e së njejtës…; si dhe, targetimit të sistemit edukativo arsimor, i cili paraqet ‘fabrikën më të mirë sociale’, duke e dobësuar atë deri në përmasa ekstreme…!!! Është koha e fundit që veprimet e këtilla t’i demaskojmë, t’i denoncojmë, t’i stopojmë, dhe t’i sanksionojmë… Përndryshe, do të na mallkojë historia dhe gjeneratat e ardhëshme!
 
 
10. Drejt një ‘pranvere’ mbarë-shqiptare, nën maksimën: ‘Ndryshimi i vërtetë fillon prej vetvetes sonë’: Në këto momente kyçe dhe historike, kur populli shqiptar - në përgjithësi - është zhytur në paradokse dhe mjerim të gjithanshëm në shumë sfera dhe aspekte, duke qenë i përçarë, i fragmentuar, i paorganizuar, i defokusuar, i dobët, i pazhvilluar, inferior, i hutuar, i nënshtruar, i dorëzuar, i kompleksuar, i servilosur, i korruptuar, i degjeneruar, etj., bile-bile, pa identitet, pa plan, pa strategji, pa taktika, pa punë, pa angazhime, pa veprime, pa orvatje, pa tentime, pa rezultate, pa shpresë, dhe pa perspektivë…; në këto çaste vendimtare, është obligim dhe imperativ i kohës, që, ky popull, të zgjohet nga gjumi letargjik, si dhe të shpallë një ‘pranverë’ mbarë-shqiptare në të gjitha sferat dhe aspektet jetike, me qëllim të rikthimit të dinjitetit dhe krenarisë, si dhe me qëllim të marrjes së vendit të merituar në mesin e popujve të rajonit dhe më gjerë…!
 
 
Shqipëtarët dhe shqipëritë tona i posedojnë të gjitha predispozitat, të gjitha resurset, të gjitha kapacitetet, dhe të gjitha mundësitë për një vizion, platformë, dhe projekt qytetërues… Gjithçka që nevojitet është vullneti, guximi, organizimi, dhe puna ekipore…!
 
 
Mbi të gjitha, përballë realitetit të hidhur në gjitha sferat që u përmendën, dhe shumëçkahit që nuk u përmend, është imperativ i kohës, si dhe obligim i gjithësecilit prej neve që t’i ulim gardhet e mospajtimeve, ndasive, dhe përçarjes, dhe t’i koordinojmë punët në funksion të njerëzores, fetares, dhe kombëtares…!
Zoti i bekoftë shqiptarët dhe ‘shqipëritë’ tona…!
XS
SM
MD
LG