Lidhje


Problemi i kurdëve të Sirisë

Nga Hoxhë Florian Leli
 
 
Kurdët janë një popull i hershëm indo-evropian. Për prejardhjen dhe gjuhën e tyre ka shumë diskutime dhe pasiguri. Ata banojnë në zonën e lumit Tigër në veri të Irakut, në lindje të Turqisë dhe në perëndim të Iranit, në rajonin që kurdët e quajnë Kurdistan. Popullsia kurde, në të gjithë krahinën e ndarë mes katër shteteve, shkon rreth 20-30 milionë banorë. Kurdët janë të ndarë në fise dhe grupe të shumta. Ata flasin një varietet dialektesh të cilat në shumë raste është e vështirë të kuptohen me njëra-tjetrën. Dy dialektet kryesore janë kurmanxhi në veri të Kurdistanit dhe sorani në jug.
 
Kurdët kryesisht janë suni shafii, por ka edhe pakica të alevitëve (kakaitë, fisi Zaza që flasin një dialekt të veçantë). Kurdët alevitë nuk janë nusejri, por janë si alevitët e Anadollit (një degëzim i bektashizmit) ose kazëllbashë, që janë një mbetje e grupeve ekstreme shite musavite të periudhës safevite, majde edhe më të hershëm.
 
 
Kurdët e Sirisë i përkasin fiseve kurde që flasin kurmanxhi dhe kryesisht janë suni, me pakica alevite. Ata banojnë në veri dhe verilindje të Sirisë, me përqëndrim të lartë në prefekturën e Hasekesë dhe në zona të tjera si Afrini (pranë Halebit), Xharabulsi, Kobani etj.
 
 
Problemi kurd në formatin e tij modern, i ka fillesat në vitet e fundit të Shtetit Osman. Para fundit të shekullit XIX, revoltat kurde qenë të pakta dhe të karakterit lokal. Politika osmane e ndarjes sipas miletit u kishte dhënë mundësi kurdëve të administronin krahinat e tyre dhe të merrnin pjesë në politikat qendrore të shtetit, aq më tepër që deri në fund të shek,. XIX zona ka pasur qendrueshmëri relative.
 
 
Me shfaqjen e nacionalizmit turk të nxitur nga lëvizja xhonturke dhe më pas nën drejtimin e Partisë Unitet dhe Progres me trinomin e famshëm turk që morri pushtetin në fillim të shek. XX dhe për shkak të ndikimeve të jashtme botërore dhe sidomos me ndikimin e Britanisë dhe të Francës lindi dhe filloi të formohej edhe nacionalizmi kurd dhe bashkë me të edhe kërkesat për themelimin e një shteti kurd të pavarur.
 
 
Revoltat e armatosura kurde kundër turqve erdhën duke u shtuar nën drejtimin e shtetit nga nacionalistët turq dhe u shtuan më tej në periudhën e Republikës Turke të kemalistëve. Konfliktet dhe përleshjet e armatosura ndodhën në shumë zona të Turqisë lindore dhe Anadoll gjatë viteve 20-30. Ato arritën kulmin e tyre në mesin e viteve 30-të me beteja të përgjakshme dhe humbje të mëdha nga të dyja palët.
 
 
Mandati Francez dhe Mandati Britanik që kishin kolnizuar të gjithë Shamin dhe Irakun i mbështetën kryesisht kurdët duke i financuar dhe armatosur me armë. Në anën tjetër francezët strehuan dhjetra mijra emigrantë kurd në vitet 30-40 të zhvendosur nga Turqia në Siri për shkak të konflikteve të ashpra të zhvilluara në Turqi mes nacionalistëve kurd dhe qeverisë kemaliste.
 
 
Në fakt, francezët dhe britanikët i kishin dhënë një goditje të fortë aspiratës kurde për një shtet të pavarur me nënshkrimin e Traktatit të Lozanës. Traktati i Lozanës shfuqizoi Traktatin e Sevres (1920) i cili parashikonte formimin e një shteti kurd, të pavarur ose me një autonomi të zgjeruar, në varësi të rezultateve të referendumit. Sidoqoftë Traktati i Sevres nuk u ratifikua dhe nuk u zbatua kurrë. Tranktati i Lozanës (1923) i copëtoi tokat kurde mes katër shteteve, sipas kufijve të njohura sot.
 
 
REGJIMI BATHIST SIRIAN DHE PROBLEMI KURD
 
 
Në periudhën e regjimit të partisë Beath dhe Hafiz Esedit problemi kurd mbeti përherë i pazgjidhur përfundimisht. Kurdët u organizuan në çeta të armatosura të udhëhequra kryesisht nga nacionalistë të së majtës ekstreme dhe acarimet dhe përplasjet e armatosura kanë qenë të pranishme, por herë-herë arriheshin marrëveshje të pjesshme me lëshime nga të dy palët për uljen e tensioneve. Trazirat e fundit të mëdha para revolucionit sirian kanë ndodhur në vitin 2004.
Regjimi bathist, ashtu si edhe qeveritë nacionaliste dhe ushtarake turke të viteve 60-80 u mohoi shumë të drejta kurdëve, duke nisur që nga gjuha, përfaqësimi lokal dhe kombëtar, nënshtetësinë etj. Shumë emigrantë kurdë nga Turqia, por jo vetëm, nuk arritën të kishin një nënshtetësi siriane.
 
 
Në anën tjetër regjimi ndërmori fushata të gjera arabizimi të zonave kurde në vitet 70-80 të cilat nxitën edhe më shumë indinjatën kurde.
 
 
PKK DHE TË MAJTËT
 
 
Partia e Punës e Kurdistanit, shkurtimisht PKK (sipas inicialeve kurde) është një parti marksiste-leniniste nacionaliste e themeluar në vitin 1978 nga Abdullah Oxhalani. PKK-ja që me themelimin e saj zgjodhi rrugën e përballjes së armatosur për formimin e një shteti kurd. Me një ideologji ekstreme të majtë ajo preferoi luftën guerrile si dhe sulmet e armatosura shpeshherë ndaj civilëve dhe organizateve shtetërore civile. PKK veproi kryesisht në Turqi dhe në Irak, ku kishte aktivitetin kryesor të saj, por arriti të krijonte edhe çetat e saj në Siri, të cilat më shumë se për të luftuar regjimin e Esedit dhe për të arritur të drejtat e tyre në Siri, i përdorte për të ndërmarrjen e sulmeve ndaj territoreve turke në vitet 80-90. Regjimi i Hafiz Esedit u krijonte hapësira rebelëve kurd për sulmet ndaj Turqisë për arsye të ndryshme politike dhe PKK gjeti një veriun e Sirisë një strehë të sigurt për sulmet e tyre.
 
 
Pas arrestimit të liderit Abdullah Oxhalan, një degë e PKK-së në Siri u nda dhe formoi një parti me emrin Unioni Demokratik (PYD), një parti me bindje të majta socialiste nacionaliste që në qendër të vëmendjes kishte zgjidhjen e problemit kurd brenda Sirisë.
 
 
Në vitin 2004, gjatë një ndeshje futbolli në Kamishli, një grup i tifozave arabë ngritën një foto të Sadam Huseinit, i cili nga kurdët konsiderohej si armiku më i madh. Kurdët, që mbështetën pa rezerva pushtimin amerikan të Irakut u kundërpërgjigjën dhe trazirat shpërthyen në Kamishli mes PYD-së, arabëve dhe forcave të sigurimit. Këto konsiderohen si trazirat më të mëdha para revolucionit në lidhje me çështjen kurde.
 
 
Pas fillimit të revolucionit sirian, në vitin 2011 u themeluan Njësitë e Mbrojtjes Popullore (YPG, inicialet kurde), një aleancë e gjerë ushtarake kurde me PYD-në si përbërës kryesor. Po në fillimet e revolucionit forcat e regjimit u tërhoqën nga zonat me shumicë kurde, duke u mjaftuar me mbajtjen e dy garnizoneve ushtarake në qytetin e Kamishlit dhe të Hasekesë. Në anën tjetër, Beshar Esedi në vitit 2011 u dha nënshtetësinë siriane 200.000 kurdëve pa nënshtetësi në veri të Sirisë si një përpjekje për të thithur drejt vetes elementin kurd.
 
 
Shumë shpejt YPG-ja filloi bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për mbështetje logjistike dhe ushtarake. Amerikanët kishin arritur të korrnin sukses të mirë përmes bashkëpunimit me kurdët e Irakut, të cilët nëpërmjet mbështejtes amerikane kishin arritur të themelonin një shtet brenda shtetit në veri të Irakut. Veriu i Irakut me ndihmën e tyre arriti një autonomi të plotë, ekonomike, politike dhe ushtarake dhe kryeqyteti i zonës autonome kurde në veri, Irbili, ishte dhe është akoma shumë më i përparuar dhe i qetë se vetë Bagdadi dhe se shumë qytete të tjera irakiane.
 
 
Ky bashkëpunim u zgjerua menjëherë në Siri. Aleatë të kurdve ishin edhe formacione luftarke sirianike (sirian të krishterë) dhe dalëngadalë atyre iu bashkëngjitën edhe formacione ushtarake nga Ushtria e Lirë Siriane, kryesisht ato formacione me drejtim laik, liberal, properëndimor.
 
 
Kështu, në vitin 2015, me ndihmën e amerikanëve u formua një koalicion i gjerë që si bazë kryesore kishte PYD-në dhe YPG-në kurde i cili u quajt Forcat e Sirisë Demokratike (SDF).
 
 
SDF hyri në luftime të ashpra me shumë formacione luftarake islamike, arabe, revolucionare etj. Ata, të mbështetur edhe nga koalicionet ndërkombëtare, arritën fitore në disa beteja të rëndësishme, një nga më kryesoret ishte beteja e Kobanit (2015) dhe e Rakës (2016-17) kundër ISIS-it.
Në pak vite SDF arriti të zgjerohet në teritore shumë herë më të mëdha se teritoret historike kurde, duke arritur të konsolidojë praninë dhe pushtetin e saj deri në lumin Eufrat, në shumë zona të cilat historikisht kanë qenë zona të banuara me shumicë arabe sunite. Madje ato e kaluan edhe lumin Eufrat për të shtënë në dorë edhe krahina të gjera rreth Halebit dhe në Menbixh.
 
 
Me zgjerimin ushtarak u themelua edhe Administarta Autonome e cila që nga viti 2018 funksionon si organ qeverisës i zonave të kontrolluara nga Forcat e Sirisë Demokratike.
 
 
NDËRHYRJA USHTARAKE TURKE
 
 
Problemi kurd ka qenë përherë i lidhur me Turqinë dhe politikat e saj që nga ndarja e territoreve në Traktatin e Lozanës. Çështja e kurdëve të Sirisë ka qenë një nga problemet më të mëdha për Turqinë e cila ka vuajtur shumë nga sulmet e pandërprera të separatistëve kurd, një pjesë e mirë e të cilave përgatiteshin në Siri dhe Irak.
 
 
Në vitin 2016, me forcimin e forcave ushtarake kurde dhe me shtrirjen e gjerë territoriale, Turqia vendosi të ndërmarrë operacione të gjera ushtarake brenda territorit sirian. Ushtria turke hyri në Afrin, Bab, Xharablus dhe Menbixh, si dhe në hapësirën mes Ajn Isa dhe Tel Tamir në veri të Sirisë duke ndalur ndjeshëm përparimin e forcave kurde, të cilat mbështeteshin dhe vazhdojnë të mbështeten nga Amerika. Ofensiva të tjera ushtarake turke ndodhën edhe në vitet 2018-2019.
 
 
E ARDHMJA E PROBLEMIT KURD NË SIRI
 
 
Çështja kurde në Siri është një nga çështjet dhe konfliktet më të komplikuara. Që pas rrëzimit të Shetit Osman në çështjen kurde janë përfshirë faktorë rajonal dhe ndërkombëtarë. Me rrëzimin e Sadam Husejnit në Irak ndikimi ndërkombëtar ka ardhur duke u rritur.
 
 
Qeveria teknike e posathemeluar në Siri ka një nga prioritetet e saj kryesore hedhjen e hapave konkretë për zgjidhjen e problemit kurd në Siri, sepse pa zgjidhjen përfundimtare të tij nuk do të mund të ketë bashkim kombëtar dhe as stabilitet në vend.
 
 
Pyetja që ngrihet këtu është: Çfarë zgjidhje mund të ketë çështja kurde?
 
 
Zgjidhja e parë është zgjidhja ushtarake. Tani për tani ky është opsioni mbizotërues. Forcat kurde dhe mbështetësit e tyre kanë investuar shumë për projektin e tyre në veri të Sirisë. Madje, projekti si projekt fillestar parashikonte që formacionet e ndryshme luftarake liberale dhe laike në revolucionin sirian do t’i bashkangjiteshin pak nga pak projektit dhe me ndihmën e Perëndimit do të bëhej i mundur rrëzimi i Esedit dhe hyrja në Damask dhe më pas do të flitej për trofe të majme lufte për kurdët, autonomi të zgjeruar ose pavarësi, jo vetëm në zonat e tyre por edhe në zonat arabe përgjatë lumit Eufrat.
 
 
Projekti parashikonte më tej bashkimin e kurdëve të Sirisë me ata të Irakut dhe më pas zhvendosjen e konfliktit të armatosur në Turqi për pavarësinë e zonave kurde dhe bashkimin e tyre në një shtet të vetëm, të gjitha këto me mbështetjen e Perëndimit.
 
 
Ky projekt me objektivat e saj afatgjata dështoi që në fillesat e tij sepse nuk gjeti asnjë mbështetje te shtresat e gjera të myslimanëve arabë suni të cilët edhe sot vazhdojnë ta shikojnë projektin kurd si një pushtim dhe një kolonizim të ri të Sirisë nga Perëndimi.
 
 
Pikërisht për këtë arsye, çështja e kurdëve të Sirisë është një nga prioritetet kryesore të qeverisë turke, sepse një veri i pastabilizuar në Siri dhe një shtet i pavarur kurd i orientuar nga Perëndimi do të thotë destabilizim dhe përshkallëzim të konfliktit në Turqi duke ditur që situata mund të shpërthejë nga çasti në çast.
 
 
Forcat e Sirisë Demokratike kanë një numër të madh efektivësh. Disa raporte i vlerësojnë deri në 50.000 ushtarë dhe janë të aramatosura mirë dhe posedojnë logjistikë moderne.
 
 
Në favor të qeverisë teknike provizore në Siri është përkrahja popullore përgjatë gjithë zonës së lumit Eufrat. Është një nga zonat që ka vuajtur dhe është dëmtuar më shumë gjatë konfliktit sirian dhe përkrahja popullore e shumicës arabe shkon për qeverinë e re të Damaskut.
 
 
Në favor të qeverisë së re është edhe Turqia me disa shtete arabe. Turqia është e interesuara kryesore për zgjidhjen e shpejtë të problemit kurd, sado investime të kërkojë.
 
 
Nga ana tjetër, qeveria teknike e Damaskut, nuk është edhe aq e përgatitur për të hyrë në ofensiva ushtarake të gjera me forcat kurde momentalisht. Shpërndarja e forcave të qeverisë teknike për të siguruar në zonat që tashmë i ka nën kontroll, kërkon një numër të lartë efektivësh dhe situata nuk është stabilizuar akoma. Mbështetësit e regjimit të rrëzuar dhe eksponentë të tjerë destabilizues presin rrethanat e volitshme për të destabilizuar Sirinë. Në anën tjetër edhe Izraeli ushtron presion në jug të Sirisë për të ndezur ndonjë indinjatë popullore, pakënaqësi dhe pse jo për të shkaktuar destabilizim. Destabilizimi do të dërrmojë përfundimisht projektin e nisur për ringritjen e një shteti të mirëfilltë të konsoliduar sirian.
 
 
Gjithashtu, qeveria teknike mund të ketë suksese në zona si Menbixhi apo në zona të caktuara në lumin Eufrat, por një luftë e gjerë ballore në brendësi dhe përtej lumit Eufrat është shumë e vështirë momentalisht dhe me kosto të larta. Kurdët janë luftëtarë të mirë dhe të fortë që e kanë dëshmuar veten shpeshherë në fushat e betejës.
 
 
Në favor të kurdve është mbështetja amerikane. Nuk dihet me siguri se deri në çfarë mase kabineti i ri qeveritar që do të marrë pushtetin në SHBA do t’i kushtojë interes dhe do ta vendosë në prioritetet e tij projektin amerikan në veri të Sirisë. Nuk duhet t’u zemë shumë besë deklaratave të presidentit të ardhshëm Donald Tramp. Ai e ka treguar shumë herë që është një politikan i zoti dhe dredharak në raste të tilla. Për një përgjigje më të drejtë duhet të presim të paktën tremujorin e parë të kabinetit Tramp.
 
 
Në favor të kurdëve është edhe stabiliteti ushtarak dhe ekonomik që kanë pasur vitet e fundit. Fushat e gjera të naftës në verilindje të Sirisë janë të gjitha në dorën e tyre dhe të partnerëve të tyre amerikanë.
 
 
Në favor të kurdëve është edhe fakti që me ndihmën e faktorëve të jashtëm dhe të brendshëm mundet që destabiliteti të rikthehet sërisht në zonat e qeverisë teknike dhe njerëzit janë të lodhur nga lufta dhe konfliktet, gjë që do të ushtronte një presion të jashtëzakonshëm ndaj qeverisë së brishtë siriane.
Nga ana tjetër, një ofensivë e gjerë turke në Kobani e mbështetur mirë nga qeveria teknike në Raka dhe në Menbixh mund t’i detyrojë kurdët të tërhiqen dhe të ulen në tavolinën e negociatave dhe të bisedimeve. Të gjitha këto variante ushtarake janë reale dhe të mundshme.
 
 
Në lojë është edhe opsioni i dytë, opsioni i diplomacisë dhe negociatave. Padyshim në rastin e negociatave dhe zgjidhjes diplomatike të konfliktit, ato do të udhëhiqen si nga qeveria siriane ashtu edhe nga ajo turke, kjo për shumë arsye të cekura dhe të pacekura në këtë shkrim. Turqia në asnjë moment nuk e ka parë problemin kurd në veri si çështje të brendshme siriane, por si një çështje të sigurisë kombëtare, madje edhe më shumë se kaq.
 
 
Në rastin më të favorshëm për Turqinë dhe Damaskun, mundet që kurdët të shpërbëjnë formacionet militare dhe ushtarake dhe të organizohen në organizata civile dhe politike. E gjithë kjo në këmbim të të drejtave kurde që janë gjuha, arsimi, përfaqësimi dhe drejtimi lokal dhe përfaqësimi i drejtë në qeverinë qendrore. Kjo do të nënkuptojë tërheqjen e kurdëve nga shumica e zonave që mbajnë të pushtuara momentalisht, sepse në rastin më të mirë kurdët përbëjnë vetëm 6-7% të popullsisë së Sirisë dhe zonat me shumicë kurde janë shumë më të vogla gjeografikisht se shtrirja e madhe ushtarake e tyre momentalisht. Një rezultat i tillë i negociatave duket shumë i largët dhe i vështirë për t’u arritur, të paktën në realitetin e sotëm.
 
 
Në rastin më të keq për Turqinë dhe Damaskun, mundet që kurdët të arrijnë nga negociatat një autonomi mbase jo për të gjithë zonat e gjera që i kanë pushtuar tani, por të paktën edhe në shumë zona të tjera ku përbëjnë një minorancë të konsiderueshme. Ata mund të arrijnë një autonomi të ngjashme me autoniminë e arritur nga kurdët në veri të Irakut. Kjo autonomi do t’u mundësojë kurdëve të kenë ushtrinë e tyre në një numër të caktuar të efektivit ushtarak, ngjashëm me bashmergat e kurdëve të Irakut. Mundet që në tryezën e negociatave kurdët të arrijnë edhe privilegje dhe favore në kurriz të qeverisë qendrore në Damask. Nuk besoj se Turqia dhe Damasku do të lëshojnë pe kaq lehtë në negociatat që mund të hapen.
 
 
Mes këtyre dy skajeve të negociatave janë një numër i pafund probabilitesh dhe rezultatesh, në varësi të shkathtësisë politike dhe lojës që do të luajnë palët e interesuara dhe të përfshira në konflikt. Me një tërheqje amerikane kurdët nuk do të jenë në pozita aq të favorshme dhe me një shtrëngim të politikës së Amerikës dhe Izraelit dhe sidomos në rast destabilizimi të pjesës së mbetur të Sirisë, pozitat kurde do të jenë shumë të favorshme.
 
 
E përsëris që çështja kurde në veri të Sirisë nuk është një çështje e lehtë. Unë mbase i thjeshtova qëllimisht disa dimensione dhe hollësi të shumta për t’i paraqitur lexuesit një panoramë sa më të qartë dhe të kuptueshme, por në realitet ajo është një çështje shumë delikate dhe komplekse.
 
 
Sidoqoftë një zgjidhje përfundimtare për problemin kurd është akoma larg në horizontin e acaruar të Lindjes së Mesme dhe mundësitë për t’u arritur në një të ardhme të afërt nuk janë të shumta.
 
 
XS
SM
MD
LG