Shpërngulja e palestinezëve/ Trump nuk do të pranojë një JO nga vendet pritëse
Presidenti Donald Trump thotë se nuk do të pranojë një JO nga drejtuesit e shteteve, që do t’u kërkojë të strehojnë gati 2 milion palestinezë, sipas planit që ka Shtëpia e Bardhë për të pushtuar Rripin e Gazës, për të shpërngulur banorët nga shtëpitë e tyre dhe për ta shndërruar atë në “rivierën e Lindjes së Mesme”.
Planet e zionistëve për ta spastruar etnikisht Gazën sapo morën një shtysë të fuqishme nga Shtëpia e Bardhë dhe presidenti Trump, i cili takimin e parë si president zgjodhi ta zhvillojë me aleatin e tij më të fuqishëm aktualisht, Benjamin Netanjahun.
Neë York Times raportoi se Trump foli sikur të ishte ende në zanatin e tij të vjetër, si tregtar i pasurive të paluajtshme, pa llogaritur normat dhe ligjet ndërkombëtare, që e ndalojnë të hapë kutinë e Pandorës me implikime të gjera për Lindjen e Mesme.
Trump e krahasoi gjetjen e një atdheu të dytë për palestinezët me projektet e pasurive të paluajtshme në Nju Jork, mbi të cilat ndërtoi karrierën e tij.
“Nëse ne mund të gjenim copën e duhur të tokës, ose disa copa toke, dhe t’i ndërtonim disa vende vërtet të bukura me shumë para në zonë, kjo është e sigurt,” tha ai. “Unë mendoj se do të ishte shumë më mirë sesa të ktheheshim në Gaza.”
“Unë shoh një pozicion afatgjatë pronësie” për Shtetet e Bashkuara, tha zoti Trump, duke shtuar se “të gjithëve me të cilët kam folur e pëlqen ideja që Shtetet e Bashkuara të zotërojnë atë pjesë toke, të zhvillojnë dhe krijojnë mijëra vende pune me diçka që do të jetë madhështore”.
Kontrolli mbi Gazën ka qenë një nga pikat kryesore të ndezjes së konfliktit arabo-izraelit për dekada. Ideja e zhvendosjes së banorëve të saj rikthen epokën kur fuqitë e mëdha perëndimore rishikuan hartat e rajonit dhe lëviznin popullsitë pa marrë parasysh historinë lokale.
Trump u pyet nga gazetarët se ku e gjente autoritetin ligjor që i jepte të drejtën për të marrë territorin e Gazës, por ai nuk u përgjigj. Trump shpërfilli edhe faktin se largimi me forcë i një popullsie shkel ligjet ndërkombëtare dhe konsensusin e politikës së jashtme amerikane për dekada.
Deri tani “copat e tokës” të përmendura për shpërnguljen e palestinezëve janë Jordania, Egjipti, Indonezia dhe Shqipëria, por asnjë nga drejtuesit e këtyre shteteve nuk e ka pranuar publikisht mirëseardhjen e palestinezëve.
Kur 2 milion refugjatë mbetën të bllokuar gjatë luftës, ndërsa Egjipti dhe Jordania mbyllën kufijtë, për ta penguar Izraelin të kryente spastrimin etnik të territorit.
Presidenti egjiptian, Abdel Fattah el-Sissi tha se qëllimi i Izraelit nuk ishte thjesht lufta ndaj Hamasit, por “edhe një përpjekje për t’i shtyrë civilët të migronin drejt Egjiptit”
Mbreti Abdullah i Jordanisë e shoqëroi me një mesazh të ngjashëm. “Jo refugjatë në Jordani, jo refugjatë në Egjipt”.
El-Sissi tha se një eksod masiv drejt Egjiptit do të sillte edhe luftëtarë të Hamasit që do të sulmonin Izraelin dhe do të provokonin incidente ne Sinai.
Një javë më parë, gazetari izraelit, Amit Segal zbuloi se qeveria amerikane i ka kërkuar Tiranës strehimin e 100 mijë palestineë që do të shpërngulen nga Gaza.
“Ndalesa tjetër Shqipëria? Administrata Trump është në bisedime me qeverinë në Tiranë për migrimin e deri në 100,000 banorëve të Gazës në vend. Burimet izraelite besojnë se Egjipti dhe Jordania do të refuzojnë të presin refugjatë dhe pretendojnë se opsionet si Shqipëria dhe Indonezia janë më të realizueshme,” tha Segal në ‘X’.
Por kryeministri Edi Rama, që është 4 muaj para zgjedhjeve parlamentare, e përgënjeshtroi menjëherë një skenar të tillë.
“Nuk është absolutisht e vërtetë” u shpreh Rama. Ai tha se ishte i habitur, pasi prej kohësh nuk kishte dëgjuar “diçka kaq të rreme”. Rama kujtoi se Shqipëria e ka njohur shtetin e Palestinës dhe se “nga zemra e Europës, ne nuk mund të bëjmë më shumë se çdo vend tjetër europian në një çështje të tillë”.
“Më lejoni të jem i qartë: Shqipëria nuk është kërkuar nga askush dhe as ne nuk mundemi. madje mendoni të merrni përsipër ndonjë përgjegjësi të tillë. Jemi krenarë për miqësitë tona të forta me Izraelin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, Katarin, Kuvajtin dhe, natyrisht, me popullin palestinez, shtetin e të cilit Shqipëria e ka njohur shumë kohë më parë. Por Shqipëria nuk është në vetë Lindjen e Mesme dhe nga zemra e Europës, ne nuk mund të bëjmë më shumë se çdo vend tjetër europian në një çështje të tillë” u shpreh kryeministri i Shqipërisë.
Megjithatë mesazhet nga Shqipëria janë kontradiktore.
Para se gazetari izraelit ta fuste Shqipërinë në hartën e vendeve që mund të importonin palestinezë, në Tiranë mbërriti një familje palestineze me 5 anëtarë, që kishte një fëmijë për të kuruar.
Kjo familje udhëtoi me charter dhe u prit nga një delegacion shtetëror në aeroport. Arsyet se si u organizua ky udhëtim mbetet e pasqaruar, pasi miliona palestinezë janë ende të izoluar në rripin e Gazës.
Po ashtu, në 12 shtator të vitit të kaluar, në kulmin e luftës me Hamasin, presidenti i Izraelit, Isak Hercog udhëtoi për një vizitë surprizë në Tiranë. Këtu ai u takua me kryeministrin Edi Rama dhe zyrtarët më të lartë të shtetit tonë. Por qëllimi i vizitës nuk u bë i ditur asnjëherë. Ende sot nuk dihet ende se përse qëndroi për dy ditë Hercog në Tiranë.
Shqipëria ka një traditë të pritjes së popullsive të huaja sa herë që e kanë kërkuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përmendet rasti i ujgurëve që u liruan nga burgu i Guantanamos, rasti i mbi 3 mijë muxhahedinëve nga kampi Ashraf në Irak, afganët që u arratisën nga regjimi taleban, etj. Së fundmi, Rama ka pranuar të strehojë edhe refugjatë afrikanë me kërkesë të Italisë.
Pavarësisht këtyre, shifra prej 100 mijë njerëzish që shpërngulen nga shtëpitë e tyre është një sprovë për të cilën shteti shqiptar nuk dihet nëse është i përgatitur.
Trump nuk pranon JO
“Ata thonë se nuk do të pranojnë”,u tha Trump gazetarëve që i përmendën refuzimin e disa vendeve, gjatë takimit me Netanyahu në Zyrën Ovale. “Por unë them se do të pranojnë.”
Me egon e tij si garanci për të kryer negociata, Trump ka lënë të kuptohet se nuk do të pranojë asnjë Jo, nga drejtuesit e shteteve që do t’u kërkojë të presin refugjatë nga Gaza. Mesazhi shkon për ata drejtues shtetesh, që këto ditë presin një telefonatë nga Trump. Koha ka treguar se në negociata, ka arritur të thyejë disa nga karakteret më të fortë të botës.
Z. Netanyahu, i ulur në krah të zotit Trump, buzëqeshi me kënaqësi ndërsa presidenti amerikan parashtronte idetë e tij.
Më vonë, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, kryeministri izraelit e lavdëroi metodën e Trump për të marrë vendime.
“Ju shihni gjëra që të tjerët refuzojnë t’i shohin. Ju thoni gjëra që të tjerët refuzojnë t’i thonë, dhe pasi hapin gojën nga habia, njerëzit kruajnë kokat dhe ata thonë, “e dini, që ka të drejtë ky.”
Trump këmbënguli se palestinezët do ta pranonin shpejt idenë e tij.
“Unë nuk mendoj se njerëzit duhet të kthehen në Gaza,” tha zoti Trump. “Kam dëgjuar se Gaza ka qenë shumë e pafat për ta. Ata jetojnë si ferr. Ata jetojnë sikur të jetojnë në ferr. Gaza nuk është një vend ku njerëzit do të jetojnë dhe arsyeja e vetme që ata duan të kthehen, dhe unë e besoj fort këtë, është sepse ata nuk kanë një alternativë se ku të shkojnë”
Gjithsesi, Sami Abu Zuhri, një zyrtar i lartë i Hamasit, tha se zhvendosja e propozuar nga Trump ishte “një recetë për krijimin e kaosit dhe tensionit në rajon”.
“Populli ynë në Gaza nuk do të lejojë që këto plane të realizohen,” tha ai në një deklaratë të shpërndarë nga Hamasi. “Ajo që duhet është fundi i okupimit dhe agresionit ndaj popullit tonë, jo dëbimi i tij nga toka e tij”./Lapsi.al