Kush është modeli i thirrjes që duam të lartësojmë, ajo e mjekut apo e banorëve të Gazës?
Nga Alban Gorishti: Këto ditë të mbushura përplot ngjarje të hidhura më ka bërë përshtypje një fenomen, fenomen i cili ka të bëjë me thirrjen e natyrshme (daëeh), atë thirrje e cila është pasojë e veprave dhe jo e fjalëve, e zemrave dhe por mbi të gjitha e seriozitetit religjoz. Kam për qëllim një dukuri shumë domethënëse, atë ku shumë njerëz nëpër botë, nga njëra anë, e kanë pranuar fenë si pasojë e besimit stoik të banorëve të Gazës dhe nga ana tjetër e disave që shoh se kanë anuar nga islami për shkak të mjekut musliman të shumë përfolur, pra për shkak se panë që kjo çështje nuk ka akuza shumë të qarta madje të stisura dhe duke kaluar nga një proces i pavullnetëshëm viktimizimi të tillët afrohen kah religjoni.
Kjo jo për shkak të vet personit të akuzuar por për shkak të drejtësisë e cila siç duket është atribut i humbur i këtij vendi, por tek e fundit akoma shumë i kërkuar. Ndoshta këta të fundit janë shumë më të paktë sesa ata që pranojnë më natyrshëm një islam i skalitur sipas modelit të banorëve të Gazës por gjithsesi kjo dikotomi më solli ndërmend një mori dimensionesh dhe funksionesh të cilat janë linja kryesore e demarkacionit ndërmjet dy rasteve.
Ai model i thirrjes islame që banorët e Gazës skicuan në mënyrë shumë natyrale, madje me vet jetët e tyre i tejkalon fjalët apo shpjegimet enciklopedike, shembulli jetësor i banorëve të Gazës mjafton si model praktik madje zbeh edhe retorikat e agnostikut më të madh. Durimi, sakrifica, falenderimi ishin ndjenjat e menjëherëshme që bota perceptoi nga ky shembull i gjallë, perceptim i cili është thelbi i thirrjes së vërtetë Islame, madje i vet Islamit. Atij islami për hir të të cilit vuajti pejgamberi ynë a.s bashkë me shokët e tij brenda 23 viteve të kompletimit universal të fesë së përzgjedhur nga vet Zoti. Atij Islami për të cilin Bilal hebeshiu duroi gurin e rëndë mbi kraharor në ditë të nxehta por nga goja e tij nuk dilte gjë tjetër me përjashtim të fjalës "Ehadun Ehad".
Atij Islami për hir të së cilit pejgamberi a.s dhe shokët e tij hëngrën për tre vite me radhë gjethe pemësh dhe kërcej bimësh, e gjitha kjo gjatë një bllokade ekonomike dhe periudhe urie tejet të vështirë. E sa e sa sakrifica të tjera që modeli universal i këtij besimi/ndjenje të thellë të mbrrinte deri tek ne. Por modeli ynë, thirrja jonë e islamit nuk duhet të quhet më universale por lokale. Në tërë këtë mori ndodhish dhe transformimesh karakteriale duhet të kuptojmë se feja është qiellore por jemi ne ata që e bëjmë atë tokësore, po ne, me sjelljet tona, qëndrimet, fjalët, jemi ne që e ulim atë përtokë, e modelojmë duke i dhënë trajta të perceptueshme tek të tjerët , tek vet ne. Ndaj duhet të shohim mirë se cila ndjeshmëri duhet të dominojë, ajo e shpritit apo ajo e trupit? Cili model ai universal i Gazës apo politikave me sfond personal?
Nga ana tjetër këto ditë po dominon edhe modeli i doktorit, rast që për mua nuk duhet trajtur aspak për nga aspekti i ligjshmërisë (pra hallall haram) të poligamisë por nga një këndvështrim jetësor, atë të modelit të jetës dhe vdekjes, pra me pak fjalë thirrjes në islam. Sot po jetojmë në një kohë ku modelet janë ato që ndikojnë më tepër sesa fjalët, imazhet dhe shembujt janë pjesë e modeleve që i lihen peshqesh shoqërisë, brezave. Çdo kush prej nesh është shembëlltyrë e pazvendësushme e një islami lokal, ndaj kur dikush tenton të përshtasi modelin e islamit universal sipas modeleve të veta të gabuara lokale atëherë askush nuk sheh më universalen por ajo që shohin është e rëndomta dhe e gabuara tek shembulli personal i besimtarit.
Islami fillimisht është besim para se të jetë ligje. Por këtë besim/ ligj, këtë model doktori e shkeli duke u bërë pjesë e sektarizmave të cilat kanë si thelb asgjesimin e vllazërisë, modeleve universale të islamit dhe mbi të gjitha e harmonisë që besimi instalon në një shoqëri. Kujtojmë me mall rastin e sahabëve në epokën e Mekes dhe Medines kur i dhuruan gjithçka kauzës e mbi të gjitha harmonisë shoqërore, dikush prej tyre shkonte tek vëllai i vet dhe i dhuronte kopshtin apo e martonte nëse ishte i pamartuar, pra hiqte nga vetja në këtë rast dhe nuk shtonte veprime të cilat e dëmtonin shoqërinë për shkak të klasifikimeve personale juridike apo egos epsharake.
Ajo që në komunitetin tonë duhet të ishte objekt bisede, që kërkon trajtim serioz, janë mendimet ekstremiste dhe qëndrimet sektariane të doktorit, i cili me përfshirjen në sekte të huaja për shoqërinë tonë të vogël, e dëmtoi më tepër "doktrinën" (tek formimi personal i njerëzve) sesa ky rast i pabazuar për të cilin akuzohet nga prokuroria. Pjesmarrja në një grupim ekstremist (rebiovcash, medkhalistësh) me tendenca ekskomunikuese dhe përçarëse të unitetit të besimtarëve është ajo që e ka shëmbëllyer modelin e thirrjes universale islame (te të tjerët) në një grumbull pasionesh dhe vulgaritetesh që nuk kanë të krahasuar me atë të modelit botëror, historik të cilin na përcollën nga larg banorët e Gazës. Ajo me të cilën do ta krahasoja modelin e thirrjes së doktorit apo grupit të tij është pikërisht dëmi që u përshkallëzua me shfaqjen e ISIS-it . Ky për mua është thelbi i problemit, ndaj edhe njëherë tjetër jemi ne muslimanët ata që penalizohen dhe kurrsesi të tjerët. Ai që penalizohet në modelin teorik dhe praktik të thirrjes është 'Islami', por jo islami si fe pasi ai është atje lart në qiell por niveli shoqëror i praktikës islame, ato që penalizohen janë zemrat e besimtarëve dhe niveli i ndërgjegjshmërisë dhe përgjegjshmërisë tek këto të fundit.
Jemi po ashtu në një kohë që sipas haditheve, besnik do të konsiderohet tradhëtari ndërsa i drejtë maskarai, ndaj në këtë sens shembulli jetësor i banorëve të Gazës është shembulli që na nxorri nga koma e zgjatur, është ai i cili na ka gjallëruar jetën komunitare dhe ka forcuar mendjet dhe besimet e shumicës, madje edhe lidhjet vllazërore që i kanë zhbërë grupe si ai ku bën pjesë doktori . Ndërsa rasti i doktorit (përtej të ligjshmes apo të paligjshmes) ka hapur një narrativë përballë nesh, cili është përfytyrimi që duam për islamin (qoftë në një nivel personal qoftë komunitar) ai i poligamisë, apo ai i sakrificës më sublime për hir të besimit, ai i të jetuarit me mendimin më të mirë për Allahun ?
"Dilemat" e fundit, që për mua janë jetësore, dyshoj shumë se mund ti zgjidhim apo zbardhim nga modele si ai i grupacionit në të cilin bën pjesë doktori, grupacione që e shkatërrojnë besimin nga brenda, që jetojnë për të urryer besimtarët, për të riformatuar fantazmat e së kaluarës së tyre . Njerëz që jetojnë në qarqe vicioze të dijes, të cilët i klasifikojnë njerëzit për shkak të përkatsisë brenda apo jashtë llojit të tyre. Njerëz që vënë në diskutim dijet apriori, si vllazëria, bashkimi, humanizmi brenda llojit etj. Kjo lloj njohurie, dije apriori (të padiskutueshme, sikurse fakti që duhet të hamë për të mbajtur trupin gjallë), shërben si bazë ose pikënisje për të vërtetuar njohuritë aposteriori që kanë nevojë për vërtetim. Por si mundet të vërtetosh teorinë tënde të përçarjes dhe klasifikimit kur të mungojnë dijet/njohuritë apriori, të mungon shembulli i cili është thelbi i islamit si dhe të mungon mendimi i mirë për besimtarët e tjerë që është limfa vitale e këtij organizmi gjigant që quhet shoqëri.
Padyshim që edhe modeli i thirrjes së doktorit, sado i mbrapshtë të jetë, ka "simpatizantët" e vet midis njerëzve që nuk e dinë se po i drejtohen një filozofe e cila nuk ka rrënjë në islam dhe as kohezion social në realitet, por alienim dhe "kthim" në veset e mbrapshta të xhahilitetit. Ndoshta ndaj edhe është i preferuar nga armiqtë e fesë si model që kollaj mundet të bëhet mediatik duke u sulmuar saherë që dikush dëshiron të largojë vëmendjen nga probemet reale të shoqërisë.
Kur imagjinoj vizionin e banorëve të Gazës më kujtohet shembulli besimor i djalit në historinë e banorëve të hendekut, i cili ftoi në besim me sakrificën e tij dhe jo me klasifikimet epshore apo njohuritë aposteriori. Po ashtu më kujtohet qartë historia e Gruas së Faraonit e cila preferoi sakrificën për hir të besimit duke u ndëshkuar ndaj dhe vizionin e parajsës e pa me sytë e saj që në jetën e kësaj bote, për të cilën Zoti thotë: " E atyre që besuan, All-llahu ua solli shembull gruan e faraonit kur ajo tha: "Zoti im, më bën një vend pranë mëshirës sate në xhennet dhe më shpëto prej faraonit e brutalitetit të tij dhe më shpëto prej popullit mizor!" Tahrim 11.
Ndaj nëse dëshirojmë që njerëzit të na shohin për atë që jemi, të shohin besimin ashtu sic është, atëherë besoj se shembulli i banorëve të Gazës është ai më ideali. Shembull i cili na dëshmon se islami nuk është fe e epshorëve por fe që nxit për studim dhe meditim, nxit për shfrytëzimin e organit më të rëndësishëm, mendjes dhe zemrës, si simbol i vetëm i vizionit të parajsës që në jetën tokësore, flas për atë ku Islami të jetë thelb i sakrificës dhe jo një mjet që përdoret për të mbërritur interesa personale. Mendja dhe zemra tek e fundit janë modelet më të përfolura në Kuran.
"Në të gjitha këto, për atë që ka mendje të shëndoshë dhe që i ka vënë veshin me vëmendje, ka argumente" Kaf 37