Nuk është problem Albin Kurti, por miti Albin Kurti
Nga Redi Shehu
Ditët e fundit të prillit, pak para skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, qartësuan ngjashëm si dita me diell pas një jave shi, jo vetëm pozicionin e palëve politike në Kosovë, por shfaqën atë që nuk thuhej në një situatë normale politike. Vërtet, pas një viti politik kosovar i cili shënon zgjedhjet e treta parlamentare, secila palë u ekspozua në esencën e vet duke qartësuar peizazhin. Kriza kosovare, për herë të parë pas shpalljes së pavarësisë, fatkeqësisht po shënon rrëshqitjen në procesin e modelit shqiptar të deformuar të politikës. Si në çdo deformim politik, shkaktarët nuk janë pastërtisht vetëm në njërin krah, deformimi merr formën e tij të plotë kur të gjithë aktorët sillen si një ansambël i koordinuar anomalie. Kohës kur i gjithë modeli politik në Kosovë merrej si shembull pozitiv, duket se po i vjen fundi. Sa më shumë korpusi politik kosovar fiton liri në raport me protektoratin e të huajve aq më shumë forcohet ngjashmëria me kulisat politike të Tiranës dhe Shkupit. Prandaj, ajo që të shqetëson në gjithë këtë proces, është pikërisht përvijimi i një lloj fati pesimist i cili përmblidhet në kthimin në anormalitet edhe të faktorit politik kosovar.
Nuk ka pikë dyshimi që Vetëvendosja gëzon mbështetjen më të madhe politike në Kosovë. Këtë e kemi të noterizuar në zgjedhjet e 9 shkurtit me qeverinë Kurti 3 dhe në ato të 28 dhjetorit të 2025-ës me qeverinë Kurti 4. Rritja e kësaj partie nga 42% në 51% tregon për një kartë politike të luajtur me zgjuarsi nga Albin Kurti i cili mjeshtërisht kostot politike ka arritur t’ia faturojë opozitës. Me këtë prirje vote në zgjedhjet e treta, ato të 7 qershorit, VV duket se do shkojë në rritje akoma më shumë. Ndërkohë PDK në dy zgjedhjet e 2025-ës ka qëndruar në kuotën e 20% kurse LDK precipitoi në një rënie nga 18% në 13%. Këto parti vuajnë sot nga historia që u vjen nga pas, ajo e liderëve të vjetër të tyre të cilët perceptohen në sytë e votuesve si autorët e gjendjes së pasluftës, ku kryesisht PDK simbolizonte kapjen e shtetit, ndërsa LDK si parti e cila dëmtoi koalicionin e zgjedhjeve të 2019-tës vetëm pak muaj më vonë duke rrëzuar qeverinë e re Kurti 1. Pikërisht në këtë ngjarje, Vetëvendosja u përceptua si një forcë politike e cila nuk po lejohej të punonte për vendin dhe narrativa e persekutimit së bashku me kartën nacionaliste, u luajt me mjeshtëri nga Albin Kurti dhe i gjithë formacioni i tij politik. Është viti 2021 i cili prodhoi një qeverisje të një mandati të plotë Kurti 2 ku edhe ndodhi procesi i transformimit të Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes nga një personazh dhe forcë politike, në një mit politik vështirë i shkatërrueshëm.
Këtu qëndron edhe problemi më i madh i gjithë asaj që po ndodh në Kosovë. Nuk është fakti se a duhet apo jo Albin Kurti të qeverisë apo jo? Shqetësimi më i madh është se Albin Kurti për votuesin kosovar tashmë nuk është më një personazh politik, por një mit. E kur një mit sillet në lojën politike çdo veprim, arsyetim apo qasje politike ndaj tij është e destinuar të dështojë. Sepse miti nuk është më një subjekt i kritikueshëm, i analizueshëm, ai është thelbi i ekzistencës politike, ai mbijeton për shkak të polarizimit të theksuar të mjedisit politik, ku çdo kritikë apo sulm konsiderohet jo tradhti politike, por tradhti kombëtare. Ndaj, në këtë situatë çdo keqfunksionim i institucioneve, çdo çalim i investimeve publike dhe çdo reformë politiko-ekonomike nuk kanë më rëndësi, sepse përballë është “shpëtimtari”, është miti. Kur ndodhesh në një situatë të tillë, edhe llogaridhënia nuk merr më kuptim, sepse emergjenca më e madhe është shpëtimi nga armiku.
Vërtet, armiku ka qenë dhe është po aty. Serbia dhe e gjithë politika e saj ka qenë dhe është po aty. Ajo na rifreskoi kujtesën e fjetur gjenocidiale me rastin e Banjskës, dhe kur ndodhemi në një situatë të tillë, ndjenja nacionale është e një prioriteti të lartë. Nuk është problemi tek votuesit që votojnë Albin Kurtit dhe Vetëvendosjen, sepse ata shohin tek ai personin që për herë të parë zyrtarisht kërkon të vetëvendosë në kohën kur nuk vetëvendoset. Votuesi i Kurtit është gati të sakrifikojë çdo marrëdhënie ndërkombëtare, çdo reformë e rritje ekonomike nëse kombi dhe atdheu vihen në rrezik. Ndaj, edhe mërgata, e cila në 70-80% të saj voton për këtë qasje, e bën sepse ata shohin Kurtin si mbrojtës të sovranitetit. Pikërisht, në këtë perceptim personi politik shkrihet me mitin, pikërisht këtu Kurti nuk është më politikani, por është baras me sovranitetin e Kosovës. Por, a është kjo e vërtetë?
Sovraniteti është një koncept juridik i cili ka nevojë të ruhet dhe të garantohet nga Kushtetuta. Në rastin e Kosovës, Kushtetuta ia ka dorëzuar sovranitetin pakicave të Listës Serbe sepse koncepti i shumicës së dyfishtë lejon 2/3 e deputetëve për të ndryshuar Kushtetutën, por duhen edhe 2/3 e pakicave të garantuara me Kushtetutë, 14 nga 20 gjithsej, ku pjesë e pashmangshme janë deputetët serbë të cilët nuk lejuan krijimin e ushtrisë së Kosovës apo çdo lloj ndryshimi kufijsh në të ardhmen me kahje nga bashkimi kombëtar. Pra, pakoja e Ahtisaarit i dhuroi Kosovës që në gjenezën e vet si shtet, varësinë nga Beogradi. Këtu, në kuptimin kushtetues, sovrani nuk është Kurti por Lista Serbe. Faktori tjetër që siguron sovranitetin janë institucionet e forta demokratike, aleancat strategjike politike të mbrojtjes, pavarësia ekonomike si dhe konsensusi i gjerë social-politik i shoqërisë kosovare. Pa këta kritere, vështirë të ketë sovranitet real. Në gjithë këta elementë garantë të sovranitetit, Kurti ka çaluar. Institucionet demokratike në Kosovë po rrëshqasin drejt autoritarizmit, aleanca strategjike e mbrojtjes dhe sigurisë me SHBA-NATO-BE janë në pikën më kritike që pas shpalljes së pavarësisë, ekonomia e Kosovës nuk ka krijuar një pavarësi strategjike ndaj produkteve të huaja dhe atyre serbe, kurse konsensusi social-politik në Kosovë është zëvendësuar me polarizimin më të ashpër të shoqërisë kosovare në ndarjen fatale, heronj dhe tradhtarë.
Pra, në të gjithë elementët që përbëjnë sovranitetin e një kombi, Kurti nuk barazvlerësohet në kuptimin e rezultateve praktike. Ai barazvlerësohet me sovranitetin vetëm në verbin politik, në narrativën të cilën e luan me mjeshtëri. Këtu, ai është tashmë një mit i verbit nacionalist, por pa mundur ta shoqërojë këtë me fleksibilitetin diplomatik dhe politik ndaj faktorëve kryesorë që ndërtojnë sovranitetin e Kosovës. Nga ana tjetër përballë tij ndodhet një tjetër mit, ai i opozitës së paaftë dhe të pamundur të shpëtojë Kosovën nga sfidat e shumta që ka. Nëse Kurti të paktën e ka një mit në kuptimin verbal dhe teorik, këta të opozitës e kanë po ashtu një mit tashmë, atë të qenit humbës kronikë. Edhe pse ndryshimi i krerëve të partive kryesore opozitare u duk si një tentativë për të përmirësuar realitetin e tyre politik, ai nuk solli shkëputjen nga hijet e vjetra në prapaskenë. PDK dhe LDK gjatë këtij viti elektoral patën të vetmin produkt politik, atë të përplasjes mes vete duke përforcuar mitin e Albin Kurtit. Këto parti nuk arritën të dilnin me një ofertë më të mirë e cila zgjidhte sfidën e Kosovës, mes shpëtimit nga Serbia dhe ruajtjes së aleancës së sigurisë. Ato nuk dhanë një rrugë të besueshme në të cilën edhe dialogu me Serbinë të vazhdonte, por edhe rezultatet konkrete dhe integriteti moral dhe territorial i Kosovës të ruhej. Ata kritikuan, bojkotuan por nuk rezultuan konstruktivë duke qenë aksionerët kryesorë në skalitjen e bustit të Albin Kurtit.
Prandaj, politika kosovare po i ngjan gjithnjë e më shumë asaj të Shqipërisë, ku mitet e Ramës dhe Berishës po ushqejnë shkatërrimin e vetë sistemit tonë demokratik. Ku të dy nuk lejojnë zëra kundër, eliminojnë kundërshtarë, anatemojnë këdo që shkruan dy rreshta kundër mënyrës se si ata qeverisin, dhe administrojnë partinë. Edhe në Shqipëri miti i Ramës si i pamposhtur ndiqet nga miti i Berishës i inxhinieruar për të humbur. Si Shqipëria dhe Kosova po luhaten në abstraksionin e dy miteve atij të shpëtimtarit dhe atij të humbësit. Ajo që e dallon Albin Kurtin nga Tirana është se ai është akoma në kohë për të zhbërë mitin e vet dhe për t’u kthyer në personazhin politik. Këtë, duke mos kërkuar zhbërjen e opozitës, por duke tentuar ta bëjë atë pjesë të zgjidhjes jo përjashtimit. Albin Kurti nuk duhet të bëjë gabimin e Tiranës, ai është ende në kohë që ta mundë mitin e tij dhe ta shpëtojë Kosovën. Kjo do ta bënte atë vërtet hero, shpëtimtar real të vendit./eperditshmja.com