Lidhje


Familja, fëmijët dhe morali tradicional: vija e kuqe që shoqëria nuk duhet ta kalojë!

 

Parada e Krenarisë LGBTQ, e paralajmëruar për 23 maj në Tiranë, është paraqitur nga organizatorët si një akt politik kundër “regresit”, “heshtjes institucionale”, “mungesës së vullnetit politik”, “gjuhës së urrejtjes” dhe “përjashtimit”. Slogani i saj, “Vala kalon. Ne mbetemi. Bashkë”, kërkon ta vendosë komunitetin LGBTQ në pozicionin e një grupi që, sipas organizatorëve, po përballet me një realitet që e shtyn të heshtë, të zhduket ose të përshtatet.

 

 

Prej pretendimeve të tyre duhet të ngrihet debat dhe kundërshtim serioz. Një shoqëri demokratike duhet të bëjë dallimin mes diskriminimit real, që duhet ndaluar, dhe mosdakordësisë morale, që nuk mund të kriminalizohet apo etiketohet si urrejtje.

 

Askush nuk duhet të dhunohet, kërcënohet, fyhet apo përjashtohet për shkak të prirjeve apo bindjeve të veta. Kjo është e padiskutueshme. Por nga kjo nuk rrjedh se shoqëria duhet të pranojë pa debat çdo pretendim ideologjik që ngrihet në emër të anti-diskriminimit. Nuk është diskriminim të thuash se fëmijët nuk duhet të ekspozohen ndaj eksperimenteve kulturore në shkollë. Nuk është urrejtje të mbrosh moralin tradicional. Nuk është regres të besosh se shoqëria shqiptare ka të drejtë të ruajë normat e saj mbi martesën, prindërimin, edukimin dhe përgjegjësinë familjare.

 

 

Problemi i pretendimit të komunitetit LGBTQ për normalizimin e gjuhës së urrejtjes fillon kur termi “urrejtje” zgjerohet aq shumë sa përfshin çdo kritikë, çdo rezervë morale dhe çdo kundërshtim publik. Nëse një prind thotë se nuk dëshiron që fëmija i tij të edukohet me koncepte ideologjike mbi gjininë dhe seksualitetin, ai nuk është nxitës urrejtjeje. Ai është prind që kërkon të mbrojë bindjet e tij dhe të drejtën për edukimin moral të fëmijës.

 

Organizatorët e paradës flasin për “heshtje institucionale” dhe “mungesë vullneti politik”. Pyetja shtrohet: çfarë kërkojnë këta saktësisht nga shteti? Nëse kërkohet mbrojtje nga dhuna, bullizmi dhe diskriminimi në punë apo shërbime, shteti duhet të veprojë. Por nëse kërkohet që institucionet të përdoren për të riedukuar shoqërinë, për të ndryshuar normat morale tradicionale, për të relativizuar rolin e prindërve dhe për të imponuar një gjuhë të re ideologjike në shkolla, atëherë kjo nuk është më thjesht çështje anti-diskriminimi - është projekt kulturor dhe komuniteti LGBTQ nuk duhet t’i fshihet kësaj të vërtete me slogane.

 

Shqetësimi kryesor i shqiptarëve pro-familjes dhe pro-vlerave tradicionale është shndërrimi i kauzave të të drejtave në një mjete presioni mbi shoqërinë. Nëse kundërshtim quhet “regres”, “urrejtje”, dhe “dezinformim”, atëherë komuniteti LGBTQ nuk po kërkon tolerancë. Po kërkon heshtjen e shoqërisë përmes mjeteve të presionit politik dhe ligjor.

 

Po të analizojmë të dhënat e Censit të fundit të vitit 2023 dhe raportet e organizatave të tjera që merren me të dhënat, do të kuptojmë se Shqipëria po përjeton bjerrjen e familjes, bjerrjen e lindshmërisë, bjerrjen e popullsisë dhe të kohezionit social.

 

 

Prandaj të flasësh për “prani, rezistencë dhe presion” vetëm në emër të një axhende të ngushtë identitare është e pamjaftueshme. Shoqëria shqiptare ka nevojë për mbrojtje të çdo qytetari nga dhuna, por ka po aq nevojë për mbrojtje nga subversioni i vlerave që e kanë mbajtur të lidhur: familja, përgjegjësia, prindi, fëmija, morali publik dhe edukimi me kufij.

 

Shqiptarët pro-vlerave tradicionale e që janë shumicë kanë të drejtë të kërkojnë që axhendat të mos u bëjnë presion ideologjik. Prindërit e familjes tradicionale kanë të drejtë të flasin zëlartë për edukimin e fëmijëve sipas vlerave më të mira të modelit tradicional. JO imponimit ideologjik, JO riformatimit te shoqërisë! Shqipëria mund dhe duhet të mbrojë çdo qytetar nga diskriminimi, pa dorëzuar moralin dhe vlerat tradicionale përballë presioneve.

XS
SM
MD
LG