Lidhje


Kur pushteti bëhet kusht i vetë ekzistencës, varësia ndaj "bariut" dhe fundi i alternativës

Nga Fatmir Baci

 

Njerëzit nuk janë dele. Nuk janë. Të paktën jo të gjithë. Ka ende disa që vazhdojnë të sillen si qenie të pajisura me mendje, me kujtesë dhe me bindjen kokëfortë se kanë lindur njerëz; prandaj e shohin me dyshim këdo që u kërkon ta shpallin bindjen virtyt dhe jetën e tufës si kulmin e qytetërimit. Ata e dinë se bashkësia dhe tufa i përkasin dy botëve të ndryshme; e para lind nga përgjegjësia e njerëzve të lirë, e dyta mbahet gjallë nga bindja e deleve të qeta. Dallimi duket i parëndësishëm vetëm në sytë e atyre që jetojnë kryesisht prej përkrahjes dhe thellimit të dallimit.

 

Ky mbetet lajmi më shqetësues për çdo bari që kopenë e konsideron pronë të vetën, ndërsa kullotën territor të së drejtës së tij. Atë e shqetëson çdo njeri që refuzon të bëhet dele, sepse e njeh natyrën e lirisë; ajo ka prirjen të bëhet e dukshme. Mjafton një njeri që ecën me kokën lart dhe pa kambanë në qafë, që duart e të tjerëve të kërkojnë instinktivisht qafën e tyre. Asnjë pushtet nuk është ndier i kërcënuar nga numrat; shembujt kanë qenë gjithmonë kundërshtarët e tij më të rrezikshëm, ngase statistikat administrohen me lehtësi, ndërsa shembujt zgjojnë dhe nxisin zgjimin e mendimeve.

 

Pikërisht për këtë arsye bariu kujdeset në mënyrë të posaçme për mënyrën se si tufa e sheh dhe e kupton vetveten. Gardhet ngrihen pasi janë ngritur fjalët, ndërsa kullota organizohet pasi janë organizuar kuptimet, sepse njeriu që vazhdon ta quajë veten njeri e ka gjithnjë e më të vështirë ta pranojë kambanën si fatin e vet. Mjafton, përkundrazi, që dikush ta pranojë identitetin e deles dhe kambana fiton dalëngadalë nderin e një stolie, bindja merr pamjen e virtytit, ndërsa robëria fillon të duket si rendi më i natyrshëm i botës.

 

*

Kur një njeri, ose disa prej tyre, refuzojnë të bëhen dele dhe shkëputen nga tufa, bariu përballet me një humbje që nuk matet me numra. Kopesë nuk i mungojnë disa koka më pak; autoritetit i mungon bindja se askush nuk largohet. Ai e di se çdo ikje e rastësishme mund të ndreqet, sepse kush humbet rrugën mund të kthehet sërish në vathë. Krejt tjetër peshë merr ai që largohet pasi ka zbuluar se nuk është dele. Zbulimet kanë një zakon të pakëndshëm, nuk pranojnë të mbeten pronë e atij që i bën i pari.

 

Në të vërtetë, bariu i ka nxjerrë tashmë jashtë llogarive të veta ata që janë larguar, dhe shqetësimi i tij banon te ata që kanë mbetur. Mjafton që njëra prej tyre të ngrejë kokën dhe të pyesë përse dikush zgjodhi të ikte, që qetësia e kullotës të fillojë të lëkundet. Dyshimi kërkon shoqëri; një pyetje lind tjetrën dhe, para se bariu ta kuptojë, tufa fillon të zbulojë se lidhja që e mbante bashkë buronte po aq nga zakoni për të mos pyetur sa edhe nga prania e tij. Që prej atij çasti, vatha nis të zbrazet në mendje shumë kohë përpara se të zbrazet në livadh.

 

Pikërisht për këtë arsye bariu rrallë e fillon punën me shkop. Dhuna lë pas martirë, ndërsa martirët jetojnë më gjatë se frika, andaj më e leverdishme është fjala. Ajo kushton më pak, lëndon më pak dhe zgjat më shumë. Përpara se të ngrejë dorën, ai ngre zërin dhe i flet bindjes së deleve; përpara se të forcojë gardhet, forcon arsyet që i bëjnë gardhet të duken të domosdoshme në mendimet e tyre.

 

Për këtë arsye u flet me butësinë e dikujt që është mësuar ta quajë kujdes atë që në të vërtetë është administrim.

 

“Pse, xhanëm, çfarë ju mungon? Hani në livadh të gjerë, flini në vathë ku shiu dhe dëbora nuk ju prekin, keni ujë, bar dhe siguri, ju qethim sa herë është e nevojshme. Përse këmbëngulni të jeni njerëz? Shihni ç'bëjnë njerëzit; luftojnë, mashtrojnë, grabisin, vriten për kufij, për para e për pushtet. Ju, si dele jetoni të qeta. Çfarë mund të kërkojë më shumë një qenie e arsyeshme?”

 

Pastaj hesht për një çast, si njeri që pret duartrokitje pas një sakrifice të madhe.

 

“Liria? Mos u mashtroni nga ajo fjalë. Liria është barrë. Ajo të detyron të mendosh, të zgjedhësh, të gabosh e të mbash përgjegjësi. Unë jua kursej gjithë këtë mundim. Çdo mëngjes zgjohem para jush, mendoj në vendin tuaj, zgjedh në vendin tuaj dhe shqetësohem në vendin tuaj. Juve ju mbetet vetëm të kullotni. E megjithatë ankoheni. Vërtet, njeriu është krijesa më mosmirënjohëse që ka prodhuar natyra.”

 

“Mjaft! – përgjigjen ata që nuk pranojnë më të jenë dele. - Fjalët e tua kanë pushuar së binduri. Mbaron këtu dhe pikë.”

 

Bariu buzëqesh me qetësinë e dikujt që beson se koha punon ende për të. Ai e di se njeriu largohet nga tufa shumë më shpejt sesa largohet nga gjuha me të cilën ka mësuar të mendojë.

 

“Po pse? – vazhdon ai me butësinë e një prindi që qorton fëmijët. – A nuk kam jetuar bashkë me ju në livadh e në vathë? Ju më quani bari sikur të isha një qenie e veçantë. Edhe ne barinjtë kemi barinjtë tanë. Kur na thërrasin lart, te ai që e quan veten ujk e nuk është ujk, para se të hyjmë, edhe ne duhet të pohojmë se jemi dele. Edhe atij, të themi ujkut, kur e thërrasi diku lart, para se të hyjë tek ata i duhet të thotë se është dele. Kështu mbahet në këmbë bota. Bindja nuk është shpikur vetëm për ju.”

 

Kjo është ndoshta fjalia më e sinqertë që i shpëton pa dashje, sepse pushteti rrallë pranon se edhe ai jeton nën një pushtet tjetër. Megjithatë, herë pas here, nga ndonjë çarje e vogël në gjuhën e tij, del në dritë e vërteta; hierarkitë ushqehen nga bindja e shkallëzuar. Çdo bari është dele për dikë tjetër, ndërsa çdo ujk pret urdhra nga një ujk më i madh. Kështu ngrihen piramidat e pushtetit; secili sundon ata që ka poshtë dhe u bindet atyre që ka sipër, ndërsa vetëm delet vazhdojnë të besojnë se jetojnë në një botë të mbushur me barinj të pavarur.

 

Pikërisht këtë mekanizëm e përmblodhi Stendali me një fjali të vetme që nuk ka humbur asnjë grimë nga fuqia e saj: “Bariu gjithmonë përpiqet t’i bindë delet se interesat e tyre dhe të tij janë të njëjta.” (*)

 

Kjo fjali i tejkalon prej kohësh barinjtë dhe delet, mbasi ajo përmbledh mënyrën se si mbijetojnë pushtetet. Frika lodhet, zbehet dhe një ditë thyhet; miratimi, përkundrazi, i jep sundimit jetë të gjatë. Çasti vendimtar vjen piërisht kur njeriu fillon ta përjetojë interesin e sundimtarit si interesin e vet. Atëherë bindja merr pamjen e zgjedhjes, ndërsa robëria arrin shkallën e saj më të lartë, sepse forca tërhiqet në hije dhe vendin e saj e zë miratimi i të nënshtruarit.

 

*

Delet që kanë zbuluar se janë njerëz nuk përbëjnë problem për shkak të numrit të tyre. Rreziku fillon me vetë praninë e tyre. Mjafton që dikush të ecë pa kambanë në qafë, që jeta jashtë tufës të pushojë së qeni legjendë dhe të fitojë pamjen e një mundësie. Tamam aty fshihet rreziku, sepse aty lind precedenti, ndërsa precedentët janë më të vështirë për t'u izoluar sesa njerëzit. Një njeri mund të mbyllet, të dëbohet ose të heshtet; një shembull vazhdon të udhëtojë nga mendja në mendje, derisa liria fillon të duket po aq e natyrshme saç edhe bindja dukej dikur e pashmangshme.

 

Ata që largohen nuk kanë nevojë të grinden me tufën, nuk ka rrezik t'ua marrin barin, nuk u këpusin kambanat dhe nuk kërkojnë t'i detyrojnë të tjerët të bëjnë të njëjtën zgjedhje. Largimi i tyre mjafton si argument, sepse kush është i sigurt në lirinë e vet nuk ndien nevojën të sundojë askënd.

 

Ndërkohë tufa vazhdon të kullosë me qetësinë e atyre që besojnë se dikush tjetër mendon për gjithçka, ai e ka shqetësimin për livadhin, për vathën, për rrezikun, për dobinë, madje edhe për kujtesën. Kjo është rehati që çdo pushtet ëndërron t'ia dhurojë njeriut, po, ta çlirojë nga barra e të menduarit. Që prej atij çasti bindja fillon të duket si atmosferë pushimi, liria mendohet si lodhje, ndërsa gardhi mbështetet shumë më tepër te miratimi i atyre që jetojnë brenda tij sesa te shtyllat që e mbajnë në këmbë.

 

*

Kambana vazhdon të bjerë me ritmin e sigurisë, ndërsa bariu vazhdon të buzëqeshë me qetësinë e dikujt që administron lumturinë kolektive. Ai nuk ka nevojë të buzëqeshë shumë; mjafton aq sa tufa të besojë se dikush është zgjuar më herët për të menduar në vend të saj. Lumturia e administruar është gjithmonë më e qetë se lumturia e zgjedhur, sepse nuk kërkon as vendime, as përgjegjësi. Ajo shpërndahet me orar, ashtu si bari, uji dhe siguria. Sa më pak të zgjedhë njeriu, aq më shumë fillon ta quajë qetësi atë që në të vërtetë është dorëzim.

 

Konflikti lind vetëm mes bariut dhe atyre që nuk pranojnë më të jenë dele dhe shkojnë, largohen nga tufa. Për atë se largimi i tyre është akt kujtese, ndërsa akti i armiqësisë mbetet jashtë vëmendjes, ngaqë bariut i duhet ky trillim si përgjumje për tufën. Ai u kujton të tjerëve, që akoma pranojnë të jenë dele, një të vërtetë që pushteti përpiqet ta mbajë gjithmonë të varrosur; këmbët janë krijuar për të ecur, ndërsa mendja për të zgjedhur drejtimin. Kjo është arsyeja pse, në sytë e bariut, largimi përfaqëson cenimin e rendit moral mbi të cilin mbështetet e gjithë tufa, dhe kjo është shumë më tepër sesa një humbje numerike. Sepse çdo hap i hedhur në liri e zgjon edhe një hap tjetër të mbeshtetur në mendim.

 

Bariu nuk trembet nga një apo nga një grup i vogël delesh që largohen. Një grup i vogël është vetëm statistikë, dhe statistikat pushteti i korrigjon me lehtësi. Numrat mund të interpretohen, të zbukurohen, të relativizohen ose të harrohen. Librat e administratës janë plot me mënyra për t'i bërë shifrat të duken të padëmshme. Ajo që nuk futet dot në asnjë statistikë është pyetja që lind nga largimi; pse, për çfarë pranuam të ishim dele(?).

 

Bariu trembet nga ajo që ata që refuzuan të jenë dele, e që mund t'ua thonë hapur deleve të tufës se pse refuzuan. Nuk ka rëndësi nëse flasin para një mijë vetave apo vetëm para njërit. Fjalët kanë një zakon të çuditshëm; nuk ecin sipas urdhrave të bariut. Ato kalojnë gardhe, kapërcejnë frikën dhe gjejnë strehë në mendjen e atyre që deri dje nuk kishin menduar të dyshonin. Pushteti nuk ka frikë nga njeriu që largohet; ai ka frikë nga njeriu që kthehet për të treguar se përtej gardhit nuk fillon humnera. Në atë çast shembet miti më i vlefshëm i çdo bariu; se tufa brenda gardhit është i vetmi vend ku mund të jetohet.

 

Prandaj pushteti nuk lufton aq shumë kundër largimit, sa kundër dëshmisë së largimit. Ai mund ta shpallë të larguarin tradhtar, të çmendur, mosmirënjohës ose armik të kullotës. Por nuk mund ta lejojë të bëhet dëshmitar, sepse dëshmitari përveç se rrëfen atë që pa në liri; ai u kujton të tjerëve se mund të dalin përtej gardhit, dhe me hapat e lirisë ta shohin gjithçka vetë, ta shijojnë çdo frymarrje në liri.

 

*

Fjalët e atyre që refuzojnë të jenë dele janë, në sytë e bariut, fjalë të helmëta. Janë krijesa të pabindura që nuk njohin gardhe, nuk respektojnë ndalesa dhe nuk kërkojnë leje për të hyrë në veshët e askujt. Nuk ndalen në postblloqe, nuk vulosen nga administrata dhe nuk paraqesin kërkesë për të kaluar kufirin. Mjafton t'i shqiptojë një njeri dhe ato nisin një jetë të pavarur, shpesh krejt tjetër nga ajo që kishte parashikuar vetë ai që i tha. Pikërisht për këtë arsye pushteti i druhet gjithmonë fjalës së lirë. Askush nuk mund të garantojë deri ku do të arrijë ajo dhe kë do të zgjojë përgjatë rrugës.

 

Mjafton që një pyetje të mbërrijë në mes të tufës dhe qetësia e kullotës fillon të lëkundet. Pyetjet nuk bëjnë zhurmë, nuk rrëzojnë gardhe dhe nuk ndezin zjarr, megjithatë e bëjnë të dyshimtë atë që deri dje dukej krejtësisht e natyrshme. Një pyetje arrin aty ku nuk mbërrijnë qindra thirrje, sepse nuk urdhëron askënd; ajo fton secilin të mendojë vetë. Këtij çasti bariu i druhet më shumë se çdo gjëje tjetër.

 

Përgjigjet mund të vonohen, të shtyhen ose të zëvendësohen me premtime, ceremoni dhe deklarata solemne, me festime. Ndërsa pyetja nuk njeh pritje dhe as dremitet në durim. Ajo vazhdon të punojë në heshtje edhe pasi fjalët kanë pushuar së dëgjuari. Ushqehet me mendimin e secilit në heshtje dhe zgjon vetëdijen e tufës.

 

Prandaj pushteti tregohet bujar me përgjigjet dhe armiqësor ndaj pyetjeve. Përgjigjet debatohen pa fund, secili shton mendimin e vet dhe, mes zhurmës së përgjithshme të përgjigjeve, humbet filli i arsyes. Pyetjet, përkundrazi, shpallen të papërshtatshme, të papërgjegjshme, të rrezikshme ose fryt i armiqve të kullotës. Çdo epokë shpik fjalorin e vet për t'i njollosur, ndërsa zakoni mbetet i pandryshuar; ndëshkohet guximi për të pyetur.

 

Pikërisht për këtë arsye bariu kujdeset që përgjigjet të jenë gati shumë kohë përpara se dikujt t'i lindë një pyetje. Tufa që mësohet të përsërisë përgjigje të gatshme, harron dalëngadalë si ndërtohet një pyetje. Atëherë gardhet vazhdojnë të qëndrojnë në këmbë falë heshtjes rreth arsyes së ndërtimit të tyre.

 

Bariu investon shumë më tepër në bindje sesa në gardhe, ngaqë ai e di mirë se çdo gardh i ngritur jashtë njeriut mund të rrëzohet një ditë, ndërsa ai gardh që ngrihet në mendjen e deleve ripërtërihet vetvetiu. Muret kërkojnë roje, telat ndryshken dhe portat mbeten hapur; bindja nuk ka nevojë për asgjë prej tyre.

 

Gardhi fizik kushton dru, tela, gurë dhe punë. Gardhi mendor ndërtohet me slogane, ceremoni, frikë, përsëritje dhe me atë lloj edukimi që dikton çfarë duhet të mendosh, ndërsa aftësinë për të menduar e lë të venitet. Mirëmbajtja e tij nuk kërkon marangozë, por oratorë; nuk kërkon farkëtarë, por propagandistë; nuk kërkon ushtarë, por njerëz që përsërisin me bindje atë që kanë dëgjuar një mijë herë. Kështu gardhi bëhet i padukshëm dhe bindja merr pamjen e arsyes.

 

Fillimisht njeriu mëson t'i druhet gardhit, pastaj asaj që ndodhet përtej tij. Më vonë harron se gardhi ka ekzistuar ndonjëherë dhe fillon ta marrë kufirin për ligj të natyrës. Delet që tremben nga horizonti bëhen rojet më besnike të kufijve të tyre. Askush nuk ua kërkon këtë shërbim; ato e kryejnë me përkushtimin e atyre që besojnë se mbrojnë jetën, ndërkohë që ruajnë vetëm zakonet e robërisë së tyre. Sa herë që njëra nga delet afrohet te gardhi, të parat që vrapojnë për ta kthyer mbrapsht janë vetë delet e tufës. Dhe aty qëndron fitorja më e madhe e bariut dhe kjo është dita kur tufa fillon ta ruajë vetë kufirin e saj.

 

Që prej atij çasti gardhi pushon së qeni ndërtim dhe bëhet mënyrë të menduari. Edhe po të hiqeshin telat, të digjeshin vathët dhe të mbeteshin portat hapur, shumë dele do të vazhdonin të silleshin sikur gardhi të ishte ende aty, sepse kufiri më i vështirë për t'u kapërcyer është ai që e ka bindur mendjen se çdo drejtim tjetër është i pamundur.

 

*

Edhe ujku, që thamë se nuk është ujk, në fund të fundit ka studiuar ekonominë moderne të kullotës. Kohët kur strehohej poshtë urave, kur duhej të ndiqte tufën me vrap, të përgjonte erën dhe të rrezikonte jetën në çdo gjueti i përkasin një bote primitive. Qytetërimi ka sjellë metoda shumë më efikase. Sot edhe grabitqari e di se administrimi është më fitimprurës se gjuetia.

 

Pse të lodhet duke vrapuar pas tufës, kur organizimi ofron zgjidhje shumë më elegante? Njëri kujdeset për ushqimin, tjetri për konsumimin. Njëri siguron që tufa të jetë e qetë, e ushqyer dhe e bindur; tjetri kontrollon mbarëvajtjen dhe secili pret me durim pjesën që i takon. Në një sistem të organizuar mirë askush nuk ka nevojë të bëjë punën e tjetrit, as të ankohet për sistemin. Edhe grabitja në fund, ndahet sipas kompetencave.

 

Njëri prodhon siguri, tjetri prodhon fitim; i pari flet për rendin, i dyti për domosdoshmërinë. Kur i pari premton mbrojtje, tjetri kujdeset që ai premtim të mos bëhet kurrë i panevojshëm. Njëri ka nevojë për frikën që tjetri e mban gjallë, ndërsa tjetri ka nevojë për mbrojtjen që i pari vazhdon ta shpallë si të pazëvendësueshme. Kështu tufa mbetet e bindur se siguria dhe rreziku janë dy forca armiqësore, ndërkohë që ato ndajnë të njëjtin interes, tufën.

 

Madje, bariu modern nuk kërkon që delet ta duan, sepse kjo do të ishte një kërkesë sentimentale dhe krejt e panevojshme. Dashuria është e paqëndrueshme; ajo lëkundet, zhgënjehet dhe një ditë shuhet. Bariut i mjafton diçka shumë më e sigurt: që delet të besojnë se pa të nuk ekzistojnë mëngjesi, bari, qielli dhe e ardhmja. Në çastin kur kjo bindje bëhet pjesë e mënyrës së tyre të të menduarit, bariu pushon së qeni rol dhe bëhet kusht i vetë ekzistencës. Atëherë askush nuk pyet më nëse bariu është i nevojshëm apo jo; vetë pyetja fillon të duket absurde.

 

Ky është triumfi më i madh që mund të arrijë çdo rend i ndërtuar mbi bindjen; ta paraqesë veten si të vetmen botë të mundshme. Midis këtij pretendimi dhe realitetit shtrihet e gjithë historia e nënshtrimit njerëzor. Kush beson se ekziston vetëm një rrugë, humbet dalëngadalë aftësinë për të dalluar shtigjet e tjera. Ato mbeten aty; venitet vetëm aftësia për t'i parë.

 

Kur kjo bindje rrënjoset, zinxhirët fillojnë të duken si stoli, ndërsa gardhet fitojnë statusin e monumenteve të lirisë. Fjalët ndërrojnë vendet me sendet; varësia nuk pikaset sespe quhet siguri, bindja merr emrin e përgjegjësisë, ndërsa kufizimi paraqitet si rend. Jeta mbetet po ajo; ndryshon vetëm fjalori me të cilin përshkruhet. Dhe kur ndryshon gjuha, ndryshon ngadalë edhe mënyra se si njerëzit e përjetojnë realitetin që i shndërron në dele.

 

Vetëm mbas kësaj tufa i mirëmban vetë gardhet, i restauron vetë dhe falënderon bariun për privilegjin që u ka dhënë të jetojnë brenda tyre. Askush nuk ua ka kërkuar këtë me forcë, jo, ato e bëjnë me bindjen e qetë të atyre që besojnë se po mbrojnë një të mirë të përbashkët. Kështu bariu arrin suksesin e tij më të madh, nuk ka më nevojë të ruajë tufën, sepse tufa ruan edhe veten, edhe bariun. Ajo kujdeset për gardhet, qorton këdo që i vë në dyshim dhe i rindërton sa herë që shfaqet një çarje, ndërsa në hirarki lëvdohet bariu. Në atë çast robëria pushon së mbështeturi mbi forcën dhe fillon të mbështetet mbi përkushtimin e vetë atyre që e mbajnë gjallë.

 

Ky është paradoksi më i hidhur i çdo sistemi të ndërtuar mbi nënshtrim; ai bëhet më i fortë pikërisht kur nuk ka më nevojë ta tregojë forcën e vet. Në ditën kur të nënshtruarit fillojnë ta mbrojnë vetë rendin që i kufizon, bariu mund të tërhiqet një hap pas dhe të vështrojë, vepra e tij është kryer. Që prej atij çasti gardhin nuk e mbajnë më shtyllat, por bindjet.

 

*

Në atë çast solemn bariu nuk ka më nevojë të ndalojë askënd, gjithçka rrjedh ndërmjt brigjeve të treguara. Janë delet më të bindura që e kryejnë vetë këtë shërbim. Ai vetëm vështron me qetësinë e dikujt që e di se mekanizmi funksionon tashmë pa ndërhyrjen e tij. Puna më e vështirë ka përfunduar: bindja është bërë zakon dhe zakoni mbron vetveten.

 

Kush ngre kokën dhe refuzon të jetë dele, për të qenë njeri, shpallet i çorientuar. Askush nuk merr mundimin të provojë se ka gabuar; mjafton të binden të tjerët se ai ka humbur rrugën, dhe kaq. Kështu largimi pushon së qeni zgjedhje dhe paraqitet si devijim. Kur liria përkufizohet si çorientim, kthimi në tufë fillon të duket si shërim.

 

Në këtë harmoni edhe pyetja më e pafajshme bëhet e padëshiruar. Nuk ka rëndësi nëse është e saktë apo e gabuar. Mjafton që të prishë ritmin e kambanave dhe kaq, delet e humbin busullën e bariut. Tufa nuk shqetësohet nga përgjigjja; shqetësimi lind prej vetë pyetjes, sepse ajo u kujton të gjithëve se të menduarit është ende i mundur.

 

Më pas vjen radha e njeriut që mendon me kokën e vet, pa asnjë mëdyshje ai shpallet armik i paqes së kullotës. Fjalët ndryshojnë sipas kohës, ndërsa zakoni mbetet i pandryshuar, argumentet zëvendësohen me etiketa, debati me alarme dhe mendimi trajtohet si një sëmundje që duhet izoluar për të mirën e përgjithshme.

 

Është një procedurë e qytetëruar. Askush nuk ngre dorë mbi mendimin; mjafton ta shpallë të papërshtatshëm, të papërgjegjshëm ose të dëmshëm për qetësinë e kullotës. Tufa e dënon në emër të harmonisë dhe këtë e quan vetëmbrojtje. Sa më pak hapësirë mbetet për të menduar, aq më shumë flitet për paqe dhe sa më shumë heshtin gojët, aq më shpesh shpallet se në kullotë mbretëron mirëkuptimi.

 

Në fund bariu fiton privilegjin më të madh. Nuk duket më si ai që ndalon mendimin, sepse tufa e ka marrë përsipër këtë detyrë me një zell që ai vetë nuk do të mund ta impononte. Atëherë nënshtrimi arrin formën e tij më të përsosur, sepse kontrolli nuk vjen më si urdhër nga lart, vetëm qarkullon nga njëra dele te tjetra, derisa çdo sy bëhet rojë e syrit tjetër dhe çdo heshtje ruan heshtjen që pason.

 

*

Ironia më e madhe mbetet se bariu vazhdon të deklarojë se armiku i vetëm është ujku. Madje kujdeset të shtojë se ai që e quan veten ujk, në të vërtetë nuk është ndryshe nga të tjerët, sepse diku më lart edhe ai pranon se është dele. Kështu zinxhiri i bindjes paraqitet si rend natyror i botës, ndërsa zinxhiri i përfitimit mbetet jashtë çdo bisede. Tufës i flitet pa pushim për rrezikun që mund të vijë nga jashtë, që të mos vërejë marrëveshjet që lidhen brenda gardhit.

 

Ndërkohë, ujku hyn nga dera kryesore, përshëndetet me bariun dhe largohet me pjesën që i takon. Askush nuk vrapon. Askush nuk leh. As kambanat nuk ndryshojnë ritëm. Gjithçka zhvillohet me qetësinë ceremoniale të një veprimi të parashikuar prej kohësh. Dhuna nuk ka më nevojë të shfaqet, sepse marrëveshja është bërë pjesë e rendit. Grabitja pushon së dukuri grabitje sapo pajiset me procedurë, formular dhe vulë.

 

Edhe ujku duket më shumë administrator sesa si grabitqar. Nuk hyn fshehurazi, nuk kapërcen gardhe dhe nuk ndjek prenë. Troket aty ku duhet, përshëndet kë duhet dhe merr atë që sistemi i ka rezervuar. Kjo është forma më e rafinuar e grabitjes; ajo nuk fsheh më gjurmët e saj, sepse është mësuar të ecë në dritën e diellit.

 

Delet, të lehtësuara që gjithçka zhvillohet sipas rregullores, vazhdojnë të kullosin me bindjen fisnike se siguria e atyre deleve që teprojnë, është prova më bindëse e lirisë. Qetësia e kullotës bëhet argumenti i fundit kundër çdo dyshimi. Askush nuk pyet çmimin e saj, sepse ai nuk mbetet kurrë në livadh; largohet në heshtje bashkë me pjesën e ujkut.

 

Çdo shoqëri që mat lirinë vetëm me mungesën e trazirave rrezikon ta ngatërrojë qetësinë me drejtësinë. Rendi mund të jetë i përsosur edhe kur mbështetet mbi nënshtrim, ashtu si heshtja mund të jetë e plotë edhe aty ku askush nuk guxon të flasë. Prandaj bariu nuk lodhet kurrë duke premtuar siguri. Ai e di se shumë njerëz pranojnë të heqin dorë nga liria, për sa kohë që dorëzimi u paraqitet si forma më e arsyeshme e jetës.

 

Kështu, në botën e barinjve, mendimi i lirë mbetet krijesa më e padëshiruar. Ai nuk shqyen mish, nuk derdh gjak dhe nuk rrëzon gardhe. Nuk marshon me ushtri, nuk kërkon privilegje dhe nuk shpall pushtetin e vet. Në pamje të parë duket krejt i padëmshëm. Megjithatë, ai mbetet rreziku më i madh për çdo rend që mbështetet mbi bindjen, sepse nuk sulmon trupin e tufës; zgjon vetëdijen e saj.

 

Ka një ves edhe më të rëndë akoma; zgjon njerëzit që kanë pranuar të jetojnë si dele, ua hap sytë, ua mpreh kujtesën dhe u kujton se askush nuk lind me kambanë në qafë. Kambana nuk është pjesë e natyrës njerëzore; është një send që vendoset, pranohet, trashëgohet ose hiqet. Prandaj kujtesa bëhet armiku më i madh i bindjes. Kush kujton se kambana ka pasur një fillim, fillon të kuptojë se ajo mund të ketë edhe një fund.

 

Pikërisht për këtë arsye bariu nuk druhet nga forca e mendimit, por nga aftësia e tij për të rikthyer kujtesën. Një tufë që kujton se ka qenë ndryshe, shumë shpejt fillon të pyesë pse jeton kështu. Dhe pyetja, sapo lind, e dobëson magjinë e çdo gardhi mendor. Nuk premton menjëherë liri, por e bën robërinë të dukshme. Shpesh ky është hapi i parë dhe më i vështirë.

 

Historia është edhe historia e përpjekjeve për ta bërë mendimin të padukshëm; duke e frikësuar, duke e tallur ose duke e shpallur të panevojshëm. Megjithatë, mendimi ka një veçori që e dallon nga çdo dinamikë tjetër: mund të vonohet, mund të heshtë dhe mund të përndiqet, por rrallë zhduket. Mjafton një njeri që të fillojë të mendojë me kokën e vet dhe mundësia e lirisë rikthehet.

 

Çdo kambanë vendoset nga dikush, pranohet nga dikush tjetër dhe mund të hiqet vetëm nga ai që guxon të kujtojë se, përpara se të bëhej dele, ishte njeri. Askush nuk lind me kambanë në qafë.

 

(*) Stendal (Marie-Henri Beyle, 1783–1842), shkrimtar francez.

 

XS
SM
MD
LG