"Shkatërrimi i shtëpisë është agresion ndaj shpresës"
Nga : Marwa al-Sabouni
Arkitektja siriane tregon se si ndërtesat dhe planifikimi urban i japin formë konfliktit dhe shoqërive
Kur filloi lufta siriane në vitin 2011, arkitektja Marwa al-Sabouni arriti tia njohë vlerën arkitekturës në një prizëm të ri. E strehuar nga bombardimet në shtëpinë e saj në Homs, ajo vuri në pikëpyetje sesi planifikimi i dobët urban kishte formësuar tensionet sociale të vendit dhe e kishte bërë Sirinë më të prekshme ndaj konfliktit civil.
Këto mendime do të ishin baza e librit të saj të parë, Beteja për shtëpinë: Vizioni i një arkitekti të ri në Siri, botuar në vitin 2016. Në këtë kujtim, al-Sabouni përshkruan se si zhvillimet më të drejta urbane mund të ndërtojnë shoqëri më paqësore.
Që atëherë ajo është shfqur në listën globale të BBC-së si 100 Gratë e 2019 me ndikim dhe histori frymëzimi, më pas shkroi një libër të dytë, Building for Hope: Towards an Architecture of Belonging, botuar në vitin 2021 dhe ishte bashkëdrejtoresha e ftuar e Festivalit të Brighton 2022, për dizajnimin e një hapësire të komunitetit pop-up . Ajo dhe burri i saj, arkitekti sirian Ghassan Jansiz, krijuan The Riwaq, një pavijon i stilit arab buzë detit, bazuar në temën e rindërtimit.
Tani që jeton në Homs, al-Sabouni, 42 vjeç, po punon për një libër të tretë. Këtu, ajo flet për Hyphen për hapësirën publike islame, çfarë do të thotë të rindërtosh qytetet që janë rrafshuar nga konflikti duke kapërcyer traumën e shkatërrimit të shtëpisë, siç mund të shihet sot në Gaza.
Çfarë ju tërheq si fillim nga arkitektura dhe dizajni?
Kur hyra në kolegj dhe fillova të ndërveproja me temën, m'u duk sikur kisha gjetur një pjesë që mungonte, sepse kombinonte të gjitha aftësitë që më tërhiqnin si fëmijë: vizatimi, imagjinata dhe piktura. Arkitektura përfshinte si kuriozitetin ndaj njohurive po ashtu edhe sofistikimin e inxhinierisë.
Ju shkruat librin tuaj të parë dhe përfunduat doktoraturën ndërsa jetonit në Homs gjatë luftës. Si nodhi e tërë kjo?
Ishte krejtësisht transformuese për jetën time dhe për të gjitha jetët rreth meje. Është një ngjarje që ndryshoi të gjithë vendin dhe të ardhmen e një brezi të tërë. E gjeta veten pikërisht në mes të kësaj stuhie. Ky ishte momenti kryesor rreth të cilit kishte ndryshuar i gjithë koncepti im i arkitekturës dhe roli i disiplinës sime.
Gjatë asaj kohe, unë dhe familja ime jetonim në një zonë që ishte në përplasje midis dy fraksioneve ndërluftuese. Ne po gjenim mënyra për të mbajtur veten të fokusuar në diçka tjetër përveç shkatërrimit, që për mua ishte studimi, leximi dhe përkthimi. Burri im, kur lexoi tezën time, tha: "Mendoj se duke qenë se po angazhohesh me diçka, a nuk do të shkruash një libër për të?" Diskutimet tona në shtëpi u fokusuan tek themeli i librit, duke diskutuar se pse ato gjëra po ndodhnin rreth nesh, si kontribuoi qyteti në vënien e njerëzve kundër njëri-tjetrit në vend që t'i bashkonte ata.
Çfarë rindërtimi po ndodh tani në Siri?
Rindërtimi në kuptimin e vërtetë të fjalës nuk ka ndodhur askund në Siri. Aktualisht jetojmë në atë që duket të jetë një realitet i ngrirë. Gjithçka që po ndodh vepron në prapaskenë, ku ne si publik jemi të përjashtuar apo mbahemi tërësisht në errësirë. I referohem interesit të huaj për rindërtimin e Sirisë, veçanërisht shtetet e Gjirit, të cilat e paraqesin veten si palët kryesore të interesit.
Ju keni shkruar se si dëmtimi strukturor i një qyteti mund të zvogëlojë lidhjen e banorëve me mjedisin përreth tyre. Mund të thoni më shumë për këtë ide?
Në Building for Hope, libri im i dytë, hapa një kapitull duke iu referuar një letre që iu prezantua Winston Churchill nga këshilltari i tij në Luftën e Dytë Botërore. Quhet "letra e çstrehimit", e cila sugjeron kryesisht se bombardimet masive të qyteteve gjermane rezultuan jashtëzakonisht të dëmshme për moralin. Humbja e shtëpisë ishte më e dëmshme sesa humbja e një të afërmi ose një shoku.
Shkatërrimi i shtëpisë ishte – siç e shohim sot në Gaza – një armë e shkatërrimit në masë, e cila do të çojë në shkatërrim ekonomik dhe politik dhe në shkatërrim personal. Është diçka që rrafshon kujtimet e tua. Është një sulm ndaj shpresës.
Ne shohim gjithashtu sulme ndaj vatrës familjare dhe shpresës, në politikat e tilla sikurse menaxhimi i qytetit dhe i ashtuquajturi zhvillimi i qyteteve dhe qytezave tona. Është një proces që mbështetet kryesisht në legjislacion dhe financim, por kjo mund të drejtohet siç duhet vetëm duke vendosur shqetësimet e krijimit të vatrës familjare, shtëpisë , përkatësisë dhe fqinjësisë mbi përfitimin personal. Ish-këshilltari i Donald Trump, Jared Kushner, kishte guximin të sugjeronte një pronë ujore për Gazën dhe izraelitët vazhdojnë t'i referohen një Dubai të sapo ëndërruar në vend të Gazës. Çfarë do të thotë kjo, që ju do ta ktheni Gazën nga një qytet i komunitetit në një qytet të konkurrencës ekonomike? Ne duhet të ngrihemi dhe të kërkojmë mënyra alternative të rindërtimit.
Në punën tuaj ju keni prekur idetë islame të hapësirës publike. Si zbatohet kjo në kontekstin e shekullit të 21-të?
Kur vizitoni pjesët e vjetra të Homsit që datojnë nga epokat e sundimit të Umajadëve dhe Abbasidëve, vëreni se ka njëfarë intimitet në hapësirë. Ka shumë shtresa të ruajtura, ndërtesa të periudhave të ndryshme, të gjitha të ndërthurura në një vend. Kjo më paraqiti një sixhade për të shpleksur (pra një sfidë) dhe për të parë sesi qyteti kultivoi ndjenjën e përkatësisë dhe u mundësoi njerëzve të punonin dhe të jetonin së bashku në paqe.
Në punën time shikoj detaje estetike dhe sesi stilet arkitekturore që ekzistonin në ato qytete pasqyronin edhe vlerat e tyre: bujarinë, modestinë, shkëmbimin. Besimi islam, për shembull, ishte një politikë dhurimi që i lejonte njerëzit të dhuronin prona për hir të Zotit. Këto ndërtesa po vepronin si frena për atë që përndryshe do të ishte një rritje e pakufishme. Në të gjitha qytetet që kultivoheshin nën sundimin islam, mund të shihje të pasur e të varfër, të krishterë dhe myslimanë, që jetonin krah për krah. Kjo ishte shumë kurioze për mua, sepse edhe nëse jetoni në shoqëri të lira tani, ekziston një ndarje endemike e bazuar në pasuri.
Mund të na tregoni për ndonjë projekt me të cilin po punoni tani?
Unë jam duke punuar për një projekt të ri këtu në qytetin tim, për të ndërtuar një vilë dhe disa stalla me bazalt të zi vendas, një material ndërtimi që u braktis kur Homs u modernizua. Projekti është i bazuar në pemishtet në perëndim të qytetit, duke balancuar ruralen me urbanen./ Përkthyer nga hyphenonline.com