Lidhje


Nëse dikur 'do të hipje' mbi kalin e Skënderbeut do të shihje nga çdo anë minaret e xhamive

Sheshi Skënderbej është thejsht një arketip komunist që zëvendësoi xhamitë, bërthamat vërteta të Tiranës moderne. 

 

Na mbuluat Skënderbeun, çdoni ju që falni tek sheshi Skënderbej, na fëlliqët tokën arbërore etj etj nga shumë prej injorancës islamofobe dhe tendencioze që llumon rrjetet sociale dhe mendjet asociale. Faktikisht shumë prej atyre që shkruajnë lart e poshtë nuk kanë asnjë ide historike në mendjet e tyre për shtrirje apo vendosje gjeografike, por edhe ata që kanë ndonjë ide përdorin statujën e ngurtë të Skënderbeut për të stigmatizuar padrejtësisht një komunitet të gjallë dhe fluid.

 

Me ç'duket lufta e klasave dhe urrejtjet krahinore të kohës së komunizmit po mbarten plot entuziazëm nga' kalorësit e çështjeve të humbura ', ose më saktë e atyre çështjeve që nxiti komunizmi dhe huazuan kalorësit e tij post modernistë. 

 

Një historik i shkurtër rreth popullimit të atij trualli:

 

Historianë, arkitektë e studiues të shumtë, thonë se qyteti i Tiranës u ngrit dhe u ndërtua mbi katër bërthama kryesore. Bërthama e parë e qytetit lindi dhe hodhi shtat së bashku me xhaminë e vjetër të Sulejman Pashës në vitin 1614, në qendër të Tiranës. Bërthama e dytë e qytetit u krijua në fillim të shek. 18, rreth xhamisë së Firës, 600 m në Veri-Perëndim të xhamisë së parë, në vendin ku sot është shkolla Jeronim De Rada. Bërthama e tretë ndërtohet rreth xhamisë së Zajmit në 1775, në verilindje të xhamisë së vjetër. Bërthama e katërt nis me fillimin e ndërtimit të xhamisë së Et’hem Beut në vitet 1794-1821, e vendosur aty ku ndodhet edhe sot e kësaj dite. 

 

Por po ashtu kujtojmë xhaminë e Karapicëve, por edhe Xhaminë e Jasës,trualli i saj përfshinte një sipërfaqe prej rreth 5 dynymësh dhe shtrihej ndërmjet Maternitetit dhe Fushës së Zezë në lindje dhe rrugës së Brrakës në Veri. Xhaminë e pazarit të ri. Pa harruar xhaminë e Dine Hoxhës diku më tej nga fillimet e rrugës së Kavajës etj, prej panoramës të mbushur me objekte kulti që dominonte qendrën e Tiranës së dikurshme. 

 

Pra i gjithë ai vend ka qenë i populluar vazhdimisht nga vendet e kultit islam , të cilat dikur kanë përbërë vet identitetin e kryeqytetit të ardhshëm. 

 

Sheshi Skënderbej është një shesh i projektuar fillimisht nga italianët, këtë emër që ka sot e ka marrë në vitin 1968 ku në krah të tij u vendos monumenti i Skënderbeut mbi kalë e cila zëvendësoi shtatoren e Josif Stalinit që ishte vendosur tashmë në sheshin e tjetërsuar nga projekti origjinal italian. 

 

Nëse dikur do të hipje (hipotetikisht) mbi kalin e Skënderbeut do të shije minare ngado të ktheheshe.

 

Ndaj popullata autoktone muslimane nuk është as mbetje dhe as prurje por vendas të cilët trashëguan këtë vend dhe pranuan islamin në mënyrë të vullnetshme kur erdhi demokracia, çdo insinuatë tjetër është mllef i të robëruarve kulturalisht apo i atyre që komunizmi i bëri brain wash nëpërmjet makinerisë së propagandës dhe manipulimeve 'gjys shkencore' të akademisë së shkencave komuniste.

 

Pra nga studimet historike konkludohet qartë se paraardhësit tanë ishin besimtarë kontribues në zhvillimin e qytetit (sipas parametrave të kohës) dhe tregonin përkujdesje të veçantë ndaj edukimit moral e shpirtëror të brezave, e konkretizuar kjo nëpërmjet ndërtimit të infrastrukturës shpirtërore të qytetit. Ndërsa infrastruktura komuniste zhvilloi njerëz të gjymtuar intelektualisht dhe shpirtërisht, të cilët e shndërruan Tiranën në arenë përplasjesh kulturore dhe arkitekturore, madje zhvilluan atë që është më e keqe, konceptin 'e tjetrit', e të huajit brenda nesh. 

XS
SM
MD
LG