Listë e 100 prej hoxhallarëve, intelektualëve, personaliteteve të ndryshëm dhe figurave të shquara muslimane të dënuar dhe të persekutuar nga regjimi komunist
》Hoxhë Selim Brahja – i njohur si Hoxha i Saukut vrarë në gusht 1943 nga njësiti i Çetës partizanëve të Pezës, sepse nuk pranoi të bashkëpunonte me Partinë Komuniste.
》Imam Seit Idriz Shehu nga fshati Vrajtë i Peshkopisë mbaron studimet në Prizren me Hafiz Shabanin. Ka dhënë mësim në mejtepet e xhamive dhe ka qenë imam në fshatrat: Deshat, Borovjan, Grevë dhe Zimur. Gjykohet dhe vritet me akuzën për “axhitacion e propagandë” kundër Frontit Nacional-Çlirimtar nga një gjykatë partizane e Brigadës V me komandant Shefqet Peçin më 26 gusht 1944, pa u “çliruar” akoma Shqipëria.
》Imam Halil Hoxha (1881-1946) me origjinë nga Bytyçi i Tropojës dënohet me pushkatim dhe ekzekutohet me akuzat si kriminel lufte, bashkëpunëtor i regjimit zogollian dhe i okupatorëve, së bashku me të dënohet edhe bashkëshortja Xhane Hoxha me 5 vite burgim dhe dy bashkëfshatarë të tij Demush e Shaban Qerimi me vdekje, për shkak se e strehuan atë. Vendimi për pushkatim ka marrë edhe miratimin e Enver Hoxhës.
》Hafiz Ali Korça –i internuar në vitin 1945 e deri sa vdiq më 1956, Salahudinin djalin e madh ia vrasin komunistët dhe Alaudini kryen 5 vite burg, si dhe persekutohet politikisht deri ditën që ndërroi jetë.
》Hafiz Ibrahim Dalliu –i burgosur në vitin 1947 dënohet me 5 vite burg pse kishte dëgjuar radio Londrën.
》Hafiz Ismet Dibra, ish- drejtor i Medresesë së Përgjithshme, Tiranë –i burgosur në vitin 1946 dhe i dënuar me 12 vjet heqje lirie.
》Hafiz Sabri Koçi – i burgosur në vitin 1966 dhe del nga burgu pas 20 vitesh më 1986.
》Haki Sharofi, figurë e shquar patriotike, autor i teksteve të ndryshme fetare, ish-kryeredaktor i revistës “Zani i Naltë” –i burgosur në vitin 1946.
》Jonuz Buliqi (1892-1966) Pedagog i Medresesë së Naltë të Tiranës, dënohet me 5 vjet burg agjitacion e propagandë 1947 -1952.
》Haki Mulleti – nëpunës i vakëfeve në KMSH i burgosur në vitin 1945 dhe i internuar më pas në Kavajë.
》Vexhi Buharaja – i burgosur në vitin 1947 dhe dënohet me 8 vjet privim lirie dhe me humbjen e të drejtave politike për 3 vjet kohë.
》Sali efendi Myftia – 1891-1978 Myfti i Shkodrës dhe figurë e Partisë Lëvizja e Legalitetit detyrohet ta kalojë jetën në mërgim në SHBA, pas marrjes së pushtetit nga komunistët familja e tij e mbetur në Shqipëri internohet dy herë me afate të ndryshme, ndërsa djali i tij Feridi do të akuzohej dhe do të dënohej me burg si pjesëmarrës në organizatën “Përpjekja Shqiptare”. Djali tjetër Mit’hati do ta mbyllte jetën tragjikisht nën rrotat e një kamioni.
》Ismail Muçej –kryeredaktor i gazetës Drita Islame, i burgosur në 6 shtator 1952 – 24 prill 1963, me akuza të ndryshme, ku ndër të tjera ka kërkuar të rrëzojë pushtetin popullor.
》Haxhi Faik Qazim Hoxha – i burgosur në 4 qershor 1966 dënohet me 25 vjet burg.
》Hasan Tahsini – Pedagog i Medresesë së Tiranës i burgosur në vitin 1947 dhe bën dy vite burg.
》Hafiz Mustafa Varoshi, ish-myfti i Durrësit – i burgosur në vitin 1945 dhe i vdekur në burg nga torturat çnjerëzore 1948.
》Hoxhë Adem Dervishi– arrestohet më 10 janar 1947 dhe dënohet me rreth katër muaj burg.
》Hafiz Sherif Langu, ish-kryetar i Këshillit të Naltë të Ulemave dhe kryetar i KMSH-së i burgosur në vitin 1945.
》Behxhet Shapati, – ish-kryetar i KMSH-së, sipas një relacioni të Sigurimit të Shtetit i vdekur në burg.
》Hafiz Esat Myftia, ish-kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë- i burgosur në vitin 1946
》Hafiz Musa Dërguti – qysh gjatë viteve 1939-1944 bie në sy për qëndrimet dhe propagandën e tij antikomuniste, i burgosur në vitin 1946 me rastin e Kryengritjes së Postribës. Hafiz Dërguti dënohet me 10 vjet privim lirie e punë të detyruara dhe i internohet edhe familja si masë ndëshkimore ndaj tij.
》Selim efendi Gashi nën-myfti i Tropojës ndalohet dhe arrestohet më 15 mars 1945, kryen 5 vjet burg, ndërsa në vitin 1967 u vetizolua në shtëpinë e vet, dhe nuk pranoi ta hiqte nga trupi uniformën fetare.
》Hafiz Ali Kraja Tari –i burgosur në vitin 1946, dënohet fillimisht me burgim të përjetshëm, e më pas i zbritet dënimi me 25 vite burg, del nga burgu dhe lirohet më 12 tetor 1965.
》Imam Liman Shabani -vdekur në burg më 1945.
》Islam Hajredin Hoxha – (1875-1948) I njohur në popull si Hoxhë Novosej. Gjatë Luftës II Botërore përkrah lëvizjen antikomuniste, prandaj më pas i digjet përsëri shtëpia dhe iu sekuestrua malli e gjëja.
》Imam Met Troci – dënohet fillimisht me vdekje dhe më pas i zbritet dënimi me 30 vjet burgim, ka vdekur në burg më 20 maj 1947 në rrethana të panjohura.
》Imam Ahmet Hysejni – dënohet me pushkatim dhe më pas i kthehet vendimi me burgim të përjetshëm, më pas vdes në burg më 1945 në rrethana të panjohura.
》Hafiz Xhemal Naipi – i burgosur 1947 dhe vdiq në burgun famëkeq të Burrelit në vitin 1955 në moshën 77 vjeçare, pa pasur familjarët dijeni as për varrin e tij.
》Hafiz Xhemal Mullaj (1881-1959) Në vitin 1947 i shtetëzohet shtëpia në Tiranë e i sekuestrohen të gjitha orenditë, dëbohet në Durrës dhe lihet pas asnjë mjet jetese, i shkatërrohet biblioteka e pasur me libra në tre gjuhët arabisht-osmanisht-persisht dhe shqip. Me vendim të KMSH-së caktohet drejtor i Medresesë së Naltë, por ky vendim nuk u zbatua dhe mbeti në letër. Vdes në Tiranë në mjerim të plotë në një dhomë të errët në shkurt 1959.
》Imam Isa Hoxha (1918-2001) Ai e ka prejardhjen nga Hoxhët e Bytyçit, një familje e persekutuar për shkak se ishin anti-komunistë dhe të lidhur me Lëvizjen Kryeziu të Gjakovës, detyrohet të arratiset në vitin 1949 për t’i shpëtuar përndjekjeve të mëtejshme.
》Hoxhë Jakup Dusha (Tropojë) – Në dosjen e tij thuhet se u arrestua së bashku me 6 të tjerë më 3 shkurt 1953 dhe ka vdekur në hetuesi po atë vit nga torturat çnjerëzore në burgun e madh të Shkodrës.
》Hamdi Bushati (1896-1983) – intelektual i shquar mysliman dhe mësues, punonjës i vakëfit, arrestohet në vitin 1945 dhe mbahet për 9 muaj i burgosur, del i pafajshëm. Internohet më pas në fshatrat e Fierit nga viti 1954-1960. Edhe pas internimit i vazhdon persekutimi.
》Hafiz Nusret Xeka (?-1995) nga Kavaja, nuk pajtohet me regjimin komunist dhe bën 8 vjet burg për agjitacion e propagandë.
》Hafiz Sheuqet Boriçi -i vetë-izoluar në shtëpi deri sa vdiq.
》Hafiz Sabri Bushati -u vetë-izolua në shtëpi në vitin 1967 deri sa vdiq.
》Molla Alush Zaganjori -i vetë-izoluar në shtëpi deri sa vdiq.
》Sheh Hasan Gjuzi (1893-1969) Imam i Xhamisë së Saukut, Tiranë, e përjeton keq prishjen e minares së xhamisë më 1967 dhe kthimin e saj në ambulancë mjekësore, nuk doli më nga shtëpia e vet, u vetë-izolua deri sa vdiq më 1969 dhe i kreu ritet fetare në shtëpi.
》Hafiz Qazim Ismaili– (1889-1968) Myfti i Vlorës dhe i Tiranës, pas ndalimit me ligj të fesë vetë-izolohet deri sa ndërron jetë në shtëpinë e tij.
》Hafiz Qamil Sulejman Luniku (1897-1970)- Myfti në Pogradec dhe në Vlorë, imam i Xhamisë së Ballijes në Elbasan deri në 1967 kur u ndalua feja dhe u shkatërrua edhe xhamia e Ballijes. Hafiz Qamilit iu bë gjyq publik në Kinema Skampa të Elbasanit dhe iu kërkua publikisht të mohonte fenë, të pranonte që feja është opium për popullin dhe të zhvishte petkun fetar. Ai nuk pranoi asgjë dhe protestoi ndaj këtyre presioneve, deri në fund të jetës u mbyll në shtëpinë e tij i vetizoluar dhe vazhdoi t’i kryejë ritet fetare. E gjithë familja e tij u persekutua dhe njëri vlla iu pushkatua në vitin 1948.
》Sheh Qazim Hoxha (1893-1959) – ish-nënkryetari i KMSH-së dëbohet nga Tirana në vitin 1948 nga autoritetet komuniste dhe shkon e vendoset në Shkodër.
》Sulejman efendi Misiri (1903-1987) myfti i Kavajës, i merren nga Reforma Agrare e vitit 1946 rreth 12 ha tokë, dhe për këtë i vihet njollë në biografi, që e vuajtën djemtë e tij, si dhe pas vitit 1967 nxirret pa punë e pa pension deri në ditën kur ndërroi jetë, e kështu përjetoi vështirësi të mëdha ekonomike, por që asnjë herë nuk e humbi dashurinë dhe respektin e qytetarëve të Kavajës.
》Hoxhë Adem Salih Elezi, Krye-Myfti i qarkut të Kukësit pas 12 muaj hetuesi të rëndë dënohet me 5 vite burg.
》Hoxhë Azem Jah Elezi (-1969), Myftiu i Tropojës arrestohet më 1948 dhe pas 12 muaj hetuesi internohet në fshatrat e Krujës deri sa vdes në vitin 1969.
》Hafiz Mehmet Bada – E arrestojnë dhe bën burg nga viti 1948 deri më 1951.
Osman HASKASA– imam xhamie në fshatrat e Peqinit ka kryer 5 vite burg.
》Shyqyri Hoxha (Myftiu)- ish-Myftiu i Peqinit pushkatuar më 1946 me akuzat si “armik i popullit”.
》Salih Vuçiterna– ish-drejtor i zyrës së Vakëfeve të Komunitetit Mysliman, burgoset dhe vdes në burgun e Burrelit në tetor të vitit 1949.
》Hafiz Abdullah Zëmblaku– nga Korça do të burgosej tre herë nga regjimi komunist.
》Haki Çoçka– imami i fshatit Podgori, Korçë ka kryer 15 vite burg.
》Hafiz Ymer Et’hem Bakalli– I internuar në Tepelenë deri në vitin 1951.
》Hafiz Isa Anamali– i dënuar me burg.
》Hafiz Refik Ajazi (1916-1987) Myfti në disa qytete të vendit si Durrës, Peqin, Kavajë, Elbasan e Korçë, e nxjerrin përpara popullit të Korçës dhe e demaskojnë duke e fyer dhe poshtëruar, i kërkojnë të mohojë fenë dhe Zotin, por ai qëndron dhe nuk e pranon një gjë të tillë. E internojnë në fshatin e tij të lindjes në Seferaj të Kavajës nga viti 1967 deri sa vdiq më 1987, si dhe nuk i japin të drejtën pensionit duke e bërë të vuajë edhe varfërinë e plotë.
》Isa Adem Hoxha nga Hotolishti i Librazhdit, mbaruar në universitetin e Az’harit, Kairo Egjipt, i dënuar me akuzën për agjitacion e propagandë me 10 vite burg.
》Shefqet Muka– arrestohet më 21 tetor 1946 dhe dënohet nga gjykata me burgim të përjetshëm, edhe si bashkëpunëtor i Hafiz Xhemal Naipit.
》Ferid Vokopola– Arrestohet më 20 shkurt 1945 dhe kryen dy vjet burgim.
》Jahja Estrefi– ish-myftiu i Tepelenës dënohet me 9 (nëntë) vjet heqje lirie.
》Imam Adem Mehmet Hoxha – (1914-1979) është dënuar dy herë gjatë regjimit komunist, herën e parë me dy vite burg, ndërsa herën e dytë me 9 vite burg nga 6.4.1964 deri më 20.1.1973.
》Hoxhë Ymer Vehbi Ferhati (1942-) nga Radomira e Dibrës, e arrestojnë në fshatin e vet sepse vazhdoi t’iu fliste e t’iu mbante ligjërata për fenë islame, dhe e torturojnë për ta dënuar, por asnjë nga bashkëfshatarët nuk i doli dëshmitar, e për këtë arsye arrin të shpëtojë pa u dënuar. Vazhduan t’i bëjnë presion deri sa u vendos demokracia.
》Osman efendi Xhaferi – (1902-1970) Myfti i Krujës, Kavajës dhe Vlorës dhe ka shërbyer në Durrës si imam. Në vitin 1967 e kthejnë me detyrim në fshatin e lindjes Seferaj-Golem të Kavajës, ku e lejnë pa punë dhe pa asnjë të ardhur në vështirësi të mëdha deri sa ndërron jetë në 12 tetor 1970.
》Osman Met Osja (1912-1970) imam, vaiz dhe nëndrejtor i Medresesë në Shkodër, në vjeshtën e vitit 1967 në një mbledhje të lagjes e demaskojnë për bindjet e tij fetare dhe i kërkojnë të mohojë Zotin, gjë të cilën ai nuk e pranoi kurrsesi. Për këtë e dënojnë me 6 muaj punë korrektuese dhe i konfiskojnë bibliotekën e tij të pasur me libra fetarë.
》Imam Ibrahim Hoxha (1906-1976) i Burgajetit, Mat dhe i zonës së Derjanit. Diktatura e izoloi në shtëpinë e vet si imam me influencë në popull, si dhe e persekutoi për shkak të bindjeve nacionaliste dhe lidhjeve me familjen e Ahmet Zogut, dhe me familjet e tjera të dëgjuara të Krahinës së Matit, Allamanët, Kadiat, Selmanët etj.
》Qazim Rroji (1915-1946) Myezin në Xhaminë e Tepes dhe Koplikaj, Shkodër. Nacionalist dhe pjesëmarrës në Kryengritjen e Postribës, arrestohet dhe pushkatohet pa gjyq më 10 shtator 1946, ende dhe sot nuk i dihet varri.
》Hafiz Neshit Saliu (1902-1971) nga Sërbica, Kosovë. Vjen në Shqipëri dhe shërben në Shkodër, Durrës dhe në fund në Kërçukje të Tiranës. Forcat e Sigurimit famëkeq e arrestojnë dhe e mbajnë për 23 ditë në vitet 1960, duke i bërë presion nën akuzën “për agjitacion e propagandë dhe agjent i revizionizmit jugosllav”. Gjatë arrestimit ia grisin të gjitha librat e fesë që kishte, por nuk pranon asgjë nga akuzat dhe për këtë shpëton.
》Mulla Ibrahim Bilani (1887-1966) lufton për mbrojtjen e Shkodrës nga malazezët 1913-1914. Mësues dhe edukator me vlera. Persekutohet nga regjimi komunist, duke u pushuar nga puna si mësues në Mjedë dhe i bëhet presion për të hequr petkun fetar, por reziston dhe nuk e heq petkun deri ditën që ndërroi jetë.
》Hoxhë Muhamed (Kajo) Biçaku (1929-1991) nga Elbasani, dënohet tre herë me burgim për motive fetare e politike në vitet 1967-1974; 1981-1985, si dhe dënohet, por bën vetëm tre muaj burg në prag të proceseve demokratike.
》Mulla Omer Hyseni (1894-1970) nga Margëllëçi i Çamërisë. Në vitin 1967 ia heqin me forcë çallmën e xhyben dhe ia rruajnë mjekrën.
》Hafiz Yzeir Sallata (1903-1976) nga Margëllëçi i Çamërisë, pasi përjetoi shumë nga persekutimet e shovinistëve grekë kalon në Shqipëri më 1945 dhe vendoset përfundimisht në fshatin Petovë të Fierit. Në vitin 1967 komunistët dhe sigurimsat i kërkojnë të mohojë fenë, përpara se të shkatërronin xhaminë ku ai kishte shërbyer. Me shumë guxim nuk pranon dhe për këtë lihet i papunë në mjerim e varfëri të plotë, gjithashtu i ndalojnë të kryejë ceremonitë fetare.
》Emin efendi Hoxholli (1880-1970) shërben si funksionar i Myftinisë së Elbasanit për shumë vite me besnikëri 1929-1938. Vaiz dhe myderriz në Xhaminë e Ballijes, Elbasan. Internohet nga regjimi komunist nga viti 1953-1959, së bashku me familjen e vet. Ia marrin librat e bibliotekës dhe ia djegin.
》Azem Muharrem Shehu- imam në fshatin Kolesjan të Kukësit, dënohet me 5 vjet burg me akuzën se ka strehuar diversantë në vitin 1951.
》Emërli Shehu (1924-) Ish-Medresist në Medresenë e Tiranës dhe mësues dënohet me 8 muaj heqje lirie dhe punë të rënda.
》Ibrahim Bardhyli- Hoxhë Brasniku (1890-1974) nga Brasniku i Gramshit, Elbasan, i akuzuar si “armik i popullit”, për shkak se ka qenë pjesëtar i çetave të Ballit Kombëtar dhe ka luftuar në radhët e tyre dënohet me 5 vite burgim dhe punë të rënda të detyrueshme, heqjen e të drejtave politike për 5 vjet, si dhe me konfiskimin e pasurisë së tij të tundshme e të patundshme.
》Hafiz Hasan Lila (1890-1965) Nga Bastari i Tiranës, i mbaron studimet fetare shkëlqyeshëm në Turqi. Angazhohet gjatë Luftës II Botërore me krahun nacionalist duke qenë i ndërgjegjshëm se komunizmi ishte një ideologji antifetare. Për këtë fakt dhe duke parë ndikimin e madh që kishte në popullin e zonës së Dajtit i djegin shtëpinë dhe ia burgosin djalin e vet, i cili kishte qenë me forcat e Legalitetit.
》Hafiz Mustafa Doraci (1894-1972) Imam i xhamisë së Met Fires në Tiranë me një shërbim të shkëlqyer në dobi të besimtarëve, në vitin 1967 përjeton me dhimbje shembjen e xhamisë ku kishte shërbyer. Nga përfaqësuesit e regjimit i kërkohet të flasë kundër fesë dhe kërcënohet me burgim, por ai me këmbëngulje nuk pranon, për këtë ia heqin pensionin dhe e lejnë në varfëri, e izolojnë duke i ndaluar edhe të tjerët ta ndihmojnë deri sa vdes në vitin 1972.
》Hafiz Mustafa Gugallja (1880-1973) Hoxhë dhe imam i shquar i qytetit të Tiranës, ka shërbyer deri sa u ndalua feja me ligj në vitin 1967 në Xhaminë e Tabakëve. Pas vitit 1967 e detyruan me forcë ta hiqte uniformën fetare dhe përndiqej nga kryetarët e Frontit Popullor, të cilët e spiunonin rregullisht për shkak se mos të kryente veprimtaritë fetare.
》Mustafa Kamberi (1920-2003) Nga Kashari i Tiranës, kryen studimet fetare në Medresenë e Tiranës dhe i mbaron më 1946. I përkushtohet fesë dhe familjes së tij, porse regjimi komunist e shpall atë kulak dhe dënohet me 8 vjet heqje lirie më 1951 dhe bën vetëm dy vite burg. Në asnjë moment nuk hoqi dorë nga falja dhe agjërimi, dhe ritet e tjera fetare.
》Riza Çollaku (1903-1987) Mbaron Medresenë e Tiranës dhe caktohet imam në xhaminë e fshatit të tij Farkë, ku shërben me përkushtim të madh. Gjatë Luftës II Botërore rreshtohet me krahun e Frontit Nacional-çlirimtar dhe pas vitit 1944 shërben në fshat edhe si imam, edhe si kryetar i fshatit Farkë; por kjo nuk e ndaloi regjimin t’ia shkatërronte xhaminë dhe ta luftonte familjen e tij. Që nga dita e prishjes së xhamisë ai nuk del më nga shtëpia dhe nuk angazhohet më me asnjë punë duke kaluar në vetë-izolim.
》Mehmet Zenel Erceku (1914-1971) Shërben si imam në disa fshatra të Tiranës si Baldushk, Besh e Zall-Dajt. Me dëshpërim përjeton shkatërrimin e xhamive ku kishte shërbyer e duke i kthyer ato në depo e magazina. Vetë-izolohet në shtëpinë e vet deri sa vdiq në vitin 1971.
》Hafiz Musa Staf-Hasani, (1865-1966) myftiu i Burrelit arrestohet e burgoset me pretekstin, se nuk ka dorëzuar tepricat e drithit dhe bën dy vjet burg 1947-1949 nën akuzat për agjitacion e propagandë.
》Hafiz Mehmet Mustafa Gjeta (1917-???) nga fshati Darsi i rrethit të Matit, arrestohet më 21 janar 1950 dhe dënohet me akuzat e agjitacion e propagandës me 12 vjet burg dhe tre vjet heqjen e të drejtave elektorale. Në akuzat që i bëhen thuhet se paraqet rrezikshmëri shoqërore, për shkak se është fetar dhe se ka grisur fotografinë e Stalinit.
》Hafiz Xhafer Ali Bualli (1885-1950) kryemyftiu i Korçës i arrestuar e dënuar me pretekstin, se gjoja ka borxhe shtetërore, por në të vërtetë arrestohet nga regjimi komunist për pikëpamjet e tij demokratike, fetare dhe antikomuniste, ku për të fillon kalvari i vuajtjeve dhe torturave deri sa vdes më 1950, duke punuar në kënetat e Maliqit.
》Haxhi Elez Hoxha (1910-2002) – Myfti i Delvinës në vitin 1940, e më pas Myfti I Pukës në vitin 1954-1967, si dhe pas rihapjes së xhamive pas vitit 1991. Me vendim të Gjykatës Ushtarake Shkodër nr. 258 datë 01 gusht 1946 Elez Hoxha nën akuzën se ka sabotuar pushtetin popullor dhe se ka qenë i lidhur me kriminelët e luftës u kërkua të dënohet me 30 vite burgim. Vitet e burgimit iu ulën në 20 dhe del nga burgu me një amnisti në vitin 1951.
》Imam Vesel Hoxha (1877-1967) hoxhë i fshatit Fratar, Përmet me akuza të sajuara dënohet dhe kryen dy vite burg në burgun e Kalasë së Gjirokastrës.
》Ahmet Mezini (1915-19??) me origjinë nga Peqini, besimtar i thjeshtë, shkruan dhe shpërndan në gjimnazin Naim Frashëri të Durrësit fletë me përmbajtje anti-komuniste dhe në mbrojtje të fesë pikërisht pas fushatës anti-fetare të nisur nga të rinjtë e këtij gjimnazi dhe e cila kulmoi me ndalimin me ligj të fesë, dënohet me 10 vite burg për agjitacion e propagandë.
》Imam Qazim Nushi (1892-1976)- Lindur në Gjakovë dhe arratiset nga përndjekjet serbe për t’u vendosur në Shqipëri, në fillim në Pogradec e më pas vendoset në Qerret të Pukës, ku shërben deri sa ndërron jetë. Megjithëse kishte qenë një përkrahës i LANÇ-it pas vitit 1948 përndiqet nga Organet e Sigurimit të Shtetit me motivacionin “agjent jugosllav” dhe më 1967 i marrin librat e bibliotekës së tij personale. Po ashtu e provokonin vazhdimisht se mos mbante ramazan e këndonte jasina.
》Mustafa Hoxha,- klerik mysliman i internuar në Kampin e Tepelenës nga viti 1949-1953, ku më pas arratiset dhe nëpërmjet Jugosllavisë kalon në Perëndim.
》Xhabir Dibra- Klerik mysliman i lindur në Shkodër në 20 nëntor 1923. Periudha e burgimit të tij nga 16/10/1946 deri në 28/11/1951. Në 21 korrik 1947 në hetuesinë e improvizuar në redaksinë e Hyllit të Dritës, në Shkodër e kanë rrahur me shkop deri sa ia kanë thyer në shpinë, dhe nuk ka pranuar akuzat e bëra ndaj tij (Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist).
》Hoxhë Qazim Velçani,– duke mos qenë i aftë për punë për tharjen e kënetës së Maliqit varroset i gjallë me shumë të burgosur të tjerë.
》Hysni Hoxha (1918-1991)- Mbaron Medresenë e Naltë të Tiranës më 1936 dhe i vazhdon studimet e tij në Al-Az’har, ku edhe doktoron më 1943, detyrohet të vazhdojë jetën e emigrantit për shkak të bindjeve të tij në Egjipt, Arabi Saudite e më pas në SHBA. Pasi ishte një nga figurat e shquara atdhetare të diasporës shqiptare në Perëndim i mohohet e drejta e vizës për të vizituar në ish-Jugosllavi të afërmit e vet, si dhe po për këtë arsye shërbimet sekrete jugosllave ia djegin xhaminë ku shërbente në Çikago.
》Haxhi Hamza Cungu, myezin lindi në janar 1918 në Shkodër dhe ka bërë 24 vjet burg.
》Shaban Demiri, ka lindur në Durrës më 1891, ai arrestohet më 1946 dhe dënohet me 5 vjet heqje lirie. U lirua në vitin 1949 (Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist).
》Hafiz Sulejman Hyseni i lindur në Bilisht, arrestohet më 13 mars 1945 si kriminel lufte nga Divizioni i Mbrojtjes së Popullit (Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist).
》Tahir Beshiri tregtar i madh merr pjesë në ringritjen e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë pas Luftës II Botërore në vitin 1945 si delegat i Durrësit. Dënohet nga një Gjykatë Ushtarake dhe më pas i sekuestrohet e gjithë pasuria e tundshme dhe e patundshme.
》Sylço beg Bushati,- veprimtar politik, pari e qytetit të Shkodrës dhe bamirës. U pushkatua bashkë me Dom Lazër Shantojën më 21 shkurt 1945 në Tiranë.
》Murat Basha – Ushtarak, dhe veprimtar politik. Në vitin 1945 u arrestua për veprimtari antikomuniste gjatë luftës dhe në qershor 1945, u dënua me vdekje me pushkatim. U ekzekutua më 7 qershor 1945.
》Ruzhdi Çoba, nga Shkodra arrestohet në fund të vitit 1944 me akuzat se donte të themelonte një parti politike “Demokracia Islamike”, kërkon pafajësi ndaj akuzave të bëra dhe më pas dënohet me akuzat e agjitacion e propagandës. Dënohet përsëri në vitin 1980 përsëri me akuzat e agjitacion e propagandës.
》Muharrem Mahmud Dashi, – lindi në Tiranë 1919 dhe ndërron jetë më 2005. Dënohet me burgim të përjetshëm për motive politike dhe për shkak se ishte i biri i H. Mahmud Dashit.
》Hafiz Fuat Myderrizi, nënmyfti i Konispolit, Sarandë, arrestohet dhe dënohet si kriminel lufte pas çlirimit, vdes në burg.
》Hoxhë Shefqet Miraku nga Elbasani, për aktivitet armiqësor kundër kolektivizimit arrestohet në vitin 1958 dhe dënohet me 5 vjet burg.
》Hafiz Hamid Dalliu, imam i Xhamisë Pazarit të Ri Tiranë për aktivitet të theksuar kundër pushtetit në vitin 1948 arrestohet dhe dënohem me 10 vjet burg, vdes në burg.
》Hoxhë Shaban Musta nga katundi Borovë e Peshkopisë i dënuar me burgim për shkak se ka luftuar kundër partizanëve.
》Hoxhë Haxhi Lala nga katundi Sheq Musalalë i Fierit, ka kundërshtuar ngritjen e kooperativës në fshat dhe është akuzuar se ka dashur të vrasë sekretarin e partisë, arrestohet dhe pasi dënohet vdes në burg.
Mustafa Isuf Kaçeli – 1886-1958, mbaron studimet për teologji në Turqi, në vitin 1949 arrestohet dhe dënohet me dy vjet burg për politikë, dhe pasi kryen 6 muaj lirohet.
》Imam Isuf Ramadan Shehu nga fshati Gurrë Kalis i Kukësit, i akuzuar se e ka shtuar agjitacionin e propagandën kundër partisë pas vitit 1967 dhe është dënuar me katër vjet heqje lirie në bazë të nenit 73/1 (më pas neni i famshëm 55) për agjitacion e propagandë kundër pushtetit.
》Hoxhë Hamza Kekeri, i lindur më 1910 Kavajë, i kryen studimet fetare në Turqi. Pasi kthehet në atdhe ndërton një xhami me shpenzimet e veta në fshatin Shkozet, Luz të Kavajës, ku edhe shërben vetë. Arrestohet më 12 tetor 1948 për lidhje me armikun e popullit Ramë Habili dhe u dënua me 5 vite burg. Del nga burgu pas apelit që kishte bërë në Gjykatën e Lartë më 6 qershor 1949 (Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist).
》Hafiz Muhamet Kallcaku nga Kavaja dënohet në dhjetor të vitit 1946 nga Gjykata e Durrësit si sabotator i pushtetit dhe spekullator me 40 franga ar gjobë.
---------
Botuar për herë të parë në revistën Kibla, nr. 2, shtator dhjetor 2017