Lidhje


Sa na nevojitet një islam 'me taban shqipëtar' por jo e modelit Bedrist?

Nga Hoxhë Alban Gorishti

 

Jemi në vitin e Zotit 2023, vit në të cilin kënga 'sarile' po thyen rekordet e dëgjueshmërisë. Pas viteve 90-të Shqipëria e post komunizmit ndër të tjera pati nevojë edhe për shërbimin e klerit fetar. Xhamitë e sapo vëna në dispozicion të besimtarëve kishin nevojë për njerëzit adapt të cilët të udhëhiqnin funksionet liturgjike brenda kulteve fetare. Kjo sepse xhamia funksionon edhe pa klerikë por nuk mundet të funksionojë pa besimtarë. Nevojë kjo që në rastin e xhamive, pjesërisht, u përmbush nga medresantët e vjetër të kohës së komunizmit. Ishte pikërisht ky brez, i shkolluar fetarisht në medresenë e cila zyrtarisht u mbyll në 67-ën por realisht filloi degradimin menjëherë pas ardhjes në pushtet të komunizmit në 45-ën, i cili trashëgoi menaxhimin e jetës fetare brenda institucioneve fetare. Flas për degradim pasi që prej ardhjes në pushtet të komunistëve ky institucion fetar (medreseja) ishte kthyer në çati për matrikullimin e teorive marksisto-leniniste. Besoj se duke parë pozitën e fesë në popull fillimisht diktatori komunist ka dashur të matrikullojë efektivë të indoktrinuar me teoritë marksiste, por më pas të dehur nga avujt e fuzionit ateist gjithë ajo turmë vendosi të ndahet dhunshëm me institucionet fetare, klerin, Zotin.


Dikur në mediat tona është transmetuar një seri televizive e cila bazohej në evente reale. Serial i cili kishte si tematikë luftën ndaj mafies në Itali. Një gangrenë koruptive e cila e kishte kthyer Italinë e atëhershme në një arenë të përgjakur nga viktimat e dhunës dhe konflikteve mafioze. Në këtë serial më kujtohen dialogjet midis heroit dhe të keqit, dialogje që realisht të mundësonin të perceptoje filozofinë e jetës dhe vdekjes në ato vite, e parë kjo nën perspektivën teatrale të një figure reale. E keqja dhe e mira vallëzojnë së bashku në një valle të heshtur nga apatia e të mirëve. Faktikisht kur heroi mungon nuk do të thotë se ai nuk ekziston, por në sytë tashmë të prekur nga miopitë shpirtërore heronjtë medoemos duhet të mbajnë maskë apo armë nëpërmjet të cilës të luftojnë krimin dhe të keqen. Faktikisht e kam pyetur veten se çfarë i motivoi ata njerëz në kohën që e keqja ishte aq brutale, të luftonin kundër saj. Personazhe si Falkone, u bënë simboli i luftës ndaj një kundërshtari kaq të paskrupull, duke dhënë edhe jetën në mënyrë që e mira të triumfojë. Shpesh pyes veten si ka mundësi që këta individë, ndoshta me më pak karburant religjoz, arritën të japin kaq shumë ndërkohë që disa fetarëve iu kërkua që të japin më pak se aq? Si ka mundësi që ata luftuan kundër themeleve të korrupsionit dhe arritën ti çrrënjosnin, ndërsa fetarëve nuk iu kërkua të bënin heroin por thejsht të denonconin të keqen dhe vesin, por ata dështuan ta bënin këtë?


Por përse ky dallim në kohë dhe sakrificë?


Sepse e drejta është prej atributeve hyjnore, ajo nuk humbet kurrë, ajo nuk mundet të tjetërsohet, as të pranojë zëvendësues. Ajo është kozmike, nuk bën pjesë tek e institucionet por tek individët, ajo motivon, denoncon, nëpërmjet saj mbahen qiejt dhe toka. Nëpërmjet saj Zoti balancon sistemet në kohë dhe vende, duke sjellë 'heronj' pa maska, që e shohin në sy vdekjen në mënyrë që ti përgjigjen thirrjes së saj.
Faktikisht klerikët e post Komunizmit nuk kanë qenë aleat të kësaj drejtësie, kjo sepse që të jesh 'hero' duhet ta jetosh drejtësinë duke e konsideruar detyrën si mision dhe jo mënyrë për të fituar. Kjo mungesë përshpirtshmërie përshkallëzon situatën post komuniste deri tek institucioni më i ri me qëllime 'marksisto-leniniste' siç është Bedri. Një sistem trashëguar nga narrativat mistike të Anadollit i cili tenton të krijojë klerin e nesërm por duke zëvendësuar tinëzisht klerin e sotëm. Një pasardhësi tamam sikurse ajo e cila dikur tentoi të edukonte një brez të tërë me mos reagim ndaj korrupsionit shpirtëror që solli komunizmi Enverist.


Sot jemi pjesë e një sistemi i cili nuk dallon edhe aq shumë nga ai i dikurshëm, jemi në qendër të një demokracie të vdekur, në radhë për tu shkombëtarizuar por duke shpresuar në një islam me taban shqipëtar po thithim një shoqëri me model Bedrist të doktrinës dhe idealit. Nëse të parët lexuan Kuranin për të fituar para, të dytët fituan para nëpërmjet leximit të Kuranit, e ky mekanizëm 'fitim prurës' u vajos nga modeli i cili i injekton anestezi energjive reaktive, modelit që na erdhi nga lindja. Këtu nuk ka vend për të kritikuar vet burimi por fryma që u përçua, e cila asgjesoi çdo aftësi për të marrë nga më e mira e gjërave dhe për të braktisur më të keqen, në tentativë për të formësuar një taban autokton të domosdoshëm.
Por nëse heronjtë tanë të luftës kundër mafies u formuan në një ambient vlerësues dhe parimor, fetarët tanë po krijojnë një ambient toksik me tipare teokratike. një publicist thotë :"Një vend pune me drejtues që janë agresivë, kontrollues dhe poshtërues, ose të gatshëm për të sabotuar, mund të jetë toksik. Nëse një sjellje e tillë mbetet e pakontrolluar, ajo mund të çojë në një ulje të produktivitetit (siç detajohet nga Anjum në 2018).". Këto kohë jo vetëm që kemi ulje të produktivitetit por paaftësi për të identifikuar të keqen e cila i lajkatohet të mirës duke krijuar sabotatorë të sistemit të referimit fetar, kjo më pas krijon probleme në prodhimin e një tabani identitar Shqipëtar. Duke e bërë të brishtë institucionin përballë korrupsionit dhe shkombëtarizimit që ka përfshirë kombin. Kështu edhe nëse duam ti largohemi klerit post 67-ë, kemi rënë përsëri në një kler apatik dhe me ideale transOqeanike. Tek e fundit, ngjashmëritë me diçka nuk janë vetëm në nivel dinamikash por edhe pasojash apo shkaqesh. Pasoja më e keqe e krijimit të një islami shqiptar të tipit Bedrist, është pikërisht kjo kapje e tipit mafioz të kupolës së institucioneve fetare. Për këtë modeli Bedrist i ngjason marrjes së ngadalë të kupolës fetare nga komunistët e post 45-ës.


Ndërsa ajo që shpresohej nga këta individë të caktuar për të përmbushur mëkëmbësinë në tokë ishte bartja e amanetit. Mëkëmbësia ngërthen kuptimin e amanetit (aftësinë e bartjes së përgjegjësisë), siç lexojmë fjalët e Allahut të Madhëruar në rrëfimin për Musain: “Më zëvendëso te populli im, mbaj rregull dhe mos ndiq rrugën e ngatërrestarëve.” (El-A’raf, 142) . Këta individë as zëvendës të mirfillte nuk arritën të ishin, zëvendës derisa Zoti ti hapte dyert e përgjegjësisë dhe aftësisë tek ata që janë më të aftë.


Bartja e amanetit kërkon autorizim (besim) të kompetencave të amanet-bartësit që ngushtohen dhe zgjerohen, prandaj engjëjt pyetën, Allahu i Madhëruar na sjell shembullin e përtëritjes së mesazhit të bijve të Izraelit, pasi me kalimin e një kohe të gjatë, zemrat e tyre u ngurtësuan dhe shumë prej tyre u bënë të pabindur, u bënë të tillë që bartin librin e tyre sikur gomari që bartë libra. E ky nivel i amanetit na nevojitet në mënyrë që të ndërtojmë modelin 'kombëtar' të bazuar në një taban kulturor autokton, në mënyrë që njerëzit mos të kërkojnë as engjëj as djaj por mbartës të mëkëmbësisë. E mëkëmbësia nuk ndërtohet dot në bahçen e tjetrit, por në dheun mëmë.

XS
SM
MD
LG