Lidhje


Historia e trishtë e grave fisnike të Shkodrës që sfiduan diktaturën

Hatixhe dhe Nafije Kopliku, dy gra shkodrane që sfiduan diktaturën

 

Në Shkodrën e shekullit XX, dy gra të jashtëzakonshme, Hatixhe dhe Nafije Kopliku, ishin mishërimi i qëndresës dhe sakrificës familjare në një kohë kur egërsia e komunizmit kishte mbërthyer Shqipërinë. E lindur më 1896, Hatixhja ishte bija e një prej familjeve më të njohura të Shkodrës, Bushatlinjtë, ndërsa Nafija, e lindur tre vjet më vonë, vinte nga familja fisnike e Bilalëve. Të dyja këto gra u martuan në familjen Kopliku, duke krijuar bashkë çerdhen e tyre në një familje me tradita të thella nacionaliste dhe mikpritëse.

 

Me shpërthimin e luftës dhe pas përfundimit të saj, këto cilësi të rralla të familjeve fisnike dolën më në pah. Shkodra, si një qytet i njohur për rezistencën ndaj komunizmit, u bë skena ku terrori i Sigurimit të Shtetit u shfaq me forcë. Burgjet mbusheshin përditë me nacionalistë, dhe shumë prej tyre fshiheshin ose ishin në arrati. Njëri prej këtyre nacionalistëve ishte Jup Kazazi  cili gjeti strehë në shtëpinë e dajave të tij, familjes Kopliku, por Sigurimi nuk vonoi të mësonte për praninë e tij dhe një mëngjes të ftohtë shtatori, shtëpia e Koplikejve u rrethua nga forcat komuniste.

 

Familja refuzoi të tradhtonte Jupin. Nën kërcënimin e armëve, burra, gra dhe fëmijë u vunë përballë një muri, me një ultimatum të thjeshtë: "Do t'ju vrasim të gjithëve!". Në këtë moment tragjik, Jupi zgjodhi të marrë jetën e tij, për të mos e dorëzuar veten në duart e Sigurimit. Ishte 17 shtator, një datë që do të ngelte përgjithmonë e ngulitur në kujtesën e familjes Kopliku.

 

Pas vdekjes së Jupit, familja u arrestua. Hatixhja dhe Nafija, të rrethuara nga dhimbja e humbjes së njerëzve të dashur, mbajtën zemrën e familjes të fortë. Rifati, burri i Hatixhes, u dënua me vdekje, ndërsa djali i tyre, Ahmeti, vetëm 17 vjeç, u burgos për 20 vjet. Shyqyriu, vëllai tjetër, u dënua me pesë vjet. Këto gra mbajtën mbi supe peshën e kohës së errët që po vinte, duke u përballur jo vetëm me humbjet e burrave të familjes, por edhe me vështirësinë për të siguruar mbijetesën e përditshme.

 

Megjithatë, ato nuk u dorëzuan. Nafija dhe Hatixhja punonin ditë e natë me duart e tyre të shkathëta, duke qendisur rroba për nuset e reja që martoheshin, një aktivitet që dikur e kishin bërë për veten e tyre. Tragjedia nuk ndali këtu. Nafija vdiq e re, duke lënë dy vajzat e saj pa nënë dhe burrin pa punë e pension. Por edhe pas kësaj, buzëqeshja ngriu vetëm për një kohë, derisa shtëpia filloi të mbushej me cicërimat e nipërve dhe mbesave që u rritën nën hijen e vështirësive të mëdha.

 

Familja Kopliku, edhe pse e goditur rëndë nga regjimi komunist, vazhdoi të mbijetojë. Vajza e Rifatit, Sarija, arriti të vazhdojë shkollën pedagogjike, por asaj iu ndalua rruga e karrierës për shkak të biografisë së saj. Pavarësisht se ishte detyruar të punonte si krah pune, familja e Hatixhes dhe Nafijes mbeti e fortë dhe e pathyeshme. Këto gra dhe familjet e  tyre janë një histori e jashtëzakonshme qëndresë e mbijetese ndaj diktaturës komuniste.

 

Nëpërmjet vargjeve të nxjerra nga dhimbja dhe dashuria, kujtimi i sakrificës së tyre mbetet i gjallë. “Ktu ngelëm e u harruem. E veç mëshira e grave tona n’provat e vështira, kah rritet malli, që s’e shojti nama, na lidhë ende me botë. E n‘se një rreze gazmendi dridhë një ças kta gurë varreze, asht qeshja e foshnjes që na bie e ama…”!, shkruan burrat e burgosur në nderim të grave që sfiduan diktaturën për të mbajtur gjallë bashkëshortët dhe bijtë e tyre nëpër burgjet komuniste.

 

Historia e Vehbije dhe Budije Bushatit

 

Vehbije (1908 – 1975) dhe Budije Bushati (1924), dy kunata që i ndau fati të përjetojnë një kalvar të dhimbshëm, e përjetuan bashkë gjithë periudhën e vështirë të komunizmit në Shqipëri, përballë një regjimi që ashpërsohej gjithnjë e më shumë. Ndonëse bashkëshortet e dy nacionalistëve të njohur në Shkodër: Sheuki dhe Qazim Bushati ato nuk arritën ta gëzonin jetën siç e kishin ëndërruar. Sheuki, pjesëtar i "Ballit Kombëtar", u përndoq për bindjet e tij politike. Kështu nisi një rrugë plot sakrifica për Vehbijen dhe Budijen, të cilat do të përballeshin me një shtypje të pamëshirshme, që do të prekte jo vetëm burrat e tyre, por edhe vetë ato dhe fëmijët e tyre.

 

Budija ishte ende shumë e re kur e nisi këtë rrugë të vështirë. Vetëm 23 vjeçe, ajo sapo kishte lindur fëmijën e saj të parë. Por fatkeqësia e goditi menjëherë. Djali i saj, të cilin e kishte sjellë në jetë me aq gëzim, vdiq në moshën 6 javëshe. Budija, tashmë e braktisur nga shpresa, mbeti e vetme në dhimbjen e saj. Me burrin në burg, ajo ishte e detyruar të përballonte jetën e përditshme duke punuar për të mbajtur gjallë atë që mbeti nga familja e saj. Udhëtimet e saj drejt burgut për të takuar Sheukin ishin të mbushura me frikë dhe dhembje, por ajo nuk ndalonte për të siguruar ilaçet që burri kishte aq shumë nevojë.

 

Vehbija, nga ana e saj, po përjetonte një tragjedi të thellë. Burri i saj, Qazimi, ishte pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç kësaj dhimbjeje, regjimi nuk mjaftohej me vrasjen e tij, por edhe i nxori ato në rrugë. Gratë mbetën pa strehë dhe pa përkrahje, me shumë pak njerëz që guxonin t'u afroheshin për shkak të frikës së pushtetit. Vetëm një fshatar i guximshëm nga Rrashkulla e Gruemirës i strehoi për 20 vjet, pavarësisht kërcënimeve dhe presioneve që mori nga regjimi për t'i larguar.

 

Jetesa e tyre gjatë këtyre viteve ishte e ashpër. Me të ardhura të pakta nga puna në bujqësi, ato mezi arrinin të mbijetonin. Por edhe në këtë mjerim, ato duhet të kursenin për të ndihmuar Sheukin dhe Shyqyrinë, kunatin e tyre, që gjithashtu vuante burgimin. Vetëm herë pas here lejoheshin të shkonin në qytet, për të blerë bukë apo për të vizituar të afërmit e sëmurë në spital. Megjithatë, gjithçka ishte shumë e vështirë, nga varfëria deri te përbuzja e pushtetit, që as nuk i lejonte fëmijët e Budijes të vazhdonin shkollën.

 

Safeti, vajza e Budijes, përjetoi thellë peshën e këtij diskriminimi. Ajo kujton me dhimbje momentin kur u përjashtua nga grupi artistik i shkollës, vetëm për shkak të biografisë së saj. "Ne s’kishim të drejtë as me këndue", thotë ajo, duke përmbledhur përvojën e fëmijëve të kësaj familjeje të përndjekur.

 

Në gjithë këtë udhëtim të errët, Vehbija dhe Budija mbështetën njëra-tjetrën, duke jetuar me dashuri dhe respekt reciprok. Ato u moshuan së bashku, duke e përballuar çdo sfidë të regjimit, deri sa të mbeteshin të vetmuara në një botë që kishte harruar kontributet dhe sakrificat e tyre.

 

Historia e Adile Kazazit dhe vajzave të saj

 

Adile Kazazi (1907-1959) ishte gruaja e Abdullah Kazazit, një burrë që kishte qenë pjesë e Lëvizjes Antikomuniste të Postribës. Por fati i saj do të ishte gjithashtu i lidhur pazgjidhshmërisht me atë të pesë vajzave të tyre, të cilat, pas vitit 1944, do të përballeshin me një kalvar të gjatë vuajtjesh. Abdullah Kazazi u arrestua dhe u burgos nga regjimi, i cili e akuzoi për pjesëmarrjen në kryengritjen antikomuniste. Në burg, ai përjetoi tortura të rënda dhe, në një moment tronditës, një polic i tregoi pushkën me të cilën kishte vrarë nipin e tij. Reagimi i Abdullahut përfundoi në një goditje brutale që i theu shtyllën kurrizore, duke mos qenë më në gjendje të ngrihej në këmbë.

 

Gratë e familjes Kazazi përjetuan një dhimbje të pamasë. Adileja dhe vajzat e saj prisnin me ankth për të marrë lajme për të dashurin e tyre nga burgu, por gjithçka që morën ishin rrobat e tij të gjakosura. Një ditë, lajmi më i rëndë mbërriti: Abdullahu ishte pushkatuar me 17 të tjerë dhe as varri i tij nuk dihej. Vajzat e Adilesë u përballën me tragjedi pas tragjedie, me vajzën e dytë, Syrijen, e cila vdiq nga një sëmundje e rëndë.

 

Jetesa e tyre pas kësaj ishte një luftë e vazhdueshme për mbijetesë. Vajzat e Adilesë, pa asnjë mundësi për arsimim, u detyruan të punonin në bujqësi, në kushte të rënda, duke kaluar orë të gjata në këmbë, në të ftohtë e në të nxehtë. Ato nuk kishin asnjë të drejtë të vazhdonin shkollën apo të gëzonin jetën si bashkëmoshatarët e tyre. Përkundrazi, ato përjetuan një jetë të përbuzur dhe të vështirë, por gjithnjë të ndershme dhe me krenari.

 

Nëna e tyre, Adileja, jetoi një jetë të gjatë vuajtjeje dhe durimi. Ajo qëndroi e fortë deri në fund, deri në një ditë kur zemra e saj nuk duroi më dhe vajzat e saj e gjetën atë të ndarë nga jeta, e vetme në shtëpi./Shënim: Të dhënat rreth historisë janë marrë nga libri 'Kalvari i grave në burgjet e komunizmit' i autores Fatbardha Mulleti Saraçi./Nga Kujto.al

XS
SM
MD
LG