Lidhje


Ndërtuesit e HEC-eve i “bëjnë bisht” restaurimit të urave historike

Në romanin e tij, “Ura me Tri Harqe”, shkrimtari Ismail Kadare i vendos ngjarjet në shekullin XIV në një fshat të harruar shqiptar, ku ndërtimi i një ure mbi një lumë të egër ringjall besëtytni të vjetra sipas të cilave për të siguruar themelet, nevojitet një sakrificë njerëzore. Romani është një reflektim mbi përparimin e pandalshëm të Perandorisë Osmane në Ballkan dhe koston e modernitetit, si edhe mbi tensionin që krijohet midis traditës dhe transformimit. Perandoria Osmane do të qëndronte në trojet shqiptare për pesë shekujt e ardhshëm dhe shumë nga urat me qemer të ndërtuara mbi lumenjtë shqiptar mbeten sot dëshmi të trashëgimisë kulturore të lënë pas nga kjo periudhë historike. Si në letërsi, ashtu edhe në realitet, urat janë simbole të bashkimit, bashkëpunimit, lidhjes, stabilitetit dhe qëndrueshmërisë.

 

Tensionet midis traditës dhe transformimit janë rikthyer në fshatrat shqiptare gjatë dy dekadave të fundit, pas një bumi licencash të dhëna nga qeveria shqiptare për ndërtimin e hidrocentraleve, të cilat në shumë raste u kundërshtuan me forcë.

 

Në disa raste, si një formë kompromisi, për të sheshuar tensionet me banorët vendas, kompanive investuese iu kërkua restaurimi i urave të vjetra të shpallura monument kulture. 18 vendime për ndërtimin e hidrocentraleve të marra nga viti 2017 deri në vitin 2019, u shoqëruan me detyrimin për të restauruar edhe urat monumente kulture në zonat ku ato u ndërtuan. Por të dhënat e mbledhura nga Media Amfora, nëpërmjet ligjit “Për të drejtën e informimit”, tregojnë se të paktën në 11 raste ky detyrim i kompanive nuk u përmbush.

 

“Lënia e kompanive private të ndërtimit të HEC-eve me detyrën e restaurimit të urave të vjetra, objekte monument kulture, nga ana e autoriteteve të kulturës ka rezultuar veçse në lënien në mëshirë të fatit të tyre”, tha Ahmet Mehmeti, ekspert mjedisi në Elbasan.

 

 

Shumë detyrime, aspak zbatime!

 

Vetëm në rrjedhën e Shkumbinit, mes Elbasanit, Librazhdit e Pogradecit, deri në kufi me Qarkun e Korçës, kompanive të ndërtimit u është lënë detyra që gjatë punës për ndërtimin e HEC-eve të rikonstruktonin 10 ura monumente kulture. Nga të dhënat e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK) bëhet e ditur se vetëm në një rast kompania e ndërtimit të HEC-it ka zbatuar rekomandimin për rikonstruksionin e një ure monument kulture. Në 11 raste të tjera, kompanitë e ndërtimit të HEC-eve nuk i kanë restauruar monumentet.

 

Një nga rastet për të cilat kompanitë ndërtuese të HEC-eve kanë bërë një vesh të shurdhër është restaurimi i Urës së Vashës, për të cilën ai që në atë kohë ishte Këshilli Kombëtar i Restaurimeve (KKT), ka marrë të paktën katër vendime.

 

Ura e Vashës është e ndërtuar mbi Lumin Mat, midis fshatrave Klos dhe Guri i Bardhë. Kjo urë historike daton nga fillimi i shekullit XVIII dhe është ndërtuar si vepër bamirësie nga Haxhi Hajrulla Skura, një banor i lagjes Mansaj, në fshatin Guri i Bardhë.

 

Fillimisht, ura njihej si “Ura e Skurës”, në nder të ndërtuesit të saj, por me kalimin e kohës mori emrin “Ura e Vashës,” e cila lidhet me një legjendë lokale. Sipas gojëdhënës, një vajzë nga fisi Skuraj shiti pajën e saj për të financuar ndërtimin e urës, duke simbolizuar sakrificën dhe përkushtimin për komunitetin.

 

Një vendim tjetër i vitit 2018, detyron një kompani ndërtuese të restaurojë edhe Urën e Kamares, një urë osmane mbi Lumin Shkumbin, e cila ndodhet në fshatin Mirakë të Librazhdit dhe për të cilën IKTK shprehet se ka një projekt të gatshëm. Por, ndonëse punimet për ndërtimin e HEC-it përfunduan, restaurimi i Urës së Kamares nuk nisi kurrë. Vendime janë marrë edhe për rikonstruksionin e Urës së Keçit dhe Urës së Golikut, por ato nuk janë zbatuar.

 

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë, e cila mbulon edhe Qarkun e Elbasanit, tha në një përgjigje me shkrim se ky qark ka shumë ura dhe rrënoja me vlerë, të shpallura monumente kulture të kategorisë së parë. Fatkeqësisht, vitet e fundit këto ura nuk kanë përfituar restaurim, përveç punës për pastrimin e vegjetacionit, që është kryer nga specialistët e institucionit.

 

“Numri i urave dhe rrënojave të urave të shpallura Monument Kulture i kategorisë së parë në territorin e Qarkut Elbasan është 10; nga këto, urat që ende ekzistojnë janë 4, ndërsa 6 janë në formë rrënoje”, tha DRTK Korçë në një përgjigje zyrtare për Median Amfora.

 

Një pjesë e vendimeve që kompanitë ndërtuese të HEC-eve të restauronin urat duken të marra sa për procedurë, si në rastin e “Urës së Keçit” në Librazhd, që rezulton të jetë rrënojë me pak gjurmë prej monumentit të dikurshëm.

 

Nga ana tjetër rezulton se një pjesë e urave, që në rastin e “Urës së Keçit”, ju ngarkuan disa subjekteve të ndryshme njëri pas tjetrit, të cilët nuk realizuan në asnjë rast ndërhyrjet meremetuese.

 

Nga viti 2005 deri në vitin 2022, në Shqipëri janë nënshkruar 282 kontrata për ndërtimin e 621 HEC-eve, nga të cilat 25 kontrata për ndërtimin e 128 HEC-eve janë ndërprerë tashmë. 12 ura monumente kulture të kategorisë së parë sipas vendimeve të Ministrisë së Kulturës dhe Ish-Këshillit Kombëtar të Restaurimeve (KKT), do të restauroheshin nga kompanitë e HEC-eve gjatë këtyre viteve.

 

“Në qarkun Elbasan nuk është në proces restaurimi asnjë prej urave monument kulture, por në mënyrë të vazhdueshme realizohet pastrimi i tyre nga mbeturinat dhe vegjetacioni nga ana e specialistëve të DRTK Korçë”, shtoi ajo.

 

Problem mbetet fakti se këto ura, sipas DRTK-së, po vazhdojnë të dëmtohen gjithnjë e më shumë. “Urat që janë funksionale nuk janë në rrezik shembjeje, po t’i referohemi gjendjes fizike të tyre, por për shkak të prurjeve dhe aluvioneve të paparashikueshme të lumenjve dhe përrenjve ku ndodhen, ato riskojnë të dëmtohen gjithnjë e më shumë”, theksoi DRTK Korçë.

 

Për aktivistin Ahmet Mehmeti, kompanitë e ndërtimit e kanë parë si barrë detyrën e lënë për restaurimin e urave monument kulture.

 

“Duke mos pasur interes dhe duke e ndier si barrë detyrën e lënë, këto kompani nuk i kanë kryer si duhet ose i kanë neglizhuar totalisht,” tha ai.

 

“Nga ndërtimet e HEC-eve është e pamundur të mos ketë ndikim negativ mbi gjendjen e urave, objekte monument kulture,” shtoi Mehmeti. Sipas tij, ndër vite në Elbasan nuk është bërë punë serioze për restaurimin e urave monument kulture.

 

“Në qarkun e Elbasanit, gjendja e urave ka ardhur drejt keqësimit e dëmtimit, dhe nuk ka punë serioze për një restaurimin ashtu si duhet dhe si veprohet në vende të tjera të përparuara për ruajtjen e tyre si objekte me rëndësi të madhe, e të veçantë të trashëgimisë kulturore arkitektonike dhe ndërtimore”, theksoi Mehmeti.

 

HEC-et në zonën e Mokrës në Pogradec kanë devijuar rrjedhën e ujit

Urat monument kulture janë pjesë e potencialit të trashëgimisë së kulturës në tërësi, që ndihmojnë në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm dhe kanë një rëndësi të veçantë për guidat turistike. “Fatmirësisht, këto monumente në vendin tonë janë të shumta, por fatkeqësisht shumë prej tyre janë duke u rrënuar”, tha Lytfi Alliu, udhërrëfyes turistik i licensuar.

 

Sipas tij, vizitorët e shohin vendin tonë si ekzotik dhe janë shumë të interesuar për historinë dhe monumentet që kemi, veçanërisht kur ato janë të prekshme. “Këto monumente e bëjnë edhe historinë tonë kombëtare të besueshme, pasi ata e prekin me dorë”, tha Alliu.

 

Alliu thekson se këto ura të vjetra tërheqin kryesisht turistët e huaj, të cilët janë shumë të interesuar të mësojnë më shumë rreth tyre. “Këto ura që ne kemi në vendin tonë nuk janë thjesht vendi ku lidhen dy zona, por janë ndërtuar dhe zbukuruar me arkitekturë të veçantë, duke i bërë edhe më interesante për vizitorët,” tha Alliu.

 

Prezenca e tyre ka ndikuar në rritjen e numrit të vizitorëve dhe potencialit të zonës. “Ka çuar në punësimin e shumë banorëve si guida apo në hapjen e bujtinave”, tha Alliu.

 

Ai thksoi se shumë prej urave ende përdoren nga banorët, disa të tjera janë shkatërruar dhe disa janë nën rrënoja.

 

“Fatkeqësisht, ka shumë monumente apo ura të cilat banorët përpiqen t’i mirëmbajnë, por i shkatërrojnë padashur”, tha ai, ndërsa shtoi, “Vlerësoj dëshirën e banorëve, por për to nevojiten specialistë për ndërhyrje”. “Veçanërisht ka shumë ura të Rrugës Egnatia, të cilat janë duke u përdorur ende nga banorët e zonës”, përfundoi Alliu. / Amfora.al

XS
SM
MD
LG