Halebi, kalaja e pamposhtur përballë kryqëzatave
Sunday, 01 December 2024 14:01
Nga Hoxhë Florian Leli
Ishte fundi i shekullit V sipas hixhretit (shek. XI e.s.) ishte arenë e ngjarjeve të rëndësishme për umetin islam në veçanti dhe mbarë botën në tërësi. Bota katolike kishte kohë që përgatitej për një sulm ndaj Orientit islam dhe ortodoks. Shami ishte pikësynimi i parë dhe kryesor i Kryqëzatës së Parë, për t’u zgjeruar më pas në Egjipt, Anadoll dhe vetë Bizantin ortodoks.
Në atë kohë, Shami ishte një nga qendrat më të zhvilluara të botës që përfaqësonte zhvillimin ekonomiko-shkencor dhe politiko-shoqëror. Me pak fjalë, Shami ishte një “parajsë” tokësore me thesare të panumrta për inferiorët evropianë të shekullit XI të cilët jetonin akoma në terrin e injorancës dhe në brutalitetin e luftrave barbare mes tyre. Në Orient lulëzonte qytetrimi ndërsa në Evropë ishte Mesjeta e Errët. Jeruzalemi ishte preteksi, Orienti me pasuritë e tij përrallore objektivi.
Përgatitjet shumëvjeçare, numri jashtëzakonisht i madh i ushtrive evropiane që u vërsulën drejt Shamit njëra pas tjetrës, elementi i befasisë dhe sidomos mosmarrëveshjet dhe përçarjet e myslimanëve, bënë që tokat e Shamit të binin një nga një. Myslimanët u zunë gafil dhe qytete të mëdha si Nikea, Ruha (lat. Edesa, tur. Shanliurfa), Antakia, Tripoli etj, u dorëzuan përballë dyndjeve barbare të Kryqëzatës së Parë. Marshimi i kryqtarëve u kurorëzua me marrjen e Kudsit (lat. Jeruzalemit) në vitin 1099 e.s. (492 h.).
Hija e zezë e egërsisë kryqtare nuk kurseu nga tehu i shpatës as fëmijë, as gra, as pleq. Ushtritë kryqtare mbillnin shkatërrim kudo ku u shkelte këmba. Shfarosjet makabre nuk kursyen as myslimanët, as krishterët orientalë dhe as çifutët. Ishte triumfi i barbarisë ndaj botës së civilizuar.Rezistenca e pakoordinuar e myslimanëve nuk dha ndonjë rezultat të dukshëm. Të gjitha kryeqendrat myslimane ranë me përjashtim të Damaskut dhe Halebit dhe kryqtarët themeluan në pak vite katër principata katolike, që ishin: 1) Principata e Jerezalemit 2) Principata e Tripolit 3) Principata e Antakias 4) Principata e Edesës (ar. Ruha).
Myslimanëve u mbeti Damasku. Vërtet Damasku shpëtoi nga rënia në dorë të kryqtarëve, por, me kalimin e kohës ai shfaqi dobësi të theksuar aq sa mund të thuhet se juridikisht ishte në dorë të myslimanëve, por defakto më shumë drejtohej nga politikat diktuese të principatave kryqtare, me përjashtim të disa periudhave të shkurtra.
Por aty ishte një qytet i lashtë, një kryeqendër e islamit që nuk u dorëzua kurrë. Ishte një qytet që mbajti gjallë shpirtin e xhihadit dhe ndezi rezistencën islame për rizgjim. Ishte një qytet nga ku buroi fuqia myslimane për rikthimin jo vetëm të Shamit, por edhe të Egjiptit dhe Anadollit. Ishte Halebi i pamposhtur.
Nga kjo kala e lashtë u riformuan çetat e para të myslimanëve për rikthim, u vendosën planet dhe u ngritën armët për liri. Ishte Halebi i pamposhtur.
Përpjekjet e para ishin të hershme, por ato më seriozet ishin të atabekut të Halebit Imadudin Zengiut. Dinastia e Zengive me kryeqendër në Mosul kishte arritur ta shtrinte pushtetin e saj gjer në Haleb.
Politika e Imadudin Zengiut ishte e qartë që në fillim. Ajo përmblidhej në moton: vëllazërim, luftë dhe bashkim. Përpjekjet e tij dhanë frytet e para dhe myslimanët rikthyen disa kala rreth Halebit për t’u pasuar më pas me fitoren e madhe ndaj Principatës së Edesës dhe çlirimin e qytetit të Ruhas (Edesës) në vitin 539 h. (1144 e.s.). Principata e parë kryqtare tashmë ishte rrëzuar dhe qyteti i Ruhas me gjithë rrethinat u çlirua pas një gjysëm shekulli robëri. Imadudin Zengiu nuk rreshti së luftuari kundër kryqtarëve derisa dora e pabesë e batinive (shiave ismaili) i mori pabesisht jetën gjatë rrethimit të kalas së Xhuberit, pranë lumit Eufrat.
Imadudin Zengiu ra por ideali jetoi. Ishte ideali për çlirimin e Kudsit, për rikthimin e islamit në xhaminë e Aksasë. Ishte ky ideal që ndezi flakë gjokset e myslimanëve dhe u priu atyre në luftrat e panumërta në vazhdim. Imadudin Zengiu ra, por pas vetes la një pinjoll të denjë për misionin që kishte nisur. Ai ishte biri i tij Nuredin Zengiu, Nuredin Shehidi siç e mori epitetin nga vetë myslimanët, megjithëse vdiq në shtratin e tij. I ngjante Halidit, shpatë e zhveshur kundër kryqtarëve, i pamposhtur në fushëbetejë, simbol i fitoreve dhe mishërim i trimërisë. Sundoi me drejtësi, prandaj e meritoi titullin Mbreti i Drejtë (ar. el melikul adil).
Nuredin Zengiu që në djalëri ia kushtoi jetën çështjes së Kudsit, aq sa minberin e Xhamisë Aksa e kishte gdhendur vite e vite përpara se të çlirohej, i mbështetur te Allahu, i sigurt për fitoren. Kudsi ishte ëndrra për të cilën jetoi. Halebi ishte baza nga ku veproi. Drejtësia ishte arma me të cilën luftoi. Trimëria ishte cilësia që e karakterizoi dhe largpamësia ishte strategjia që zbatoi. E donte dijen dhe dijetarët e ata gjithashtu e donin. E donte popullin e ata gjithashtu e donin. Është e kotë të flasim më tepër për këtë muxhahid të madh për të cilin ka dëshmuar historia dhe të cilin e ka vlerësuar armiku përpara mikut.
Në Haleb lindi projekti i rikthimit të botës islame. Nga Halebi dolën ushtritë e njëpasnjëshme që çliruan kalatë dhe qytetet myslimane në lindje dhe në perëndim; Shezerin, Balebekun, Haranin, Harimin etj. Nga Halebi dolën ushtritë që bashkë me myslimanët e Damaskut thyen dhe thërrmuan tërësisht Kryqëzatën e Dytë. Nga Halebi dolën ushtritë që bashkuan Damaskun dhe Mosulin bashkë me Halebin në një shtet të vetëm. Nga Halebi u nisën muxhahidët e parë drejt Misirit të largët që lëngonte që dy shekuj nën përdhunën e shitëve ismaili, kancerit të umetit. Nga Halebi u nis komandanti Esedudin Shirkohi bashkë me nipin e tij, djaloshin Salahudin Ejubiun. Me mësimet e projektit të Halebit u rrit ky djalosh sypatrembur. Prej tij e mësoi dashurinë për Kudsin dhe sakrifikimin për islamin.
Nga Halebi u mobilizuan ushtritë myslimane për të shpëtuar Egjiptin, Misirin e sunive, nga zgjedha e fatimive ismailitë. Në urdhrat e Emiratit të Halebit e shkarkoi Salahudin Ejubiu kalifin fatimi dhe e ktheu Egjiptin nën sundimin e kalifatit sunit të abasitëve. Ky ishte një çlirim po aq i madh sa çlirimi i Shamit dhe Kudsit.
Vetë Salahudin Ejubiu refuzoi të kryente parballjen vendimtare me kryqtarët përpara se të kishte përkrah Halebin. Halebi ishte zemra që motivonte xhihadin dhe pa të nuk bëhej. Kështu, pasi Salahudin Ejubiu arriti të sheshojë me shkathësi krisjet politike që la pas vdekja e Nurudin Zengiut dhe Halebi u rikthye, rrethanat u poqën dhe kushtet u plotësuan për përballjen vendimtare, në betejën e famshme të Hitinit. Vetëm pasi siguroi pjesëmarrjen e Halebit. Për të marshuar më pas drejt Kudsit ngadhnjimtar dhe për t’i treguar të gjithë botës se Shami ka qenë dhe do të jetë i myslimanëve. Aty janë ngulur kollonat e imanit. Nga aty buron e mira dhe aty do të burojë deri në fund të kohës. Aty lindin trimat dhe aty bien shehidë. I yni ka qenë dhe i yni do të mbetet dhe triumfi final u jepet vetëm durimtarëve.
27 rexhep 583 (2 tetor 1187 e.s.). Ushtria e myslimanëve hyn në Kuds. Mision u përmbush. Minberi i Nuredin Zengiut u vendos në Aksa nga nxënësi i tij besnik Salahudini. Ezani kumboi në Kuds pas një shekulli pushtim. Në Haleb filloi dhe në Kuds mbaroi. Halebi ishte pikënisja dhe Kudsi pikësynimi. Në fakt, ndikimi i kësaj fitoreje të madhe nuk ishte vetëm në Sham. Ishte një rikthim total. Myslimanët u rikthyen. Në shekujt në vazhdim myslimanët vetëm bënë përpara të drejtuar drejt Evropës, për të hyrë në Moskë dhe për të dërrmuar muret mbrojtëse të Vjenës. Nga Halebi zë fill historia. Nga muret e kalasë së lashtë.
O Allah! Ndihmoje popullin mysliman syni të Shamit! Jepiu fitore kundër armikut të tyre! O Allah! Kthena në rrugën tënde të drejtë! Kthena në udhëzimin e profetit tënd! Kthena në sheriatin tënd! Jepna krenari dhe fitore! Na gëzo _o Allah_ me Kudsin dhe Shamin e çliruar! Amin! Amin! Amin!