Çështja e lartësive Golan
Tuesday, 10 December 2024 20:19
Nga hoxhë Florian Leli
Lartësitë Golan (ar. Xheulan) janë një rrafnaltë e njohur në qendër të Shamit historik, në veri të liqenit të Taberies, rreth 1200 m mbi nivelin e detit. Ajo ka një sipërfaqe afërsisht 1800 km2. Kryesisht ka qenë e banuar me popullsi druze, një sekt shit ismailit i shekullit V h. që janë vendosur këtu rreth 4-5 shekuj më parë, në mundësi për t’u fituar pavarësi nga Shteti Osman, ndaj të cilit janë rebeluar shumë herë.
Problemi politik i Lartësive Golan mes Izraelit dhe Sirisë e ka zanafillën në periudhën e kolonizimit të Shamit nga Britania dhe Franca. Me humbjet e shtetit Osman, Britania dhe Franca konolizuan Shamin historik duke u shkelur arabëve premtimet që u kishin dhënë për një shtet arab të pavarur. Fillimisht Golani u pushtua nga Britania e cila e përfshiu atë edhe në kufijtë e Mandatit Britanik të Palestinës të shpallur në vitin 1922, por Britania ia lëshoi Lartësitë Golan Francës pas një marrveshje dypalëshe në 7 mars 1923.
Kështu Golani i kaloi Mandatit Francez të Sirisë deri në vitin 1944. Me mbarimin e mandatit francez dhe shpalljen e pavarësisë së Sirisë në vitin 1946 u konsideruar tokë siriane dhe kështu u njoh nga OKB-ja dhe vazhdon të njihet.
Pas mbarimit të Mandatit Britanik për Palestinën dhe shpalljen e Izraelit në vitin 1948, Izraeli e pretendoi si tokë të tij, për shkak se ka qenë i përfshirë në Mandatin Britanik si pjesë e Palestinës historike (Izraelit sipas pretendimit të tyre) dhe dhurimi që Britania i bëri Francës në favor të Sirisë nuk ishte legjitim dhe nuk e tjetërsonte statusin historik të saj, kështu që rrjedhimisht është tokë izraelite, jo siriane.
Në luftën e vitit 67, Izraeli sulmoi tre shtete Egjiptin, Jordaninë dhe Sirinë dhe në mesin e tokave që pushtoi ishin edhe Lartësitë Golan duke pushtuar rreth 1300 km2 bashkë me kryeqendrën e Golanit, qytetin e Kunejtirës. Gjatë luftës së vitit 1973 ushtria siriane riktheu përkohësisht rreth 600 km2, por Izraeli arriti që t’i rimerte përpara mbarimit të luftës.
Në vitin 1974, Izraeli i ktheu Sirisë 60 km2 që përfshinte qytetin e Kunejtirës dhe nënshkroi me Sirinë marrëveshjen e armëpushimit, të njohur si marrëveshja e 74-ës. Marrëveshja u nënshkrua në Gjenevë të Zvicrës nën mbikëqyrjen e Bashkimit Sovjetik, SHBA-së dhe përfaqësuesve të OKB-së. Marrëveshja parashikonte formimin e një zone neutrale që do të ishte në kontrollin e OKB-së. Zona neutrale kishte një gjerësi 0.5 – 10 km dhe gjatësi prej 80 km.
Forcat paqeruajtëse kanë operuar në këtë zonë deri në këto momente dhe marrëveshja parashikonte që forca të përbëhej nga rreth 1250 ushtarë të kombësive të ndryshme. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje në 31 maj 1974, lufta mes Izraelit dhe Sirisë mori fund zyrtarisht.
Në vitin 1981 Parlamenti Izraelit miratoi një ligj për aneksimin e Golanit të pushtuar, i cili kishte një sipërfaqe rreth 1200 km2. Në 25 mars 2019, presidenti amerikan Donald Tramp nënshkroi një vendim që njihte Lartësitë Golan si pjesë e pandarë e sovanitetit izraelit. Organizatat ndërkombëtare nuk e kanë njohur asnjëherë sovranitetin e Izraelit në Golan dhe këto lartësi, në OKB konsiderohen akoma si territore siriane të pushtuara dhe në konflikt.
Me rrëzimin e regjimit të Beshar Esedit dhe tërheqjen e ushtrisë siriane nga pozicionet e saj, Izraeli e konsideroi marrëveshjen e vitit 1974 të pavlefshme dhe të përfunduar, duke ripushtuar Kuneitirën (të cilën e pati mbajtur të pushtuar për gjashtë vjet me rradhë 1967-73) dhe duke pushtuar edhe zonën neutrale dhe disa fshatra. Izraeli kërcënoi që do të plotësonte pushtimin e Lartësive Golan, por më pas në një deklaratë të mëvonshme u tërhoq duke thënë që këto operacione janë të përkohëshme.
Organizatat ndërkombëtare kanë kritikuar Izraelin për sulmet dhe kanë kërkuar zbatimin e plotë të marrëveshjes së vitit 1974 përfshi edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.