Lidhje


Kësaj here për Batonin dhe provokimin e tij primitiv

Nga Behar Kaceli

 

Artikulli "Hoxhallarët injorantë dhe importimi i errësirës" nga Baton Haxhiu, i publikuar më 27 shkurt 2025 në Periskopi, trajton transformimet e fundit në Arabinë Saudite dhe kontrastin me praktikat fetare në disa komunitete shqiptare. Haxhiu përshkruan përvojën e tij në Arabinë Saudite, duke vënë në dukje zhvillimet moderne si hotelet luksoze dhe projektet ambicioze infrastrukturore, të cilat pasqyrojnë një ndryshim drejt një shoqërie më të hapur dhe progresive. (Shyqyr që s'ka treguar të gjithë përvojat e tij atje)

 

Në të njëjtën kohë, ai kritikon faktin se në Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Shqipëri, disa hoxhallarë po promovojnë një interpretim të ngurtë dhe dogmatik të fesë, që bie ndesh me zhvillimet moderne dhe lirinë e mendimit.

 

Haxhiu thekson se ndërsa Arabia Saudite po ecën drejt modernizimit, disa komunitete shqiptare po përqafojnë praktika që vetë arabët po i braktisin. (Deri diku i jap të drejtë).

 

Kritika e Baton Haxhiut, në dukje ka disa pika të forta që e bëjnë argumentin e tij tërheqës për një lexues që nuk ka përvojë të praktikave fetare, por që nuk kanë lidhje me realitetin.

 

Ai sjell "Kontrastin mes Arabisë Saudite dhe komuniteteve shqiptare", ku thekson se ndërsa Arabia Saudite, e cila ka qenë burimi kryesor i një interpretimi të rreptë të Islamit, po modernizohet, disa hoxhallarë shqiptarë ende mbrojnë ide të ngurta.

 

"Qasja ndaj progresit", ku nënvizon se përqafimi i një feje të ngurtë mund të jetë një pengesë për zhvillimin shoqëror dhe ekonomik, ndërkohë që vetë vendet arabe po e braktisin këtë qasje.

 

"Shqetësimi për shoqërinë shqiptare", kritika nuk është thjesht një sulm ndaj hoxhallarëve, por një reflektim mbi rrezikun që shoqëria shqiptare të izolohet nga modernizimi global duke importuar ide të prapambetura.

 

"Argumenti i lirisë dhe mendimit kritik", ku Haxhiu sugjeron se interpretimi dogmatik i fesë kufizon lirinë e mendimit dhe debatin shoqëror, gjë që mund të dëmtojë zhvillimin e një shoqërie të hapur.

 

Nëse e sheh nga këndvështrimi i tij, ai synon të provokojë debat mbi rolin e Islamit në shoqëritë shqiptare dhe ndikimin e disa frymave radikale.

 

Në fakt, unë mendoj se kjo kritikë është e paqëndrueshme apo ka boshllëqe të shumta. Kritika e Batonit, ndonëse mundohet të sjellë argumente të forta "sipas tij", ajo ka disa pika të dobëta që mund të vihen në dukje lehtësisht.

 

E para, ai bën një "Generalizimi të tepruar", ku i përshkruan hoxhallarët si një grup homogjen që përhapin "errësirë", pa bërë dallime mes atyre që kanë qasje të skolastike të cilët janë të shumtë dhe atyre me interpretime më të rrepta, të cilët janë të paktë dhe jo në varësi të bashkësive islame. Batoni pa dashje në kritikën e tij këtë rrymë e sjellë si të importuar nga Saudia (ndoshtaka info për këtë). Kjo mund të krijojë një imazh të pasaktë dhe të padrejtë për të gjithë hoxhallarët, duke i përgjithësuar ata, ku vetë hoxhallarët shqiptar kanë bërë dhe po bëjnë një luftë të fortë intelektuale kundër kësaj rryme.

 

Batoni pa dashje, por që subkoshienca neosllaviste e tradhëton nganjëherë, bën "Ndërlidhjen e Islamit me prapambetjen" tezë sllave e viteve 20. Kritika sugjeron se interpretimi fetar është pengesë për modernizimin, pa marrë parasysh se shumë vende me shumicë myslimane (p.sh., Turqia, Malajzia, Emiratet e Bashkuara Arabe) kanë gjetur mënyra për ta harmonizuar fenë me zhvillimin. Ai e lidh prapambetjen vetëm me interpretimet fetare, duke anashkaluar faktorët e tjerë si arsimi, politika dhe ekonomia, të cilët luajnë një rol të madh në zhvillimin e një shoqërie.

 

Ai habitet nga "Paradoksi i modelit saudit", ku merr Arabinë Saudite si shembull modernizimi, por nuk përmend se ky modernizim është më shumë rezultat i politikave shtetërore dhe forcës ekonomike sesa i një ndryshimi të natyrshëm kulturor. Për më tepër, liritë individuale dhe demokratike në Arabinë Saudite mbeten të kufizuara, edhe pse vendi po modernizohet ekonomikisht. Ai ndërsa kritikon hoxhallarët që ndjekin interpretime të ngurta, nuk ka një vizion të qartë se si po zhvillohet një model shqiptar i Islamit dhe që është i pajtueshëm me progresin shoqëror. Toni provokues i tij mund të perceptohet si një sulm i drejtpërdrejtë ndaj fesë islame në tërësi, gjë që mund të shkaktojë reagime emocionale dhe të përçajë më shumë shoqërinë sesa të nxisë një debat konstruktiv.

 

Nëse do ta analizonim nga një këndvështrim më neutral, mund të thuhet se ai ka ngritur një debat të rëndësishëm, por mënyra se si e ka artikuluar kritikën lë hapësirë për kundërshtime.

 

Për mendimin tim Batoni mbetet primitiv në tezat e tij kritike ndaj islamit, mund të them me plot gojën që ai akoma po artikulon teza të viteteve 2001-2003 ku sulmet dhe akuzat ndaj islamit nuk kishin të bënin me vërtetësinë por me sasinë.

XS
SM
MD
LG