Pse bota nuk duhet t’i harrojë kurrë viktimat e gj.enocidit në Gaza

E drejta e popullit palestinez për liri dhe pavarësi kombëtare është e patjetërsueshme, e panegociueshme, dhe duhet të jetë plotësisht e barabartë me atë të gjithë popujve në mbarë botën. Duhen krijuar muzeume, si brenda ashtu edhe jashtë Gazës, për të dokumentuar krimet e Izraelit, për të shfaqur shkatërrimin dhe për të rrëfyer historitë e viktimave.
Nga Talal Ahmad Abu Rokbeh “Middle East Eye”
Ajo çfarë ka ndodhur në Rripin e Gazës për gati 2 vjet, nuk është thjesht një katastrofë humanitare; është një krim politik me pasoja të mëdha historike dhe gjeopolitike. Ajo ka nxjerrë në pah dobësitë e retorikës ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut, paqen dhe sigurinë, pasi një diskutim i tillë nuk ka bërë asgjë për të ndaluar masakrat e vazhdueshme të Izraelit, dhe as për të frenuar politikat e tij, që synojnë zhvendosjen me forcë të palestinezëve nga Gaza, aktualisht një nga varrezat më të mëdha të hapura në botë.
Megjithatë, gjenocidi ka zgjuar ndërgjegjet e njerëzve të lirë në mbarë globin, duke frymëzuar një mbrojtje kolektive të njerëzimit, drejtësisë dhe të drejtës së të gjithë popujve për vetëvendosje. Miliona zëra janë ngritur në të gjithë botën për të denoncuar masakrën e burrave, grave dhe fëmijëve palestinezë nga Izraeli në Gaza, së bashku me shkatërrimin e pjesës më të madhe të infrastrukturës të saj civile.
Shumë vende, përfshirë Britaninë e Madhe Bashkuar, Francën dhe Kanadanë, njoftuan sëfundmi njohjen e shtetit palestinez, duke theksuar nevojën për një proces politik të vërtetë drejt bashkëjetesës paqësore. Gjenocidi në Gaza, është bërë i pamundur për t’u injoruar edhe nga shtetet që e kanë mbështetur prej kohësh Izraelin.
Ajo që ka ndodhur gjatë 2 viteve të fundit, shënon një nga krimet më të tmerrshme kundër njerëzimit në epokën moderne. Janë shënjestruar civilët, është bllokuar ndihma humanitare dhe janë fshirë nga harta lagje të tëra. Ushqimi është përdorur si një mekanizëm shfarosjeje, me mijëra palestinezë të uritur të vrarë nga forcat izraelite në qendrat e shpërndarjes së ndihmave.
Izraeli ka shkelur në mënyrë flagrante të drejtën ndërkombëtare humanitare, duke shpërfillur normat dhe konventat globale, siç theksohet nga një mori raportesh nga Kombet e Bashkuara dhe grupimeve të tjera të të drejtave të njeriut.
Momenti që duhet të shënojë një pikë kthese
Ky agresion brutal, nuk është vetëm një tragjedi njerëzore, por edhe një pikë kthese në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, duke i nxitur shumë vende të rishqyrtojnë qëndrimet e tyre ndaj konfliktit, ndërkohë që ekspozojnë standardet e dyfishta të ngulitura brenda sistemit ndërkombëtar.
Dhe kjo ngre disa pyetje jetike se si të ruhet kujtimi i viktimave, dhe si të dokumentohen krimet e tmerrshme të Izraelit për të parandaluar përsëritjen e tyre. Një vlerësim i gjenocidit në Gaza, zbulon një sërë të vërtetash dhe ndryshimesh në peizazhin e konfliktit izraelito-palestinez.
Ai e ka demaskuar pretendimin e ushtrisë izraelite se është “ushtria më e moralshme në botë”, pasi e ka përdorur forcën me shumë teprim dhe në mënyrë të pajustifikuar. Rreth gjysma e më shumë se 67.000 njerëzve të vrarë në Gaza, kanë qenë gra dhe fëmijë.
Shkeljet e shumta të Izraelit, kanë përfshirë edhe shënjestrimin e spitaleve, qendrave shëndetësore, strehimoreve dhe shkollave, së bashku me bombardimin e shtëpive me civilë brenda. Izraeli akuzohet për përdorimin e armëve të ndaluara ndërkombëtarisht dhe vendosjen e një bllokade mbytëse, e cila ka çuar në përhapjen e urisë dhe zisë së bukës në Gaza.
Aktet mizore në Gaza - një shkatërrim sistematik i ekzistencës njerëzore - duhet të gdhenden në ndërgjegjen kolektive globale. Njëkohësisht, zhvendosja me forcë e palestinezëve në vende si Al-Mawasi, i etiketuar në mënyrë të pandershme si një “zonë e sigurt”, e ka përkeqësuar krizën, në mungesë të ndonjë kapaciteti lokal për të përballuar fluksin masiv të njerëzve, dhe teksa Izraeli ka vazhduar ta bombardojë këtë zonë.
Për sa i përket të drejtave të njeriut dhe ligjit ndërkombëtar, gjenocidi ka ekspozuar standardet e dyfishta të shumë kombeve që pretendojnë se i mbështesin këto parime, ndërkohë që njëkohësisht i ofrojnë mbështetje politike dhe ushtarake Izraelit për të vazhduar gjenocidin e tij.
Publiku në mbarë botën, po e humbet besimin tek rendi aktual global, teksa aktivistët perëndimorë po organizojnë protesta dhe nxisin qeveritë e tyre që të ndryshojnë kursin.
Ky ishte një faktor kyç që solli edhe njoftimet e shumta muajt e fundit për njohjen e shtetit të Palestinës.
Njëherazi, po fillojmë që të shohim kristalizimin e aleancave ndërkombëtare, të cilat e sfidojnë rendin tradicional, dhe ndoshta fillimin e një pavarësie më të madhe në kryeqytetet evropiane, larg vizionit të përbashkët SHBA -Izrael. Tek e fundit, kjo qasje e re mund të çojë në fundin e epokës së hegjemonisë amerikane.
Gjuha njerëzore
Ekziston një nevojë e domosdoshme për ta ngulitur kujtimin e këtij gjenocidi në vetëdijen dhe ndërgjegjen globale, për t’u siguruar që këto mizori të mos përsëriten kurrë në të ardhmen, dhe për të ushtruar një presion të vazhdueshëm për të pasur drejtësi.
Ne kemi nevojë për dokumentarë dhe filma artistikë që të përjetësojnë dëshmitë e gjalla, dhe t’i rrëfejnë këto tmerre në një gjuhë njerëzore që arrin tek njerëzit në mbarë botën. Duhen krijuar muzeume, si brenda ashtu edhe jashtë Gazës, për të dokumentuar krimet e Izraelit, për të shfaqur shkatërrimin dhe për të rrëfyer historitë e viktimave.
Materialet edukative mbi konfliktin izraelito-palestinez, duhet të integrohen gjerësisht në kurrikulat e shkollave në mbarë botën, për të ndërtuar ndërgjegjësimin midis brezave të ardhshëm mbi rëndësinë e jashtëzakonshme që ka lufta ndaj padrejtësisë.
Po ashtu, duhet të ketë një ditë globale përkujtimore për gjenocidin në Gaza, të organizuar nga OKB-ja, e cila të shoqërohet me organizimin e ngjarjeve politike dhe kulturore në mbarë botën. Kalimi i dy viteve që nga fillimi i gjenocidit në Gaza, nuk është thjesht një llogaritje kohore.
Përkundrazi, ai është një thirrje urgjente për të ruajtur kujtesën njerëzore si një akt rezistence por e dhe si një busull morale për botën. Mizoritë në Gaza - një shkatërrim sistematik i ekzistencës njerëzore - duhet të gdhenden në ndërgjegjen kolektive globale, si një nga kapitujt më të tmerrshëm të historisë.
Kjo nënkupton çmontimin e të gjitha përpjekjeve për të justifikuar ose normalizuar krimet e Izraelit. Gjithashtu, kjo kërkon garantimin e një mbështetjeje të pakushtëzuar për gjykatat ndërkombëtare, në mënyrë që krimet kundër njerëzimit të mos mbrohen nga imuniteti politik, duke siguruar kështu vazhdimësinë e vlerave dhe standardeve të vendosura pas Luftës së Dytë Botërore për të mbrojtur paqen dhe sigurinë globale.
Dy vjet pas fillimit të gjenocidit në Gaza, kemi arritur në një pikë kthese vendimtare në historinë e njerëzimit. Është përgjegjësia jonë morale dhe politike që të rindërtojmë sistemin ndërkombëtar për të hequr ndikimin e padrejtë të fuqive koloniale.
E drejta e popullit palestinez për liri dhe pavarësi kombëtare është e patjetërsueshme, e panegociueshme, dhe duhet të jetë plotësisht e barabartë me atë të gjithë popujve në mbarë botën. Përtej rindërtimit fizik të Gazës, bota duhet të angazhohet për të mos lejuar kurrë zbehjen e kujtimit të këtij gjenocidi. Pra duhet të ketë një premtim solemn për të parandaluar përsëritjen e tij kundër çdo popullsie apo populli kudo në botë.
Rruga drejt paqes fillon me sigurimin e drejtësisë gjithëpërfshirëse, përfundimin e pushtimit dhe krijimin e një shteti palestinez. Vetëm atëherë bota mund të jetë e sigurt se britmat e Gazës nuk ishin të kota, dhe se viktimat e saj civile nuk janë thjesht statistika të ftohta, por një ngacmim i ndërgjegjes në kërkimin e njerëzimit për drejtësi.
Shënim: Talal Ahmad Abu Rokbeh, studiues politik palestinez me banim në Gaza dhe analist politikash me Al-Shabaka, Rrjetin e Politikave Palestineze.