Dallime thelbësore midis planeve të paqes në Gaza dhe Ukrainë
Një ndryshim vendimtar në zhvillimin e dy planeve, ka qenë roli i luajtur nga forcat e jashtme. Plani i paqes për Gazën jo vetëm që nuk arrin të njohë sovranitetin palestinez, por po bën çmos që ta zhdukë atë.
Nga James Zogby “Arab Weekly”
Brenda një jave, administrata Trump miratoi një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbi Gazën dhe publikoi një plan paqeje me 28 pika për Ukrainën. Analistët dhe kritikët, kanë vënë re si ngjashmëri ashtu edhe dallime të mëdha midis dy nismave.
Së pari, që të dyja planet duket se nxiten në parim nga qëllimi i thjeshtë dhe i lavdërueshëm i dhënies fund të dhunës së vazhdueshme. Megjithatë, problemet nisën të shfaqen që në fillim nga hartimi i tyre pa kontributin e palestinezëve ose ukrainasve.
Origjina e saktë e planit të paqes për Gazën mbetet disi e errët, por mungesa e pjesëmarrjes palestineze është shumë e dukshme. Edhe origjina e planit ukrainas, ka qenë subjekt i disa debateve. Në fillim SHBA-të pretenduan se ai ishte zhvilluar në bashkëpunim me rusët, dhe bazuar tek një draft rus, përpara se të mohonin çdo përfshirje të Uashingtonit.
Më vonë ata “sqaruan” se kishte qenë një përpjekje e përbashkët SHBA-Rusi. Pas kundërshtimit nga evropianët dhe disa senatorë republikanë, administrata Trump u angazhua në konsultime me ukrainasit, duke bërë disa ndryshime që mund të jenë ose jo të pranueshme për rusët.
Dhe pikërisht këtu qëndron një nga ndryshimet e mëdha midis dy planeve. Ukraina njihet si një entitet sovran, pavarësisht se drafti i planit lejon shkelje të sovranitetit të saj. Ndërkohë, plani i paqes për Gazën jo vetëm që nuk arrin të njohë sovranitetin palestinez, por bën çmos që ta fshijë atë.
Ai i nënshtron palestinezët ndaj tekave të Izraelit dhe organeve ndërkombëtare, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, të cilat do të jenë të pozicionuara për të marrë vendime që do të formësojnë të ardhmen e popullit palestinez.
Ka ende disa referenca të ngurta për sovranitetin palestinez, një “përkulje plot respekt” ndaj propozimit franko-saudit, referenca për një forcë policore palestineze, dhe ndaj idesë se një Autoritet Kombëtar Palestinez i reformuar “mund’ të përfshihet në plan në të ardhmen.
Por këto varen nga kushtet e përcaktuara nga të tjerët, dhe jo nga të drejtat në parim. Dhe kjo e zbeh entuziazmin e madh që shoqëroi Sesionin Special mbi Palestinën, që i parapriu hapjes së Asamblesë së Përgjithshme të këtij viti, kur disa shtete e njohën zyrtarisht shtetin palestinez.
Veçanërisht shqetësuese në këtë përçmim të AP-së, është mungesa e pranimit nga arkitektët e planit të Gazës se për 3 dekada, Izraeli ka bërë çmos për të siguruar dështimin e Autoritetit Palestinez.
Sot, ndërsa AP-ja përfaqëson ende konceptualisht premtimin e shtetësisë palestineze, po shihet gjithnjë e më shumë në Bregun Perëndimor si një subjekt vartës që vepron në emër të Izraelit dhe jo si një entitet i pavarur vetëqeverisës që përfaqëson aspiratat palestineze.
Plani i Gazës mbi reformat e Autoritetit Palestinez, ngre një sërë pyetjesh. Çfarë janë saktësisht këto reforma? A mund të zbatojë Autoriteti Palestinez reforma nën dominimin e vazhdueshëm izraelit të Bregut Perëndimor?
Me Izraelin si një nga palët e caktuara për të vendosur dhe matur sukseset e reformave, a do të ketë Autoriteti Palestinez besueshmërinë që i nevojitet për të qeverisur, apo do të shihet si agjent i sovranit të vërtetë, Izraelit?
Së fundmi, ndërsa versioni fillestar i planit të paqes për Ukrainës përfshin disa kufizime ndaj Rusisë, madje edhe para raporteve të fundit për modifikime ende të pa konsultuara me ukrainasit, në planin e OKB-së për Gazën nuk ka kufizime të tilla të vendosura ndaj Izraelit.
Edhe “armëpushimi” mbi të cilin është rënë dakord mbetet i pazbatuar. Izraeli po vepron pa u ndëshkuar si zbatuesi i vetëm i armëpushimit, duke bombarduar çdo ditë palestinezët. Për më tepër, ai kontrollon ende hyrjet dhe daljet në pjesën e Gazës nga e cila është tërhequr, teksa palestinezët mbeten kryesisht pa strehim, ushqim dhe shërbime mjekësore të përshtatshme në një kohë që dimri është në prag.
Një ndryshim vendimtar në zhvillimin e dy planeve, ka qenë roli i luajtur nga forcat e jashtme. Ukraina ka mbështetjen e një blloku evropian pothuajse të bashkuar, së bashku me mbështetjen e republikanëve në SHBA të nxitur nga armiqësia anti-ruse.
Ishte kjo që e zbuti edhe planin fillestar prej 28 pikash të SHBA-së. Ndërsa plani i Gazës e ka origjinën në një draft arab. Shtetet arabe dhe të tjerët, ishin në gjendje të fusnin disa fjalë në rezolutën e OKB-së për Gazën, por kur SHBA-të dhe Izraeli e përfunduan draftin dhe kur presidenti Trump dha miratimin për të, të drejtat e palestinezëve kishin humbur.
Nuk është tepër vonë që arabët të kërkojnë kushte më të mira, që palestinezët të vënë vetë rregull në shtëpitë e tyre, duke krijuar një plan të unifikuar kombëtar qeverisjeje për Bregun Perëndimor dhe Gazën, dhe që arabët dhe palestinezët të këmbëngulin që ato kombe që e kanë njohur shtetësinë palestineze, të bëjnë thirrje për rihapjen e debatit mbi të ardhmen e Palestinës.
Mjerisht, nëse nuk bëhen ndryshime në këtë plan, shumë shpejt do të jemi përsëri aty ku kemi filluar.
Shënim: James J.Zogby, është president i Institutit Arabo-Amerikan me qendër në Uashington.