Lidhje


LISTA E PLOTË/ 1 miliard euro vjedhje? - Rrugët që po çahen dhe po shemben në Shqipëri

 

Rreth 1 miliard euro investime publike në infrastrukturë rrugore rezultojnë sot të përfshira në lista dëmtimesh, çarjesh, rrëshqitjesh dhe bllokimesh në disa nga akset më të rëndësishme të vendit, duke ngritur një debat serioz jo vetëm teknik, por thellësisht politik mbi mënyrën si janë projektuar, mbikëqyrur dhe realizuar këto projekte. Nga Juglindja në Jug dhe nga Dibra në Vlorë, segmente të reja – disa prej tyre të inauguruara me ceremoni zyrtare dhe propagandë triumfale – kanë shfaqur probleme serioze brenda një kohe të shkurtër nga përfundimi i punimeve.

 

Debati është intensifikuar veçanërisht në një moment kur ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ndodhet në qendër të vëmendjes publike dhe politike për skandale korruptiv që lidhen pikërisht me disa nga këto projekte infrastrukturore, duke e kthyer çdo problem teknik në një çështje me peshë të drejtpërdrejtë politike.

 

Rasti më tronditës është aksi Librazhd–Pogradec, me një kosto rreth 50 milionë euro, i cili në shkurt 2026 pësoi çarje të thella dhe shembje në zonën e “Arrave të Gurrës”, duke u bërë i pakalueshëm dhe duke dëmtuar edhe bypass-in provizor; një investim që duhej të garantonte lidhjen strategjike të Juglindjes u kthye brenda natës në simbol të paqëndrueshmërisë infrastrukturore.

 

Probleme janë evidentuar edhe në zgjerimin e rrugës Elbasan–Qafë Thanë, në Fazën III dhe Fazën IV, secila me fond prej 23.6 milionë euro, ku janë raportuar rrëshqitje dhe çarje që kanë ngritur pikëpyetje mbi studimet gjeologjike, mbikëqyrjen teknike dhe standardet e zbatimit. Në jug, aksi Lumi i Vlorës–Himarë, me kosto rreth 98 milionë euro (97.4 milionë dollarë), ku 27.4 milionë janë fonde direkte të qeverisë shqiptare dhe pjesa tjetër financim nga Kuvajti dhe Arabia Saudite, ka shfaqur problematika strukturore dhe çarje në segmente të caktuara, ndërkohë që ishte prezantuar si një projekt transformues për turizmin bregdetar.

 

Një tjetër investim i madh, Qukës–Qafë Plloçë, me kosto rreth 240 milionë euro, ka përjetuar dëmtime dhe rrëshqitje në lote të ndryshme, duke e kthyer në debat të vazhdueshëm çështjen e cilësisë së punimeve dhe përgjegjësisë kontraktore. Edhe projekte me buxhet më modest nuk i kanë shpëtuar problemeve: Unaza e Burrelit, me vlerë rreth 1.2 milionë euro, u dorëzua dhe brenda pak kohe shfaqi dëmtime, duke u bërë simbol i një modeli ku investimi përfundon në faturë, por jo në qëndrueshmëri afatgjatë.

 

Problemet nuk janë kufizuar vetëm te segmentet e hapura, pasi edhe tunele strategjike janë përfshirë në debate publike; në Tunelin e Murrizit, pjesë e Rrugës së Arbërit, janë ngritur shqetësime për çarje të raportuara dhe për çështje që lidhen me kolaudimin teknik, ndërsa në Tunelin e Llogarasë janë raportuar rrjedhje uji në brendësi, çka ka shtuar dyshimet mbi izolimin dhe standardet e ndërtimit, edhe pse nuk ka raportime për shembje totale.

 

Kur projekte që kapin vlerën e afro 1 miliard eurove shfaqin dëmtime në një periudhë kaq të shkurtër, çështja nuk mbetet më thjesht natyrore apo teknike, por bëhet thelbësisht politike: a janë kryer studimet e duhura gjeologjike, a ka pasur kontroll real mbi cilësinë, a janë respektuar standardet europiane të ndërtimit dhe, mbi të gjitha, kush mban përgjegjësi kur rrugët që inaugurohen me flamuj dhe fjalime përfundojnë të çara, të fundosura apo të bllokuara?

 

Ndërsa qeveria i ka paraqitur këto investime si prova të një transformimi historik të infrastrukturës shqiptare, qytetarët përballen me devijime, pasiguri dhe rrugë që kërkojnë ndërhyrje të reja pak kohë pas përfundimit, ndërkohë që kostoja për taksapaguesit mbetet e plotë dhe e pakthyeshme.

XS
SM
MD
LG