Lidhje


Kur pushteti u tall me pankartën dhe sot kërkon seriozitet përballë korrupsionit

Konflikti mes Myftinisë së Shkodrës dhe kryebashkiakut Benet Beci nisi për një parcelë toke pranë Xhamisë “Ebu Beker”, që Myftinia e konsideron pronë vakëf. Sipas tyre, në atë zonë po zhvillohet një projekt ndërtimi që prek ose cenon këtë pronë, pavarësisht vendimeve gjyqësore të mëparshme për pronësinë. Si reagim, Myftinia vendosi tabela me mesazhe kundër zaptimit të pronës vakëf, me përmbajtje morale dhe paralajmëruese. Tabela mbante mbishkrimin profetik: “kush grabit padrejtësisht qoftë edhe një pëllëmbë tokë, Allahu në ditën e Kiametit ka për t’i varur në qafë shtatë palë tokë”.

 

Policia bashkiake ndërhyri dhe i hoqi tabelat, edhe nga oborri i xhamisë, duke shkaktuar përplasje publike. Myftinia e cilësoi ndërhyrjen si të padrejtë dhe denoncoi mungesë respekti ndaj institucionit fetar. Nga ana tjetër, Bashkia e trajtoi çështjen si problem rendi dhe rregullash administrative.

 

Në atë periudhë pati një valë të gjerë reagimesh në mbështetje të Myftinisë dhe kauzës së saj për mbrojtjen e pronës vakëf. Shumë qytetarë e panë çështjen si një problem parimor  të drejtës së pronës dhe respektimit të institucioneve fetare.

 

Por paralelisht shpërtheu edhe një valë histerie nga një segment i zëshëm islamofobësh dhe patronazhistësh, të cilët të verbuar nga interesi politik apo nga paragjykimi ideologjik, u rreshtuan menjëherë në mbështetje të ndërhyrjes së policisë. Në vend të debatit racional mbi pronësinë dhe ligjshmërinë, u përdorën etiketime të nxituara, fyerje dhe relativizime që synonin ta zhvendosnin thelbin e problemit nga e drejta tek paragjykimi. Ajo që mund të ishte një diskutim serioz mbi pronën dhe ligjin, u kthye në një fushatë etiketimesh emocionale, ku zëri i arsyes u mbulua nga zhurma e interesit dhe urrejtjes.

 

Këto ditë, në një zhvillim krejt tjetër, kryetari i Bashkisë Shkodër kërkon gjykim të shkurtuar në një proces për korrupsion, një lëvizje procedurale që, nëse shpallet fajtor, nënkupton ulje dënimi. Dhe pikërisht këtu përplaset thelbi i kësaj historie.

 

Në atë kohë, një mesazh moral për pronën u konsiderua i tepërt. U hoq si “problem administrativ”. U relativizua si retorikë fetare. Madje pati zëra që e ironizuan si dramë të sajuar. Sot, kur ligji penal hyn në lojë për një akuzë që lidhet me barazinë dhe drejtësinë në përdorimin e fondeve publike, askush nuk flet më për “teprime morale”. Papritur, ligji bëhet serioz. Papritur, procedura bëhet e shenjtë.

 

Kjo është dikotomia jonë therrëse: kur morali paralajmëron për padrejtësi, ai shihet si i bezdisshëm, kur ligji troket për korrupsion, ai trajtohet si teknikë mbrojtjeje.

 

Në thelb, ligji dhe morali nuk janë armiq. Ligji është forma e institucionalizuar e moralit publik. Ai ekziston për të mbrojtur drejtësinë, jo për ta anashkaluar atë me formula procedurale. Kur morali u përjashtua nga hapësira publike me argumentin e rregullit, u krijua një boshllëk. Sot ai boshllëk rikthehet si krizë besimi. Në vet institucionet, në vet rendin ligjor.

 

Nëse një zyrtar publik përballet me akuzë për korrupsion dhe zgjedh rrugën e shkurtuar, kjo është e drejtë ligjore. Por nuk e shuan pyetjen morale: a ishte i padrejtë paralajmërimi për pronën? A ishte i tepruar mesazhi për përgjegjësi? Apo ndoshta ishte më profetik se sa u pranua?

 

Ironia është e ftohtë: mesazhi për “një pëllëmbë tokë” u trajtua si problem estetik; ndërsa sot përflitet për shkelje që prekin barazinë në tendera – pra barazinë e qytetarëve përballë fondeve publike. Shoqëritë rrënohen jo kur morali flet fort, por kur ligji ndahet prej tij. Sepse kur ligji mbetet vetëm procedurë dhe morali mbetet vetëm pankartë, drejtësia kthehet në formalitet. Dhe formaliteti nuk ndërton besim aq më tepër vjedhja e pronës apo abuzimi me pushtetin.

XS
SM
MD
LG