Lidhje


25 TON HURMA!/ "Tallavaja institucionale" vazhdon.....

Nga hoxhë Florian Leli
 
 
Edhe këtë vit gylenxhitë e Komunitetit Mysliman organizuan në bashkëpunim me Ambasadën Saudite një ceremoni me rastin e mbërritjes së hurmave në Shqipëri dhe inagurimin e fillimit të shpërndarjes së tyre. Sigurisht do të ketë edhe foto të mëtejshme për shpërndarjen dorë më dorë. Nuk e kuptoj çfarë na kujtojnë sauditët ne shqiptarët, ca endacakë të skamur që nuk kemi bukë të hamë apo lypësa që u kemi shtrirë dorën sheikëve “zemërmëdhenj”! Po flas me këtë gjuhë sepse si shqiptar mysliman më takon të dal në mbrojtje të dinjitetit dhe sedrës sime këtu në vendin tim.
 
 
A një ngarkesë me hurma, që nuk është më shumë se ngarkesa e një tregtari të zakonshëm hurmash, kërkon që të ngrihet në këmbë një institucion i tërë si Komuniteti Mysliman dhe të vijë ambasadori i Saudisë dora vetë! Hurma janë të shkretat! Për ne shqiptarët myslimanë nuk janë ushqim parësor, janë vetëm një frut që e përdorim në mënyrë të kufizuar, kryesisht për të përmbushur ndonjë sunet fetar islam. Nuk është për ne produkt bazik dhe as jetik. Gjendet në tregun tonë me shumicë dhe çmime të përshtatshme dhe të përballueshme për të gjithë.
 
 
 
Të shpërndanin thasë me miell dhe kuti me ushqime bazike në zona të largëta dhe për njerëz në nevojë do t’u thoshim aferim, hallall e paçi e Zoti jua pranoftë! Sidoqoftë edhe atëherë nuk do t’u takonte sheikëve të Arabisë të na ofendonin me të tilla reklamime dhe ekspozime. Ne nuk jemi të skamur e pabuksa. Do të mjaftonte një lajm me disa foto pa pasur nevojë për ceremoni inagurimi me përfaqsues të lartë, ceremoni të cilat në këtë formë jo vetëm bien ndesh me udhëzimet dhe synimet e sheriatit, por janë edhe një risi dhe bidat i shpikur që nuk ka ekzistuar në mesin e myslimanëve më parë. Hurma janë të shkretat!
 
 
T’i biesh gjoksit për 25 ton hurma dhe ne t’i duartrokasim! Një makinë e ambasadës kushton më shumë se i gjithë projekti. Vetë makina e Spahiut është më e shtrenjtë se sa aq hurma.
 
 
Ky inagurim nëse dëshmon për diçka, dëshmon për nivelin ku ka arritur institucioni i KMSH-së. Ne nuk presim nga KMSH-ja të na shpërndajë hurma. Bamirësitë le t’ia lënë bamirësve, aktivistëve dhe shoqatave humanitare. Nuk presim nga Spahiu bamirësi por të kryejë detyrat me të cilat është ngarkur. Bujar Spahiu është përzgjedhur në atë post për të përmbushur detyrat që ia imponon ai post i rëndë. Ne kërkojmë nga KMSH-ja të rikthejë arsimin islam tashmë të denigruar, t’u ndërtojë myslimanëve të Shqipërisë xhami dhe musala të mjaftueshme për të kryer adhurimet e tyre, sepse këto ekzistueset nuk përmbushin as çerekun e nevojave të xhematit mysliman në rritje. Ne si myslimanë presim që KMSH-ja të jetë në pararojë të problemeve dhe sfidave sociale dhe fetare që hasin myslimanët shqiptarë, si në institucionet shtetërore ashtu edhe në shoqëri. Nuk kemi nevojë për një grusht hurma. Hurmat i blejmë vetë. Edhe po nuk i blemë nuk u bë nami. Nuk çalon gomari nga veshët.
 
 
Sidoqoftë, ato hurma erdhën që erdhën, të paktën ambasadori saudit t’i shpërndajë vetë e të mos ua lërë në dorë gylenxhive, në mënyrë që të mos përfundojnë në treg të zi. Ata që kanë shitur medrese e vakëfe nuk e kanë për gjë të bëjnë tregëti me ca ton hurma. Edhe këto inagurime një farë tregtie bashkëkohre janë në të vërtetë. Më dëgjoni mua çfarë ju them! Ue selam alejkum dhe mbetçi mirë e me shëndet!
XS
SM
MD
LG