A e kemi kthyer Sadakatul-Fitrin në formë, duke humbur shpirtin e saj?
Nga Alban Gorishti
Në çdo Bajram, një pyetje e heshtur endet në ndërgjegjen tonë: a po e realizojmë vërtet qëllimin e Sadakatul-Fitrit, apo thjesht po përmbushim një formë të trashëguar? Parimi i njohur në usul, “El ibra bil mekasid, (la bil eshkal)” (Ndonjëherë merret parasysh qëllimi, jo vetëm forma), na fton të ndalemi dhe të reflektojmë. Sadakatul Fitri, siç është përcjellë nga koha e Profeti Muhamed a.s, ka pasur një funksion të qartë, të pastrojë agjërimin dhe të sigurojë që i varfri të mos mbetet në nevojë në ditën e Bajramit. Pra, thelbi nuk ishte thjesht “dhënia e ushqimit”, por garantimi i një dite dinjitoze dhe të gëzueshme për çdo individ në shoqëri.
Megjithatë, në praktikën tonë bashkëkohore, shpesh kjo sadaka reduktohet në disa produkte bazë, miell, makarona, oriz. Ushqime të domosdoshme, pa dyshim , por a janë ato simbol i gëzimit të Bajramit? A janë ato që një familje do të zgjedhë për tryezën e festës? Apo janë thjesht rezerva për ditët që vijnë?
Këtu lind tensioni midis formës (nes) dhe qëllimit (mekasid). Disa do të thonë se devijimi nga forma e transmetuar është i rrezikshëm, se rruga e sigurt është ajo e tekstit. Por historia e fikhut nuk ka qenë kurrë statike. Ajo ka njohur gjithmonë një dinamikë të brendshme interpretimi, të quajtur ixhtihad, që kërkon të ruajë thelbin duke u përshtatur me realitetin.
Në këtë kontekst, propozimi im psh për të ofruar ushqim të gatshëm për familjet në nevojë në ditën e Bajramit , përmes një shërbimi katering , nuk është një thyerje e traditës, por një thellim i saj. Është një përpjekje për ta kthyer sadakanë nga një akt formal në një përjetim real.
Imagjino një nënë me disa fëmijë jetimë. Në vend që të marrë një thes miell dhe të përballet me lodhjen e gatimit, ajo hap derën dhe gjen një vakt të përgatitur me kujdes. Në atë moment, sadakaja nuk është më një barrë për t’u menaxhuar, është një gëzim i drejtpërdrejtë, një lehtësim, një nderim.
Ky është pikërisht realizimi i mekasideve Dijetarë të mëdhenj si Ibn Tejmije dhe nxënësi i tij Ibn Kajjim el Xheuzi kanë theksuar se forma e dhënies mund të ndryshojë sipas zakoneve dhe nevojave të njerëzve. Madje, ata përmendin se në vende ku një ushqim i caktuar është bazë, ai mund të zëvendësojë format klasike , si p.sh. lejimi i dhënies së peshkut në rajone ku ai është ushqimi kryesor. Ky nuk është relativizim i fesë, por kuptim i thellë i saj. Nëse Sadakatul-Fitri është një ibadet që synon pastrimin e agjëruesit dhe pasurimin e të varfrit në ditën e Bajramit, atëherë parimi i njohur “الأمور بمقاصدها” na detyron të pyesim: a po e realizojmë këtë qëllim me format tona aktuale, apo thjesht po ruajmë një kornizë që ka humbur efektin e saj real?
Prandaj, ideja e një organizimi kolektiv , ku përzgjidhen familje në nevojë dhe u dërgohet ushqim i gatshëm për Bajram, përfaqëson një ixhtihad që mund të krijojë një traditë të re të shëndetshme. Një traditë që:ruan dinjitetin e përfituesit, realizon gëzimin e ditës së festës dhe e afron shoqërinë me frymën reale të solidaritetit.
Pyetja ime është: a jemi të gatshëm ta shohim fenë jo vetëm si një listë formash për t’u zbatuar, por si një sistem që synon të ndërtojë mirëqenie reale? Sepse ndoshta sfida jonë më e madhe sot nuk është të dimë vetëm çfarë është transmetuar, por të kuptojmë pse është transmetuar. Dhe nëse arrijmë tek ky “pse”, atëherë çdo formë që e realizon atë me sinqeritet dhe urtësi, bëhet pjesë e gjallë e traditës, jo devijim prej fesë.