Nga devijimi shpirtëror te projekti i kontrollit të masave, Fethullah Gyleni dhe logjika e “Samiriut modern”
Nga Alban Gorishti
Ndërsa mali Tur (mali ku Musai a.s. mori shpalljen dhe ligjin drejtpërdrejt nga Zoti) përfaqëson lidhjen e pastër me Allahun, viçi i artë (një statujë prej ari e ndërtuar nga Samiriu që prodhonte tingull për të krijuar iluzionin e “jetës”) përfaqëson deformimin e kësaj lidhjeje në diçka materiale. Ironia tragjike e atij momenti ishte se ndërsa Musai a.s., profeti që i udhëhoqi dhe i shpëtoi, po merrte ligjin hyjnor, populli i tij , Beni Israilët, që sapo kishin parë mrekulli dhe shpëtim prej Faraonit , po krijonin një zot artificial duke zëvendësuar kështu Zotin e shpëtimit me një simbol të ndërtuar nga vetë duart e tyre.Pra, po zëvendësonin udhëzimin hyjnor me një besim të mbështetur në ndjesi të manipuluara dhe iluzion.
Kjo nuk ndodhi rastësisht. Ndodhi nën ndikimin e Samiriut, një njeri që nuk i thirri të mohonin Zotin, por i devijoi në mënyrë më të sofistikuar duke u ofruar diçka që dukej, dëgjohej dhe përjetohej menjëherë. Ai nuk ua hoqi besimin, ua deformoi mënyrën si e përjetonin atë. Problemi nuk ishte vetëm se çfarë adhuruan, por si filluan ta kuptonin fenë, nga e vërteta e bazuar në shpallje tek ajo që duket bindëse për shqisat.
Ky është një model që përsëritet në histori. Sa herë që feja largohet nga kriteret e saj të qarta, Kur’ani, Suneti dhe metodologjia e dijes dhe fillon të ndërtohet mbi individualitetin njerëzor, përjetimet subjektive dhe narrativat emocionale, ajo bëhet e manipulueshme. Pikërisht në këtë pikë vendoset edhe thelbi i kritikave ndaj Fethullah Gylen: jo thjesht si figurë politike, por si fenomen që përfaqëson një zhvendosje akaidore me pasoja të drejtpërdrejta në kontrollin e masave shumë ngjashëm me atë që dëshiroi të bënte Samiriu i kohës së Musait.
Një nga devijimet më të dukshme është mënyra si ndërtohet autoriteti i liderit. Në diskursin e rrethit të tij, kritika ndaj figurës së tij nuk shihet si pjesë e një procesi normal verifikimi, por si dobësi apo si shërbim ndaj kundërshtarëve. Në shkrimet e disa mbështetësve, si Ali Ünal, sugjerohet se vetë pyetja “a ka gabuar lëvizja?” është e papranueshme për besimtarët e vërtetë. Kjo krijon një atmosferë ku lideri vendoset praktikisht mbi kritikën, duke i dhënë një status që në thelb i afrohet një lloj “pagabueshmërie” të nënkuptuar, një koncept që bie ndesh me parimet bazë të Islamit sunit.
Kjo shoqërohet me një tjetër shtrembërim të rëndësishëm: përdorimin e elementeve mistike si burim autoriteti. Janë raportuar raste ku vendime apo orientime justifikohen përmes ëndrrave, ku pretendohet se Profeti a.s jep udhëzime konkrete në mënyrë të drejtpërdrejtë, apo ku aktivitete të lëvizjes paraqiten si të “bekuara” në mënyrë të jashtëzakonshme. Në një bisedë të bërë publike, një bashkëpunëtor i referohet një mesazhi të pretenduar nga Profeti për të rritur aktivitetin në rrjete sociale, dhe përgjigjja e Gylenit ishte ta ndiqnin atë pa hezitim. Këtu kemi një zhvendosje të qartë: nga argumenti i verifikueshëm tek përjetimi i paverifikueshëm.
Kjo mënyrë mendimi nuk mbetet vetëm në teori. Ajo shfaqet edhe në forma konkrete dhe popullore, pretendime që kundërshtarët po u bëjnë magji paralajmërojnë njerëzit të mos hanë ushqime “se janë të mallkuara” madje besojnë se përgjigjet e provimeve u vijnë në ëndrra apo “nga lart”. Pra, realiteti fillon të interpretohet jo përmes fakteve dhe arsyes, por përmes elementeve të padukshme që nuk mund të kontrollohen. Dhe pikërisht kjo e bën më të lehtë manipulimin: sepse kur diçka nuk verifikohet, ajo nuk sfidohet dot.
Këtu paralelja me Samiriun bëhet thelbësore. Samiriu nuk ndërtoi thjesht një viç, ai ndërtoi një eksperiencë. Një objekt që prodhonte tingull, që dukej “i gjallë”, që i jepte popullit ndjesinë se po përjetonin diçka reale. Ai e kuptoi se njeriu nuk manipulohet duke i mohuar besimin, por duke i ofruar një version më të lehtë, më të prekshëm dhe më emocional të tij. Në të njëjtën mënyrë, kur feja zëvendësohet nga përjetimi dhe lideri bëhet burim i së vërtetës, krijohet një realitet ku ndjekësi nuk kërkon më prova, kërkon ndjesi.
Nga ky moment, kalimi tek dimensioni politik është pothuajse i pashmangshëm. Një komunitet i ndërtuar mbi bindje të pakushtëzuar, mbi autoritet të shenjtëruar dhe mbi izolim nga kritika, është jashtëzakonisht i manipulueshëm. Kjo është arsyeja pse kritikat ndaj kësaj lëvizjeje lidhen edhe me depërtimin në institucione dhe krijimin e rrjeteve paralele të lojalitetit. Sipas autoriteteve turke, kjo strukturë arriti të shtrihej në polici, drejtësi dhe administratë, duke e kthyer besnikërinë ideologjike në instrument pushteti , një proces që, sipas tyre, kulmoi me tentativën për grusht shteti.
Por edhe nëse dimensioni politik mbetet i debatueshëm, dimensioni akaidor është më i qartë: kush e përcakton të vërtetën? Nëse ajo buron nga shpallja, atëherë çdo pretendim duhet të kalojë në filtër. Por nëse ajo buron nga ëndrra, nga ndjesia dhe nga një figurë e shenjtëruar, atëherë e vërteta nuk kërkohet më , ajo shpallet, dhe kjo bëhet në dëm të besimit dhe të ahiretit. Teksa ai që deformon besimin jo vetëm që humbet, por mbetet i damkosur si shembull devijimi. Kur’ani e jep shumë qartë fundin e këtij modeli. Kur Musai a.s. u kthye, ai e dogji viçin dhe e shkatërroi atë, duke treguar se çdo “zot” i ndërtuar mbi iluzion është i destinuar të zhduket. Ndërsa për Samiriun u shpall dënimi: “Shko! Ti në këtë jetë do të thuash: mos më prekni! Dhe ke një afat që nuk do të shkelet…” Taha 97.
Kjo është paralelja thelbësore, çdo përpjekje për ta zëvendësuar të vërtetën e shpallur me një “fe” të ndërtuar mbi emocione, figura dhe përjetime subjektive, në fund ka të njëjtin përfundim. Mund të magjepsë përkohësisht, mund të mobilizojë masa, por përfundon i ekspozuar dhe i rrëzuar.
Dhe këtu qëndron rreziku më i madh. Jo vetëm kur njeriu largohet nga feja, por kur ai qëndron brenda një forme të saj që është gradualisht e shtrembëruar. Sepse në atë moment, si në kohën e Samiriut, ai nuk e ndjen devijimin. Ai vazhdon të besojë se është në rrugën e drejtë, ndërkohë që ajo rrugë është ndërtuar mbi një përzierje të së vërtetës me iluzionin , një “viç i artë” modern që nuk kërkon mohimin e Zotit, por zëvendësimin e Tij me një interpretim të kontrolluar.