MITI SERB I KOSOVËS/ Disfata sllave e vitit 1389 e cila i "dha jetë" popullit shqiptar
Nga Enver MEHMETI / Koalicioni i popujve të Ballkanit në Betejën e Kosovës të vitit 1389, siç është e njohur historikisht pëson disfatë të rëndë. Kjo ngjarje e madhe historike e përballjeve të dy botëve, e përballjeve të dy civilizimeve, në kujtesën kolektive të popujve ballkanikë do të lërë gjurmë të pashlyeshme dhe me kohë do të marrë përmasa të një sage ballkanike. Shumica e popujve të Ballkanit, por sidomos shqiptarët dhe serbët, në krijimtarinë e tyre gojore do të thurrin legjenda dhe këngë të shumta për këtë ngjarje të rëndësishme. Sipas dëshmive historike në traditën serbe Beteja e Kosovës dhe kulti i knjaz Llazarit, gjegjësisht, miti i Kosovës për herë të parë përmenden në fund të shek. XVI, saktësisht më 1598 në një letër në të cilën një grup kallugjerësh – murgjish serbë ia dërgojnë Papatit.
Nga kjo kohë, gati dy shekuj nuk gjenden dëshmi të shkruara për mitin e Kosovës. Vetëm nga gjysma e dytë e shek. XVIII dhe gjatë gjithë shek. XIX, miti i Kosovës, që rrejshëm e paraqet Kosovën si zemër të Serbisë, si tokë të shenjtë serbe, do të fillojë të kultivohet. Ky mit në bërthamën e vet fillestare nis në shkri-mtarinë legjendare krishtere në manastire nga qarqet udhëhe- qëse të kallugjerëve. Ndër manastiret më të njohura ku zuri fill miti serb i Kosovës janë: Manastiri i Tro-noshit në Hercegovinë, Manastir i Shishatovcit në Srem, Mitropolia e Karllovcit etj. Kursa nga librat në dorëshkrim, të cilët shumëzo-heshin duke u kopjuar nga kallu-gjerët kaligrafë të cirilicës nëpër manastire dy janë më të njohurat, libri ,,Tronoški rodoslov” dhe ,, Priča o Kosovskom boju” . Në këta dy libra, por dhe në libra të tjerë të traditës krishtere serbe në dorëshkrim të gjysmës së dytë të shekullit XVIII, princi Llazar i Betejës së Kosovës nis të shenjtërohet dhe në traditën legjendare krishtere fillon të zhvillohet kulti i tij si vazhdues i Dinastisë së Nemanjiqëve. Legjendat kishtare për Betejën e Kosovës dhe kultin e Knjaz Llazarit në fakt ishin tregimet e para, me ndonjë dhjetërrokësh apo tetërrokësh si rezultat i rrëfimit emocional të tyre.
Pra, rrënjët e legjendës historike të Kosovës apo të mitit serb të Kosovës dhe të Dinastisë së Nemanjiqëve gjenetikisht nuk janë prodhim gojor, nuk janë prodhim folklorik, por janë prodhim i qarqeve udhëheqëse të kallu- gjerëve në manastire. Këto legjenda e gojëdhëna paraqesin etapën e parë apo fazën e parë të krijimit të mitit serb të Kosovës, të cilat si të tilla në këtë fazë nuk kishin gjithaq premisa nacionale, por më tepër të besimit gojëdhënor krishter për këtë ngjarje të rëndësishme historike. Fryma legjendare e Betejës së Kosovës e krijuar në librat në dorëshkrim në manastire, në pjesën e parë të shek XIX do të hyjë në traditën epike gojore dhe do të zhvillohet paralelisht me krijimtarinë letrare serbe me këtë temë. Pra, në etapën e dytë të zhvillimit të vet, miti i Kosovës që kishte origjinë kishtare, ndërtohet dhe popullarizohet përmes modelit të epikës gojore dhe letërsisë së shkruar. Autorët më të njohur të kësaj kohe që trajtojnë mitin e Kosvës në krijimtarinë letrare dhe historike ishin Zaharije Orfelini me veprën ,,Plač”, Vasilije Njegoš me veprën ,,Istorija o Crnoj Gori”, Petar Petrovič Njegoč me veprën ,,Gorski vjenac”, Milan Rakić etj. Kapërcimi i legjendës historike serbe të Kosovës nga librat në dorëshkrim të manastireve në krijimtarinë epike dhe në letërsinë e shkruar, në fazën e vet të dytë nis në fillimet e periudhës së zgjimit kombëtar serb, i cili zgjim vjen nga serbët e Austrisë. Përvoja e sërbëve të Austrisë e fituar për dekada në kushte historike, sociale, kulturore dhe politike të tjera nën Austri, fillimisht zhvilloi mendimin nacio- nal dhe nacionalizmin serb, i cili me kohë bartet dhe te serbët nën perandorinë Osmane.
Mendimi nacional serb i përhapur tek serbët nën Austri, së bashku dhe me legjendën krishtere të Betejës së Kosovës dhe të kultit të knjaz Llazarit në librat në dorëshkrim në manastire, nxitin krijimin e këngëve epike të Kosovës dhe të Nema- njiqëve, të cilat, si krijime poetike, janë të shek. XIX. Mirëpo, origjina e mirëfilltë folklorike gjegjësisht gojore e këtyre dy cikleve epike është e diskutueshme, sepse këto këngë, siç do të shohim, nuk janë produkt i muzës popullore, por i shkollës së kultivuar folklorike serbe. Në kushtet dhe rrethanat në të cilat u krijua mendimi nacional serb, që fillimisht erdhi në Serbi nga serbët e Austrisë duke filluar nga dekadat e fundit të shek XVIII dhe pothuaj gjatë gjithë shek XIX, siç u tha më lart, krijohen vepra të shumta letrare e historike me temën e kultit të Llazarit dhe të Betejës së Kosovës. Në këto kushte historike lindi edhe shkolla e kultivuar folklorike serbe e gjysmës së parë e shek XIX e mbështetur në idetë e mistifikimit letrar dhe në nacionalromantizëm.
Prijetar i kësaj shkolle ishte përfaqësuesi më i njo-hur i saj - Vuk Stefanoviq Karaxhiqi. Shkolla e kultivuar folklo-rike serbe në krye Vuk Karaxhiqin i krijoi këto këngë me anë të të cilave arriti që në nivel të lartë artistik ta ndërtojë dhe të popullarizojë mitin e Kosovës. Vuk Karaxhiqi dhe përfaqësues të tjerë të shkollës së kultivuar folklorike serbe, siç ishin Llukjan Mushniqki, Teshan Podrugoviqi, Avram Milletiqi, Begi- sheviq etj., mendimin nacional serb e gjejnë dhe e përqafojnë në mesin e serbëve të Austrisë. Prandaj, Vuk Karaxhiqi krejt punën e tij në futjen apo bartjen e mitit të Kosovës në epikën gojore e përqendroi në Srem, në Mitropolinë e Karllo-vcit, në manastirin e Shishatovcit që gjeografikisht ishin nën Austri si qendrat më të rëndësishme të zhvillimit e të mendimit nacional serb.
Karaxhiqi punën e vet rreth projektit të mitit të Kosovës në epikën gojore, fillimisht e nis me interesimet për këngët e vjetra (stara pesme), të cilat mendonte se mund të jenë te gjalla në Kosovë. Prandaj, këto këngë ai do t’i gjurmojë nga rapso- dët me origjinë nga Kosova të vendosur në Serbi apo dhe nga rapsodët në kufi apo në afërsi me Kosovën, në pamundësi që vetë të shkojë në Kosovë, sepse autori-tetet Osmane e ndalojnë të hyjë për shkak të lidhjeve të tij të ngushta me botën antiosmane perëndimore, sidomos me Austrinë dhe me Rusinë. Kështu, ai fillimisht hulumtoi këngët e Betejës së Kosovës nga rapsodët Angjellko Vukotiq me origjinë nga Rahoveci, Starac Rashko nga Kollashini dhe Starac Milija po ashtu nga Kolla- shini, mirëpo nga kjo përpjekje ndahet i zhgënjyer, sepse asnjëri prej tre rapsodëve të njohur epikë nuk dinte as edhe një këngë të vetme të periudhës së Nemanji-qëve apo për knjaz Llazarin dhe Betejën e Kosovës. Vuku, pasi nuk gjen këngë të tilla nga këta rapsodë të njohur, do t’i kthehet konceptit mistifikues evropian të krijimit të të ashtuquajturave epe gojore, në bazë të të cilave koncepte ishin krijuar ,,Këngët e Osionit”, ,,Kalevala” etj., teknologjinë e krijimit të të cilave e njihte shumë mirë. Prandaj, nuk është i kotë përdorimi nga Vuku i shprehjes ,,stare pesme apo pesme iz starine”.
Shprehja ,,stare pesme apo pesme iz starine” sipas Vukut nënkuptonte jo vetëm mbushjen e tyre me lëndë epike historike të lashtë – mesjetare, por sidomos periudhën e lashtë të krijimit të tyre. Kuptimi i dytë i kësaj shprehjeje i hap rrugë punës mistifikuese të Vuk Karaxhiqit. Në mungesë të këngëve të hershme të krijuara për Betejën e Kosovës dhe për Nemanjiqët, si njohës i shkëlqyer i strukturës artistike të këngëve epike serbe të vargut të shkurtër (pesme kratkog stiha), vetë dhe me përfaqësuesit e tjerë të shkollës së kultivuar folklorike, do ta bartë dhe do ta fusë mitin e Kosovës nga legjenda krishtere në këtë model të epikës gojore. Bartjen e mitit të Kosovës nga legjenda krishtere në këngët epike të vargut të shkurtër, shkolla folklorike serbe e kultivuar e bën për shkaqe praktike të popullarizimit të këtij miti, sepse ky model i epikës gojore ishte shumë i receptueshëm për shijën estetike kolektive serbe, ndryshe nga këngët e vargut të gjatë apo bugarshticat, gjegjësisht, këngët e moçme epike serbe, të cilat duke e humbur funksionin e vet historiko-shoqëror kishin përfunduar fazën produktive dhe nuk ushqenin fuqishëm ndjenjën ideo-emocionale, estetike dhe psikologjike si këngët e vargut të shkurtër.
Teknologjia e ndërtimit të mitit të Kosovës e Vuk Karaxhiqit fillimisht mbështet pra në parimet e njohura të mistifikimit letrar. Ai në mungesë të këngëve të Betejës së Kosovës, në fjalorin e tij ,,Srpski rječnik” fut nën shkronjën ,,L” fjalën ,,Lazarica”, të cilën gjoja e kishte dëgjuar nga lahutarët e verbër në Srem dhe në Hercegovinë. Sipas tij, lahutarët e verbër me këtë shprehje nënkuptonin një këngë të gjatë që këndonte lavdinë e knjaz Llazarit dhe Betejën e Kosovës. Vuku, më kot e hulumton këtë këngë të gjatë, atë nuk mund ta gjejë askund, prandaj vetë do t’i përvishet punës që ta krijojë. Si njohës i mirë i poetikës së këngëve epike serbe të vargut të shkurtër, krijon këngë që, gjoja, i kishte shënuar nga baba Stefani dhe axha Toma, të cilët i kishin mësur nga gjyshi i Vukut Joksimi dhe që i mbanin në mend vetëm si fragmente apo pjesë të një kënge të gjatë, të një tërësie të madhe epike. Këto këngë të shënuara që më 1815 Vuk Karaxhiqi i quan në fillim ,,Komadi kosovski pesama iz Llazarice” dhe shprehej se të gjitha këngët e Kosovës janë pjesë të Llazaricës ,,Sve kosovske pjesme su komade iz Lazarice”. Variantet të Llazaricës apo epit të shpikur gojor të mitit të Kosovës, nën ndikimin e Vukut krijojnë edhe poetët e tjerë popullorë, gjegjësisht, përfaqësuesit e tjerë të shkollës folklorike serbe te kultivuar, prej të cilave disa ishin lahutarë – gusllarë të njohur si p.sh Teshan Podrugoviq, Avram Miletiq nga Shishatovci i Sremit. Në Manastrin e Shishatovcit, të Ravanicës dhe në Mitropolinë e Karllovcit, Vuku së bashku me Teshan Podrugoviqin, Avram Miletiqin, Llukjan Mushniqkin dhe me përfaqësuses të tjerë të shkollës folklorike të kultivuar ftonin lahutarë – gusllarë të njohur si Filip Vishniqin, Starac Rashkon, Starac Milijen, etj., me të cilët bashkëkrijonin tekste të këngëve për Betejën e Kosovës dhe për Nemanjiqët dhe këto tekste mandej përhapeshin dhe bëheshin popullore.
Ndër manifestimet e njohura që kanë pasur rëndësi në popullarizimin e mitit të Kosovës përmes këngëve të vargut të shkurtër ishin tubimet në Manastirin e Ravanicës në Frushka Gorë, ku për çdo vit që nga shek. XVII kur ishte bartur kufoma e knjaz Llazarit nga Manastiri i Ravanicës i Serbisë në këtë Manastir, festohej në mënyrë madhështore Vidovdani. Lahutarët të shumtë nga Hercegovina, Serbia, territoret serbe nën Austri, në këto tubime mësonin tekste të këngëve të vargut të shkurtër për kultin e Llazarit dhe Betejën e Kosovës të krijuara fillimisht nga përfaqësuesit e shkollës folklorike të kultivuar. Kështu, shkolla e kultivuar folklorike serbe në krye me Vuk Karaxhiqin në pjesën e parë të shek. XIX krijoi ciklin e këngëve të Betejës së Kosovës dhe ciklin epik të Nemanjiqëve. Se vërtet këto këngë janë krijime të kësaj periudhe dhe të kësaj shkolle folklorike dëshmojnë më së miri edhe përmbledhjet e hershme të botuara me këngë epike serbe siç janë: ,,Dorëshkrimi i Erlangenit” i vitit 1723, përmbledhja e Avram Miletiqit, Millutinoviqit etj., në të cilat nuk gjendet asnjë këngë e vetme për Betejën e Kosovës dhe për Nemanjiqët. Këngët epike të vargut të shkurtër me anën e mitit të Kosovës të krijuara nga shkolla e kultivuar folklorike serbe do të përvetësohen nga lahutarët e mëdhenj epikë të kësaj periudhe. Vuk Karaxhiqi së bashku me përfaqësuesit e tjerë të shkollës së kultivuar folklorike do t’i mbledhin këto këngë, do t’i redaktojnë duke i plotësuar dhe rregulluar dhe do t’i botojnë në përmbledhje të veçanta. Pas botimeve të koleksioneve të Vuk Karaxhiqit me këngë për Betejën e Kosovës, kultin e Llazarit dhe me këngë të Nemanjiqëve, do të fillojë gradualisht ndikimi i këtyre veprave të shtypura në zhvillimin e mëtutjeshëm të mitit të Koso- vës. Studiuesi i njohur i epikës gojore serbe dhe njeri ndër njohësit më të mirë të biologjisë së saj në ambientin e mirëfilltë folklorik, në terren, Matija Murko konsta-tonte se shumë lahutarë këndonin këngë që i kishin lexuar dhe mësuar nga ,,Pjesnarnicat” e botuara të Vukut. Me fjalë të tjera, shfaqja dhe përhapja e mitit të Kosovës në epikën gojore serbe pas Vukut është rezultat dhe ndikim i drejtëpërdrejtë i përmbledhjeve të tij me këngë epike të botuara, në bazë të të cilave krijohen këngë të reja për Betejën e Kosovës dhe për Nemanjiqët. Në këtë mënyrë, miti i Kosovës tani përhapet në gjithë Serbinë , në Mal të Zi, në Hercegovinë dhe te serbët e Austrisë, duke marrë kështu hov të madh të zhvillimit, sepse krijohen këngë të reja nën ndikimin e koleksioneve të Vukut. Në gjysmë e parë të shek. XIX, sidomos, por dhe gjatë gjithë këtij shekulli miti i Kosovës përhapet jo vetëm me anë të këngëve epike, veprave letrare, veprave historike, po edhe përmes manifestimeve të tjera kulturore, shkollës, arsimit, etj.,.
Qarqet udhëheqëse të kallugjerëve për nevojat e nxënësve në manastire, sidomos, në Mitropolinë e Krllovcit, hartojnë tema për ushtrime të retorikës, ku dominojnë temat e mitit të Kosovës. Po ashtu tema e mitit të Kosovës nga murgjit në manastire e kisha nxitet edhe në pikturën kishtare të kësaj kohe, në stematogrofi etj. Tani miti i Kosovës në botën serbe ndodhej çdokund. Nën ndikimin e tij gjithë Serbia bëhet Kosovë. Kështu, shpirtin kolektiv serb të ushqyer, të mëkuar me mitin e Kosovës, në kohën kur Perandoria Osmane ishte në rënie, kisha dhe intelegjencia serbe po përgaditëte për rikrijimin e perandorisë mesjetare serbe të Shtefan Dushanit. Aq sa ishte e rëndësishme puna që Vuk Karaxhiqi e kishte bërë me përhapjen e mitit të Kosovës përmes modelit të këngës epike të vargut të shkurtër, po aq ishte e rëndësishme puna që ai bën në plasimin e këtyre këngëve në qarqet kulturore evropiane në përkthimin e tyre, sidomos në përkthimin në gjuhën gjermane.
Në këtë drejtim, Vukun e ndihmoi dijetari slloven Jernej Kopitari, i cili e lidh me studiues të njohur, filozofë, historianë, poetë, gjuhëtarë, etnologë, dhe folkloristë gjermanë. Internacionalizimi i mitit të Kosovës përmes përkthimit të këngëve epike bëhet për qëllime politike, që të binden qarqet kulturore dhe shtetërore evropiane për të ashtu- quajturën ,,të drejtën shtetërore historike” që do duhej ta ketë Serbia në Kosovë. Për të arritur këtë qëllim, inteligjencia serbe e shek. XIX përktheu në gjermanisht dhe ne gjuhë të tjera evropiane dhe disa vepra të zgjedhura letrare që trajtonin mitin e Kosovës. Ndër to rëndësi të madhe pati, sidomos, vepra e Njegoshit ,,Kurora e maleve” (Gorski vijenac). Pra, në etapën e tretë miti i Kosovës përhapet në të gjitha territoret serbe përmes modelit të këngës epike të vargut të shkurtër dhe kështu mëkohet shpirti kolektiv serb me këtë mit si dhe internacionalizohet përmes përkthimeve, së pari në gjermanisht, po edhe në ndonjë gjuhë tjetër, me qëllim të krijimit të opinioneve kulturore dhe politike në Evropë për gjoja të drejtën shtetërore historike të Serbisë në Kosovë. Nga gjithë kjo që u tha, shihet se këngët e Kosovës nga Vuku për Betejën e Kosvës, kultin e Llazarit dhe për Nemanjiqët janë prodhim i mendimit nacional serb të shek. XIX dhe nuk janë krijime të periudhave historike që u këndojnë. Fryma nacionale në epikën gojore te të gjithë popujt e Ballkanit nuk shfaqet në periudhën parakombëtare, por në periudhën e zgjimit kombëtar të këtyre popujve. Kjo frymë në epikën gojore shqiptare nis me këngët e kaçakëve, te grekët me këngët e kleftëve, te bullgarët me këngët e komitëve, te serbët e kroatët me këngët e hajdutëve dhe të uskokëve.
Prandaj në këtë drejtim, epika gojore serbe nuk mund të bëjë përjashtim. Kjo vërteton se mendësinë mitologjike të traditës serbe të Kosovës në periudhën e zgjimit kombëtar serb, dmth në shek. XIX kisha dhe inteligjencia serbe e shndërrojnë në aspiratë historike. Kështu që argumenti serb për Kosovën si tokë e shenjtë serbe si zemër e Serbisë mesjetare nuk është argument historik por mitologjik, është mit i krijuar për qëllime pushtuese dhe aneksioniste. Miti i Kosovës në këngët epike të vargut të shkurtër të botuara në përmbledhjet e Vukut dhe në krijimtarinë epike të mëvonshme, që nxitet nga veprat e botuara prej tij, do të bëjë jetë jo vetëm gjatë shek. XIX, por edhe gjatë gjithë shek. XX. Në mbështetje të mitit të Kosovës do të bëhen plane të shumta nacionale serbe për krijimin e Serbisë së madhe, gjegjësisht, të mbretërisë serbe të Nemanjiqëve. Ndër ideologët nacionalë serbë të këtyre planeve njihen sidoms Ilija Garashanin, Jovan Cvijiq, Vasa Çubrilloviq etj. Projekti më famëkeq në këtë drejtim mbetet ,,Naçertanije” e Ilija Garashaninit, që ishte platformë politike e frymëzuar edhe nga miti i Kosovës dhe që parashihte Serbinë si trashëgimtare e drejtëpërdrejtë e Perandorisë mesjetare serbe e Stefan Dushanit. Programi i ,,Nacertanjes” i mbështetur edhe në mitin e Kosovës ka qenë prioritet themelor i politikës serbe që nga viti 1844.
Ky projekt do të realizohet pjesërisht gjatë Luftës së Parë Ballkanike, kur Serbia më 1912-1913, në bazë të vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, aneksoi Kosovën, Dibrën dhe vise të tjera lindore të Shqipërisë. Me fjalë të tjera, e ashtuquajtura e drejta shtetërore historike e Serbisë në Kosovë, e kënduar aq shumë në këngët epike dhe e shtjelluar në letërsinë serbe të shek. XIX dhe më vonë, gjegjësisht, miti i Kosovës, të cilin e kishte krijuar kisha dhe intelegjencia serbe, nga Lufta e Parë Ballkanike e këndej fillon të jetësohet apo të bëhet realitet. Pra, në etapën e vet të fundit, d.m.th, nga koha kur në frymën e mitit të Kosovës fillojnë të bëhen projekte nacionale për krijimin e Serbisë mesjetare të Njemaniqëve dhe të knjaz Llazarit, ky mit për shqiptarët ka prodhuar urrejtje, spastrim etnik dhe gjenocid. Kulmi i kësaj urrejtjeje, spastrimi etnik dhe gjenocidi arrin në kohën e Millosheviqit. Në fund mund të konstatohet se miti serb i Kosovës si projekt politiko- kulturor i elitës së kallugjerëve apo murgjve në Manastire dhe i intelegjencies serbe të shek.XIX, është krijuar për qëllime ekspansioniste, pushtuese dhe aneksioniste ndaj Kosovës dhe territoreve të tjera shqiptare dhe si i tillë ka prodhuar fatkeqësi të mëdha, jo vetëm për shqiptarët por edhe për vetë serbët.
Hovi i ekspansionizmit serb, i nxitur nga miti i Kosovës, përfundimisht do të ndalet nga lufta e armatosur e shqiptarëve dhe ndërhyrja ushtarake perëndimore kundër makinerisë shfarosëse militare serbe. Mirëpo, është për të ardhur keq se edhe sot e kësaj dite politika e Serbisë, kisha ortodokse serbe, por fatkeqësisht edhe pjesa më e madhe e kombit serb, karshi Kosovës si shtet, nuk po mund të çlirohen nga fryma ekspansioniste e mitit të Kosovës dhe nga ana tjetër ky mit po vazhdon ende ta mbajë peng Serbinë dhe të ngadalësojë procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor si nevojë e domosdoshme e integrimeve evroperëndimore të këtij rajoni. Mirëpo, shpresojmë fuqishëm se edhe Serbia do ta kuptojë se në kushte të sotme mendësia mitike ekspansioniste është pengesë e zhvillimeve demokratike dhe e integrimeve dhe se kësaj mendësie serbe të dy shekujve të fundit më i ka ikur koha përgjithmonë.
Bibliografia 1. Maretić, T. (1966), Naša narodna epika, Beograd. 2. Matić, Svetozar. (1964), Naš narodni ep i naš stih, Novi Sad. 3. Lazarica, Beograd 1906. 4. Popović, Miodrag (1972) Vuk Stef. Karadžić, 1787-1864, Nolit, Beograd. 5. Narodna srpska pjesnarnica, (1815) Beć. 6. Karadžić, V. St. (1954) Srpske narodne pesme II, Beograd. 7. Karadžić, St. Vuk (1896) Srpske narodne pjesme, knjiga IV, Biograd. 8. Gezeman, Gerhard (1925) Srskohervatske narodne pesme, Sremski Karlovac.