Lidhje


Kamuflimi dhe ekspozimi i identitetit islam

Hoxhë Justinian Topulli

Jetojmë në një epokë dhe rajon, ku shekullarja mbizotëron në mënyrë imponuese hapësirën publike, dhe fetarja edhe pse ligjërisht gëzon të drejtën e shfaqjes dhe shprehjes publike, ajo shpesh nuk honepset nga njerëzit. Antipatia ndaj fesë, që shekullarizimi i shoqërisë shqiptare shkaktoi, sidomos gjatë periudhës komuniste, si dhe bota shekullare perëndimore ndaj së cilës shqiptarët u hapën, vazhdon të karakterizojë në një masë të madhe mendësinë e shqiptarëve të sotëm.

 

Por, pavarësisht këtij fakti, gjithashtu është fakt se feja në përgjithësi, dhe Islami në veçanti, pas rënies së komunizmit ka pasur në këto troje, dhe jo vetëm, një rigjallërim të dukshëm. Ky rigjallërim, natyrisht nuk i ka pëlqyer shumë njerëzve, nëse marrim parasysh jo vetëm procesin e shekullarizimit të shqiptarëve, por edhe pasojën që ka lënë islamofobia e sotme në rritje në perëndim. Kështu që kjo për pasojë ka krijuar një kompleks identitar te një pjesë e madhe e muslimanëve shqiptarë, të cilët shpesh nuk e shfaqin në publik identitetin e tyre fetar.

 

Janë të shumtë ata muslimanë praktikantë që jashtë xhamisë, në mjedise të tjera sociale, nuk do të ndiheshin rehat, nëse do të shfaqnin identitetin e tyre fetar islam me elementë simbolikë të dukshëm, qofshin këto edhe obligime fetare. Ky fenomen shfaqet në të gjitha shtresat shoqërore të besimtarëve, sidomos tek ajo pjesë e shoqërisë, që është më e integruar në institucionet shtetërore, intelektuale, akademike, mediatike, politike etj.

 

Natyrisht, disa grupime muslimanësh këtë kompleks të mos shfaqjes së identitetit islam, e kanë kthyer në një praktikë dhe bindje të tyre fetare, por nuk dua të ndalem tek ata në këtë shkrim, por te vetë fenomeni, se sa i drejtë apo i gabuar është ai. Si për çdo gjë tjetër, edhe për këtë, frymëzimi dhe burimi ynë i referencës është Libri i Allahut, Kurani dhe praktika e Profetit (alejhi salatu ue selam). Të dyja këto burime, një në thelb, na tregojnë se ligjërimi dhe identiteti fetar islam shfaqet përmes disa karakteristikave thelbësore. Ato janë: sfida dhe oferta, joshja dhe paralajmërimi, racionaliteti dhe realizmi.

 

Islami sfidoi mentalitetin e arabëve, fenë dhe traditat e tyre idhujtare me besimin monoteist, moralin fisnor me atë universal njerëzor të ardhur nga Zoti. Sfida identitare që Profeti iu bëri njerëzve, nuk kishte lidhje me karshillëkun armiqësor, duke e dalluar veten nga të tjerët, thjesht për hir të fesë së ndryshme që ai predikonte, por ishte sfidë që iu ofronte atyre më të mirën për vetë ata, sfidë që mbarte brenda joshjen për lumturinë e tyre në të dyja botët dhe paralajmërimin për pasojat e kundërvënies. Profeti nuk ishte një radikal ekstremist, që kërcënonte me zjarr dhe hekur ata që refuzonin të pranonin identitetin dhe ligjërimin e tij fetar, por ishte një burrë i urtë dhe i mençur, një babaxhan që i dhimbsej populli i tij. Kështu që ligjërimi dhe identiteti i tij nuk mbarte fyerje dhe përçmim, por seriozitet dhe dhembshuri.

 

Islami nuk iu thoshte njerëzve atë që ata pëlqenin të dëgjonin, por atë që ata kuptonin, edhe nëse ata nuk e pëlqenin atë që dëgjonin. Racionaliteti i ligjërimit islam bazohet pikërisht në thënien e të vërtetës, të drejtës dhe të mirës, me gjuhën e arsyes që kuptojnë njerëzit. Ai ju flet atyre përmes arsyetimit që ata kuptojnë, por jo edhe përmes asaj që ata pëlqejnë. Shumë prej muslimanëve nuk e dallojnë dot këtë ndarje shpesh të hollë në ligjërimin e tyre fetar, mes gjuhës së arsyeshme që njerëzit kuptojnë dhe preferencave të tyre personale. Mund t’iu flasësh njerëzve nga feja, gjëra që ata i pëlqejnë dhe të ndjehesh i pranuar prej tyre, por mund t’iu flasësh edhe gjëra që ata i kuptojnë, por nuk i pëlqejnë dhe të ndjehesh i refuzuar prej tyre. Pranimi ose refuzimi i tyre nuk janë kriteret përcaktuese që vendosin se çfarë është e drejtë dhe e mirë t’iu thuhet apo shfaqet njerëzve dhe çfarë jo, por kriter është që e vërteta, e mira dhe e drejta, t’iu thuhet atyre me gjuhën, arsyetimin dhe realitetin që ata kuptojnë, edhe nëse kjo nuk iu pëlqen atyre.

 

Këtë bëri Profeti i Islamit, por edhe mbarë profetët e tjerë, dhe Kurani është i mbushur me shembujt e tyre në këtë drejtim. Nëse i kthehemi realitetit tonë, dhe jo vetëm, gjejmë të përhapur shpesh dy skaje të ligjërimit dhe shfaqjes së identitetit fetar islam. Në njërën anë gjejmë ata, që zelli dhe sinqeriteti për fenë, por edhe mungesa e të qenit racional dhe realist, i bëjnë të mos jenë joshës dhe as të dhembshur me shoqërinë, por vetëm sfidues dhe paralajmërues, apo edhe indiferentë ndaj saj. Të tillë njerëz janë të prirë të veçohen nga shoqëria, pikërisht për shkak të antipatisë që ata dhe pjesa tjetër e shoqërisë ndjejnë ndaj njëri-tjetrit, duke radikalizuar si perceptimet, ashtu edhe qëndrimet e tyre. Ky model shfaqet përmes pamjes së jashtme, veshjes, sjelljes, ligjërimit, apo qëndrimeve ekstreme që shkojnë nga theksimi i tepruar i tekfirit të shoqërisë, deri te qëndrimet donkishotekse apo haxhiqamiliste, që sfidojnë në mënyrë vulgare dhe jo realiste një shoqëri që nuk të kupton. Këta njerëz duket sikur më shumë i bëjnë karshillëk me inat shoqërisë, me identitetin dhe ligjërimin e tyre islam, sesa janë të interesuar të durojnë për ta udhëzuar atë tek e mira, e drejta dhe e vërteta. Në anën tjetër, gjejmë një tjetër ekstrem, i cili nisur nga dëshira e mirë për mirëkuptim nga shoqëria dhe mjedisi që i rrethon, zhvishet pothuajse nga çdo element identitar islam, qoftë kjo në pamje të jashtme, veshje, sjellje, qëndrime dhe ligjërim, aq sa të duket se më shumë kërkojnë miratimin e shoqërisë dhe shkrirjen e plotë në mjedisin ku gjenden, sesa preokupohen për fenë apo për udhëzimin e njerëzve tek e mira, e drejta dhe e vërteta. E vërteta dhe e mira islame nuk përçohet “duke i rënë nga Kina”, as duke u fshehur pas gishtit, apo duke kamufluar identitetin fetar përmes sjelljes, gjuhës dhe qëndrimeve, që në thelb synojnë të kënaqin të tjerët dhe jo Krijuesin, por duke ndjekur rrugën e Profetit (alejhi salatu ue selam) që përmendëm më sipër.

 

Nëse do t’i përshkruaja të dy këto modele nga paraqitja e jashtme, duke shpresuar të mos keqkuptohem, e duke mos përçmuar dhe ofenduar asnjërin, por mirëkuptuar që të dy, mund të them se si modeli i muslimanit që e ekspozon identitetin e tij fetar më së shumti përmes paraqitjes së jashtme dhe veshjes që e dallon së tepërmi nga pjesa tjetër e shoqërisë, gati si një rivalitet identitar, ashtu edhe modeli i muslimanit që kurimin e paraqitjes së jashtme dhe veshjet e modës, shpesh duke neglizhuar dhe obligimin fetar, e ka preokupim parësor, iu mungon të kuptuarit e thellë të fesë, për ta zbritur dhe praktikuar atë me urtësi në realitetin ku jetojmë.

 

Suksesi i kufizuar në terren i njërit model ose i tjetrit, nuk është argument i saktësisë dhe urtësisë së tyre, pasi çdo ide dhe praktikë gjen gjithmonë ithtarët e saj, por suksesi i vërtetë është ajo që bëhet në përputhje me atë që kërkon Allahu, përmes të kuptuarit të thukët të Islamit dhe realitetit ku ai zbatohet.

XS
SM
MD
LG