Lidhje


A po e çon në kolaps mugesa e mjekëve dhe ilaçeve, sistemin shëndetësor në Shqipëri?

Spitalet në Shqipëri përballen me një krizë të thellë, e cila shtrihet përtej mungesës së ilaçeve dhe pajisjeve mjekësore. Së fundmi, ka ardhur në pah nevoja emergjente për infermierë, fizioterapistë, mamitë, logopedë dhe specialistë të tjerë të fushave të shëndetësisë. Aktualisht, janë mes 950 dhe 1,200 vende vakante në spitalet e vendit, një situatë e shkaktuar nga largimet e shpeshta të mjekëve nga pozitat e tyre publike për të kaluar në spitale private, ku paga dhe kushtet e punës janë më të mira.Kërkesa për mjekë është më e madhe në Tiranë dhe rrethinat e saj, për shkak të përqendrimit të popullsisë.
 
 
Megjithatë, nevoja për staf mjekësor ndjehet gjithashtu në Shkodër, Korçë dhe Vlorë. Në shumë raste, pacientët që paraqiten në spitalet e rretheve nuk arrijnë të marrin shërbimin e nevojshëm dhe mjekët i orientojnë drejt Tiranës.
 
 
Për të marrë një vizitë nga mjekët e kryeqytetit, pacientët shpesh u duhet të presin nga një deri në dy muaj e gjysmë, pavarësisht gjendjes së tyre shëndetësore dhe nevojës për ndërhyrje emergjente. Kjo situatë ka shkaktuar shqetësime të thella në komunitet, duke ngritur dyshime për cilësinë e shërbimeve në spitale.
 
 
Vetëm disa javë më parë, qytetarët protestuan për mungesën e ilaçeve në spitalin Onkologjik, duke kërkuar dorëheqjen e ministres së Shëndetësisë, Albana Koçi. Megjithatë, ministrja ka refuzuar të dorëhiqet dhe situata vazhdon të mbetet e njëjtë.
 
 
Pavarësisht gjendjes reale të spitaleve, qeveria deklaron se gjithçka është nën kontroll dhe se nuk ka mungesë ilaçesh në spitalet e vendit. Kjo përplasje mes realitetit të përditshëm dhe deklaratave zyrtare ka intensifikuar kritikat ndaj politikave të menaxhimit të shëndetësisë në Shqipëri./tvanews
XS
SM
MD
LG