SHBA tërhiqet plotësisht nga Iraku? “Fundi i misionit anti-ISIS”!
Koalicioni global për mposhtjen e grupit terrorist të Shtetit Islamik po përgatitet të përfundojë misionin e tij ushtarak në Irak, pjesë e një plani me dy faza që zyrtarët amerikanë thonë se nuk do të pengojë operacionet kundër ISIS-it në zona të tjera të rajonit. Zëdhënësja e Pentagonit Sabrina Singh u tha gazetarëve se misioni do të ndryshojë nga një koalicion shumëpalësh në një partneritet dypalësh sigurie me qeverinë irakiane."Shtetet e Bashkuara nuk po tërhiqen nga Iraku", u tha zëdhënësja Singh gazetarëve në përgjigje të një pyetjeje të Zërit të Amerikës në konferencën për shtypin.
"Nuk mund të hyj në më shumë detaje se si do të duket kjo në të ardhmen." Faza e parë e marrëveshjes, pritet të hyjë në fuqi menjëherë, parashikon përmbylljen e operacioneve të forcave të koalicionit në në Irak brenda një viti, thanë të premten zyrtarë të lartë amerikanë. Faza e dytë, thanë ata, do të fillojë shtatorin e ardhshëm dhe do të zgjasë të paktën një vit, duke lejuar që një pjesë e mbetur e forcave të koalicionit të qëndrojë në Irak me qëllimin e vetëm për të mbështetur operacionet kundër Shtetit Islamik në Sirinë fqinje. /TCH