Lidhje


Propagandë e paskrupullt!/ Lufta me foto për imazhin e të burgosurit Veliaj

Një betejë e vërtetë për imazhin po zhvillohet në kulisa, përpos asaj reale të sallës së gjyqit, ku Erion Veliaj po trajtohet si një i korruptuar, që ka përvetësuar fonde publike, ka pastruar para dhe ka dashur të manipulojë dëshmitarët. Po të shohësh sa herë kryebashkiaku në detyrë mbërrin me një furgon përpara Gjykatës Speciale, fotografë të shumtë rendin për të kapur sekuenca të tij, si një i burgosur i rëndomtë.

 

Mundësisht, ky do të ishte “grali”: për ta fiksuar atë si të prangosur. Menjëherë pas kësaj, pothuajse në kohë reale mediat kritike dhe opozitare me Veliajn nxitojë ti publikojnë këto klishe, që e tregojnë “transformuesin e madh të Tiranës” në një dritë krejt tjetër.

 

Por kujdes! Asnjë nga këto foto nuk gjen vend në ilustrimet e artikujve të portaleve pro qeveritare. Arsyeja është e thjeshtë: Veliaj do ende të ruajë imazhin e kryebashkiakut punëtor dhe liderit të ardhshëm të PS, që është rekur të skalisë prej vitesh.

 

Po ti qëmtosh me lupë edhe postimet e tij nga burgu, siç ka bërë lapsi.al, një pjesë e madhe e tyre duket se duan të mbajnë gjallë këtë imazh. Ai herë shpjegon se si i ka dhënë porosi vartësve të tij për të organizuar sa më mirë 8 marsin dhe herë i orienton socialistët për votën që duhet të hedhin në 11 maj.

 

Pra sjellja e Veliajt nuk është ajo natyralja e një të burgosuri, por ajo e sforcuara e një lideri. Pikërisht kjo u pa edhe në fotot që analizoi Lapsi.al përgjatë muajit të burgosjes së tij. Ditën që u njoh me masën e arrestit nga gjykata, kur doli për herë të fundit nga zyra e bashkisë Tiranë, Veliaj u kujdes të mbante një dosje në krahun e djathtë. Pra ai nuk zgjodhi një çantë me tuta, kolinoz apo shapka, që do i duheshin në birucë, por një send që vijonte të mbante gjallë imazhin e njeriut të punës.

 

 

Loja vazhdoi edhe më pas. Kur do e dërgonin me furgon, para transferimit në burg, hyrja kryesore e Drejtorisë së Policisë Tiranë, si kurrë ndonjëherë më parë u mbulua me një perde. Qëllimi qe i qartë, kryebashkiaku llërë përveshur, mbjellësi i pemëve dhe personazhi i fotove me repistë dhe aktorë, nuk duhej fiksuar nga aparatet dhe kamerat në atë hapsirë ku parakalojnë rëndom keqbërësit ordinerë. “Perdja speciale” e policisë ishte përpjekja e fundit për të rrënuar një portret të skalitur prej vitesh. 

 

   

 

Edhe më e dukshme u bë loja e nëndheshme mes atyre që duan ta paraqesin nën dritën e hajdutit të rëndomtë me ata që vazhdojnë ta shohin si lider, në momentin kur media online CNA, arriti të publikojë një foto të kryebashkiakut në detyrë në sallën e gjyqit. Veliaj shihej aty ku më parë ishin shfaqur Shullazi apo Dritan Dajti, Lefter Koka apo Alqi Bllako. Për të gjithë këta, ndonëse të tërë të akuzuarit janë të barabartë para ligjit, kurrë nuk kishte shpërthyer një polemikë se pse po i tregoheshin publikut në atë pozitë. Për ata që vazhdojnë të duan ‘Lalin” ishte ndryshe. Fotoja mori përmasat e një skandali. Si mundej ti paraqitej ai publikut, i izoluar pas kafazit të xhamtë, si ndonjë kriminel i zakonshëm?

 

Aq e rëndë që kjo sa pati media pranë Veliajt që analizuan këndin e fotos për të dalë në përfundimin se ajo qe shkrepur nga vendi ku qëndrojnë prokurorët. Se vetëm ata kanë të drejtë të mbajën celular në sallën e gjyqit. Kundërshtarët analizuan këndet dhe treguan se telefona mbajnë edhe policët duke shndërruar në debat publik një shkrepje të vetme.

 

Kjo lojë për të ruajtur apo përbaltur me anë të fotove, njeriun që ato i ka përdorur si armë politike, madje duke u bërë shpesh target talljesh, si kopjues i ish presidentit Obama, apo duke retushuar objektet në sfond të tij, vazhdon sa herë Veliaj lë qelinë e burgut të Durrësit për të shkuar në Gjykatën e posatçme. Policët që e shoqërojnë kujdesen të mbyllin perdet e furgonit që transporton të burgosurit, për të mos u dalluar pas xhamave pasagjeri i tij.

Erion, Veliaj

Ata e fusin thellë në parkingun e SPAK në mënyrë që teleobjektivët e programuar për foto nga larg, të dështojnë të fokusojnë ndonjë sekuencë nga kryebashkiaku i prangosur.

 

Por sërisht aty gjendet ndonjë reporter që arrin të vjedhë sekuenca nga gjendja e re prej të burgosuri e Veliajt. Dhe pas tyre fillon lufta e imazheve që po zhvillohet paralelisht me atë juridiko politike. Dhe në fakt këtu nuk ka asnjë çudi, sidomos kur bëhet fajalë për një personazh, që krejt karierën e vet është rekur ta ndërtojë përmes fasadës dhe profilit viziv të kundërt me atë që ka qenë realisht./Lapsi.al

XS
SM
MD
LG