Lidhje


Nga “Flamingot” te “Besa”: Si u përpoq Rama ta përvetësojë protestën pa pranuar mesazhin e saj

 

Nga përpjekja e gjatë e Edi Ramës për të treguar se e kishte dëgjuar “Bulevardin e Flamingove”, mbeti mbi të gjitha një operacion i kujdesshëm për ta përkthyer revoltën qytetare në gjuhën më të favorshme për pushtetin. Kryeministri pranoi se qytetarët janë të pakënaqur. Pranoi se mes protestuesve kishte socialistë, votues të mazhorancës dhe punonjës të administratës. Pranoi arrogancën e zyrave të shtetit, sorollatjen, mungesën e empatisë, madje edhe ryshfetin. Pranoi se faktet e qeverisë nuk bindin më kur përballen me përjetimin e qytetarëve. Por, pasi pranoi pothuajse të gjitha simptomat, shmangu pikërisht diagnozën: problemi nuk është vetëm mënyra se si qeveriset. Problemi është modeli që ka prodhuar kjo qeverisje.

 

 

Në narrativën e Ramës, protesta nuk lindi sepse shqiptarët janë lodhur nga përqendrimi i pushtetit, korrupsioni, pabarazia, klientelizmi dhe përdorimi privat i pasurive publike. Sipas tij, revolta është një pasojë thuajse pozitive e sukseseve të qeverisë. Shqipëria, argumentoi ai, është transformuar aq shumë sa qytetarët nuk kënaqen më me krahasimin me të keqen e djeshme, por kërkojnë “edhe më mirë”. Vendi, sipas kësaj teze, ka dalë nga epoka e mangësive dhe ka hyrë në “epokën e pritshmërive”.

 

Kjo është pika ku fjalimi i tij ndahet më së shumti nga realiteti i protestës

 

Qytetarët nuk dolën për javë të tëra në bulevard sepse qeveria kishte qenë tepër e suksesshme dhe u kishte rritur pritshmëritë. Nuk kërkuan dorëheqjen e kryeministrit sepse rrugët, sheshet dhe shërbimet elektronike i kishin bërë më kërkues. Nuk kërkuan një Shqipëri të re sepse ritmi i zhvillimit ishte thjesht më i ulët nga sa do të dëshironin. Protesta u zgjerua përtej Zvërnecit pikërisht sepse projekti u perceptua si simbol i një sistemi më të madh: një shtet që vendos pa qytetarët, një ekonomi që favorizon pak duar dhe një pushtet që e trajton territorin si pronë të vetën politike. Edhe raportimet mbi kërkesat e protestuesve tregojnë se lëvizja e tejkaloi çështjen fillestare dhe u shndërrua në një revoltë më të gjerë kundër korrupsionit, keqqeverisjes, mungesës së llogaridhënies dhe largimit masiv të të rinjve.

 

Autokritikë pa përgjegjësi

 

Rama e drejtoi pjesën më të fortë të kritikës së tij ndaj administratës. Foli për zyrtarë arrogantë, për qytetarë të poshtëruar nëpër sportele, për mungesë ndjeshmërie dhe për njerëz që kërkojnë para nën dorë. Në terma publikë, ishte një goditje e rëndë ndaj aparatit shtetëror që ai vetë drejton prej më shumë se një dekade.

 

Por administrata nuk është një pushtet paralel që ka zbritur mbi Shqipëri pa dijeninë e qeverisë. Ajo është përzgjedhur, rritur, kontrolluar dhe disiplinuar politikisht nga mazhoranca. Drejtorët emërohen nga qeveria. Strukturat varen nga ministrat. Punësimet dhe karrierat janë zhvilluar nën kontrollin e një partie që prej vitesh ka shkrirë gjithnjë e më shumë kufirin ndërmjet shtetit dhe organizatës politike.

 

Prandaj, kur kryeministri ankohet se administrata është arrogante, ai nuk po përshkruan një fatkeqësi natyrore. Po përshkruan rezultatin e sistemit të vet.

 

Është e lehtë të sulmosh sportelistin, drejtorin lokal apo nëpunësin e korruptuar. Është shumë më e vështirë të pranosh se arroganca në bazën e shtetit ushqehet nga arroganca në majën e tij. Kur pushteti sillet sikur mandati elektoral është një titull pronësie mbi vendin, i njëjti refleks zbret më pas në çdo zyrë, bashki, drejtori dhe institucion. Nëpunësi që nuk e dëgjon qytetarin është produkti më i vogël i një qeverisjeje që për shumë vite nuk e ka dëgjuar shoqërinë.

 

Rama e quajti fitoren me 83 mandate njëkohësisht “bekim dhe mallkim”, sepse shumicat e mëdha mund të rrisin peshën e çdo përplasjeje mes realitetit dhe pritshmërive. Por problemi i një shumice kaq të madhe nuk është thjesht se qytetarët presin më shumë. Problemi është se pushteti fillon të besojë se nuk ka më nevojë të kufizohet, të konsultohet apo të japë llogari. Në këtë kuptim, “mallkimi” nuk është emocional. Është institucional.

 

Zvërneci dhe loja me “perceptimin”

 

Edhe më problematike ishte mënyra se si Rama trajtoi Zvërnecin. Ai mbrojti sërish investimin, këmbënguli se Shqipëria nuk po shitet dhe e paraqiti konfliktin si një përplasje mes dokumenteve që zotëron qeveria dhe perceptimit të qytetarëve.

 

Kjo e zhvendos debatin nga përgjegjësia e pushtetit te psikologjia e publikut. Qeveria, sipas kësaj logjike, i ka faktet; qytetarët kanë frikën, emocionin dhe keqkuptimin. Gabimi i saj nuk qëndron te vendimmarrja, por te paaftësia për ta shpjeguar atë.

 

Por qytetarët nuk protestuan vetëm sepse materialet propagandistike të qeverisë ishin të dobëta. Ata ngritën pyetje konkrete për statusin e zonës, mënyrën e ndryshimit të ligjit, përfituesit e projektit, transparencën e procedurave, pronësinë e tokave dhe raportin mes interesit publik e atij privat.

 

Vetë fakti që qeveria ka premtuar rishikimin e ligjit për zonat e mbrojtura dhe përputhjen e tij 100 për qind me standardet e Bashkimit Europian tregon se çështja nuk mund të reduktohet në keqkomunikim. Po të ishte gjithçka e pastër, e qartë dhe plotësisht e harmonizuar, nuk do të kishte nevojë për “skanim nen për nen”.

 

Rama ka të drejtë kur thotë se një shtet nuk mund të qeveriset vetëm nga reagimet e rrjeteve sociale. Por po aq e vërtetë është se një demokraci nuk mund të qeveriset as me formulën: ne vendosim, ju protestoni, pastaj ne ju shpjegojmë më mirë pse kishim të drejtë.

 

Dëgjimi nuk matet me numrin e herëve që përmendet fjala “reflektim”. Matet me vendimet që ndryshojnë.

 

Deri në fund të fjalimit, Rama nuk dha asnjë sinjal se do të ndalte projektin, se do t’ia nënshtronte atë një procesi të ri publik, se do të hapte dokumentacionin e plotë ose se do të pranonte kontroll politik mbi mënyrën se si ishte marrë vendimi. Ai premtoi ndryshim të sjelljes, jo ndryshim të kursit.

 

“Besa” si zëvendësim i llogaridhënies

 

Përgjigjja e Ramës ndaj krizës ishte dokumenti i ri politik i quajtur “Besa”. Ai u paraqit si themeli i një marrëdhënieje të re me qytetarët, si një kontratë morale për mandatin e katërt dhe si pikënisje për reformimin e Partisë Socialiste dhe të administratës.

 

Por pas trembëdhjetë vitesh në pushtet, problemi nuk është mungesa e një dokumenti tjetër politik. Shqipëria ka parë programe, platforma, bashkëqeverisje, dëgjesa, portale ankesash, kode etike, reforma, rilindje të administratës dhe kontrata morale. Premtimet nuk kanë munguar. Ka munguar përgjegjësia kur ato janë shkelur.

 

“Besa” mund të tingëllojë bukur si simbol, por një kontratë e re nuk mund të fillojë pa bilancin e së vjetrës. Kush mban përgjegjësi për korrupsionin që vetë kryeministri pranon se ndeshet në administratë? Kush përgjigjet për qytetarët e sorollatur? Kush jep llogari për institucionet e kapura nga interesat partiake? Kush përgjigjet kur ligjet perceptohen se ndryshohen për t’u hapur rrugë projekteve të paracaktuara?

 

Pa këto përgjigje, “Besa” rrezikon të jetë vetëm një ndryshim fjalori: nga “Rilindja” te “bashkëqeverisja”, nga “bashkëqeverisja” te “Besa”, ndërsa sistemi vazhdon të funksionojë njësoj.

 

Flamingot e pranueshme dhe “sorrat” e dobishëm

 

Një pjesë tjetër e fjalimit ishte ndarja mes “flamingove”, qytetarëve me shqetësime legjitime, dhe “korbave” apo “sorrave”, që sipas Ramës ushqehen me urrejtje, konflikt dhe interesa politike.

 

Kjo ndarje është politikisht e leverdishme. Ajo i lejon kryeministrit të thotë se e respekton protestën, por vetëm pasi ka ndarë prej saj të gjithë ata që artikulojnë kërkesa të papranueshme për pushtetin. Qytetari që kërkon një shërbim më të mirë është “flamingo”. Qytetari që kërkon largimin e qeverisë rrezikon të futet te “korbat”. Pakënaqësia sociale pranohet; pasoja e saj politike delegjitimohet.

 

Por një protestë nuk është legjitime vetëm kur kërkon që qeveria të sillet më mirë. Është po aq legjitime kur kërkon që ajo të largohet.

 

Dorëheqja është një kërkesë politike, jo një akt armiqësor ndaj shtetit. Qeveria ka të drejtë ta refuzojë; qytetarët kanë të drejtë ta kërkojnë. Përpjekja për ta ndarë sheshin në qytetarë të mirë dhe kundërshtarë të këqij nuk është reflektim. Është vazhdim i së njëjtës logjikë polarizuese që e sheh çdo kundërshtim të thellë si produkt të manipulimit, opozitës, algoritmeve apo faktorëve të jashtëm.

 

Kryeministri foli edhe për rolin e kundërshtarëve të Donald Trumpit, algoritmeve dhe interesave ndërkombëtare në amplifikimin e protestës. Por asnjë teori mbi ndikimin e jashtëm nuk shpjegon dot pse mijëra shqiptarë që jetojnë çdo ditë në këtë vend iu bashkuan revoltës. Emri Kushner mund ta ketë bërë Zvërnecin lajm ndërkombëtar; nuk krijoi pakënaqësinë shqiptare.

 

Protesta nuk kërkoi një Ramë më të sjellshëm

 

Në fund, fjalimi i Ramës ishte një përpjekje për ta kthyer protestën në argument për vazhdimësinë e tij. Sipas tij, qeveria transformoi vendin, transformimi rriti pritshmëritë, pritshmëritë sollën revoltën dhe revolta tani kërkon një fazë të re të së njëjtës qeverisje.

 

Kjo është një skemë politikisht e sofistikuar, por thellësisht vetëshfajësuese. Ajo e paraqet pushtetin si shkakun e zhvillimit, të pakënaqësisë dhe të zgjidhjes. Edhe kur qytetarët revoltohen kundër tij, revolta interpretohet si dëshmi e suksesit të tij.

 

Mesazhi i sheshit ishte shumë më i drejtpërdrejtë.

 

Qytetarët nuk kërkuan vetëm më shumë empati nga sportelet. Kërkuan një shtet ku ligji të mos lakohet sipas fuqisë ekonomike dhe politike. Nuk kërkuan thjesht më shumë investime, por një model zhvillimi ku pasuria publike të mos trajtohet si plaçkë për pak përfitues. Nuk kërkuan një administratë që buzëqesh ndërsa i sorollat, por institucione që nuk varen nga partia. Nuk kërkuan një kontratë të re morale nga i njëjti pushtet pa bilanc, por llogaridhënie për mënyrën se si është përdorur pushteti deri më sot.

 

Rama dëgjoi zhurmën e protestës, por jo domosdoshmërisht kërkesën e saj.

 

Ai pranoi se njerëzit janë të zemëruar, por nuk pranoi se zemërimi drejtohet ndaj modelit që ai përfaqëson. Pranoi se administrata është arrogante, por jo se arroganca buron nga një pushtet pa kundërpesha. Pranoi se komunikimi ka dështuar, por jo se mund të ketë dështuar vetë vendimmarrja. Pranoi “flamingot”, por jo të drejtën e tyre për të kërkuar fundin e qeverisjes së tij.

 

Në këtë kuptim, “Besa” e shpallur para socialistëve nuk ishte ende një marrëveshje me qytetarët. Ishte një marrëveshje e pushtetit me veten: të ndryshojë aq sa duhet për të mos ndryshuar atë që ka më shumë rëndësi.

XS
SM
MD
LG