Fidan: Nuk mund të presim vullnetin e mirë të I"zraelit për të zbatuar zgjidhjen me dy shtete
Ministri i Punëve të Jashtme të Türkiyes, Hakan Fidan tha se "Ne nuk mund të presim vullnetin e mirë të Izraelit për të zbatuar zgjidhjen me dy shtete", transmeton Anadolu. Fidan foli në takimin e organizuar nga Grupi i Kontaktit të Gazës i Organizatës për Bashkëpunim Islam (OBI) dhe Ligës Arabe me Bashkimin Evropian (BE) dhe Norvegjinë, të mbajtur në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të 79-të të Kombeve të Bashkuara (AP-OKB).
Duke vënë në dukje se "çmenduria vrasëse" e Izraelit në Gaza vazhdon pa asnjë mundësi për të përfunduar, Fidan kujtoi se bisedimet për armëpushimin kanë arritur në një ngërç.
Ai theksoi se iniciativat për armëpushim janë minuar çdo herë nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu. "Izraeli e ka përhapur agresionin e tij fillimisht në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor, dhe tani në Liban", tha Fidan.
- "Rajoni ynë është brenda flakëve për shkak të Netanyahut"
"Rajoni ynë është brenda flakëve për shkak të Netanyahut", shtoi Fidan duke paralajmëruar se jemi në një prag kritik. Ai vuri në dukje se agresioni i Izraelit që arrin në gjenocid, ka krijuar ndërgjegjësimin për natyrën e vërtetë të problemit.
"Ne nuk mund të presim vullnetin e mirë të Izraelit për të zbatuar zgjidhjen me dy shtete", tha Fidan.
Vendimi i Parlamentit izraelit për të refuzuar shtetin e Palestinës dhe zgjidhjen me dy shtete është mjaft i qartë, potencoi Fidan duke shtuar se nuk duhet toleruar "lakmia" e Izraelit.
Kryediplomati turk potencoi se vendimi rekomandues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) dhe rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së e datës 10 maj 2024 hapi një derë të re. "Shteti i Palestinës duhet të jetë një anëtar i plotë i OKB-së. Tani, një veto ka mbetur për qëllimin tonë", tha ai.
Duke nënvizuar se pushtimi i Palestinës nuk i ka sjellë kurrë më shumë paqe apo siguri Izraelit, Fidan më tej u shpreh se "Zbatimi i zgjidhjes me dy shtete do të ofrojë siguri të përhershme për të gjithë".
Pasi rikujtoi propozimin e mëparshëm të Türkiyes për krijimin e një mekanizmi garantues për të përmbushur nevojat e sigurisë të të dy vendeve, Fidan tha se "Zgjidhja me dy shtete duhet të zbatohet përpara se të jetë tepër vonë"./AA