Viti i Ri Shkollor: Midis Propagandës dhe Realitetit

Nesër 345 mijë nxënës do të ulen në bankat e shkollës për të nisur vitin e ri arsimor 2025–2026. Ministria e Arsimit ka shpërndarë një listë arritjesh: transport falas për 38 mijë nxënës e 12 mijë mësues, 3,500 bursa për ata në nevojë, libra falas për ciklin fillor dhe rritje të numrit të mësuesve ndihmës në 2,260. Në letër, fotografia duket inkurajuese. Por pas fasadës së propagandës institucionale, tabloja reale është krejt tjetër: një sistem arsimor në krizë, me banka bosh, shkolla që mbyllen dhe një cilësi që bie me ritme alarmante.
Në Korçë, një nga qytetet simbol të traditës arsimore, rënia është dramatike: 3,726 nxënës më pak brenda një viti, duke zbritur numrin total në 17,354. Dhjetëra klasa të para nuk u hapën, ndërsa shkolla të tëra janë detyruar të bashkohen. Ky realitet nuk është thjesht një shifër, por një alarm që reflekton emigracionin masiv, krizën demografike dhe rrjedhimisht, boshatisjen e arsimit shqiptar.
Mësuesit përballen me një tjetër dramë: mungesë ngarkese mësimore dhe transferime të detyruara si ndihmës ose në programe jashtëshkollore. Profesioni humbet dinjitetin dhe rolin e tij themelor.
Nëse propagandën e qeverisë e zëvendësojmë me matjen e standardeve ndërkombëtare, fotografia bëhet akoma më e zymtë. Rezultatet e testit PISA 2022 e renditën Shqipërinë ndër më të dobëtat në rajon:
Rënie me 69 pikë në matematikë,
47 pikë më pak në lexim,
41 pikë më pak në shkencë.
Tre nga katër nxënës shqiptarë konsiderohen “funksionalisht analfabetë” në matematikë dhe lexim. Kjo është një gjeneratë që del nga shkolla pa aftësi bazë për jetën dhe tregun e punës.
Arsimi në Shqipëri financohet me më pak se 3% të PBB-së, shumë larg objektivit të deklaruar prej 5%. Në vitet e fundit shpenzimet për arsimin kanë rënë progresivisht, duke e çuar Shqipërinë në fund të listës europiane. UNESCO ka paralajmëruar për nevojën urgjente të rritjes së fondeve, përndryshe hendeku me vendet e tjera do të thellohet.
Ndërsa në Tiranë përhapen laboratorë të rinj dhe klasa “Smart”, në fshatrat e thellë vetëm 46% e shkollave kanë internet dhe më pak se 6% kanë Wi-Fi. Shkolla me 10–15 nxënës në Malësinë e Madhe ose në Devoll funksionojnë në kushte minimale, shpesh pa ngrohje, laboratorë apo mjete didaktike. Digitalizimi mbetet propagandë urbane që nuk prek realitetin rural.
Nga 61 bashki në vend, vetëm 19 kanë shkolla profesionale aktive, një rënie krahasuar me vitin 2021. Sipas Fondit Europian për Trajnim (ETF), cilësia e arsimit profesional ra me 20% vetëm në vitin 2024. Në vend që të prodhojë kuadro për tregun e punës, sistemi profesional shqiptar është shndërruar në një rrugë pa krye.
Në vitin 2018 studentët dolën masivisht në protesta duke denoncuar korrupsionin, tarifat dhe plagjiaturën në universitete. 7 vite më pas, pak ka ndryshuar: burokracia e tepërt e mësuesve, reforma të papërgatitura në kurrikula, mungesa e këshillimit për karrierë dhe standarde të ulëta në mësimdhënie mbeten plagët e përditshme.
Nesër do të bëhen fotografi, do të postohen mesazhe urimi dhe do të shfaqen reportazhe me fëmijë që hyjnë në klasat e para. Por realiteti është ky:
Nxënës më pak,
Shkolla bosh,
Mësues të zhgënjyer,
Financim minimal,
Dhe një sistem që po dështojnë ta mbajë në jetë premtimet.
Arsimi në Shqipëri nuk ka nevojë për propagandë, por për një strategji të guximshme, të bazuar në investime serioze, mbështetje reale për mësuesit dhe politika që frenojnë boshatisjen e vendit nga nxënësit. Përndryshe, çdo shtator do të kemi më pak banka të zëna dhe më shumë buzëqeshje të rreme në ceremonitë e hapjes së vitit shkollor.