Njohja e Palestinës po e shkërmoq ndikimin e madh të I.zraelit në Perëndim

Dhjetë vende të tjera perëndimore e njohin Palestinën, duke shënuar një pikë kthese në mbështetjen globale. Parashikohet që në ditët në vijim, me njoftimet e reja për njohje, numri i vendeve anëtare të OKB-së që njohin Palestinën, do ta tejkalojë numrin e vendeve që e njohin Izraelin.
Nga Haydar Oruç “Daily Sabah”
Samiti hapës i sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, po zhvillohet nën një atmosferë të ndryshme nga vitet e kaluara përshkak të axhendës intensive palestineze.
Izraeli ka nisur një operacion të ri ushtarak për të pushtuar plotësisht Gazën, duke i çuar në një nivel të ri masakrat të përgjakshme dhe gjenocidin që po vazhdon prej gati 2 vjetësh.
Konferenca Ndërkombëtare e Nivelit të Lartë me temë “Gjetja e një Zgjidhjeje për Çështjen Palestineze dhe Zbatimi i Zgjidhjes me Dy Shtete”, e organizuar në Asamble përmes një iniciative të përbashkët nga Franca dhe Arabia Saudite, e ka rritur pritshmërinë se OKB-ja do të luajë një rol më efektiv në ndalimin e gjenocidit të vazhdueshëm në Gaza, si dhe në arritjen e një zgjidhjeje të konfliktit përmes ekzistencës paqësore të dy shteteve.
Pritmëritë janë rritur edhe pas raportimeve se disa vende perëndimore, të cilat më parë e mbështesnin Izraelin dhe për këtë arsye ngurronin ta njihnin Palestinën, tani po përgatiten që ta bëjnë këtë. Po cilat vende kanë bërë njoftime të tilla dhe cila është rëndësia e vendimeve të tyre?
Vendet që do ta njohin Palestinën
Kombe të fuqishme perëndimore si Britania e Madhe, Franca dhe Kanadaja kishin njoftuar tashmë qëllimin e tyre për të njohur zyrtarisht shtetin e Palestinës gjatë samitit. Deklaratat e mëvonshme sugjeruan se vende si Portugalia, Australia, Malta, Luksemburgu, Belgjika, San Marino, Monako dhe Andorra do t’i bashkoheshin gjithashtu kësaj lëvizjeje, duke e çuar totalin në 10 njohje të reja dhe duke e rritur në 157 numrin e shteteve anëtare të OKB-së që njohin Palestinën si shtet të pavarur.
Pavarësisht deklaratave kërcënuese të bëra nga Izraeli dhe SHBA-ja për të parandaluar këtë zhvillim, dhe pretendimeve se njohja e Palestinës do të “shpërblente terrorizmin” dhe “dëmtonte interesat e shtetit të Izraelit”, ndodhi pikërisht ajo që pritej. Edhe para fillimit të samitit, më 21 shtator, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Australia njoftuan se e kishin njohur zyrtarisht Palestinën.
Menjëherë pas kësaj, më 22 shtator, Franca, Portugalia, Belgjika, Malta, Monako dhe Luksemburgu njoftuan njohjen prej tyre të Palestinës. Me këto vendime të fundit, numri i vendeve që njohin Palestinën në OKB-në me 193 anëtarë gjithsej, i është afruar numrit të vendeve që njohin Izraelin.
Parashikohet që në ditët në vijim, me njoftimet e reja për njohje, numri i vendeve që njohin Palestinën, do ta tejkalojë numrin e vendeve që e njohin Izraelin.
Rëndësia e vendimeve
Para së gjithash, vlen të përmendet se të gjitha vendimet e fundit për njohje kanë ardhur nga vende që janë pjesë e kampit perëndimor, dhe që në një mënyrë a tjetrën, e kanë mbështetur Izraelin deri më tani.
Kjo situatë është shumë domethënëse, për sa i përket faktit që Izraeli po fillon ta humbasë statusin e tij të privilegjuar në sytë e vendeve perëndimore. Që nga themelimi i tij, çfarëdolloj veprimi që ka bërë Izraeli nuk është kritikuar nga këto vende.
Përkundrazi, është mbështetur pavarësisht të gjitha llojeve të paligjshmërisë.
Për më tepër, me njoftimin e Britanisë dhe Francës, të gjithë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përveç SHBA-së, e kanë njohur tashmë Palestinën.
Ndërkaq, njohja e Palestinës nga Kanadaja dhe Australia, dy anëtarë kyç si të kampit perëndimor ashtu edhe të Komonuelthit, është një zhvillim shumë i rëndësishëm. Sepse të dyja vendet e kishin mbështetur plot zell Izraelin në të kaluarën, dhe ishte e paimagjinueshme që një ditë ato do ta kritikonin Izraelin dhe do ta njihnin Palestinën.
Megjithatë, rëndësia e vërtetë e këtyre njohjeve, qëndron në faktin se ato u bënë pavarësisht aleancës së ngushtë të vendeve me SHBA-në, e cila më parë kishte paralajmëruar se do të vendoste sanksione ndaj çdo shteti që njeh Palestinën.
Ky zhvillim ngre pikëpyetjen se si do të reagojë Uashingtoni, veçanërisht ndaj aleatëve kryesorë si Mbretëria e Bashkuar dhe Franca. Nëse SHBA-ja do të vazhdojnë me sanksionet, do të ketë zgjedhur një vend si Izraeli që nuk i shërben interesave rajonale të SHBA-së, dhe madje e detyron atë t’i japë çdo vit pa kompensim miliarda dollarë nga paratë e taksapaguesve amerikanë për të mbështetur politikat e tyre agresive në rajon, duke humbur kështu dy aleatë të rëndësishëm si Britania e Madhe dhe Franca.
Një nga aspektet më mbresëlënëse të vendimeve, është se të gjitha këto vende kanë deklaruar angazhimin e tyre ndaj planit të OKB për një zgjidhje me dy shtete. Siç mund ta keni vënë re, Izraeli nuk flet më vetëm për pushtimin e Gazës, por deklaron se nuk do të lejojë kurrë ekzistencën e një shteti palestinez.
Prandaj, këto vende duhet të marrin gjithashtu edhe përgjegjësinë për sigurimin e territoreve palestineze të specifikuara në planin e zgjidhjes me dy shtete, si dhe për ndalimin e gjenocidit të vazhdueshëm në Gaza. Përndryshe, vendimet e tyre për të njohur Palestinën do të jenë të pakuptimta dhe besueshmëria e vendeve në fjalë do të vihet në pikëpyetje.
Çfarë sjellin këto vendime?
Fakti që vendet perëndimore e kanë njohur Palestinën, tregon para së gjithash, se Izraeli e ka humbur epërsinë e tij retorike në këto vende. Pra pavarësisht pushtimit të Izraelit që nga viti 1948 dhe politikave të tij gjenocidale, veçanërisht që nga 7 tetori 2023, këto vende i besuan operacioneve propagadistike të Izraelit dhe gënjeshtrave që ai serviri, duke menduar gabimisht se Izraeli po vepronte në vetëmbrojtje të ligjshme në Gaza dhe për këtë arsye nuk po kryente gjenocid.
Pasoja ishte që ata ngurruan ta njihnin Palestinën si shtet. Tani ata kanë ndryshuar qëndrimin e tyre. Mbështetja në rritje për shtetin palestinez, i cili deri më tani nuk ka qenë në gjendje të bëhet anëtar i përhershëm i OKB-së për shkak të vetos së SHBA-së në Këshillin e Sigurimit, do ta detyrojë Uashingtonin që të rishqyrtojë vendimin e tij.
Në fund të fundit, me këtë lëvizje SHBA-ja do të braktiste qëndrimin e saj kokëfortë dhe do t’i hapte rrugën që një shtet i pavarur palestinez, me Jerusalemin si kryeqytet dhe bazuar në kufijtë e vitit 1967, të bëhet anëtar i përhershëm i OKB-së.
Edhe pse Izraeli është një shtet mashtrues që shpërfill totalisht rregullat dhe ligjet ndërkombëtare, nëse Palestina bëhet anëtare e përhershme e OKB-së, Tel Avivi do të humbasë arbitraritetin që gëzon aktualisht në zbatimin e politikave të saj të pushtimit, shtypjes dhe gjenocidit.
Izraeli jo vetëm që do të humbasë pozicionin e tij komod që gëzonte deri vonë, por do të detyrohet gjithashtu të japë llogari për krimet që ka kryer deri më sot. Izraeli besonte se kishte fituar në terren duke shkatërruar Gazën dhe duke vrarë më shumë se 65.000 njerëz pas ngjarjeve të 7 tetorit 2023.
Megjithatë, pas këtyre vendimeve për njohje, u bë e qartë se Izraeli kishte humbur ndjeshëm dominimin e tij në botën perëndimore. Dhe pasi e humbi mbështetjen perëndimore, për të u bë e pamundur të vazhdonte politikën e tij aktuale rajonale.
Rrjedhimisht, vendimi për të njohur Palestinën, i shpallur në kuadër të samitit hapës të sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ka pasur një efekt të madh që ndryshon gjithçka.
Këta hapa, do të shënojnë fillimin e një procesi kundër Izraelit, të ngjashëm me izolimin e regjimit të aparteidit në Afrikën e Jugut, dhe do ta detyrojnë në fundtë fundit Izraelin që të braktisë politikën e tij aktuale të gjenocidit.
Fituesi i këtij procesi padyshim do të jetë Palestina. Si rezultat i çmimit të rëndë që ka paguar deri më tani, populli palestinez do të arrijë të ketë më në fund shtetin e tij të pavarur dhe do të vazhdojë të jetojë dhe lulëzojë në këtë rajon pavarësisht Izraelit.
Shënim: Haydar Oruç, ekspert i Lindjes së Mesme në Institutin mbi Lindjen e Mesme të Universitetit Sakaria, Turqi.