Meta prezanton tarifë prej 3.99 £ për përdoruesit e Facebook dhe Instagram

Meta ka njoftuar se brenda pak javësh përdoruesit në Mbretërinë e Bashkuar do të përballen me një tarifë të re mujore prej 3.99 £ nëse zgjedhin të përdorin platformat pa reklama. Përmes një njoftimi zyrtar, kompania sqaroi se tarifa do të ofrojë akses pa ndërprerje publicitare në të dy rrjetet sociale, ndërsa për përdoruesit në versionin desktop çmimi do të jetë më i ulët, 2.99 £ në muaj.
Sipas Metës, kjo lëvizje vjen si pjesë e modelit “pëlqim ose pagesë”, që lejon përdoruesit të zgjedhin mes reklamave të personalizuara ose një abonimi që mbron të dhënat e tyre nga gjurmimi për qëllime marketingu. Ata që nuk pranojnë të paguajnë, do të vazhdojnë të shohin reklama të synuara në bazë të aktivitetit të tyre online. Llogaritë e lidhura në të dy platformat do të përfshihen në një tarifë të vetme, ndërsa për çdo llogari shtesë, do të ketë një pagesë shtesë prej 2–3 £.
Vendimi është në përputhje me rregulloret e reja evropiane për mbrojtjen e të dhënave dhe është përshëndetur nga Zyra e Komisionerit të Informacionit në MB (ICO), e cila prej kohësh kishte kritikuar modelin e reklamave të synuara të Metës. Megjithatë, ndryshe nga përdoruesit në Bashkimin Evropian që mund të zgjedhin reklama më pak të personalizuara pa pagesë, përdoruesit britanikë do të kenë vetëm dy opsione: ose të paguajnë, ose të pranojnë reklamat si më parë./joq