Rruga nga armëpushimi drejt paqes të përhershme

Palestinezët duhet të jenë në qendër të përcaktimit të së ardhmes së Gazës, përfshirë edhe se kush e qeveris atë...
Nga Chris Doyle “Arab News”
Nëse gjithçka shkon sipas skenarit, 3 fazat e para të planit të paqes të propozuar nga Donald Trump, do të hyjnë në fuqi në fillim të kësaj jave. Një armëpushim i përkohshëm, por me shpresën që të bëhet i përhershëm, ka hyrë tashmë në fuqi.
Më në fund, është lejuar të hyjë në Gaza një ndihmë humanitare e kufizuar. Pengjet izraelite dhe të burgosurit palestinezë po lirohen. Ajo që ekziston për momentin, është një ndërprerje e luftimeve, plus një vendosmëri e qartë midis shumë aktorëve, përfshirë presidentin e SHBA-së Donald Trump dhe fuqitë rajonale, për t’i dhënë fund konfliktit.
Pozicioni i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahut dhe koalicionit të tij, është në rastin më të mirë i paqartë. Ndërkohë, është më i vështirë deshifrimi i pikëpamjeve brenda një Hamasi të përçarë. Po si mund të përkthehet kjo ndërprerje e përkohshme e luftimeve, në një armëpushim të përhershëm, dhe që ky konflikt të zhvendoset përfundimisht në një rrugëtim drejt paqes?
Çfarë duhet dhe çfarë s’duhet bërë? Le të fillojmë me atë që është më emergjente. Së pari, nëse vendoset një armëpushim, nuk duhet të zbehet vëmendja. Ky proces, do të kërkojë përqendrim dhe vendosmëri në planin afatgjatë.
Mjerisht, politikës së shekullit XXI i mungojnë këto cilësi. Udhëheqësit botërorë shpërqendrohen shumë lehtë. Leksionet nga luftërat e mëparshme në Gaza, na mësojnë se deklaratat madhështore pas një armëpushimi harrohen shumë shpejt, dhe një statuskuo e brishtë mund të lejohet që të përkeqësohet. Në të kaluarën, nuk është trajtuar asnjë nga shkaqet rrënjësore të konfliktit.
Së dyti, momenti pozitiv duhet të ruhet përmes lëvizje të rregullta përpara. Presidenti Trump ka bërë bashkë palët në Egjipt, dhe kjo mund të funksionojë në një samit paqeje. Ai ka krijuar një atmosferë kontruktive, edhe pse nuk ka shumë qartësi mbi drejtimin përfundimtar.
Prandaj, kjo kërkon më shumë sesa një fokus të qëndrueshëm. Ajo ka nevojë për rezultate, për ndjenjën e ecjes gjatë gjithë kohës përpara. Situata në Gaza duhet të përmirësohet ditë pas dite.
Së treti, që të gjithë duhet të jenë të kujdesshëm që të mos tërhiqen nga ky entuziazëm. Autorët dhe arkitektët e këtij plani, kanë një interes të drejtpërdrejtë në zmadhimin e asaj që është arritur deri më tani. Kjo nuk është paqe e përhershme, sado që mbetet një armëpushim i dëshirueshëm. Nuk është as dhe një marrëveshje paqeje. Ajo mbulon vetëm Gazën, jo të gjithë konfliktin. Rreziku i kësaj qasjeje, është minimizimi i sfidave shumë më të vështira që na presin.
Së katërti, 20 pikat e shpallura nga Trump, të negociuara kryesisht me Netanyahun, duhet të rishikohen dhe ndryshimet duhet të adresojnë urgjentisht 3 çështje. E para dhe padyshim më seriozja, është mungesa totale e autoriteteve palestineze.
Shteti i Palestinës duhet të përfaqësohet në të gjitha bisedimet, duke filluar nga ato që po mbahen tani në Egjipt. Meqë Hamasi nuk ka asnjë rol për të luajtur në të ardhmen e Gazës, pavarësisht të gjitha të metave të padyshimta, Autoriteti Palestinez ka një strukturë dhe aftësi.
Palestinezët janë të parët që duan reformimin e tij dhe jo fuqitë e jashtme. Por progresi nuk duhet të ngadalësohet duke pritur që kjo të ndodhë. Palestinezët duhet të jenë në qendër të përcaktimit të së ardhmes së Gazës, duke përfshirë edhe se kush e qeveris atë, kush mbikëqyr procesin e rindërtimit, kush i fiton kontratat dhe kush negocion me Izraelin.
Ato vende që e kanë njohur shtetin e Palestinës gjatë muajve të fundit, duhet të jenë në krye të kësaj çështjeje. Palestina nuk mund të jetë i vetmi shtet që nuk përfaqësohet në bisedime. Plani i Trump duhet të zgjerohet për të përfshirë edhe Bregun Perëndimor.
Nuk mund të quhet një qasje gjithëpërfshirëse, nëse Gaza trajtohet si një enklavë e veçantë. Ajo është pjesë e shtetit të pushtuar të Palestinës. Edhe sipas Marrëveshjeve të Oslos, të dyja zonat u përcaktuan të ishin një njësi e vetme territoriale.
Netanyahu dhe grupi i tij i ministrave anti-palestinezë, duan të sigurojnë ndarje të plotë gjeografikisht, demografikisht, ekonomikisht dhe politikisht. Prandaj, Autoriteti Palestinez po përjashtohet qëllimisht nga procesi. Autoriteti teknokratik palestinez në Gaza, nuk do të ketë asnjë marrëdhënie me Ramallahun.
Po ashtu, në marrëveshjen me 20 pika, nuk ka asnjë referencë për kalimin e sigurt midis Gazës dhe Bregut Perëndimor. Pra në kushtet aktuale, palestinezët nuk do të jenë në gjendje të udhëtojnë dhe bëjnë tregti midis dy zonave.
E gjithë kjo duhet të kundërshtohet këtë javë në Egjipt. Për më tepër, duhet të ndalen dhe të ndëshkohen krimet në Bregun Perëndimor, veçanërisht zgjerimi masiv i vendbanimeve dhe dhuna e kolonëve hebrenj ndaj palestinezëve autoktonë.
Mungesa e tretë është drejtësia dhe llogaridhënia. Çfarë mesazhi i dërgon botës ky pakt: që gjenocidi dhe krimet kundër njerëzimit mund të kryhen pa asnjë kosto? Prandaj duhet të mbështeten paditë në Gjykatën Ndërkombëtare Penale dhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Ata që kanë kryer krime në Gaza duhet të ndëshkohen. Bizneset që ndihmuan dhe inkurajuan krimet, nuk duhet të kenë pjesë në procesin e rindërtimit. Aktorët rajonalë, duhet ta kushtëzojnë pjesëmarrjen e tyre në planin “Trump” me të gjitha sa thamë më sipër.
Shtetet duhet të angazhojnë fonde dhe trupa për forcën stabilizuese, vetëm nëse një shtet i lirë dhe i pavarur i Palestinës është një destinacioni i qartë ky synohet të arrihet, pra nëse palestinezët i drejtojnë vetë punët e tyre, të lirë nga kontrolli i jashtëm, dhe nëse drejtësia e llogaridhënia janë në qendër të procesit të paqes midis 2 popujve.
Këto shtete kanë ndikim tek Donald Trumpi. Fondet dhe forcat e tyre, janë një pjesë thelbësore e rrugës drejt vënies në jetë të planit të presidentit amerikan. Ka ardhur koha të sigurohemi që gjithçka të shkojë në mënyrën e duhur.
Shënim: Chris Doyle, është drejtor i Këshillit për Mirëkuptim Arabo-Britanik me seli në Londër.