Kosova shënon 25-vjetorin e Çlirimit
Në Kosovë u shënua me aktivitete të shumta 25-vjetori i Çlirimit të Kosovës. Një syresh ishte parakalimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe policisë, e cila ekspozoi edhe një sasi të vogël armatimesh nën duartrokitjet e mijëra qytetarëve.
Më 12 qershor të vitit 1999, pas largimit të forcave serbe, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas fushatës ajrore 78 ditëshe të aleancës veriatlantike NATO kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi. Në Kosovë vlerësohet se NATO-ja ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm jo vetëm në ruajtjen e paqes por edhe në rindërtimin e Kosovës.
Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, për udhëheqësit politik kosovar luajti rol kyç në çlirimin e Kosovës më 1999, pasi punoi me aleatët e tjerë të NATO-s për ndërmarrë veprime ushtarake në mbrojtje të popullit të Kosovës. Qendra Presidenciale "Clinton” ka shpërndarë deklarimin e presidentit të atëhershëm të SHBA-së, Bill Clinton, pas 78 ditëve të bombardimeve të NATO-s në Serbi.
"25 vjet më parë, Shtetet e Bashkuara udhëhoqën aleatët e NATO-s në një fushatë ajrore që me sukses përjashtoi forcat serbe, duke i dhënë fund represionit dhe kampanjës për spastrim etnik prej një dekade, duke i dhënë fund luftës në Kosovë”, thuhet në postimin në X të Qendrës "Clinton”, e cila e vlerëson veprimin ushtarak të NATO-os që ndihmoi në rivendosjen e vetëqeverisjes për krahinën dhe çoi në pavarësinë e Kosovës në 2008”.
Dëshmi përkushtimi
Në një seancë solemne në Kuvendin e Kosovës Presidentja, Vjosa Osmani, në fjalën e saj, tha se prania e aleatëve dhe paqëruajtësve në Kosovë është dëshmi e përkushtimit të botës ndaj drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor.
"NATO-ja në Kosovë ishte dritë shprese, ishte një shanc për drejtësi, një shanc për liri. Thirrjet e popullit tonë, persekutimi i pamëshirshëm dhe jetët e panumërta të humbura nga masakrat e tmerrshme, dëbimi me dhunë dhe spastrimi etnik ishin thirrje për drejtësi që nuk mund të shpërfilleshin më nga ndërgjegja ndërkombëtare. Prandaj në qershor ‘99 muret e tiranisë u shembën”, tha Osmani.
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova po e shënon 25-vjetorin e çlirimit duke qëndruar bashkë me aleatët njësoj si në ditët e para të çlirimit.
"Sikur atëherë edhe tani Serbia rri e rreshtuar prapa Rusisë, ashtu siç Rusia qëndron prapa shumë veprimeve të Serbisë. Kurse shteti ynë Kosova dhe populli i saj bashkë me Shqipërinë, në vazhdimësi ka shkuar duke i forcuar lidhjet dhe aleancën e saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Britaninë e Madhe, me Gjermaninë dhe Turqinë, me Francën dhe Italinë dhe me vendet e tjera partnere perëndimore. Bashkimi Evropian është familja jonë e synuar politike, kurse NATO-ja është destinimi ynë ushtarak”, tha kryeministri Albin Kurti.
Mbështetje për çdo përpjekje të Kosovës
Në Kosovë si mysafir nderi po qëndron edhe ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-os, Lordi George Robertson dhe Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj.
Lordi Robertson, tha se "si ish-sekretar i Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, së bashku me homologët tjerë nga Gjermania, Franca dhe SHBA-të biseduam se çfarë po ndodhte në Kosovë”.
"I konsultuam strukturat e shërbimmeve sekkrete dhe raportimet e medieve dhe dëgjuam lutjet e njerëzve nga malet dhe ne dinim se vetëm ju e dini se çfarë ndodhte këtu në atë kohë. E dinim se diçka duhej të ndodhte, se diçka duhej të bëhej që gjithçka të ndalonte. E dinim se Kombet e Bashkuara ishin të paralizuara nga vetot e Rusisë dhe Kinës. E dinim se diçka duhej vepruar së bashku pavarësisht të rezolutës së Kombeve të Bashkuara, por ne e dinim gjithashtu se mosveprimi ynë do të lejonte që Milloshviqi të vazhdonte edhe më tej spastrimin etnik të shqiptarëve nga vendi i tyre”, tha Robertson. Dhe duke rikujtuar ato ditë, ai tha se "Ne dinim çfarë duhej të bëhej dhe e bëmë dhe 78 ditë më vonë ne pamë objektivin tonë të plotësuar. Ushtria e Milloshveiqit u largua, NATO-ja hyri dhe refugjatët u kthyen në shtëpi”.
Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, ndërkaq, tha se "shteti shqiptar e ndjen detyrë dhe mision të mbështesë çdo përpjekje të qeverisë së Kosovës, të institucioneve të saj në rrugëtimin e tyre”.
"Për të faktorizuar Republikën e Kosovës si shtet qe respekton të drejtat dhe liritë e njeriut, i qëndron frymës euroatlantike, që mban dhe trashëgon miqësitë që na janë gjendur në ditët tona më të errëta, duke besuar, duke dëgjuar, duke ndjekur e këshilluar nga partnerët strategjik Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian”, tha presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj.
Roli i UNMIK-ut
Fushata bombarduese e NATO-s, që zgjati 78 ditë, përfundoi më 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Rezoluta 1244 e OKB-së në Kosovë vendosi administratën e përkohshme të OKB-së, UNMIK, për të administruar me vendin për një periudhë transitore deri në ngritjen e kapaciteteve vendore dhe zgjidhjen e statusit të Kosovës. Rezoluta 1244 siguroi bazën ligjore për vendosjen e rreth 50.000 trupave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja për ta siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e saj.
Me hyrjen e trupave ndërkombëtare u mundësua kthimi në shtëpitë e tyre i më shumë se 800.000 refugjatëve, persona të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës. Në luftën e viteve 1998-99, janë vrarë më shumë se 13.000 persona dhe janë zhdukur më shumë se 6.000. Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi. Në vitin 2008 Kosova shpalli pavarësinë e saj, ndërsa, deri më sot njihet nga 110 shtete të botës. Njëzetepesë vjet pas hyrjes në Kosovë të trupave të NATO-os, numri i trupave të KFOR-it është zvogëluar në rreth 4 mijë trupa./DW